Allahu ﷻ e dërgoi Profetin ﷺ me udhëzimin e plotë dhe me ligjin e drejtë, që të vendoset siguria, paqja dhe drejtësia mes njerëzve.
Një prej parimeve të vendosjes së drejtësisë është kisasi; ndëshkimi ligjor për vrasjen e padrejtë, në të cilin Allahu ﷻ e ka caktuar kisasin si një masë ndëshkuese për ruajtjen e jetës së njerëzve të pafajshëm dhe për ndalimin e padrejtësisë.
Në një kohë ku në shumë vende njerëzit janë larguar nga zbatimi i dispozitave islame, është e domosdoshme të meditojmë rreth urtësisë së këtij parimi dhe drejtësisë që ai përmban.
Allahu i Lartësuar thotë:
(وَلَكُمْ فِي الْقِصَاصِ حَيَاةٌ يَا أُولِي الْأَلْبَابِ لَعَلَّكُمْ تَتَّقُونَ)
“Në zbatimin e kisasit ka jetë për ju o të zotët e mendjes, që të mund të ruheni.” | El Bekare: 179.
Zbatimi i dispozitave dhe ligjeve fetare është një nga elementët më të rëndësishëm të ruajtjes së sigurisë dhe stabilitetit në shoqëri.
Në dispozitat fetare vërehet përkushtimi për ruajtjen e jetës dhe mbrojtjen e saj nga agresioni dhe padrejtësia. Për këtë arsye Allahu ﷻ ka caktuar një ndëshkim parandalues, i cili është Kisasi.
Kisasi është jetë, sepse ai pengon vrasësin të mendojë për vrasje kur e di se për atë veprim mund t’i merret jeta.
Kur njerëzit privohen nga mirësia e zbatimit të dispozitave islame, përhapet hakmarrja, shtohen vrasjet dhe mbizotëron padrejtësia.
I afërmi i të vrarit mund të shohë vrasësin të lirë e të sigurt i ndëshkuar vetëm me burgim ose gjobë, gjë që shpesh nuk mjafton për të ndaluar krimin.
Allahu i Lartësuar është Ai që i krijoi njerëzit dhe ua shpalli atë që është më e dobishme dhe më e mirë për ta. Ai thotë:
(أَلا يَعْلَمُ مَنْ خَلَقَ وَهُوَ اللَّطِيفُ الْخَبِيرُ)
“A nuk e di Ai që i ka krijuar e që është i Butë dhe i Dijshëm?” | El Mulk: 14.
Muslimani është i bindur plotësisht se vendimi më i drejtë dhe më i përshtatshëm për njerëzit në ç’do kohë është zbatimi i dispozitave islame, të zbritura nga Ai që ka krijuar gjithçka.
Në rast se dikujt i vritet një i afërm, atij nuk i lejohet të bëjë vetëgjyqësi duke u hakmarrë kundrejt atij që i ka vrarë të afërmin, për disa arsye të cilat përmblidhen në pikat e mëposhtme:
- Kisasi përmes autoritetit ligjor ruan jetën.
Zbatimi i kisasit përmes autoritetit ligjor realizon synimin për të cilin është ligjëruar kisasi; ruajtjen e jetës, sikurse thotë Allahu i Lartësuar:
(وَلَكُمْ فِي الْقِصَاصِ حَيَاةٌ)
“Në zbatimin e kisasit ka jetë për ju.” | El Bekare: 179.
Nëse ky proces ndodh jashtë autoritetit të drejtësisë, zakonisht çon në vazhdim të vrasjeve dhe hakmarrjeve dhe bëhet shkak për shuarjen e shumë jetëve.
Në legjislacionin islam kisasi mund të kryhet nga familjarët e të vrarit vetëm në rast kur ka aprovimin e autoritetit ligjor, sepse dëshira për hakmarrje mund ta çojë njeriun në padrejtësi dhe teprime.
Ibn Batal (v. 449 H), njëri prej dijetarëve të medh’hebit Maliki, thotë:
“Dijetarët kanë rënë dakort se askujt nuk i lejohet të marrë hakun e vet nga dikush tjetër pa praninë e autoritetit. Njerëzit nuk kanë të drejtë të marrin hak ndaj njëri-tjetrit, sepse kjo është detyrë e autoritetit ose e atij që është caktuar prej tij për këtë punë. Ndaj Allahu ka bërë që ekzistenca e pushtetit të frenojë duart e njerëzve nga padrejtësia.”
“Sherh el Buhari” 8/517.
Për këtë arsye, shumë dijetarë janë të mendimit se; nëse dikush e zbaton kisasin vetë duke anashkaluar autoritetin përkatës, ata kanë të drejtë ta ndëshkojnë për tejkalim të dispozitave.
Ebu Is’hak Shirazi (v. 476 H), prej dijetarëve të medh’hebit Shafi’i, thotë:
“Nuk lejohet zbatimi i kisasit përveçse në prani të përgjegjësit ligjor (autoritetit), sepse zbatimi i tij kërkon gjykim të kujdesshëm dhe nuk është i sigurt që nuk kalon në padrejtësi gjatë hakmarrjes. Prandaj nëse dikush e zbaton atë pa praninë e përgjegjësit ligjor, ai meriton të ndëshkohet për këtë veprim.”
(“El Muhedheb” 3/191)
- Përfshirja e autoritetit ligjor shmang padrejtësinë dhe ndal kosin.
Pjesëmarrja e gjykatës ose e strukturave shtetërore të posaçme siguron drejtësi dhe shmang padrejtësinë, sepse kisasi nuk mund të zbatohet pa u provuar qartë se vrasja ka qenë me qëllim dhe në mënyrë të padrejtë.
Nëse çështja lihet në duart e familjarëve dhe kryhet me vetëgjyqësi, shumë njerëz do vriten padrejtësisht dhe secili do pretendonte se ka të drejtë të vrasë atë që akuzon, gjë që shpie në një kaos të vërtet ku gjithkush vetëgjykon dhe vetëndëshkon sipas dëshirës së tij.
Për këtë shkak ekzistenca e gjykatës dhe e strukturave shtetërore, edhe nëse janë të korruptuara në disa raste, është shumë më e mirë sesa vetëgjyqësia.
Gjithashtu, nëse strukturat e posaçme ndëshkojnë një individ për krimin që ka bërë supozohet që drejtësia të vendoset në vend, ose së paku të mos shpier në lumë gjaku siç ndodh kur secili merr vetë hakun duke vrarë dikë, sepse domosdo pala tjetër d hakmerret dhe konflikti do të zgjerohet.
- Vlera e jetës në Islam.
Në fenë islame jeta e individit ka rëndësi të jashtëzakonshme.
Allahu i Lartësuar thotë:
(مَن قَتَلَ نَفْسًا بِغَيْرِ نَفْسٍ أَوْ فَسَادٍ فِي الْأَرْضِ فَكَأَنَّمَا قَتَلَ النَّاسَ جَمِيعًا وَمَنْ أَحْيَاهَا فَكَأَنَّمَا أَحْيَا النَّاسَ جَمِيعًا)
“Kush vret një njeri që nuk ka vrarë e nuk ka bërë krime në tokë, është sikur të kishte vrarë gjithë njerëzimin. Dhe kush e shpëton një njeri, është sikur ka shpëtuar gjithë njerëzimin.” | El Maide: 32.
Për këtë shkak, ndëshkimi me marrje jete është i kufizuar dhe aplikohet vetëm në raste tepër ekstreme kur ai ndëshkim është parandalues për shkatërrimin e shoqërisë.
Sipas legjislacionit islam, për zbatimin e kisasit nga strukturat shtetërore kërkohet dakordësia e trashëgimtarëve të të vrarit; dhe në rast se ka fëmijë të mitur duhet pritur derisa të rriten për të dhënë aprovimin e tyre.
Nëse një prej familjarëve pranon kompensimin (shpagimin) dhe heq dorë nga kisasi, ai me atë veprim ua heq të tjerëve të drejtën e kisasit dhe i detyron ata të pranojnë kompensimin.
Ibn Hubejra (v. 560 H) thotë:
“Dijetarët janë të një mendimi se; nëse njëri prej trashëgimtarëve të të vrarit heq dorë nga kisasi, vrasësi nuk vritet dhe kalohet te kompensimi.”
(“Ihtilaf el eimmeh el fukaha” 2/224.)
Ky është një tregues i qartë për rëndësinë e jetës së individit në Islam, si dhe nxjerr në pah synimin dhe kujdesin e dispozitave islame për ruajtjen e jetës.
- Vetëgjyqësia në një vend ku nuk gjykohet me ligjet islame.
Me të drejtë dikush mund të pyes: Nëse dikush jeton në vende jo islam, ku normalisht nuk gjykohet sipas ligjeve të Allahut, në rast se dikujt i vritet një nga të afërmit a i lejohet atij vetëgjyqësia, duke marrë parasysh se ç’ka u përmend më parë lidhet me vendet të cilat drejtohen nga prijës muslimanë?
A lejohet kisasi në vendet që nuk gjykohen nga muslimanët?
Përgjigja është e qartë dhe e prerë:
Nuk i lejohet muslimanit të bëjë vetëgjyqësi dhe të zbatojë kisasin për të njëjtat arsye që u përmendën më parë.
Kjo pyetje i është drejtuar komisionit të përhershëm të fetuave në Arabinë Saudite, nën kryesinë e shejh Bin Bazit (v. 1420 H), dhe janë përgjigjur duke thënë:
“Nuk lejohet zbatimi i kisasit përveç pasi të jetë vërtetuar sipas sheriatit nga një gjykatë islame, dhe atë e zbaton autoriteti shtetëror.
Sa për individët ata nuk kanë të drejtë ta zbatojnë kisasin ndaj askujt, sepse nga kjo rrjedhin pasoja të dëmshme dhe kaos.”
(“Fetaua el Lexhneh ed daimeh” 22/7, me nr. 18804.)
Të njëjtën përgjigje ka dhënë edhe Shejh Ibn Uthejmini (v. 1421 H) kur është pyetur rreth kësaj çështje.
(“El lika esh shehri” 74/19.)
Arsyet të cilat shpien në kaos dhe bëhen shkak për vrasje të njëpasnjëshme gjenden në çdo vend, pa marrë parasysh a janë drejtuesit e tij muslimanë apo jo, a gjykojnë me ligjin e Allahut apo jo. Prandaj nuk lejohet që një musliman të vrasë dikë në formë vetëgjyqësie, aq më tepër nëse marrim parasysh pasojat e saj.
- Pasojat e vetëgjyqësisë.
Në një vend ku nuk gjykohet me ligjet islame nëse familjarët e të vrarit bëjnë vetëgjyqësi ndaj vrasësit, ata rrezikojnë dënime të rënda ligjore deri në burgim të përjetshëm, dhe për më tepër pala tjetër mund të bëjë hakmarrje. Kështu që konflikti me shumë gjasa do vazhdojë për shumë dekada dhe do marrë përmasa akoma më të mëdha.
Prandaj, personi ndaj të cilit është bërë padrejtësi dhe mendon për vetëgjyqësi duhet të tregojë durim dhe vetëpërmbajtje, duke shpresuar shpërblimin e Allahut ﷻ.
Nëse ai tejkalon kompetencat do të përballet me pasojat e veprës së tij, dhe kjo mund t’i kushtojë shtrenjtë.
Ajo që qetëson besimtarin është bindja e tij e plotë se Ditën e Gjykimit, secili do të gjykohet dhe do të marrë të drejtën që i është mohuar padrejtësisht në këtë botë.
Atë ditë mjerë për gjykatësit e padrejtë që kanë dhunuar të drejtat e njerëzve, kur të dalin para Gjykatësit të Gjithësisë!
Çdo besimtar duhet ta dijë se jo çdo e drejtë që i takon do merret në këtë botë. Ndoshta Allahu ka caktuar që disa nga të drejtat që i takojnë t’ia japë në botën tjetër të shumëfishuara dhe me më shumë vlerë, nëse ai duron dhe shpreson në shpërblimin e Allahut ﷻ.
Dr. Fatmir Strumi
Të Ngjashme
- Nuk ka namaz në prani të ushqimit Udha e Besimtarëve
- Mos iu nënshtro vesveseve të shejtanit Shejh Abdulaziz ibn Abdullah ibn Baz
- Si bëhet tekbiri fillestar kur imami është në ruku? Udha e Besimtarëve
- Shqiptimi i tekbirit fillestar para imamit Udha e Besimtarëve
- Prej veprave të pëlqyera gjatë eklipsit Udha e Besimtarëve