Kibla dhe Xhamia Aksa

Kibla dhe Xhamia Aksa
…. vijon nga shkrimi i kaluar me titull “Vlera e Xhamisë Aksa”…..
3 – Xhamia Aksa është kibla e Beni Israilëve dhe kibla e umetit tonë para se të ktheheshin nga Qabja.
Kibla e Beni Israilëve është një histori e vjetër e cila e ka origjinën që në kohën e profetit Musa – alejhi selam. Këtë temë e ka përmendur historiani i njohur i Islamit Ibn Kethiri – Allahu e mëshiroftë.
Ai thotë: “Ehlu Kitabi thonë se Allahu e urdhëroi Musën të ndërtojë:
1 – Tabernakullin (çadrën e grumbullimit) prej druri të akacias, të mbuluar me lëkura bagëtish dhe të zbukuruar me mëndafsh, flori dhe serm.
2 – Tabutin (arkën e dëshmisë) prej druri të akacias.
3 – Tryezën e ushqimit prej druri të akacias.
4 – Shandanin e ndriçimit (mbajtësja e kandilëve) prej floriri.
5 – Altarin (vendin i kurbaneve).
Ata çadrën e tyre të grumbullimit e ngrinin çdo fillim viti në pranverë, po ashtu edhe tabutin e dëshmisë i cili – Allahu e di më së miri – është i përmendur në Kuran tek fjala e Allahut: “Shenja e sundimit të tij është t’ju vijë tabuti i cili jep qetësi prej Zotit tuaj, dhe mbart ato gjëra që ka lënë familja e Musait dhe familja e Harunit i mbajtur nga melaiket. Kjo është një mrekulli prej Zotit tuaj nëse jeni besimtarë.” Suretu El-Bekare: 248
Ajo ka qenë para se ata të adhuronin viçin, që do të thotë se ka ndodhur para se të vijnë në Bejtul-Makdis. Ata faleshin si brenda saj ashtu edhe në drejtim të saj.
Kështu çadra e grumbullimit ka qenë me Beni Israilët gjatë kohës së humbjes së tyre në shkretëtirë, dhe ata faleshin në drejtim të saj. Ajo ishte drejtimi dhe Qabeja e tyre, dhe imami i tyre ishte Musa – alejhi selam, kurse ai që kujdesej për vendin e kurbanit ishte Haruni – alejhi selam. Kur vdiq Haruni e më pas Musai – alejhima selam – e vazhduan këtë vepër bijtë e Harunit në vend të babait të tyre. Ndërsa në lidhje me profetësinë dhe udhëheqjen pas Musës vazhdoi shërbëtori i tij Joshua bin Nun – alejhi selam – i cili është ai që i futi në Bejtul-Makdis, siç do vijë sqarimi më poshtë. Qëllimi këtu është se kur sundimi i tij u stabilizua në lidhje me Bejtul-Makdisin, ai vendosi çadrën mbi shkëmbin e Bejtul-Makdisit dhe ata faleshin në drejtim të saj, pastaj kur u prish u falën në drejtim të vendit i cili është shkëmbi. Prandaj dhe ajo ishte kibla e profetëve pas tij deri në kohën e profetit Muhamed – salallahu alejhi ue selem – i cili gjithashtu është falur në drejtim të saj. Para hixhretit ai falej para Qabes (në drejtim të Bejtul-Makdisit), ndërsa pas hixhretit u urdhërua të falej në drejtim të Bejtul-Makdisit (dhe e kishte të pamundur të drejtohej nga Qabja sepse ajo i bie në anë të kundërt). Ai është falur në drejtim të saj gjashtëmbëdhjetë apo shtatëmbëdhjetë muaj, pastaj kibla u ndryshua për të qenë në drejtim të Qabes e cila është kibla e Ibrahimit.” Shih librin e autorit me titull “El-Bidaje Uen-Nihaje”.
Për sa i përket përshkrimit të çadrës dhe të gjërave që mbante brenda, në versionin e sotëm të Teuratit i gjejmë në librin e Daljes, kapitulli 25-40.
Ndërsa për sa i përket faktit se ajo ka qenë kibla jonë e parë, kjo gjë është përmendur në Kuran ku Allahu i Madhëruar thotë: “Ne e shohim kthimin e fytyrës tënde herë pas herë nga qielli dhe ne do të të drejtojmë nga kibla që pëlqen. Atëherë drejtoje fytyrën tënde nga xhamia e shenjtë dhe kudo që të jeni drejtoni fytyrat tuaja nga ajo! Ata të cilëve u është dhënë libri e dinë se ajo është e vërteta prej Zotit tënd, dhe Allahu nuk është i shkujdesur ndaj asaj që veprojnë.” Suretu El-Bekare: 144
El-Bera bin Azib – radiallahu anhu – tregon: “Profeti – alejhi selam – është falur në drejtim të Bejtul-Makdis gjashtëmbëdhjetë apo shtatëmbëdhjetë muaj. Ai pëlqente të drejtohej nga Qabja, dhe Allahu i zbriti ajetin: “Ne e shohim kthimin e fytyrës tënde herë pas herë nga qielli, dhe ne do të të drejtojmë nga kibla që ti e pëlqen.” Dhe kështu ai u kthye nga Qabja. Mendjelehtët prej njerëzve të cilët janë hebrenjtë, thanë: “Çfarë i shtyu ata të ndryshojnë kiblen që kishin? Thuaj: Të Allahut janë lindja dhe perëndimi. Ai udhëzon kë të dojë për në rrugën e drejtë.” E transmeton Buhariu.
Abdullah bin Abasi – radiallahu anhu – thotë: “E para gjë që është anuluar prej Kuranit është kibla, sepse Profeti -alejhi selam – kur emigroi për në Medine ndërkohë që shumica e banorëve të saj ishin hebrenj, Allahu e urdhëroi të drejtohej nga Bejtul-Makdisi. Hebrenjtë u gëzuan nga ky veprim dhe Profeti – alejhi selam – u drejtua nga ajo për dhjetë muaj e ca, mirëpo atij i pëlqente kibla e Ibrahimit dhe ai i lutej Allahut dhe shihte nga qielli (që t’i vinte urdhri për t’u drejtuar nga Qabja) dhe kështu Allahu zbriti ajetin: “Ne e shohim kthimin e fytyrës tënde herë pas herë nga qielli”, deri te ajeti “Dhe kudo që të jeni drejtoni fytyrat tuaja nga ajo!” Hebrenjtë pas kësaj ranë në dilemë dhe thanë: Çfarë i shtyu ata të ndryshojnë kiblen që kishin? – “Thuaj: Të Allahut janë lindja dhe perëndimi. Ai udhëzon kë të dojë për në rrugën e drejtë.” Allahu gjithashtu u tha: “Nga do që t’ju kthejmë, atje është fytyra e Zotit tënd.” Suretu El-Bekare: 115.
“Ne nuk e kemi bërë kiblen që kishit veçse për të dalluar ata që do të ndjekin profetin prej atyre që do të kthehen mbrapsht (duke refuzuar ndjekjen e tij).” Suretu El-Bekare: 143. E transmeton Taberiu.
Kështu me këto ajete u bë ndryshimi i kibles për në kiblen e Ibrahimit, Qaben, çka do të thoshte se profeti i fundit do te ishte pasues i fesë së Ibrahimit – alejhi selam. Fakti që Xhamia Aksa ishte kibla jonë e parë tregon vlerën e saj tek ne.
Dr. Abdullah Nabolli