Kohët dhe vendet kur duhet të thuhet fjala ‘La ilahe il-Allah’

February 24, 2022

Kohët dhe vendet kur është mirë të thuhet fjala: La ilahe il-Allah

Falënderimi i takon Allahut!

Fjala e Teuhidit (fjala La ilahe il-Allah – nuk ka të adhuruar të vërtetë përveç Allahut), është fjala më e madhe që ekziston. Për këtë u krijua gjithçka, u dërguan të dërguarit dhe zbritën Librat. Ajo është fjala e devotshmërisë, themeli i fesë dhe shtylla e besimit. Ajo është lidhja e fortë të cilën kushdo që e kap do të shpëtojë, dhe kushdo që vdes duke besuar në të do të lumturohet me një lumturi pas së cilës nuk do të ketë kurrë më mjerim. Vlerat e kësaj fjale dhe pozita e saj në fe është shumë më e madhe se sa mund të përshkruhet ose përkufizohet.

Transmetohet se Xhabir ibn Abdilah (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) duke thënë: “Dikri më i mirë është fjala “La ilahe il-Allah” (nuk ka të adhruuar të vërtetë përveç Allahut), dhe duaja më e mirë është ‘el-hamdu Lil-lah’ (Falënderimi i takon Allahut).” Transmeton Tirmidhiu (3383) i cili ka thënë se hadithi është hasen garib.

En-Nesai në Es-Sunen el-Kubra (6/208) e përmend në kapitullin e titulluar: ‘Kapitulli mbi dhikrin më të mirë dhe duanë më të mirë’. Ibn Hibani në Sahihun e tij (3/126) e përfshiu në një kapitull të titulluar: ‘Thënia se lavdërimi i Allahut është prej llojeve më të mira të duave’, dhe të thuash “La ilahe il-Allah” është prej llojeve më të mira të dhikrit. I klasifikuar si hasen nga el-Hafidh Ibn Haxheri në ‘Netaixh el-Efker’ (1/63), dhe nga Shejh Albani në Sahih et-Tirmidhi.

El-Mubarekfuri (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Sepse ajo është fjala e Teuhidit dhe nuk ka të ngjashëm me Teuhidin. Është ajo që bën dallimin ndërmjet mosbesimit dhe besimit. Ajo e bën mendjen e dikujt të përqëndrohet plotësisht tek Allahu, duke përjashtuar gjithçka tjetër veç Tij. Është më pastruese për shpirtin dhe më e pastër për zemrën, më efektive në largimin e nefsit nga e keqja dhe mbajtjen larg të shejtanit. “Tuhfet el-Ahvedhi” (9/325).

Prandaj, i suksesshmi në mesin e njerëzve është ai që e thotë shpesh këtë fjalë në çdo kohë dhe në çdo vend. Gjuha dhe zemra e tij nuk duhet të lodhen kurrë duke e përsëritur atë, duke medituar në kuptimet e saj si dhe duke patur parasysh qëllimet e kësaj fjale.

Kjo fjalë është nga dhikret që nuk rekomandohet të thuhet në një vend të caktuar ose në një kohë të caktuar. Përkundrazi, transmetimet flasin në terma të përgjithshëm që muslimani të mund t’a thotë këtë fjalë në çdo situatë, kur është i zënë dhe kur ka kohë të lirë, kur do të flerë dhe kur është zgjuar, kur është në shtëpi dhe kur është duke udhëtuar, kur falet ditën ose natën, agjëron, kryen haxhin ose umren, kur është ulur ose në këmbë. Nëse ai arrin t’a thotë atë në çdo frymëmarrje që merr, atëherë ai do të jetë i suksesshëm dhe fitimtar.

Ibn Haxher el-Hejthemi (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Më e mira e dhikreve për të cilën Ligjvënësi nuk ka veçuar ndonjë situatë apo kohë të caktuar, është leximi i Kuranit i ndjekur nga fjala “La ilahe il-Allah” për shkak të transmetimit që thotë: “Dhikri më i mirë është fjala “La ilahe ila-Allah”. El-Fetaua el-Hadithijeh (fq. 109).

Megjithatë, ka disa hadithe që inkurajojnë në praktikimin e këtij dhikri në situata specifike ose në kohë të caktuara. Ato përfshijnë sa vijon:

  1. Pas abdesit:

“Cilido nga ju që merr abdes dhe e prefeksionon atë, pastaj thotë: Eshhedu en la ilahe il-allah vehdehu la sherike leh, ue eshhedu enne Muhameden abduhu ue resuluhu. – (Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër të vërtetë përveç Allahut të vetëm, pa ortak dhe shok dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij). Atij do t’i hapen tetë dyert e Xhenetit dhe do të hyjë nga cila derë të dojë.”

Transmeton Muslimi (234) nga hadithi i Ukbe ibn Amirit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij).

  1. Kur zgjohesh nga gjumi gjatë natës:

“Kushdo që kthehet natën dhe thotë: La ilahe il-Allah vahdehu la sherike leh, lahu’l-mulk ue lahu’l-hamdu ue huve ‘ala kul-li shej’in kadir. El-hamdu-lil-lah ue subhan-Allah ue la ilahe il-Allah ue Allah ekber, ue la haule ue la kuvete il-la bil-lah – (Nuk ka të adhuruar tjetër pos Allahut të vetëm, pa ortak.  Atij i takon lavdërimi dhe i Tij është sovraniteti dhe Ai është i Plotfuqishëm për çdo gjë. Falënderimi i takon Allahut, lavdërimi i takon Allahut, nuk ka të adhruuar të vërtetë përveç Allahut dhe Allahu është më i Madhi, nuk ka fuqi dhe forcë përveçse me Allahun), pastaj thotë: “Allahume igfir li (O Allah, më fal). Nëse ai bën dua, duaja e tij do të plotësohet. Nëse merr abdes dhe fal namaz, namazi i tij do të pranohet.” Transmeton Buhariu (1154) nga hadithi i Ubadeh ibn es-Samitit (Allahu qoftë i kënaqur me të).

  1. Në fillim të ditës:

“Kushdo që thotë: La ilahe il-Allah uehdehu la sherike leh, lehu’l-mulku ue lehu’l-hamdu ue huve ala kul-li shejin kadir, – njëqind herë në ditë, do të ketë shpërblim të barabartë me atë të lirimit të dhjetë robërve, një qind vepra të mira do t’i regjistrohen, dhe një qind vepra të këqija do të fshihen dhe do të jetë i mbrojtur nga shejtani për atë ditë derisa të vijë mbrëmja. Askush nuk mund të arrijë diçka më të mirë se ai përveç atij që bën më shumë se ai. Kushdo që thotë Subhan Allah ue bi hamdihi – (I Lartësuar qoftë Allahu,  Atij i takon falenderimi) një qind herë në mëngjes dhe në mbrëmje, mëkatet e tij do të fshihen edhe nëse janë sa shkuma e detit.” Transmeton Buhariu (3293) dhe Muslimi (2691) nga hadithi i Ebu Hurejras.

  1. Pas selamit në fund të namazit:

Ai (Pejgamberi) pas çdo namazi kur jepte selamin thoshte: “La ilahe il-Allah uehdehu la sherike leh, lehul-mulku ue lehu’l-hamdu ue huve ala kul-li shejin kadir. Allahume la mani’a lima ea’tajte ve la mu’tie lima mena’te ve la jenfa’u dhe’l-xhedi minkel-xhed – (Nuk ka të adhruuar të vërtetë përveç Allahut të vetëm, pa ortak . Atij i takon lavdërimi dhe i Tij është sovraniteti dhe Ai është i Plotfuqishëm për çdo gjë. O Allah, askush nuk mund të ndalojë atë që Ti jep dhe askush nuk mund të japë atë që Ti ndalon, dhe asnjë pasuri apo madhështi nuk mund t’i bëjë dobi askujt sepse e gjithë pasuria dhe madhështia vjen prej Teje).” Transmeton Buhariu (6330) dhe Muslimi (593).

  1. Në kohë brengash dhe vështirësish

Pejgamberi (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) në momentet e fatkeqësisë thoshte: “La ilahe il-Allah el-Adhim el-Halim, la ilahe il-Allah Rabbul-Arshil-Adhijm, la ilahe il-Allah Rabbu-semauati ue Rabbul-erdi ue Rabbul-‘Arshil-kerim – (Nuk ka të adhruuar të vërtetë përveç Allahut, të Plotfuqishmit, të Urtit; nuk ka të adhruuar të vërtetë përveç Allahut , Zotit të Arshit të fuqishëm. Nuk ka të adhruuar të vërtetë përveç Allahut, Zotit të qiejve, Zotit të tokës dhe Zotit të Arshit fisnik.” Transmeton Buhariu (6345) dhe Muslimi (2730), nga hadithi i Ibn Abasit (Allahu qoftë i kënaqur me të).

  1. Në ditën e Arafatit.

Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Më e mira që kemi thënë unë dhe Pejgamberët në pasditen e (ditës së) Arafatit, është: “La ilahe il-lAllah uahdehu la sherike leh, lehul mulku ue lehul hamdu ue huve ala kul-li shejin kadir. – (Nuk ka të adhruuar të vërtetë përveç Allahut të vetëm, pa ortak. Atij i takon lavdërimi dhe i Tij është sovraniteti, dhe Ai është i Plotfuqishëm për cdo gjë!)

Transmeton Taberani në “Fadl Asher Dhil-Hixhe”, klasifikuar si sahih nga Albani në ‘Vargu i haditheve të sakta’ me nr. (1503).

Gjithashtu, janë transmetuar hadithe inkurajuese për thënien e fjalës ‘La ilahe il-Allah’ por që kanë dobësi, e megjithatë ato janë klasifikuar si të mira nga disa dijetarë. Këto përfshijnë sa vijon:

  1. Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të) se i Dërguari i Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Përtrijeni besimin tuaj. I thanë: O i Dërguar i Allahut, si mund t’a përtrijmë besimin tonë? Ai tha: Duke thënë shpesh fjalën La ilahe il-Allah.” Ahmedi në Musned (2/359), e ka klasifikuar si të saktë Hakimi në el-Mustadrak (4/285), dhe si të mirë el-Mundhiri në et-Tergijb ue’t-Terhijb (2/342), si dhe i klasifikuar si i dobët nga Albani në Vargun e haditheve të dobëta (nr. 896).
  2. Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të) se i Dërguari i Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Thuajeni shpesh dëshminë se ‘Nuk ka të adhruuar të vërtetë përveç Allahut’, para se të pengoheni nga kjo gjë (nga vdekja).”

Transmetohet nga Ebu Ja‘la në el-Musned (11/8). El-Hafidh Ibn Haxheri ka thënë në “el-Futuhat er-Rabanijeh (4/110): Është hasen garib. Hadithi u klasifikua si hasen nga Shejh Albani në Vargu i haditheve të sakta (nr. 467).

Imam el-Mundhiri i mblodhi hadithet që flasin për vlerën e thënies ‘La ilahe il-Allah’ në librin e tij ‘et-Tergijb ue’t-Terhib’ (2/265-271).

Shih gjithashtu: Fet’hul-Bari (11/207); një ese me titull “Kelimet el-Ikhlas ue Tahkik Ma‘naha nga el-Hafidh Ibn Rexheb el-Hanbeli (Allahu e mëshiroftë) etj.

 

Përktheu: Fatjon Isufi

Loading...