Komenti i librit “Sëmundja dhe ilaçi” – 4 –

June 3, 2025

Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit. Lavdërimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi robin dhe të Dërguarin e Tij, profetin tonë Muhamedin, familjen dhe shokët e tij.

Dijetari i shquar Ibn Kajjim el-Xheuzijje në librin e tij “Sëmundja dhe Ilaçi” thotë:

Kapitulli: “Lutja është ndër ilaçet më të dobishme”

Lutja është ndër ilaçet më të dobishme. Ajo është armiku i fatkeqësisë: e zmbraps atë, e kuron, e pengon të zbresë, e largon atë, ose e zbut nëse ka zbritur. Lutja është arma e besimtarit.

Siç transmeton Hakimi në el-Mustedrak në hadithin e Ali ibn Ebi Talibit – Allahu qoftë i kënaqur me të – i cili tha: I Dërguari i Allahut – paqja qoftë mbi të – ka thënë:

“Lutja është arma e besimtarit, shtylla e fesë dhe drita e qiejve dhe e tokës.”

Komenti: Ibn Kajjim – Allahu e mëshiroftë – ka thënë:

Kapitulli: “Lutja është ndër ilaçet më të dobishme.”

Libri flet për “Sëmundjen dhe Ilaçin”. Kështu, lutja është nga ilaçet më të dobishme – është kura më e efekshme – për çdo sëmundje dhe për çdo fatkeqësi. Prandaj është e domosdoshme për muslimanin që ti kushtojë rëndësi dhe të tregojë kujdes të madh ndaj lutjes në çdo derë të fatkeqësisë që përjeton:

– Nëse përballet me fatkeqësi në mungesën e pasurisë.

– Apo nëse përballet me një sëmundje.

– Ose në dobësim të forcës e të trupit.

– Apo nëse përballet me fatkeqësi që lidhet me fëmijët e tij, si p.sh. mosbindje apo gjëra të ngjashme,

– Ose nëse përballet me dëmtime nga ata që kanë pushtet mbi të dhe e dëmtojnë atë.

– Apo me ndonjë lloj tjetër fatkeqësie.

Ilaçi për të gjitha këto është lutja.

Lutja është ilaç efektiv, i dobishëm dhe me vlerë të madhe.

Autori – Allahu e mëshiroftë – do të përmendë dëshmi dhe argumente që tregojnë për dobinë e madhe të lutjes dhe begatinë e saj, dhe se ajo është ashtu siç ai e shpjegoi kur tha:

“Lutja është ndër ilaçet më të dobishme, ajo është armiku i fatkeqësisë: e zmbraps, e shëron, e pengon të zbresë, e largon ose e zbut kur ajo zbret.”

Prandaj, më pas do të vijë sqarimi se lutja ka dobi si për atë që ka ndodhur, ashtu edhe për atë që nuk ka ndodhur ende.

– Për atë që ka ndodhur: duke e larguar apo duke e zbutur atë.

– Ndërsa për atë që nuk ka ndodhur: duke e shmangur ose duke e devijuar atë.

Pra, në lutje ka dobi të mëdha – por duke plotësuar kushtet e pranimit të lutjes, të cilat do t’i përmendë autori – Allahu e mëshiroftë – si dhe kufijtë e saj të përcaktuar nga Libri i Allahut dhe Suneti i Profetit të Tij – paqja qoftë mbi të.

Ai ka thënë: “Ajo është arma e besimtarit.”

Dhe përmendi këtu hadithin që gjendet në el-Mustedrek të Hakimit, nga Aliu – Allahu qoftë i kënaqur me të – i cili tha se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Lutja është arma e besimtarit.”

Por zinxhiri i transmetimit të këtij hadithi është i dobët, pra ai nuk është i saktë, sepse në të ka një transmetues të braktisur, prandaj nuk është i saktë nga Profeti ynë – paqja qoftë mbi të.

Mirëpo, kuptimi i fjalës: “lutja është arma e besimtarit” do të thotë:

Lutja e zmbraps fatkeqësinë, njësoj sikurse arma që zmbraps armikun.

Pra, lutja është arma e besimtarit. Profeti – paqja qoftë mbi të – ka thënë:

“Ju fitoni dhe ju furnizoheni në sajë të të dobëtëve tuaj – me lutjet dhe sinqeritetin e tyre.”

Kjo është e qartë se lutja është armë – armë shumë e fortë dhe jashtëzakonisht e dobishme për zmbrapsjen e fatkeqësive.

Dëshmitë për vlefshmërinë e kuptimit se lutja është armë janë të shumta.

Mirëpo vetë ky formulim (“lutja është arma e besimtarit, shtylla e fesë dhe drita e qiejve dhe e tokës”) nuk është i saktë nga Profeti ynë – paqja qoftë mbi të.

Teksti: Ibn Kajim Allahu e mëshiroftë thotë: “Lutja, në raport me fatkeqësinë, ka tri gjendje (pozita):

E para: Kur është më e fortë se fatkeqësia, dhe në këtë rast e zmbraps atë.

E dyta: Kur (lutja) është më e dobët se fatkeqësia, kështu që fatkeqësia bëhet më e fuqishme ndaj saj, dhe robi sprovohet me të. E megjithatë, ajo (lutja) mund ta zbusë fatkeqësinë, edhe pse është e dobët.

E treta: Kur është në të njëjtin nivel force, dhe secili prej tyre të përpiqet të pengojë tjetrin.”

Komenti: Këto janë tri pozita të lutjes në raport me fatkeqësinë.

Kjo do të thotë: nëse ka një fatkeqësi dhe njëkohësisht ka edhe një lutje për ta larguar apo parandaluar atë fatkeqësi, atëherë në këtë çështje paraqiten tre pozita:

E para: Kur lutja është më e fortë se fatkeqësia, ajo e zmbraps atë.

Fuqia e lutjes vjen nga forca e përmbushjes së kushteve dhe etikës së saj nga ana e lutësit. Sepse lutja merr forcë nga: besimi i thellë (jekini), mbështetja tek Allahu (tevekuli), mos nxitimi në përgjigje, dhe vendosmëria në lutje, si dhe faktorë të tjerë.

Sa më shumë që këto rregulla të jenë të pranishme, aq më e fuqishme bëhet lutja.

Për këtë arsye, do të vijë më vonë një kapitull shumë i çmuar nga Ibn Kajjimi në të cilin ai përmend disa gjëra që, nëse bashkohen në lutje, atëherë ajo rrallë mund të refuzohet. Ky është një kapitull i vyer që do të vijë shpejt me lejen e Allahut të Lartësuar.

Përmbledhja është se gjendja e parë është kur “lutja është më e fortë se fatkeqësia, dhe e zmbraps atë.”

Ndërsa gjendja e dytë është kur “lutja është më e dobët se fatkeqësia.” Dobësia në lutje rrjedh nga dobësia në përmbushjen e kushteve dhe etikës së saj, dhe kështu fatkeqësia forcohet mbi të dhe robi sprovohet. E megjithatë, kjo lutje e dobët mund ta zbusë atë fatkeqësi – mund ta zbusë, edhe pse është e dobët.

Ndërsa gjendja e tretë është kur të dyja (lutja dhe fatkeqësia) të jenë të barabarta në forcë dhe të përballen me njëra-tjetrën, duke e penguar secila tjetrën.

Teksti: Ibn Kajim Allahu e mëshiroftë thotë: “Hakimi ka transmetuar në Sahihun e tij nga hadithi i Aishës – Allahu qoftë i kënaqur me të – se ajo ka thënë: I Dërguari i Allahut – paqja qoftë mbi të – ka thënë: ‘Kujdesi nuk të shpëton nga caktimi (kaderi), dhe lutja sjell dobi për atë që ka ndodhur dhe për atë që nuk ka ndodhur ende. Me të vërtetë fatkeqësia zbret, e aty e takon lutja, dhe kështu të dyja ndeshen mes vete deri në Ditën e Kiametit.’”

Komenti: Këtu ai e përmendi këtë hadith që gjendet në el-Mustedrak të Hakimit nga Nëna e Besimtarëve, Aishja – Allahu qoftë i kënaqur me të – dhe zinxhiri i këtij transmetimi është i dobët.

Ajo ka thënë: I Dërguari i Allahut – paqja qoftë mbi të – më ka thënë:

“Kujdesi nuk të shpëton nga caktimi (kaderi).”

Kuptimi i kësaj është se, kur caktimi (kaderi) vjen, nuk ka rëndësi sa kujdeset njeriu dhe sa përpiqet ta shmangë, ajo që është e shkruar patjetër do të ndodhë.

Por kjo nuk do të thotë se duhet të lëmë pas dore shkaqet, apo të mos veprojmë ato që çojnë drejt sigurisë. Përkundrazi, njeriut i kërkohet të ndërmarrë shkaqet që çojnë drejt ruajtjes dhe shpëtimit të tij. Ku më e rëndësishmja prej tyre është: lutja e sinqertë, këmbëngulja në atë që i kërkon Allahut, dhe mbështetja (strehimi) i mirë tek Ai – i Lartësuari.

Ai ka thënë: “Lutja sjell dobi për atë që ka ndodhur dhe për atë që nuk ka ndodhur ende.”

Kjo do të shpjegohet në hadithin vijues.

Teksti: “Gjithashtu, në el-Mustedrak të Hakimit, gjendet hadithi i Ibn Umerit – Allahu qoftë i kënaqur me të – i cili përcjell nga Profeti ﷺ se ka thënë: Lutja sjell dobi për atë që ka ndodhur dhe për atë që nuk ka ndodhur ende. Prandaj, o robër të Allahut, kapuni fort pas lutjes!”

Komenti: Sa i përket fjalës në transmetimin e mëparshëm: “Kujdesi nuk të shpëton nga caktimi (kaderi)”, është transmetuar saktësisht si fjalë e Ibn Abbasit – Allahu qoftë i kënaqur me të –.

Ndërsa këtu, në el-Mustedrak të Hakimit, përcillet hadithi i Ibn Umerit se Profeti ﷺ ka thënë:

“Lutja sjell dobi për atë që ka ndodhur dhe për atë që nuk ka ndodhur ende.”

“Për atë që ka ndodhur” – domethënë nga sprovat e zbritura, dhe kuptimi “ka ndodhur” është: që ka ndodhur realisht dhe robi është sprovuar me të.

“Dhe për atë që nuk ka ndodhur” – domethënë: që ende nuk ka ndodhur.

Pra, lutja sjell dobi në të dyja rastet: për atë që ka ndodhur (duke e larguar) dhe për atë që nuk ka ndodhur ende (duke e parandaluar).

Ky kuptim se lutja sjell dobi për atë që ka ndodhur dhe për atë që nuk ka ndodhur, është përforcuar edhe nga ajeti fisnik në suren el-Isra, ku Allahu i Madhëruar thotë:

“Thuaj: ‘Lutini ata që i pretendoni (si zotra) përveç Tij – ata nuk kanë asnjë pushtet të largojnë dëmin nga ju, e as ta zhvendosin atë.’” Suretu el-Isra, 56.

“Ta largojnë” do të thotë: nëse sprova ka zbritur, ata nuk janë në gjendje ta largojnë atë.

“As ta zhvendosin”: do të thotë, nëse nuk ka ndodhur ende, ata nuk kanë fuqi ta ndryshojnë vendin apo kohën e zbritjes së saj.

Ky është përshkrimi i zotrave që thirren dhe luten në vend të Allahut.

Sa i përket Allahu të Madhëruar, Ai është i Vetmi që kur i drejtohet robi me lutje dhe kërkon strehim tek Ai, çdo çështje është në dorën e Tij dhe krijimi është krijimi i Tij – i Lartësuar qoftë Ai.

Përmbledhja është kjo:

Lutja sjell dobi për atë që ka ndodhur – nëpërmjet largimit të saj, dhe sjell dobi për atë që nuk ka ndodhur – nëpërmjet parandalimit apo zhvendosjes së saj në një vend tjetër. Prandaj tek lutja ka dobi shumë të madhe.

Më pas Profeti alejhi selam tha: “Prandaj, o robër të Allahut, kapuni fort pas lutjes.”

Domethënë: kujdesuni për të, shtoni lutjet, insistoni tek Allahu i Madhëruar në lutje, sepse në të ka dobi për:

1- Largimin e fatkeqësive para se të ndodhin,

2- Ngritjen dhe zhvendosjen e tyre pasi të kenë ndodhur.

Teksti: Gjithashtu në el-Mustedrek përcillet hadithi i Theubanit nga Profeti ﷺ se ka thënë:

“Asgjë nuk e ndal kaderin përveç lutjes, dhe asgjë nuk e shton jetën përveç mirësisë (el-birr), dhe me të vërtetë njeriu privohet nga rizku për shkak të një mëkati që mund të ketë bërë.”

Komenti: Autori e përfundon këtë seri hadithesh me këtë transmetim nga Theubani – Allahu qoftë i kënaqur me të – nga Profeti ﷺ, i cili tha: “Asgjë nuk e ndal kaderin përveç lutjes.”

Ky hadith është i saktë dhe i qëndrueshëm nga Profeti ﷺ.

Prej tij kuptojmë se lutja e ndalon kaderin.

Por, kjo nuk do të thotë se ajo që është shkruar në Librin e Ruajtur (el-Leuh el-Mahfudh) nuk ndodh, apo se lutja e ndryshon atë që është shkruar atje – jo!

Kuptimi është tjetër: Kaderi dhe lutja: të dyja janë pjesë e caktimit hyjnor.

Fatkeqësia është e shkruar në Librin e Ruajtur, dhe po ashtu edhe lutja është e shkruar si shkak për largimin e saj.

Pra, kuptimi është ky:

Allahu ka caktuar shkakun dhe pasojën, ka caktuar fatkeqësinë dhe ka caktuar që ajo të largohet përmes lutjes. Ai ka caktuar shkaqet dhe pasojat. Dhe gjithçka është me kader.

Në hadith ka dëshmi se pjesë e kaderit (caktimi hyjnor) është që të jetë shkruar një fatkeqësi që do të zbresë (ndodhë), dhe është shkruar gjithashtu se ajo do të largohet me lutjen që do të bëjë robi.

Prandaj, kuptimi është se Allahu e ka caktuar shkakun dhe pasojën, e ka caktuar shkakun dhe shkaktarin; pra, Ai ka caktuar shkaqet dhe pasojat – dhe kjo është me kader, dhe ajo (gjëja tjetër) është me kader.

Ky sqarim të ndihmon për të kuptuar hadithin: “Asgjë nuk e ndal kaderin përveç lutjes.”, që do të thotë se lutja është prej kaderit.

Prandaj, lutja është ajo që e ndal (pengon) kaderin.

Hadithi i lartpërmendur na mëson se lutja e ndal dhe e pengon kaderin dhe është një nxitës për ne që të lutemi dhe të përqendrohemi me ngulm në kërkesat dhe lutjet drejtuar Allahut të Lartësuar.

Për këtë arsye, prej gabimeve që bëjnë disa njerëz – e që është ndoshta një thënie e përhapur në disa vende – është kur thonë:

“O Allah, ne nuk të kërkojmë kthimin (ndryshimin) e caktimit, por të kërkojmë lehtësimin e tij.”

Kjo lutje nuk është e saktë.

Përkundrazi, duhet t’i kërkohet Allahut të Lartësuar kthimi (largimi) i caktimit, sepse lutja e ndal kaderin.

Gjithashtu, le të kërkohet nga i Lartësuari – ashtu siç ka ardhur në lutjen e transmetuar nga Aishja:

“O Allah, të lutem bëje çdo caktim që ke caktuar për mua, të jetë i mirë.”

Përmbledhja është kjo:

Lutja i kundërvihet fatkeqësisë, e largon atë dhe e ngrit nëse ka ndodhur, prandaj ajo ka një vlerë të madhe dhe pozitë shumë të lartë.

Sa i përket fjalës së Profetit ﷺ: “Nuk e shton jetën përveç mirësisë (birrit).”

Ky birr (mirësi ndaj prindërve dhe të tjetrëve në përgjithësi) që e shton jetën, është gjithashtu prej atyre gjërave që janë shkruar në Librin e Ruajtur (el-Leuh el-Mahfudh).

Pra, është shkruar në të se: jeta e tij është kaq, dhe me anë të mirësisë që ai do të bëjë, jeta e tij do të jetë aq.

Pra, Libri i Ruajtur përmban çdo gjë që do të ndodhë, duke përfshirë edhe shkaqet dhe pasojat, veprat dhe rezultatet, veprimet dhe ndikimet – të gjitha këto janë të shkruara në Leuh el-Mahfudh.

Dhe këtë hadith e ka konsideruar të mirë (hasen) shejkh Albani – Allahu e mëshiroftë – përveç pjesës së fundit të tij ku thuhet: “Me të vërtetë, njeriu privohet nga rrizku për shkak të një mëkati që mund të ketë bërë.”

Kapitulli: Këmbëngulja në lutje

Teksti: Prej ilaçeve më të dobishme është: këmbëngulja në lutje.

Ibn Maxhe në Sunenin e tij transmeton nga Ebu Hurejra se ka thënë: I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kush nuk i kërkon Allahut (nuk i lutet) Ai zemërohet me të.”

Komenti: Ky kapitull është më i zgjeruar se i mëparshmi.

Në kapitullin para këtij, autori tha: “Lutja është ndër ilaçet më të dobishme.”

Ndërsa tani hapi një kapitull të ri: Prej ilaçeve më të dobishme është këmbëngulja në lutje.

Këmbëngulja në lutje është diçka më e lartë se sa përmendja e lutjes në përgjithësi.

Ajo nënkupton: Përsëritjen e lutjes, vazhdimësinë në kërkesë, që robi të lutet herë pas here, të jetë këmbëngulës ndaj Allahut të Lartësuar, të mos pushojë nga lutja, kërkesa dhe kërkimi, të jetë i përulur para Allahut të Lartësuar.

Allahu thotë: “Luteni Zotin tuaj me përulje.” el-A’raf, 55.

Përulja (teḍarru’) është këmbëngulja.

Ai i lutet Allahut, i përsërit lutjet, kërkon nga Ai me ngulm, dhe Allahu e do këtë.

Allahu i do ata që janë të përkushtuar dhe këmbëngulës në lutje, sepse lutja është e dashur për Allahun e Madhëruar, dhe ata që bëjnë dua janë të afërt me Të – i Lartësuar qoftë Ai dhe i Lavdëruar!

Autori tha: Prej ilaçeve më të dobishme është këmbëngulja në lutje.”

Ibn Maxhe përcjell në Sunenin e tij nga Ebu Hurejra se ka thënë:

I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kush nuk i kërkon Allahut, Ai zemërohet me të.”

Këtë hadith e ka konsideruar të mirë (hasen) shejkh Albani – Allahu e mëshiroftë – në librin Es-Sahiha me numër (2654), dhe ka përmendur dëshmi që tregojnë për vërtetësinë e tij.

“Kush nuk i kërkon Allahut, Ai zemërohet me të” – kjo është dëshmi që tregon për dashurinë e Allahut ndaj lutjes, dhe dashurinë e Tij për ata që i luten Atij. Dhe se Ai – i Lartësuari – nga dashuria e madhe që ka për lutjen, zemërohet me atë që e lë (braktis) lutjen.

Një poet thoshte:

Allahu zemërohet nëse prej Tij nuk kërkon,

Por birit të Ademit kur i kërkon, ai vetëm zemërohet.

Birit të Ademit, nëse i kërkon një herë, zemërohet. Nëse i kërkon dy apo tri herë, zemërohet edhe më shumë.

Por Allahu zemërohet nëse ti nuk i kërkon. Sepse Ai do që ti ti lutesh, që t’i bëhen kërkesa, dhe të nënshtrohesh para Tij.

Lutja në vetvete përmban varfëri (nevojë), nënshtrim dhe përulje para Allahut. Në të shfaqet nevoja e madhe e robit për Allahun e Lartësuar, dhe përulja para Tij.

Ai i ngrit duart e tij, në formën e një të varfëri të dobët e të nevojshëm, që i kërkon Zotit të vet, duke qenë këmbëngulës.

“Me të vërtetë Allahu është i turpshëm (me shprehjen e përshtatshme për Madhështinë e Tij) dhe Bujar, turpërohet prej robit të Vet që kur ai i ngrit duart drejt Tij, Ai t’ia kthejë ato bosh (pa përgjigje).”

Përmbledhja është kjo: Ky hadith është shumë madhështor në shpjegimin e pozitës së lutjes dhe vlerës së saj tek Allahu.

Siç ka ardhur edhe në hadithin tjetër: “Nuk ka asgjë më të nderuar tek Allahu sesa lutja.” Në një hadith tjetër thuhet: “Lutja është vetë adhurimi.”

Teksti: Në Sahihun e Hakimit është transmetuar nga Enesi, nga Profeti ﷺ se ka thënë:

“Mos u tregoni të paaftë në lutje, sepse nuk shkatërrohet askush (nuk humbet) kur ka me vete lutjen.”

Komenti: Në këtë hadith ka dobësi, sepse në zinxhirin e tij ka një transmetues të papranueshëm, si rrjedhojë hadithi nuk është autentik nga Profeti ynë ﷺ.

Por, thuhet në të: ““Mos u tregoni të paaftë në lutje, sepse nuk shkatërrohet askush (nuk humbet) kur ka me vete lutjen.”

Që do të thotë se lutja është shpëtim. Lutja është shpëtim për atë që lutet.

Teksti: El-Evza’i ka përmendur nga ez-Zuhri e ky nga Urve e ky nga Aishja – Allahu qoftë i kënaqur prej saj – se ka thënë:

I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Me të vërtetë, Allahu i do ata që këmbëngulin në lutje.”

Komenti: Por edhe ky hadith nuk është i qëndrueshëm, sepse në zinxhir ka dikë që është i braktisur në hadith (i dobët shumë).

Por ka ardhur në disa burime, nga fjala e Evza’iut, apo është transmetuar se ai ka thënë:

“Thuhej: Lutja më e mirë është këmbëngulja në lutje dhe përulja para Allahut.”

Teksti: Në librin “Ez-Zuhd” të imam Ahmedit është transmetuar nga Katadeja se ka thënë:

Muverrik (el-Ixhli) ka thënë: “Nuk kam gjetur për besimtarin ndonjë shembull tjetër, veçse atë të një burri në det të kapur pas një cope druri; duke u lutur: ‘O Zot! O Zot! – mbase Allahu i Lartësuar do ta shpëtojë.”

Komenti: Ky tregim apo transmetim përmban këtë shembull të bukur, i cili tregon nevojën dhe varfërinë e robit për lutje dhe këmbëngulje ndaj Allahut të Lartësuar, si dhe varësinë e plotë të tij për duanë.

Në këtë transmetim thuhet se shembulli i besimtarit është si shembulli i një burri në det që është kapur pas një cope druri.

Imagjino një njeri në det, dhe supozo që nuk di të notojë, dhe është vetëm mbi një copë druri, ka frikë nga rënia dhe mbytja në këtë det…

Ai thërret: “O Zot! O Zot!” – do të thotë: përsërit, këmbëngul – i lutet Allahut që ta shpëtojë.

Nëse e përfytyron këtë gjendje dhe e shëmbëllen me dallgët e sprovave (fitneve) që lëkunden në mesin e njerëzve, të cilat i largojnë ata nga e vërteta, i hedhin në shkatërrim dhe i shtyjnë drejt të pavërtetës – atëherë do ta kuptosh më qartë këtë shembull.

Dallgë shumë të mëdha, të rrezikshme dhe shkatërruese:

Dallgët e dyshimeve (shubuhat), dhe fitnet që e humbasin njeriun. Allahut i kërkojmë të na mbrojë!

Për këtë arsye, Profeti ﷺ ka thënë:

“Kërkoni mbrojtje tek Allahu nga sprovat!” Sahabët thanë: “Kërkojmë mbrojtje tek Allahu nga sprovat.”

Pra, në këto dallgë të fuqishme dhe shkatërruese, shpëtimi arrihet përmes: kërkimit të mbrojtjes (tea’udh), lutjes, dhe mbështetjes tek Allahu i Lartësuar. Dhe që njeriu të thotë gjithmonë: “O Zot! O Zot!”

Ti lutet Zotit të tij, të kërkojë qëndrueshmëri, mbrojtje nga fitnet, dhe shpëtim prej të këqijave dhe gjërave që e shkatërrojnë.

Të jetë gjithmonë këmbëngulës ndaj Allahut të Lartësuar, dhe Allahu nuk e zhgënjen atë që i lutet Atij, nuk e refuzon atë që e thërret Atë.

“E kur robt e Mi të të pyesin për Mua, thuaju Unë jam afër. I përgjigjem lutjes së lutësit kur më lutet.” El-Bekare: 186.

Komenti i librit “Sëmundja dhe ilaçi”.

Shejh Abdurrezak el Bedr (Allahu e ruajtë)

Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje: ,

Loading...