Komenti i librit “Sëmundja dhe Ilaçi” – 7 –

December 3, 2025

Teksti: Ibn Kajim – Allahu e mëshiroftë – thotë:

“Në Sunen dhe në Sahihun e Ibn Hibbanit po ashtu, nga hadithi i Enes ibn Malikut, përcillet (se) ai ishte ulur me të Dërguarin e Allahut ﷺ, ndërsa një burrë po falte namaz dhe pastaj ishte lutur duke thënë:

اللَّهُمَّ إِنِّي أَسْأَلُكَ بِأَنَّ لَكَ الحمد لا إله إلا أنتَ الْمَنَّانُ بَدِيعُ السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضِ ، يا ذا الجلالِ وَالْإِكْرَامِ، يَا حَيُّ يَا قَيُّومُ . فقال النبي – الله : لَقَدْ دَعَا الله بِاسْمِهِ الْعَظِيمِ الَّذِي إِذَا دُعِيَ بِهِ أَجَابَ، وَإِذَا سُئِلَ بِهِ أغطى.»

‘O Allah, unë të lutem Ty meqenëse Ty të takon falënderimi, nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Teje; Ti je Dhuruesi i Madh, Shpikësi (pa shembull të mëparshëm) i qiejve dhe tokës; o i Madhërishmi, o i Nderuari; o i Gjallë e i Përjetshëm (el Hajju), o Mbajtësi i gjithçkaje (el Kajjum).’

Pas këtyre fjalëve, Profeti ﷺ tha: ‘Me të vërtetë ai i është lutur Allahut me Emrin e Tij më të Madh, me të cilin kur thirret, Ai përgjigjet, dhe kur i kërkohet përmes Tij, Ai jep.’”

Të dy hadithet i transmeton Imam Ahmedi në “Musnedin” e tij…

Komenti: Ky hadith gjithashtu është i saktë, dhe në të gjenden këto ndërmjetësime të mëdha tek Allahu i Lartësuar përmes Emrave të Tij të bukur dhe Cilësive të Tij të larta.

Profeti ﷺ në fund të hadithit tha: “Me të vërtetë ai i është lutur Allahut me Emrin e Tij më të Madh, me të cilin kur thirret, Ai përgjigjet, dhe kur i kërkohet përmes Tij, Ai jep.”

Kjo lutje është si ajo e mëparshmja, pra një lutje madhështore, që në përbërje mban ndërmjetësime të mëdha tek Allahu — përmes Njëshmërisë së Tij, Emrave dhe Cilësive të Tij — dhe ky është ndërmjetësimi më i madh me të cilin njeriu i drejtohet Allahut në dua.

Teksti: Ibn Kajim – Allahu e mëshiroftë – thotë: “Ndërsa në ‘Xhamiu’t-Tirmidhi’ përcillet hadithi i Esma bint Jezidit, se Profeti ﷺ ka thënë: ‘Emri më i Madh i Allahut gjendet në këto dy ajete:

‘Zoti juaj është një Zot i vetëm! S’ka të ashuruar tjetër (të denjë për adhurim), përveç Atij, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit! (El-Bekare: 163).

Dhe në fillimin e sures Al Imran:

Elif-Lam-Mim. Allahu – nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Tij, i Gjalli, i Përjetshëm (el Hajju), Mbajtësi i gjithçkaje (el Kajjum).’’ (Al Imran: 1–2).”

Tirmidhiu tha: “Ky hadith është hasen sahih.”

Komenti: Emri më i Madh i Allahut është në këto dy ajete: “Zoti juaj është një Zot i vetëm! S’ka të ashuruar tjetër (të denjë për adhurim), përveç Atij,”, si dhe ajeti: “Elif Lam Mim, Allahu – nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Tij, i Gjalli, i Përjetshëm (el Hajju), Mbajtësi i gjithçkaje (el Kajjum).’ (Al Imran: 1–2).

Disa dijetarë kanë pohuar prerazi se Emri më i Madh i Allahut është emri ‘Allah’, sepse të gjithë Emrat e tjerë të bukur i kthehen atij. Prandaj shohim në Kuran se Emrat e Allahut lidhen pas këtij Emri:

“Ai është Allahu, përveç të Cilit nuk ka Zot tjetër (të denjë për adhurim), Njohësi i së dukshmes dhe i së padukshmes, Ai është i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti! Ai është Allahu, përveç të Cilit nuk ka Zot tjetër (të denjë për adhurim). Ai është Sunduesi, i Shenjti (i pastër nga çdo e metë), Paqëdhënësi, Dhënësi i sigurisë, Mbikëqyrësi mbi gjithçka, i Plotfuqishmi, Imponuesi, Madhështori. Qoftë i lartësuar Allahu mbi gjithçka që ia shoqërojnë Atij (në adhurim)! Ai është Allahu, Krijuesi, Zanafillësi, Ai që çdo gjëje i jep trajtë. Atij i përkasin emrat më të bukur; Atë e përlëvdon gjithçka që ndodhet në qiej dhe në Tokë, Ai është i Plotfuqishmi dhe i Urti. El Hashr 22-24.

Pra disa dijetarë kanë thënë prerazi se emri më i madh i Allahut është emri Allah.

Këtë e ka përmendur edhe Ibn Kajjim (Allahu e mëshiroftë) në librin “Zadul Mead” duke thënë: Emri më i Madh i Allahut është ‘el-Hajju el-Kajjum’ (I Gjalli, Mbajtësi i gjithçkaje).

Këto dy mendime janë më të fortat në çështjen e caktimit të Emrit më të Madh.

Këto dy mendime në përcaktimin e Emrit më të Madh janë më të fortat që janë thënë në këtë çështje: – ose që Emri më i Madh i Tij është “Allahu”, ose janë dy emrat “el-Hajju el-Kajjum”.

Këta emra kanë ardhur në hadithet ku Profeti – paqja e Allahut mbi të – ka përmendur se në to gjendet Emri më i Madh i Allahut, me të cilin, kur dikush lutet, Allahu i përgjigjet, dhe kur dikush kërkon, Allahu i jep.

Dijetarët në përcaktimin e emrit më të Madh të Allahut kanë sjellë edhe më shumë mendime, ndoshta mbi njëzet, por shumë prej tyre janë të dobëta dhe të pabaza. Mendimi më i fortë mbetet:

1. “Allahu”,

2. “el-Hajju el-Kajjum”,

Që do të thotë se: Emri më i Madh nuk kufizohet te një emër i vetëm, por i takon Emrave të bukur dhe madhështor të Allahut;

Ose, siç kanë thënë disa dijetarë, ai është tek emrat përmbledhës, të cilët nuk tregojnë vetëm një kuptim të veçuar, por tregojnë kuptime të shumta dhe të gjera.

Pavarësisht nga e gjitha kjo, kushdo që lutet me këto lutje – pa marrë parasysh dallimet dhe kundërshtimet rreth përcaktimit të Emrit më të Madh – pra me këto lutje që Profeti – paqja e Allahut mbi të – në fund të tyre ka thënë: “Me të vërtetë ai i ka kërkuar Allahut me Emrin e Tij më të Madh”

Çfarë ka për të ndodhur? Domosdo ai ka bërë dua me Emrin më të Madh të Allahut, dhe nëse ai e bën këtë dua me këto mënyra ndërmjetësimi (teuessuli) dhe me shprehjen që ka ardhur në këtë hadith, ai, pa dyshim, ka bërë dua me Emrin më të Madh të Allahut.

Prandaj muslimanit i takon që të kujdeset për këto dua: t’i mësojë përmendësh dhe t’i lutet Allahut të Madhëruar përmes tyre.

Teksti: Ai (rahimehullah) tha: “Në Musnedin e Ahmedit dhe në Sahihun e Hakimit, në hadithin e Ebu Hurejrës, Enes ibn Malikut dhe Rabi‘ah ibn Amirit, përcillet nga Profeti – alejhi’s-salatu ue’s-selam – se ka thënë: ‘Lidhuni fort pas fjalëve: O Zotëruesi i Madhështisë dhe Nderit.’ Ja dhel Xhelali uel Ikram–

Pra, kapuni pas këtyre fjalëve, qëndroni me këto fjalë dhe vazhdoni (lutuni) me to rregullisht…”

Komenti: Pastaj ai (Ibn Kajjim) solli këtë hadith nga Profeti – alejhi’s-salatu ue’s-selam – cili gjithashtu është hadith i saktë, se ai ka thënë: “Elidh-dhû bi ‘Ja Dhel-Xhelali uel-Ikrâm’ “Lidhuni fort me fjalët: O Zotëruesi i Madhështisë dhe Nderit.”

Ibn Kajjim (rahimehullah) ka sqaruar se kuptimi është: lidheni veten fort me këtë lutje, përqëndrohuni dhe vazhdojeni lutjen me këto fjalë.

Folja urdhërore (elidh-dhû’) i referohet kësaj lutjeje, pra kujdesuni për të dhe jepini rëndësi. Sepse është një dua madhështore.

Fjala ‘elidh-dhû’ nënkupton kujdes të madh dhe vazhdimësi me këtë dua: “O Zotërues i Madhështisë dhe Nderit.” Dhe nuk është qëllimi që lutësi të thotë thjesht: “O Zotërues i Madhështisë dhe Nderit” dhe të heshtë, por t’i bëjë këto fjalë si mjet ndërmjetësimi mes nevojës, lutjes, kërkesës dhe asaj që ai dëshiron.

Teksti: Ai (rahimehullah) tha: “Në Sunenin e Tirmidhiut, nga hadithi i Ebu Hurejrës – Allahu qoftë i kënaqur me të – përcillet se Profetin – alejhi’s-salatu ue’s-selam – kur e shqetësonte një çështje, ngrinte kokën drejt qiellit, dhe kur përqendrohej fort në dua, thoshte: ‘O i Gjallë, o i Përjetshëm! o Mbajtësi i gjithçkaje!’

Komenti: Ky hadith ka në zinxhirin e tij një transmetues të braktisur, prandaj nuk është i saktë nga Profeti – alejhi’s-salatu ue’s-selam. Mirëpo, thënia ‘O i Gjallë, O i Përjetshëm’ o Mbajtësi i Gjjthçkaje (Ja Hajju Ja Kajjum) është shumë madhështore në dua, siç e përmendëm më parë në hadithet që flasin për Emrin më të Madh të Allahut.

Në hadithin e parë ishte Ja Hajju Ja Kajjum, si dhe në hadithin e dytë, ku Profeti – alejhi’s-salatu ue’s-selam – tha: “Ai ka bërë dua me Emrin më të Madh të Allahut.”

Teksti: Ai (Ibn Kajjim) tha: “Gjithashtu, tek Sahih el Hakim përcillet hadithi i Enes ibn Malikut, i cili ka thënë: ‘Profetin – alejhi’s-salatu ue’s-selam – kur e kapte ndonjë vështirësi, thoshte: O i Gjallë, O i Përjetshëm! o Mbajtësi i gjithçkaje! Me mëshirën Tënde kërkoj ndihmë.’”

Komenti: Fjala e tij: “Gjithashtu, tek Sahih el Hakim përcillet hadithi i Enes ibn Malikut, i cili ka thënë: ‘Profetin – alejhi’s-salatu ue’s-selam – kur e kapte ndonjë vështirësi, thoshte: O i Gjallë, O i Përjetshëm! O Mbajtësi i gjithçkaje! Me mëshirën Tënde kërkoj ndihmë.’

Në këtë dua ka ndërmjetësim tek Allahu i Lartësuar përmes këtyre dy Emrave madhështorë: el-Hajju (i Gjalli, i Përjetshëm) dhe el-Kajjum (Mbajtësi i gjithçkaje). Dhe tek këta dy emra kthehen të gjithë Emrat dhe Cilësitë e Allahut.

Sepse cilësitë e Allahut, ose janë cilësi që lidhen me qenien e Tij, dhe këto kthehen tek Emri i Tij el-Hajj,

ose janë cilësi që lidhen me veprimet e Tij, dhe këto kthehen tek Emri i Tij el-Kajjum.

Pra tek këta dy Emra (el-Hajj, el-Kajjûm) kthehen të gjithë Emrat e bukur të Allahut; sepse janë Emra përmbledhës që mbajnë nën vete cilësi të shumta, të mëdha dhe madhështore të Allahut të Lartësuar. Prandaj, kur e mundonte apo e rëndonte diçka, ai (Profeti – alejhi’s-salatu ue’s-selam) thoshte: “O i Gjallë, O i Përjetshëm! O Mbajtësi i gjithçkaje! me mëshirën Tënde kërkoj ndihmë!” – që do të thotë: të kërkoj duke ndërmjetësuar tek Ti, kërkoj ndihmë prej Teje, duke të lutur dhe duke kërkuar të më shpëtosh nga vështirësia. Pra kjo është një dua madhështore, sidomos në kohë vështirësish dhe brengash.

Teksti: Ai (Ibn Kajjim) tha: “Në Sahihun e Hakimit, nga hadithi i Ebu Umeames, nga Profeti – alejhi’s-salatu ue’s-selam – se ai ka thënë:

‘Emri më i Madh i Allahut është në tri sure të Kuranit: El Bekare, Ali Imran dhe Ta-ha.’

Kasimi tha: ‘E hulumtova atë dhe e gjeta se është tek ajeti: ‘el-Hajju el-Kajjûm’.’

Komenti: Ky hadith pohon se Emri më i Madh i Allahut – siç thotë Profeti alejhi’s-salatu ue’s-selam – gjendet në tri sure:

• në Ajetin-Kursij të sures el-Bekare,

• në fillimin e sures Ali Imran “Elif-Lam-Mim. Allahu, nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Tij, i Gjalli, i Përhershmi…”,

• dhe në suren Taha: “Dhe fytyrat do të përulen para të Gjallit, të Përjetshmit, Mbajtësit të gjithçkaje.”

Ky hadith, së bashku me disa hadithe të tjera, bëri që disa dijetarë të pohonin prerazi se emri ‘el-Hajj el-Kajûm’ është Emri më i Madh i Allahut.

Teksti: Ai (rahimehullah) tha: “Në Sunenin e Tirmidhiut dhe Sahihun e Hakimit, në hadithin e Sea‘d ibn Ebi Uekasit, përcillet se Profeti – alejhi’s-salatu ue’s-selam ka thënë:

‘Duaja e Dhun-Nunit (Junusit), kur ai u lut brenda barkut të peshkut:

La ilahe il-la Ente, Subhaneke, in-ni kuntu mine’dh-dhalimîn – (Nuk ka të adhuruar të vërtetë përveç Teje, Ti je i patëmeta, vërtetë unë isha prej të padrejtëve),

nuk ka musliman që lutet me këtë dua në ndonjë situatë, veçse Allahu do ti përgjigjet.’

Tirmidhiu tha: hadithi është sahih.”

Ai (ibn Kajjim) shtoi: “Gjithashtu në Mustedrekun’ e Hakimit, nga hadithi i Sea‘dit, përcillet se Profeti – alejhi’s-salatu ue’s-selam – ka thënë:

‘A t’ju tregoj diçka që, kur t’i ndodhë ndonjërit prej jush ndonjë çështje e rëndë dhe bën dua me këto fjalë, Allahu do t’ia largojë atë? Ajo është: Duaja e Dhun-Nunit.’”

Gjithashtu në Sahihun e tij, nga i njëjti transmetues, se ai e ka dëgjuar Profetin – alejhi’s-salatu ue’s-selam – duke thënë:

‘A t’ju tregoj për Emrin më të Madh të Allahut? Ai gjendet tek duaja e Junusit.’

Një burrë tha: “A ishte ajo vetëm për Junusin?”

Ai tha: “A nuk e ke dëgjuar Fjalën e Allahut? ‘Dhe Ne iu përgjigjëm atij, dhe e shpëtuam nga pikëllimi. E kështu Ne i shpëtojmë besimtarët.’”

Cilido musliman që e thotë këtë dua në sëmundjen e tij dyzet herë, e pastaj vdes prej asaj sëmundjeje, i jepet shpërblimi i dëshmorit; e nëse shërohet, shërohet i falur.”

Komenti: Shejhu (rahimehullah) i solli këto tre hadithe, dhe më i sakti prej tyre është ai i pari – hadithi i Sea‘d ibn Ebi Uekasit, nga Profeti ﷺ i cili ka thënë: “Duaja e Dhun-Nunit: La ilahe il-la Ente, Subhaneke, in-ni kuntu mine’dh-dhalimîn…”

Kjo dua përmban tre ose katër mënyra të mëdha ndërmjetësimi tek Allahu:

1. Ndërmjetësimi përmes teuhidit – dhe ky është ndërmjetësimi më madhështorë: “La ilahe il-la Ente.”

2. Ndërmjetësim përmes madhërimit të Allahut dhe deklarimit të perfektshmërisë së Tij: “Subhaneke” – larg çdo të mete.

3. Ndërmjetësim me pranimin e fajit dhe kthimit tek Allahu duke shfaqur pamundësinë para Tij dhe pranimin e mangësisë njerëzore:

“Inni kuntu mine’dh-dhalimîn” – unë jam prej zullumqarëve.

Këto janë mjete të mëdha (të ndërmjetësimit), të cilat janë prej shkaqeve më të rëndësishme të pranimit të duas; prandaj medito ne fjalën e Profetit ﷺ kur thotë:

“Nuk ka musliman që lutet me këtë dua në ndonjë situatë, veçse Allahu do ti përgjigjet.’”

Këto janë mënyra madhështore me të cilat robi kërkon ndërmjetësim tek Allahu i Lartësuar, dhe janë prej shkaqeve të pranimit të duas dhe mosrefuzimit të saj.

Teksti: Më pas Ibn Kajjim– Allahu e mëshiroftë – thotë:

“Në dy Sahihët (Buhariu dhe Muslimi), përcillet hadithi i Ibn Abbasit, se të Dërguarin e Allahut ﷺ, kur e godiste ndonjë shqetësim i madh, thoshte:

لَا إِلَهَ إِلَّا اللهُ الْعَظِيمُ الْحَلِيمُ، لَا إِلَهَ إِلَّا اللهُ رَبُّ الْعَرْشِ الْعَظِيمِ، لَا إِلَهَ إِلَّا اللَّهُ رَبُّ السَّمَاوَاتِ السَّبْعِ ، وَرَبُّ الْأَرْضِ، وَرَبُّ الْعَرْشِ الْكَرِيمِ.

‘Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, të Madhit, të Butit.

Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, Zotit të Arshit të Madh. Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, Zotit të shtatë qiejve, Zotit të tokës dhe Zotit të Arshit fisnik.’”

Ndërsa në Musnedin e Imam Ahmedit, nga hadithi i Aliut radiAllahu anhu përcillet të ketë thënë:

“I Dërguari i Allahut ﷺ, më mësoi që kur të më ndodhë ndonjë shqetësim i madh, të them:

لَا إِلَهَ إِلَّا اللهُ الْحَلِيمُ الْكَرِيمُ، سُبْحَانَ اللَّهِ وَتَبَارَكَ اللهُ رَبُّ الْعَرْشِ الْعَظِيمِ، وَالْحَمْدُ لِلَّهِ رَبِّ الْعَالَمِينَ».

‘Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, të Butit, Fisnikut.

I Lartësuar qoftë Allahu! I Bekuar qoftë Ai, Zoti i Arshit të Madh! Dhe falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.’”

Komenti: Ky dhikër që është transmetuar saktësisht në dy Sahihët (Buhari dhe Muslim), nga hadithi i Ibn Abbasit – është një dhikër madhështor dhe me pozitë të lartë. Është mjaft e pëlqyeshme që myslimani ta thotë në çastet e shtrëngesave dhe vështirësive, sepse konsiderohet prej shkaqeve më të mëdha të çlirimit nga brengat dhe sprovat.

Të Dërguarin e Allahut ﷺ, kur e godiste ndonjë shqetësim i rëndë, pra ndonjë vështirësi thoshte:

‘Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, të Madhit, të Butit.

Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, Zotit të Arshit të Madh. Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, Zotit të shtatë qiejve, Zotit të tokës dhe Zotit të Arshit fisnik.’”

E gjithë kjo, është një mënyrë ndërmjetësimi tek Allahu, është madhërim dhe njëshmëri ndaj Tij dhe ndërmjetësim tek Ai përmes Emrave dhe Cilësive të Tij, ndaj (ky dhikër) konsiderohet prej mjeteve më të fuqishme për largimin e brengave, vështirësive dhe halleve që i bien robit.

Teksti: Ibn Kajjim – Allahu e mëshiroftë – thotë: Ndërsa në Musnedin e Imam Ahmedit, nga hadithi i Aliut radiAllahu anhu përcillet të ketë thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ, më mësoi që kur të më ndodhë ndonjë shqetësim i madh, të them:

“Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, të Butit, Fisnikut.

I Lartësuar qoftë Allahu! I Bekuar qoftë Ai, Zoti i Arshit të Madh!

Dhe falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.’”

Komenti: Në zinxhirin e transmetimit të këtij hadithi ka diskutim (ka dobësi), por atë e zëvendëson hadithi para tij – hadithi i Ibn Abbasit – i cili është transmetuar në dy Sahihët (Buhari dhe Muslim).

Teksti: Në Musnedin e imam Ahmedit, nga hadithi i Abdullah ibn Mesudit, përcillet se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

Cilindo që e godet një brengë apo një pikëllim, e pastaj thotë:

اللَّهُمَّ إِنِّي عَبْدُكَ ابْنُ عَبْدِكَ ابْنُ أَمَتِكَ، ناصيتي بِيَدِكَ، مَاضٍ فِي حُكْمُكَ، عَدْلٌ فِي قَضَاؤُكَ، أَسْأَلُكَ اللَّهُمَّ بِكُلِّ اسْمٍ هُوَ لَكَ ، سَمَّيْتَ به نَفْسَكَ، أَوْ عَلَّمْتَهُ أَحَدًا مِنْ خَلْقِكَ، أَوْ أَنْزَلْتَهُ فِي كِتَابِكَ، أو اسْتَأْثَرْتَ بِهِ فِي عِلْمِ الْغَيْبِ عِندَكَ أَنْ تَجْعَلَ الْقُرْآنَ الْعَظِيمَ رَبيع قلبي ، وَنُورَ صَدْرِي ، وَجِلاءَ حُزْنِي، وَذَهَابَ هَمِّي

O Allah, unë jam robi Yt, biri i robit Tënd, biri i robëreshës Tënde; balli im është në dorën Tënde; urdhri Yt është i vlefshëm mbi mua; gjykimi Yt ndaj meje është i drejtë. Të lutem Ty, o Allah, me çdo Emër që është i Yti:

— me të cilin ke emërtuar Veten,

— ose ia ke mësuar ndonjë krijese,

— ose e ke zbritur në Librin Tënd,

— ose e ke mbajtur të fshehtë në diturinë e të padukshmes pranë Teje, që ta bësh Kuranin e Madh vokacion (pranverë) të zemrës sime, dritë të gjoksit tim, largim të pikëllimit tim dhe zhdukje të brengës sime: veçse Allahu ka për tia larguar brengën dhe pikëllimin, duke ia zëvendësuar ato me gëzim dhe hare.’

I thanë: “O i Dërguari i Allahut, a ta mësojmë këtë lutje?” Ai tha: ‘Po, cilido që e dëgjon këtë lutje, i takon që ta mësojë atë.’

Komenti: Këto janë katër çështje që janë bashkuar në hadith: teuhidi (njëshmëria e Allahut), besimi në kadanë dhe kaderin (paracaktimin e Allahut), ndërmjetësimi tek Allahu përmes Emrave dhe Cilësive të Tij, dhe kujdesi ndaj Kuranit. Këto katër çështje që janë bashkuar në këtë dua janë shkak për largimin e pikëllimit, brengës dhe vështirësive.

Teksti: Ibn Kajjim– Allahu e mëshiroftë – thotë:

“Ibn Mes‘udi thoshte: Çdo pejgamber që është goditur me ndonjë vështirësi, ka kërkuar ndihmë përmes tesbihut (Madhërimit të Allahut).”

Komenti: Këtë transmetim e ka rrëfyer Ibn Sem’uni në librin e tij “El Emâli”, por zinxhiri i tij është i dobët. Pra është thënie e Ibn Mes‘udit – Allahu qoftë i kënaqur me të – i cili ka thënë:

“Çdo pejgamber që është goditur me ndonjë vështirësi, ka kërkuar ndihmë përmes tesbihut (Madhërimit të Allahut).”

Më parë ne e kemi përmendur edhe duanë e brengës të Dhun-Nunit (Junusit) i cili tha:

“La ilâhe il-lâ ente, subhâneke, in-nî kuntu minedh-dhâlimîn.”

Kjo tregon se tesbihu (madhërimi i Allahut) duhet bërë në raste vështirësish dhe brengash, siç e kemi përmendur në duanë e Dhun-Nunit.

Ndërsa transmetimi në fjalë, zinxhirin e ka deri tek Ibn Mes‘udi dhe është i dobët.

Teksti: Ibn Kajjim – Allahu e mëshiroftë – thotë:

“Ibn Ebi’d-Dunja në librin El-Muxhâbîn dhe në librin Ed-Du‘â’ ka përmendur nga Haseni (el Basri) se ka thënë:

Ka qenë një burrë prej sahabëve të Profetit ﷺ, që i përkiste ensarëve, dhe quhej Ebu Mu‘al-lek. Ai ishte tregtar që tregtonte me pasurinë e tij dhe me pasurinë e të tjerëve, dhe udhëtonte nëpër skajet e botës. Ishte njeri i devotshëm dhe i përmbajtur. Një ditë, kur doli për të udhëtuar, ai hasi një hajdut të armatosur dhe të mbuluar në fytyrë. Hajduti i tha:

‘Lëre atë që ke me vete, sepse unë do të të vras.’

Ai i tha: ‘Çfarë të nevojitet gjaku im? Merr pasurinë.’

Hajduti tha: ‘Sa për pasurinë, ajo është e imja. Unë dua vetëm gjakun tënd!’

Ai tha: ‘Nëse nuk pranon alternativë tjetër, atëherë më lër të fal katër rekate.’

‘Falu sa të duash’, – i tha hajduti.

Burri u la (mori abdes) dhe fali katër rekate. Në sexhden e fundit tha:

‘O i Dashur, o i Dashur! O Zot i Arshit të madh! O Ti që vepron atë që dëshiron! Të lutem me madhështinë Tënde që nuk mposhtet, me sundimin Tënd që nuk cënohet, dhe me dritën tënde që ka mbushur shtyllat e Arshit Tënd, që të më mjaftosh prej së keqes së këtij hajduti! O Ndihmues, më ndihmo!’

Këtë e përsëriti tri herë.”

“Kur ja, papritur aty erdhi një kalorës që mbante një heshtë, të cilën e kishte vendosur mes veshëve të kalit të tij. Kur e pa hajdutin, kalorësi iu drejtua atij, e goditi dhe e vrau. Pastaj iu afrua Ebu Mu‘al-lekut dhe i tha:

‘Ngrihu!’ Ai tha: ‘Kush je ti, qofshin flijim për ty babai dhe nëna ime? Sot, Allahu më shpëtoi nëpërmjet teje!’

Ai tha: ‘Unë jam një melek nga banorët e qiellit të katërt. Duaja jote e parë e bëri qiellin të dridhej. Duaja jote e dytë i bëri banorët e qiellit të zhurmonin. Ndërsa gjatë duasë tënde të tretë, thanë: Kjo është duaja e njeriu të dëshpëruar (në hall të madh). Unë iu luta Allahut që të më caktonte mua për ta vrarë (hajdutin).’”

Haseni pas kësaj thotë: “Kush merr abdes, fal katër rekate dhe e bën këtë dua, Allahu ka për tiu përgjigjur – qoftë i dëshpëruar apo jo.”

Komenti: Kjo do të ishte e vlefshme – sikur të ishte e saktë – megjithatë nuk është e saktë. Pra nuk mund ta praktikosh, sepse nuk ka vërtetësi. Zinxhiri i këtij tregimi është shumë i dobët. Shiko fjalën e dijetarëve për zinxhirin e tij në ‘Silsilet’ud-Da‘îfah’ të shejkh Albanit – Allahu e mëshiroftë – me numër 5737, ku ai ka sqaruar se zinxhiri është i dobët dhe nuk është i vlefshëm.

Komenti i librit “Sëmundja dhe ilaçi”.

Autor: Abdurrezak el Bedr

Përshtati: Fatjon Isufi

 

 

 

 

 

 

 

 

Dosje:

Loading...