Teksti: Kapitulli: Kohët e pranimit të lutjes.
Ibn Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë:
Nëse gjatë lutjes bashkohet prania e zemrës dhe përqëndrimi i saj i plotë tek ajo që kërkon, dhe kjo përkon me një kohë prej kohëve të pranimit të lutjes të cilat janë gjashtë:
1. Një e treta e fundit të natës.
2. Në kohën e ezanit.
3. Ndërmjet ezanit dhe ikametit.
4. Pas namazeve të detyrueshme.
5. Gjatë hutbes së xhumasë, që nga ngjitja e imamit në minber deri në përfundim të namazit të ditës së xhuma.
6. Ora e fundit pas ikindisë (në ditën e xhuma).
Nëse (këtyre kohëve) u bashkohet edhe përulja e thellë në zemër, nënshtrimi i sinqertë para Zotit, butësia dhe ndjenja e thellë dhe kërkimi i sinqertë, ndërkohë që lutësi kthehet me fytyrë nga kibla duke qenë në gjendje të pastër (me abdes) dhe i ngre duart drejt Allahut. Fillon me falënderimin dhe lavdërimin ndaj Tij, pastaj duke dërguar salavate mbi Muhamedin, shërbëtorin dhe të dërguarin e Tij ﷺ, pastaj e paraprin kërkesën me pendim dhe kërkim faljeje. Më pas i drejtohet Allahut, i lutet me këmbëngulje, e lavdëron dhe i lutet Atij me frikë dhe shpresë duke ndërmjetësuar tek Ai me emrat dhe cilësitë e Tij dhe me teuhidin (njëshmërinë) e Tij, jep sadaka para lutjes, atëherë kjo lutje është pothuajse e pamundur të refuzohet sidomos nëse përputhet me ato për të cilat Profeti ﷺ ka njoftuar se janë të pranueshme ose që përmbajnë emrin më të Madh të Allahut.
Komenti: Ky është një kapitull me dobi të madhe dhe vlerë të lartë, të cilin imam Ibn Kajim – Allahu e mëshiroftë – e ka përpiluar për të sqaruar kushtet e lutjes dhe pranimit të saj dhe se lutja është e dobishme dhe frytdhënëse vetëm atëherë kur lutësi përmbush kushtet dhe rregullat që janë të treguara qartë në Librin e Allahut dhe në Sunetin e të Dërguarit të Tij ﷺ.
Allahu i Lartësuar ka thënë:
“ادْعُوا رَبَّكُمْ تَضَرُّعًا وَخُفْيَةً إِنَّهُ لَا يُحِبُّ الْمُعْتَدِينَ • وَلَا تُفْسِدُوا فِي الْأَرْضِ بَعْدَ إِصْلَاحِهَا وَادْعُوهُ خَوْفًا وَطَمَعًا إِنَّ رَحْمَتَ اللَّهِ قَرِيبٌ مِّنَ الْمُحْسِنِينَ”
“Luteni Zotin tuaj me përulësi dhe në fshehtësi. Vërtet, Ai nuk i do ata që i tejkalojnë kufijtë. Dhe mos bëni shkatërrim në tokë pasi ajo është përmirësuar! Luteni Atë me frikë dhe shpresë – sepse mëshira e Allahut është afër bamirësve.” El A’raf 55-56.
Ky ajet konsiderohet prej ajeteve përmbledhëse që ngërthejnë edukatën e përgjithshme të lutjes (duasë) së bashku me rregullat e saj. Në këtë ajet qartësohet fakti se lutja është e dobishme për atë që e bën, vetëm nëse ajo shoqërohet me rregullat që i ka cilësuar Libri i Allahut dhe Suneti i Profetit të Tij – paqja, mëshira dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të.
Përmbledhja është kjo; nëse lutesi u përmbahet rregullave legjitime gjatë lutjes së tij dhe ruan etikën që së bashku janë të përmendura në Librin e Allahut dhe në Sunetin e të Dërguarit të Tij, paqja qoftë mbi të, kjo do të ishte më e plotë, më e madhe, më e fuqishme dhe më e efektshme në realizimin e ndikimit të lutjes dhe fryteve të pritura prej saj.
Imam Ibn Kajjim – Allahu e mëshiroftë – përmendi këtu një ekstrakt të përmbledhur dhe një esencë të dobishme ku tregoi kushtet dhe mirësjelljet më të rëndësishme të lutjes.
Teksti: Ai – Allahu e mëshiroftë – tha:
“Nëse gjatë lutjes, bashkohet prania e zemrës dhe përqendrimi i saj i plotë tek gjëja që ajo kërkon.”
Komenti: Prania e zemrës do të thotë: që kur njeriu i lutet Allahut të Lartësuar, këtë duhet ta bëjë me zemër të pranishme dhe jo me një zemër të hutuar. Nganjëherë njeriu lutet, i ngre duart lart, por zemra e tij është në një vend tjetër, pra nuk është e pranishme.
Për këtë arsye, ne e kemi përmendur më parë një hadith ku Profeti i Allahut ﷺ ka thënë: “Lutjuni Allahut duke qenë të bindur në përgjigje, dhe dijeni se Allahu nuk i përgjigjet asaj lutjeje që del nga një zemër e hutuar dhe e pavëmendshme.”
Pra, nëse zemra është e hutuar dhe e shpërqëndruar, kjo është një prej pengesave të pranimit të lutjes. Prandaj, në lutje është e domosdoshme prania e zemrës, si dhe përqendrimi i saj në atë që kërkon, në mënyrë që zemra të jetë e përkushtuar dhe e bashkuar me kërkesën, qëllimin dhe nevojën e lutësit, në përqendrimin dhe kthimin e tij nga Allahu i Lartësuar.
Teksti: Ai – Allahu e mëshiroftë – tha: “dhe kjo (lutja) përkon me një kohë prej kohëve të pranimit të lutjes – të cilat janë gjashtë”
Komenti: Ibn Kajim – Allahu e mëshiroftë – e vuri theksin në këto kohë që të jetë një përkujtim dhe ndihmë për robin që ti kërkojë. Kjo nuk do të thotë që ai të lutet vetëm në këto kohë, por që t’u japë këtyre kohëve një përkujdesje të veçantë, sepse pranimi i duasë është më i afërt. Dhe kështu të tregohet më i vëmendshëm duke bërë lutje, sepse janë kohë në të cilat shpresohet më shumë pranimi i duasë.
Teksti: Ai tha:
1. “Një e treta e fundit e natës”.
Komenti: Kjo është një kohë e ndershme, e vlefshme dhe madhështore. Profeti ynë – paqja qoftë mbi të – në një hadith të saktë ka thënë: “Zoti ynë – i Lartësuar – zbret në qiellin e kësaj bote çdo natë, kur mbetet një e treta e fundit e saj, dhe thotë: Kush më lutet që t’i përgjigjem? Kush më kërkon që t’i jap? Kush më kërkon falje që ta fal?”
Ky hadith e pohon faktin se kjo kohë është kohë e ndershme – është koha e zbritjes hyjnore – është një kohë e pranimit të lutjes. Në të, Zoti i Plotfuqishëm, i Lavdëruar dhe i Lartësuar në Madhështinë e Tij, thotë: “Kush më lutet? Kush më kërkon? Kush më kërkon falje?”
Prandaj është koha e pranimit të lutjes: kush lutet, Ai i përgjigjet; kush kërkon, Ai i jep; kush kërkon falje, Ai e fal.
Për këtë arsye, është e pëlqyeshme që muslimani të ndajë dhe të ketë hise për lutjet e tij gjatë kësaj kohe, të bëjë dhikër dhe për aq sa ia lehtëson Allahu i Lartësuar të falë edhe namaz nate.
Teksti: Ai – Allahu e mëshiroftë – tha:
2. Në kohën e ezanit
Komenti: Bëhet fjalë për kohën kur muezini thërret ezanin, dhe është sunet të thuash ashtu siç thotë muezini, dhe kjo ka shpërblim të madh, siç përcillet në hadithin e saktë të transmetuar nga Umeri: “Kur muezini thotë: Allahu Ekber, Allahu Ekber – dhe ndonjëri nga ju thotë: Allahu Ekber, Allahu Ekber… derisa ta plotësojë dhe në fund thotë: Allahu Ekber, Allahu Ekber duke e mbyllur me fjalën: La ilahe il-lallah – ai që e thotë këtë nga zemra e tij, do të hyjë në xhenet.”
Atëherë, prej sunnetit është që kur dëgjon ezanin, të përsërisësh fjalët e muezinit, përveç në pjesën kur ai thotë: “Ḥajje ‘ales-salāh” (Ejani në namaz) dhe “Ḥajje ‘alal-felāḥ” (Ejani në shpëtim).
Në këtë rast, siç përmendet në hadithin e Umerit (Allahu qoftë i kënaqur me të), sunneti është të thuhet: “La ḥaule ue la kuwete il-la bil-lah” – Nuk ka fuqi e as forcë përveçse me ndihmën e Allahut.
Kështu, kur autori (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Gjatë ezanit”, ai me këtë nënkupton lutjen që duhet bërë menjëherë pas përfundimit të ezanit — sepse ky është një moment i vlefshëm për dua.
Gjëja e parë me të cilën e fillon këtë lutje është duke dërguar salavate për Profetin (alejhi selam) dhe të kërkosh për të shkallën më të lartë.
Siç tregon hadithi: “Atëherë filloni me salavat mbi mua ﷺ dhe kërkoni që të më jepet vendi dhe shkalla e lartë (el-Uesīleh).”
Pra, sapo të përfundojë ezani, fillo me salavat mbi Profetin ﷺ — më e përshtatshme dhe më e plotë është forma e salavateve Ibrahīmijje — pastaj kërko duke thënë:
> اللَّهُمَّ آتِ مُحَمَّدًا الْوَسِيلَةَ وَالْفَضِيلَةَ، وَابْعَثْهُ مَقَامًا مَحْمُودًا الَّذِي وَعَدْتَهُ
“O Allah, jepi Muhammedit vendin e lartë dhe virtytin, dhe ngrije atë në pozitën e lavdëruar që ia ke premtuar.”
Pra lutesh me këto dua. Më pas, mund të bësh çdo dua që dëshiron, sepse ky është ndër momentet kur lutja pranohet, siç ka thënë Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) dhe dijetarë të tjerë. Gjithashtu, përcillet një hadith i saktë tek Ebu Davudi etj, nga Abdullah ibn ‘Amri, se një burrë tha:
“O i Dërguari i Allahut, muezinët na e kanë kaluar në vlera dhe virtyte!”
Sepse ezani ka shumë shpërblime dhe cilido që lexon hadithet të cilat flasin për shpërblimet e ezanit do të kuptojë se muezinët kanë arritur të fitojnë shumë shpërblime.
Sikur për vlerën e muezinëve të ekzistonte vetëm ky hadith: “Ai që udhëzon në mirësi ka shpërblimin e atij që e vepron atë,” – kjo do të mjaftonte si argument i qartë se ezani është një thirrje për në mirësi, sepse përmes tij njerëzit ftohen në namaz.
Për këtë veprim të madh, janë transmetuar hadithe të shumta që tregojnë për vlerën e ezanit.
Atëherë ky burrë i tha të Dërguarit të Allahut ﷺ: “O i Dërguar i Allahut, muezinët na e kanë kaluar për nga shpërblimi!” Profeti ﷺ i tha: “Thuaj edhe ti ashtu siç thonë ata, pastaj kërko (nga Allahu) dhe do të të jepet.”
Pra, fjala e tij ﷺ “pastaj kërko dhe do të të jepet” tregon se pas ezanit është kohë e veçantë për duā — një moment i begatë i pranimit, ku robi, pasi përfundon së përsërituri fjalët e ezanit dhe dërgon salavate mbi Profetin ﷺ, dhe kërkon vendin e lartë për të, i drejtohet Allahut me lutje, dhe kjo është ndër kohët më të mira për të bërë dua, siç thotë Ibn Kajim: “Gjatë Ezanit!”
Teksti:
3- Koha ndërmjet ezanit dhe ikametit
Komenti: Koha që shtrihet midis ezanit dhe ikametit është gjithashtu moment ku pranohen lutjet. Në një hadith autentik Profeti ﷺ ka thënë: “Lutja ndërmjet ezanit dhe ikametit nuk refuzohet (nuk kthehet mbrapsht).
Teksti:
4- Koha në fund të namazeve obligative.
Komenti: Fjala “duberu’s-salawāt” (në fund të namazeve obligative) këtu nënkupton pjesën e fundit të namazit, para selamit, jo pas tij.
Këtë e sqaron hadithi i Ibn Mes‘udit, ku Profeti ﷺ, pasi u mësoi sahabëve teshehudin, u tha: “Pastaj le të zgjedhë çfarë të dojë prej lutjeve.”
Kjo do të thotë se para selamit është moment i vlefshëm për duā dhe besimtari duhet ta shfrytëzojë atë duke kërkuar nga Allahu çfarë dëshiron. Por, fatkeqësisht, shumë namazli nxitohen ose velen kur teshehudi zgjat – pa përfituar nga ky moment i çmuar i pranimit të lutjeve -.
Ndër rastet që përmenden, është se një ditë – shumë kohë më parë – njëri prej imamëve po falej – ndoshta edhe vetë thënësi i këtyre fjalëve -. Pas namazit, iu afrua një nga xhemati dhe i tha: “O shejh, unë e kam lexuar teshehudin dy herë.” Imami me butësi i tha: “Kush të ka thënë që ta lexosh teshehudin dy herë? Teshehudi është rasti yt i artë për t’u përqendruar në dua, është moment i vlefshëm e madhështor ku besimtari mund të zgjedhë dhe të kërkojë prej Allahut çfarë të dëshirojë. Një kohë me vlerë në të cilën muslimani përzgjedh lutjet e mëdha dhe gjithëpërfshirëse, sidomos ato që janë transmetuar nga Profeti i nderuar ﷺ.
Teksti:
5- Kur imami ngjitet në minber ditën e xhuma, deri në përfundim të namazit.
6- Si dhe ora e fundit pas ikindisë në të njëjtën ditë.
Komenti: Kjo, për shkak të hadithit autentik të Profetit ﷺ, i cili ka thënë: “Dita e xhuma është dita më e mirë në të cilën lind dielli. Në të ekziston një orë që, nëse një rob musliman është duke u falur dhe i lutet Allahut të Lartësuar dhe përkon pikërisht me këtë kohë, Ai do t’ia japë atë që kërkon.”
Dijetarët kanë pasur mendime të ndryshme sa i takon përcaktimit të kësaj ore, por më i saktë – siç e përmend edhe Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) – është se ajo përkon me njërën nga këto dy kohë:
a. Nga momenti kur imami ngjitet në minber deri në përfundimin e namazit të xhumasë.
b- Ora e fundit pas ikindisë të po asaj dite.
Në namazin e xhumasë, vlen të theksohet posaçërisht momenti i sexhdes, sepse Profeti ﷺ ka thënë: “Robi është më afër Zotit të tij kur është në sexhde.”
Po ashtu, duaja para selamit (para përfundimit të namazit) të cilën e theksuam më lart, gjjthashtu është moment i vlefshëm për duā –
Pra të dyja këto në ditën e xhuma, sexhdeja dhe duaja para dhënies së selamit përmbajnë diçka shtesë nga vlerat që u përmendën në hadithin e ditës së xhuma. Kështu, bashkohet vlera e gjendjes dhe vlera e kohës. Vlera e adhurimit në një kohë kur duhet ti kushtohet rëndësi lutjes gjatë namazit si dhe vlera e kohës siç e përmendëm në hadithin e mësipërm për një orë e cila gjendet në ditë e xhuma dhe mund të jetë momenti kur imami ngjitet në minber e derisa të përfundojë namazi. Prandaj lutjet që bëhen ditën e xhuma kanë vlerë të madhe dhe kur ato (lutjet) përkojnë me zemrën e përulur, të thyer e të përqendruar, dhe me ndjenjë të thellë devotshmërie përpara Madhërisë së Zotit, të gjitha këto kanë kuptim të madh tek duaja. Pra kur zemra është e ndrojtur, e frikësuar, e penduar dhe e kthyer tek Allahu i Lartësuar dhe e nënshtruar para Tij, të gjjtha këto kuptime dhe ndjenja duhet të gjenden në zemër dhe kështu ti lutet Allahut dhe ti përgjërohet Atij.
Ibn Kajim përmend disa rregulla të rëndësishme për duanë:
Teksti: Drejtimi nga kibla:
Komenti: Nuk është prej kushteve të duasë, por është nga etikat e larta të duasë, siç ka ardhur në shumë hadithe që tregojnë se Profeti ﷺ u kthye nga kibla dhe bëri duā.
Pra është prej etikës së duasë!
Teksti: Të qenurit me abdes (i pastruar):
Komenti: Nuk është detyrim, por është një veprim me vlerë të madhe shpirtërore dhe respekt ndaj adhurimit.
Teksti: Të ngresh duart drejt qiellit:
Komenti: Kjo është një shenjë e përulësisë dhe varfërisë përballë Allahut, dhe është një nga shkaqet e pranimit të duas.
Profeti ﷺ në hadithin e transmetuar nga Selman el-Farisi (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: “Vërtet Allahu është i Turpshëm dhe Bujar; Ai turpërohet nga robi që ngre duart drejt Tij, që t’i kthejë ato bosh.” Pra, pa shpërblim dhe pa përgjigje.
Si fillon dhe si mbyllet duaja?
Teksti: Ibn Kajim thotë: “Lutja fillon me falënderim dhe lavdërim për Allahun, pastaj me salavate mbi Profetin ﷺ, e më pas njeriu kërkon çfarë të dojë.”
Komenti: Për këtë flet edhe hadithi i personit që Profeti ﷺ e dëgjoi duke bërë duā në namaz, dhe hadithi është i saktë.
Kur ai filloi menjëherë të kërkonte pa lavdëruar më parë Allahun, Profeti ﷺ tha: “Ky njeri u ngut.” Dhe më pas tha: “Kur ndonjëri prej jush lutet, le të fillojë me falënderim e lavdërim për Allahun, pastaj me salavate për të Dërguarin e Tij, e pastaj le të kërkojë çfarë të dëshirojë.”
Teksti: Ibn Kajim (Allahu e mëshiroftë) më pas thotë: “Pastaj, para se të paraqesë kërkesën e tij, e paraprinë atë me pendim dhe istigfar (kërkim faljeje).
Komenti: Sepse pendimi është rruga e shpëtimit, siç thotë Allahu i Lartësuar: “Pendohuni tek Allahu të gjithë, o besimtarë, që të shpëtoni.” (et-Teube: 31)
Pendimi gjithashtu është shkak për të arritur të mirat, për t’u pranuar lutjet, dhe për t’u falur mëkatet.
Teksti: Pastaj – tha – “të hyjë tek Allahu”.
Kuptimi i “hyrjes” këtu është: të hysh me duā, me përulje, me këmbëngulje dhe me kthim të plotë shpirtëror tek Allahu i Lartësuar, duke i paraqitur Atij nevojën, kërkesën dhe lutjen.
Tha – “të hyjë tek Allahu”. duke i kërkuar Atij me ngulm.
Komenti: Allahu i Madhëruar, për të devotshmit thotë: “Ata garonin në të mira, dhe Na luteshin me shpresë dhe frikë.” (el-Enbijā: 90)
Pra, besimtari në duanë e tij bashkon dy ndjenja: shpresën (رَغَبًا) dhe frikën (رَهَبًا).
Kështu është gjendja e besimtarit në çdo adhurim — gjithmonë bashkon midis shpresës dhe frikës. Siç thotë Allahu: “Ata që i luten Zotit të tyre, kërkojnë afrimin tek Ai, kush prej tyre është më afër, dhe shpresojnë në mëshirën e Tij e frikësohen nga dënimi i Tij.” (el-Isra: 57)
Në çdo adhurim, ku bën pjesë edhe duaja, robi bashkon mes frikës dhe shpresës, ndrojtjes dhe dëshirës.
Teksti: Tha: Pastaj“ të kërkojë ndërmjetësim tek Ai përmes Emrave të Tij të Bukur dhe Cilësive të Tij të Larta, si dhe me njëshmërinë e Tij (teuhidin).”
Komenti: Kjo formë e tevessulit (ndërmjetësimit) është shumë e përmendur në duatë e Kur’anit dhe në lutjet e Profetit ﷺ.
Allahu i Madhëruar ka thënë: “Të Allahut janë Emrat më të bukur; pra, luteni (Allahun) me to.” (el-A‘rāf: 180)
Gjithashtu ka thënë: “Thuaj: Luteni Allahun ose luteni të Gjithëmëshirshmin; me çfarëdo që ta thërrisni, Atij i përkasin Emrat më të bukur.” (el-Isra’: 110)
Këto janë mënyrat më madhështore dhe më fisnike të duasë — ti lutesh Allahut duke përmendur një nga Emrat e Tij tê bukur dhe atributet e Tij të larta që përputhen me kërkesën tënde.
Pra, nëse kërkon falje mëkatesh, të thuash: “O Falës, o Mëshirues” (الغفور الرحيم).
Nëse kërkon rizk (furnizim), të thuash: “O Furnizues, o Bujar” (الرزاق الكريم).
Nëse kërkon fitore, të thuash: “Zoti ynë, hap midis nesh dhe popullit tonë me të vërtetën, Ti je më i miri i gjykuesve.” — pra, i drejtohesh Atij me Emrin “el-Fettāh”.
Kështu, njeriu lutet duke e përshtatur çdo lutje me emrat dhe cilësitë e përshtatshme të Allahut.
Teksti: Tha: “Dhe (të kërkojë ndërmjetësim) me njëshmërinë e Allahut – ‘La ilahe il-la Allah’.
Komenti: Ky është një ndërmjetësim shumë madhështor.”
Për këtë arsye, po të shohësh, shumë nga duatë autentike profetike e kanë në përmbajtje këtë shprehje të teuhidit: “O Allah, unë të lus meqë Ti je Allahu, s’ka të adhuruar tjetër të vërtetë përveç Teje, Ti je Një dhe i Vetëm, je Ai që s’ka lindur dhe s’është lindur…” Po ashtu edhe në Duan e “Sejid el-Istighfar” (Kreu i lutjeve për kërkimin e faljes) dhe në shumë lutje të tjera të transmetuara nga Profeti ﷺ, gjendet kjo formë madhështore e tevessulit (ndërmjetësimit) përmes njëshmërisë së Allahut (teuhidit).
Teksti: Tha: “Dhe e paraprinë duanë e tij duke dhënë një sadaka.”
Komenti: Nuk di ndonjë hadith specifik për këtë, por ka tekste të përgjithshme që e mbështesin këtë kuptim, si fjala e Profetit ﷺ: “Sadakaja e shuan zemërimin e Zotit.” Gjithashtu, në hadithin e njohur kudsij ku Allahu thotë: “Kush e armiqëson të dashurin Tim, unë atij i shpall luftë. Robi Im nuk më afrohet me asgjë më të dashur për Mua sesa me ato që ia kam bërë detyrë. Robi vazhdon të më afrohet me veprat vullnetare derisa ta dua, dhe kur ta dua, bëhem dëgjimi me të cilin dëgjon, shikimi me të cilin sheh, dora me të cilën vepron dhe këmba me të cilën ecën. Nëse më kërkon, Unë do i jap; nëse kërkon mbrojtje prej Meje, Unë do ta mbroj.”
Pra, afërsia me Allahun përmes veprave vullnetare – ndër to edhe sadakaja – konsiderohet nga shkaqet e pranimit të duasë.
Nuk nënkuptohet këtu se njeriu çdo herë që dëshiron të bëjë dua, duhet paraprakisht të japë sadaka; por kuptimi është se ai që e ka zakonin e dhënies dhe bujarisë, kjo bujari dhe kjo bamirësi ndikon dhe është shkak për pranimin e lutjeve të tij.
Teksti: Tha: “Kjo dua” që përmbledh të gjjtha kêto cilësi dhe këto rregulla madhështore “është pothuajse e pamundur të refuzohet”
Komenti: Kurrsesi — e sidomos nëse duaja përkon me ato lutje që Profeti ﷺ ka lajmëruar se kanë shumë gjasa të pranohen (të gjejnë përgjigje), ose kur janë lutje që përmbajnë Emrin më të madh të Allahut (el-ism el-a‘dham).
Më pas autori (rahimehullah) përmendi shembuj të shumtë për këtë.
Teksti: Ibn Kajim (Allahu e mëshiroftë) tha: “Prej këtyre lutjeve është ajo që transmetohet në Sunen dhe në Sahihun e Ibn Hibbanit, nga hadithi i Abdullah ibn Burejdes, nga i ati i tij, se i Dërguari i Allahut ﷺ e dëgjoi një burrë që thoshte: “O Allah, unë të lus meqë dëshmoj se Ti je Allahu, nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Teje, Një i Vetëm (el-Eḥad), Absoluti të Cilit krijesat i drejtohen për nevojat e tyre (es-Samed), që nuk ke lindur dhe nuk je i lindur, dhe askush nuk është i barabartë me Ty.’ Profeti ﷺ kur i dëgjoi këto fjalë tha:‘Me të vërtetë ai i kërkoi Allahut përmes Emrit me të cilin, kur i kërkohet, Ai jep, dhe kur thirret me të, Ai përgjigjet.’
Në një version tjetër thuhet: ‘Ti i kërkove Allahut përmes Emrit të Tij më të Madh (el-ism el-a‘dham).’
Komenti: Ky është hadith madhështor, që i përmban të gjjtha këto forma të ndërmjetësimit (tevessulit) tek Allahu. Gjëja më e madhe që mund të përdorë robi për ndërmjetësim është njëshmëria e Allahut (teuhidi) fjala La ilahe il-Allah, si dhe Emrat dhe Cilësitë e Tij të Bukura.
Kjo është forma më e madhe e ndërmjetësimit: Ky hadith që u përmend më lart i përmban të dyja.
Pra, Profeti ﷺ dëgjoi një burrë që thoshte: “O Allah, unë të lus meqë dëshmoj se Ti je Allahu, nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Teje.” Ky është ndërmjetësim madhështor sepse përmend teuhidin si ndërmjetës tek Allahu i Madhëruar.
Kur robi është i pajisur me teuhid dhe ndjekës i sinqertë i fjalës “La ilahe il-la Allah” atëherë ky teuhid bëhet nga shkaqet më të mëdha për pranimin e duasë së tij, madje është shkaku më i madh i pranimit të lutjeve.
Pjesa tjetër e lutjes: (El Ehad) Një i Vetëm, (es Samed) Absoluti të Cilit krijesat i drejtohen për nevojat e tyre, që nuk ka lindur dhe nuk është i lindur, dhe askush nuk është i barabartë me Të.’
Ky është ndërmjetësim përmes Emrave dhe Cilësive të Allahut, ashtu siç janë përfshirë në suren e madhështore dhe të begatë el-Iḫlās.
Gjithashtu, në një hadith tjetër të njohur, flitet për një person që e lexonte suren el-Iḫlās në çdo namaz, dhe kur e pyetën pse e bënte këtë, ai tha: “Sepse ajo përmban përshkrimin e Mëshiruesit, dhe unë e dua Mëshiruesin.”
Kështu, kjo sure është ajka në përmendjen e cilësive të Mëshiruesit të Lartësuar — dhe lutja e përmendur në këtë hadith përfshin ndërmjetësimin me këto cilësi dhe atribute madhështore, e gjjtha kjo e përfshirë në Surën el-Ihlās.
Prandaj Profeti ﷺ tha: “Me të vërtetë, ai i kërkoi Allahut me Emrin, me të cilin kur i kërkohet Ai jep, dhe kur thirret Ai përgjigjet.”
Në një version tjetër ka thënë: “Me të vërtetë, ti i kërkove Allahut me Emrin e Tij më të Madh, me të cilin kur i kërkohet Ai jep, dhe kur thirret Ai përgjigjet.”
Për ta përmbledhur: Ky hadith është autentik dhe i saktë. Ai përmban këtë lloj ndërmjetësimi të madh tek Allahu përmes Emrave dhe Cilësive të Tij.
Prandaj, kjo është një nga lutjet më të begata dhe më të vlefshme, që besimtari duhet ta gjurmojë dhe të kujdeset, duke e përsëritur me fjalët e sakta dhe të transmetuara në këtë hadith madhështor.
Komenti i librit “Sëmundja dhe ilaçi”.
Autor: Abdurrezak el Bedr
Përshtati: Fatjon Isufi
Dosje: Duaja
Të Ngjashme
- Privimi nga shikimi i Allahut ﷻ, ndëshkimi më i madh Udha e Besimtarëve
- Kur merimangat thurin rrjeta mbi Mus’haf Udha e Besimtarëve
- Mëkatari apo i binduri? Ibn Kajim el-Xheuzije
- Prej kësaj po ikin Kurejshët?! Udha e Besimtarëve
- Besimtari midis veprave të mira dhe mëshirës së Allahut Udha e Besimtarëve