🛑 Kështu e shtrembërojnë filmat e Hollivudit imazhin e arabëve dhe myslimanëve
✍ Nga Ayad Abellal – Shkrimtar dhe studiues maroken
13 Prill 2025
Kështu, kjo kinematografi, e cila përqendrohet në mënyrë të theksuar në atë që ndodh në Lindjen e Mesme, punon për të përmirësuar dhe idealizuar imazhin e Perëndimit si mbrojtës i vlerave dhe për të paraqitur Izraelin si partner strategjik për paqen dhe modernitetin. Ndërkohë, imazhi i arabëve dhe myslimanëve, dhe në përgjithësi i vendeve të jugut global, paraqitet në mënyrë të deformuar dhe barbare, duke justifikuar ndërhyrjen perëndimore në çështjet e këtyre vendeve, me pretendimin se Perëndimi, nën udhëheqjen e SHBA-së, është shpëtimtari i botës dhe mbrojtësi i të shtypurve.
Që nga filmi The Exodus i regjisorit Otto Preminger (1960), tek The Happy Hooker Goes to Washington i William Levy (1977), The Bonfire of the Vanities i Brian De Palma (1990), Gladiator i Ridley Scott (2000), The Kingdom i Peter Berg (2007), dhe shumë të tjerë që nuk mund të përmenden të gjithë, kinemaja amerikane ka punuar për ta paraqitur arabin dhe myslimanin në mënyrë stereotipike dhe orientaliste, përshkruar me terma si barbar, i dhunshëm, i prapambetur dhe agresiv. Islami, në këto përfaqësime, shfaqet si një armik i mundshëm dhe një rrezik për stabilitetin dhe zhvillimin global. Kjo strategji e shenjave dhe simboleve që përdor kinemaja perëndimore me zgjuarsi, synon të përgatisë publikun për të pranuar ndërhyrjen amerikane dhe perëndimore për të mbrojtur të ashtuquajturat vlera universale dhe të drejtat e njeriut, dhe për të “civilizuar” këto shoqëri. Kjo i bën shikuesit të mohojnë kulturën dhe fenë e tyre, duke i konsideruar si pengesë për qytetërimin.
Përshkrimi i Perëndimit si shpëtimtar dhe i arabëve e myslimanëve si barbarë dhe agresivë, bën që audienca të mohojë identitetin dhe kulturën e vet dhe të shohë ndërhyrjen perëndimore si një projekt qytetërimi dhe mbrojtjeje të vlerave të civilizimit.
Në këtë kontekst, disa filma dokumentarë objektivë, të realizuar nga regjisorë perëndimorë kritikë ndaj këtij deformimi të qëllimshëm në kinemanë amerikane, paraqesin dëshmi të qarta për natyrën dhe objektivat, të shprehura ose të fshehura, të kësaj industrie filmike.
Ndër shembujt më të spikatur është dokumentari i regjisorit Jack Shaheen Reel Bad Arabs: How Hollywood Vilifies a People (Arabët e Këqinj në Film: Si i denigron Hollivudi një popull), që u përgatit pas viteve të tëra pune dhe analizash mbi më shumë se 1000 filma amerikanë. Përfundimi i tij ishte se imazhi i arabëve dhe myslimanëve në këto filma paraqitet në mënyrë stereotipike dhe fyese, duke i paraqitur ata si popujt më të prapambetur, të paaftë, përtacë dhe seksualisht të shtypur.
Ky deformim nuk kufizohet vetëm në kinemanë artistike apo filmat dokumentarë, por përfshin edhe filmat vizatimorë për fëmijë. Një shembull i njohur është filmi Aladdin, ku arabi paraqitet si hajdut dhe i egër. Gjithashtu, kemi edhe filma si The Mad Dog of the Desert (Qeni i Çmendur i Shkretëtirës), apo seriale vizatimore si The Simpsons dhe Rick and Morty, ku tallja me zakonet dhe traditat arabe dhe myslimane është temë e preferuar, për të mos përmendur fyerjet ndaj profetit Muhamed (paqja qoftë mbi të).
E gjithë kjo tregon se prodhimi kinematografik dhe serialet nuk janë kurrë të pafajshme, por janë mjete të një lufte kulturore dhe mënyra për të ndikuar mbi popujt përmes artit, që sot përbën një nga shtyllat e “fuqisë së butë”. Kultura është boshti i kësaj force dhe industritë kulturore janë vegla të fuqishme të saj.
Për fat të mirë, ekzistojnë edhe filma dokumentarë dhe artistikë që përpiqen të korrigjojnë këtë prirje të padrejtë dhe të paraqesin imazhe më të ndershme të arabëve dhe myslimanëve. Disa autorë të tillë, megjithëse shpesh të anashkaluar, kanë denoncuar stereotipet fyese. Njëri prej tyre është regjisori, producenti dhe autori amerikan Michael Moore, i cili përfaqëson një model të ndritur të një kinemaje ndriçuese, të drejtë dhe njerëzore.
Përshtati: Fatjon Isufi
Dosje: Gënjeshtra, mashtrime
Të Ngjashme
- A është e lejuar për gruan me mestruacione që të bëjë Istihara? Udha e Besimtarëve
- Nata e Kadrit Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Bëhu i begatë kudo që të jesh Udha e Besimtarëve
- Përmendja e të metave dhe hapja e derës së dëshpërimit Udha e Besimtarëve
- Vepro duke qenë i pajisur me dituri Udha e Besimtarëve