Teksti: Ibn Kajjiim (Allahu e mëshiroftë) thotë:
“Shpesh gjen lutje me të cilat janë lutur njerëz të caktuar dhe u është pranuar lutja. Mirëpo, pranimi i lutjes mund të ketë ardhur sepse ajo është shoqëruar me nevojën e madhe të atij që është lutur dhe drejtimin e sinqertë të tij tek Allahu; ose për shkak të një vepre të mirë që ai e ka bërë më parë, e kështu Allahu ia pranon lutjen si shpërblim për atë vepër; ose lutja ka qëlluar në kohën e pranimit, e të tjerë faktorë si këta dhe kështu, lutja i pranohet. Por dikush mendon se sekreti qëndron vetëm te fjalët (shprehjet) e asaj lutjeje. Kësisoj, ai i merr ato fjalë duke i zhveshur nga të gjitha ato rrethana dhe gjendje që e shoqëruan lutësin e parë.
Kjo i ngjan rastit kur një person përdor një ilaç të dobishëm në kohën e duhur dhe në mënyrën e duhur, dhe përfiton prej tij. Ndërsa një tjetër mendon se thjesht përdorimi i këtij ilaçi (pa marrë parasysh kohën dhe mënyrën) mjafton për të arritur rezultatin, dhe kështu gabon. Në fakt kjo është një praktikë ku gabojnë shumë njerëz.”
Komenti: Ky kapitull është shkruar nga Imami Ibn Kajjim në kuadër të fjalës së tij mbi lutjen, si ilaçi më i madh dhe më i dobishëm për shërimin e të gjitha sëmundjeve dhe shqetësimeve. Më herët, imam Ibn Kajimi i përmendi kushtet që patjetër duhet të respektohen dhe tu kushtohet vëmendje në mënyrë që lutja të pranohet dhe të ketë ndikimin, rezultatin dhe dobinë e saj.
Në këtë kapitull, Ibn Kajim dëshiron të tërheqë vërejtjen se disa njerëz mashtrohen pas disa formulimeve në lutje që janë bërë nga njerëz të tjerë në momente vështirësie apo rrethana të caktuara dhe kur janë lutur, lutja e tyre është pranuar. Kështu, shumë shpesh njerëzit në një rrethanë të tillë hamendësojnë se ky sekret (i pranimit) i kthehet vetë fjalëve të lutjes.
Kjo ndodh shpesh, dhe në kohën tonë: ku disa njerëz i qarkullojnë disa lutje që janë të sforcuara në formulimin e tyre, duke i shoqëruar me nga një histori të caktuar, ose për personin që e ka formuluar këtë lutje, ose se ai është lutur me këto fjalë dhe i është pranuar dhe realizuar ajo që kërkoi.
Qëllimi i tij (Ibn Kajjimit) është se: njerëzit imagjinojnë se ky sekret qëndron te fjalët e lutjes. Prandaj ne duhet patjetër t’i kushtojmë vëmendje kësaj dobie, sepse ajo është shumë e çmuar.
Pra, shumë njerëz mendojnë se ky është një sekret te fjalët e lutjes, por siç tha Ibn Kajjim: mundet që pranimi që ka ndodhur për këtë lutje të jetë për shkak të shoqërimit të kësaj lutjeje me nevojën e madhe që ka lindur te ky lutës. Ndërkohë, Allahu i Lartësuar thotë: “Kush i përgjigjet atij që është në nevojë kur ai e thërret…”.
Ose mund t’i kthehet forcës së drejtimit të lutësit tek Allahu dhe sinqeritetit të tij në këmbëngulje dhe kërkim. Ose, mund të ketë aty një vepër të mirë ose vepra të mira që ai i ka bërë më parë, e që u bënë shkak për pranimin e lutjes së tij dhe mjet për pranimin e saj; siç është ruajtja e nderit nga imoraliteti, ose mirësia ndaj prindërve, ose kryerja e të drejtave, ose punë të mira që ai ka ofruar; e kështu ato bëhen një mbështetje e madhe në pranimin e lutjes së tij.
Kjo lutje që pranohet, shumë njerëz mund të mendojnë se i kthehet fjalëve; prandaj në kohën tonë qarkullojnë formulime të shpikura e të sajuara dhe njerëzit thonë: “Filanit i ndodhi kjo e kjo dhe u lut me këtë lutje”. Ata mendojnë (nëse është e vërtetë ajo që po sinjalizojnë se ka ndodhur) kjo ku mund tëkthehet? Siç e thamë: Ose nevojës së madhe që lindi te lutësi, ose siç tha Ibn Kajim, sinqeritetit në drejtimin dhe këmbënguljen e lutësit në lutjen drejtuar Allahut, ose lutja mund të jetë shoqëruar (ose i ka paraprirë) një vepër e mirë ose vepra të mira e punë të mbara, që kanë qenë mbështetje në pranimin e lutjes së tij. Në një rast të tillë, shumë njerëz mendojnë se sekreti është te fjalët e lutjes, kështu që ajo merret e zhveshur nga gjërat me të cilat u shoqërua.
Ibn Kajim jep këtu një shembull për sqarim, duke thënë: Kjo i ngjan rastit kur një person përdor një ilaç të dobishëm në kohën e duhur dhe në mënyrën e duhur, dhe përfiton prej tij. Ndërsa një tjetër mendon se thjesht përdorimi i këtij ilaçi (pa marrë parasysh kohën dhe mënyrën) mjafton për të arritur rezultatin, dhe kështu gabon. Dhe ky është një vend ku gabojnë shumë njerëz.”
Vërtet kjo është një dobi shumë e çmuar për të cilën duhet pasur kujdes; sepse shumë njerëz në kohën tonë shpërndajnë përmes rrjeteve sociale lutje për të cilat thonë “u provua”, dhe se filani e ka provuar për këtë gjë dhe ka bërë punë. Ata mendojnë se përfitimi – nëse vërtet ka ndodhur – i kthehet fjalëve të lutjes, por çështja nuk është ashtu. Madje, ka forma edhe më të rënda se kjo, për të cilat do të vijë paralajmërimi i Ibn Kajimit (Allahu e mëshiroftë).
Teksti: “Ibn Kajjim (Allahu e mëshiroftë!) thotë: ‘Prej kësaj kategorie është edhe rasti kur dikush mund të lutet në gjendje shtrëngimi ekstrem (id’dtirar) pranë një varri dhe lutja t’i pranohet. I padituri mendon se sekreti i pranimit (të lutjes) qëndron te varri, pa e ditur se sekreti qëndron te gjendja e shtrëngimit të këtij lutësi dhe sinqeritetit të tij në kthimin drejt Allahut. Nëse kjo do të ndodhtej në një prej shtëpive të Allahut (xhamive), do të ishte më e virtytshme dhe më e dashur tek Allahu.’
Komenti: Ky është një paralajmërim i ngjashëm me atë paraprakun. Pra, njerëzit mund të hamendësojnë se ky sekret qëndron te formulimet dhe fjalët e lutjes. E njëjta gjë ndodh kur një person lutet pranë një varri dhe i pranohet lutja; njerëzit mund të kujtojnë se suksesi i detyrohet lutjes pranë varrit, duke e konsideruar këtë si një prej shkaqeve të pranimit të lutjes, ndërkohë që e vërteta nuk është e tillë.
Mund të ketë qëlluar që personi ka qenë në një nevojë urgjente, duke iu përgjëruar Allahut me sinqeritet të plotë, dhe si rrjedhojë i është plotësuar nevoja. Pra, sekreti nuk qëndron në faktin se u lut pranë varrit. Për këtë arsye, shumë njerëz devijojnë duke u kapur pas lidhjeve të kota, të cilat bazohen në supozime të gabuara dhe iluzione të pavlera.
Madje, ekziston një gjendje akoma më e rëndë se këto të dyja që përmendi Ibn el-Kajimi, të cilën e ka shtjelluar Shejkhul-Islam Ibn Tejmije në librin e tij ‘Iktida es-Sirat el-Mustekim’ dhe sqarimi i saj këtu është me rëndësi të veçantë, në mënyrë që njeriu të mos mashtrohet. E gjithë kjo bëhet me qëllimin që njeriu të mos bie prehë e mashtrimit:
– Së pari: Të mos mashtrohet pas formulimeve, duke menduar se ato fjalë janë domosdoshmërisht të pranuara, kur në fakt pranimi në atë ngjarje (nëse është e vërtetë) nuk i detyrohej fjalëve, por faktorëve të tjerë.
– Së dyti: Të mos mashtrohet pas lutjes pranë një varri, sepse sekreti nuk qëndron tek vendi, por te faktorët e tjerë si: nevoja e madhe, sinqeriteti e të ngjashme.
Dëgjoni çfarë thotë Ibn Tejmije në librin e tij “Iktida es Sirat el Mustekim”: ‘Në këtë kapitull hyn edhe ai që bën një lutje që përmban tejkalim (të kufijve të lejuar); qoftë duke kërkuar diçka që nuk lejohet, apo duke bërë një lutje që përmban mëkat ndaj Allahut, si shirku ose diçka tjetër.’
Vini re.. “shirku ose diçka tjetër”.
Nëse ky person arrin të realizojë një pjesë të qëllimit të tij, ai mendon se kjo është dëshmi se vepra e tij është e saktë. Ibn Tejmije thotë: ‘Në fakt, ai është në pozitën e atij që i është lënë afat dhe i është dhënë pasuria e fëmijët si istidraxh (tërheqje graduale e njeriut drejt shkatërrimit), ndërsa ai mendon se këto mirësi po i jepen si nxitim për të në këtë botë.”
“Në këtë kuadër, kur një personi i shtohet pasuria dhe fëmijët, ai mund të mendojë se kjo përbën një nxitim të Allahut për t’i dhënë të mira, ndërkohë që në realitet është istidraxh (tërheqje graduale drejt shkatërrimit): ‘Ne do t’i tërheqim ata gradualisht (drejt shkatërrimit) në mënyra që ata nuk i dinë.’
Po ashtu, njeriu mund të mashtrohet edhe në rastin kur supozohet se dikush ka thirrur (i është lutur) dikujt që gjendet në varr — vepër kjo që hyn tek shirku i madh, i cili i asgjëson veprat. Nëse supozojmë se ai i është lutur të vdekurit për një nevojë dhe ajo nevojë i është plotësuar, kjo shërben si një sprovë e madhe (fitne) për shumë njerëz.
Edhe nëse këto ngjarje vërtetohen se kanë ndodhur — megjithëse shpeshherë ato janë thjesht gënjeshtra dhe shpifje të trilluara nga kujdestarët e varreve (sedenet)1 për t’ua shitur masave të thjeshta dhe për të nxitur tek ata lidhjen me të vdekurit dhe lutjen ndaj tyre në vend të Allahut — pra, edhe nëse supozojmë se diçka e tillë ka ndodhur, ajo konsiderohet si istidraxh dhe kurrsesi jo dëshmi për saktësinë e lutjes apo rregullsinë (saktësinë) e veprës. Kjo sepse është e pamundur që një vepër të jetë e drejtë ndërkohë që ajo përbën shirk ndaj Allahut të Lartësuar.
Si përfundim, këto paralajmërime janë jetike në mënyrë që njeriu të mos mashtrohet pas formulimeve të caktuara, vendeve të caktuara, apo gjendjeve dhe cilësive të caktuara. Përmbledhja e kësaj çështjeje është se: ajo që merret për bazë për saktësinë dhe rregullsinë e lutjes është përputhshmëria e saj me legjislacionin hyjnor (Sheriatin), si dhe respektimi i rregullave, kushteve dhe etikës së lutjes që kanë ardhur në Librin e Allahut dhe në Sunetin e Profetit të Tij. Çdo gjë tjetër përveç kësaj, nuk duhet ta mashtrojë njeriun.”
1- Sedenet (السدنة): Personat që kujdesen për varret apo faltoret, të cilët shpesh përhapin mite për të përfituar materialisht.
Komenti i librit “Sëmundja dhe ilaçi”.
Autor: Abdurrezak el Bedr
Përshtati: Fatjon Isufi
Dosje: Duaja
Të Ngjashme
- Komenti i librit “Sëmundja dhe Ilaçi” – 7 – Shejh Dr. Abdurrezak El-Bedr
- Shtylla e madhe e pendimit Udha e Besimtarëve
- Komenti i librit “Sëmundja dhe Ilaçi” – 6 – Shejh Dr. Abdurrezak El-Bedr
- Privimi nga shikimi i Allahut ﷻ, ndëshkimi më i madh Udha e Besimtarëve
- Kur merimangat thurin rrjeta mbi Mus’haf Udha e Besimtarëve