Kujdesi i dijetarëve ndaj librave

April 14, 2017

Dijetarët janë treguar të habitshëm në këtë aspekt në rëndësinë e madhe që u jepnin librave të dijes, ndikimit të madh dhe pozitën e lartë që ata gëzonin në jetën e tyre. Për këtë ata kanë sjellë fjalë të njohura në poezi e në prozë, shumë prej të cilave i gjejmë tek libri “El hajeuan” të Xhahidhit dhe në brendësi të librave të tjerë të tij. Po ashtu edhe tek “Tekjidul ilm” dhe “El Xhamiu” të Hatibit, tek “Xhamiu bejanil ilm ue fadlih” të Ibn Abdulberrit, në brendësi të librave që flasin për edukatën e nxënësit, te librat e biografive dhe në parathëniet e librave që flasin për treguesit e librave. Prandaj ne nuk po përsërisim atë që kanë thënë sepse atje i gjen me shumicë. Megjithatë, unë nuk doja ta lija të pacekur këtë temë prandaj po sjell disa shkëndija drite nga shembujt që ata kanë sjellë (sidomos kur ky libër është vendi që mendohet se përmend të tillë). Prandaj zgjodha disa fjalë që mendoj se janë nga gjërat më të bukura që janë thënë.

Ka thënë “El Xhahidh” (viti 255) në “El Hajeuan”[1]: “Atij që nuk i duken më të dashura paratë që shpenzon për të blerë libra sesa ato që shpenzojnë njerëzit e dhënë mbas robëreshave, apo se paratë që shpenzojnë njerëzit e çmendur pas ndërtesave, nuk do të arrijë gradë të lartë në dituri. Madje ai nuk do t’ia shikojë hajrin shpenzimit të tij për librat derisa t’iu japë përparësi atyre ashtu siç i jep përparësi beduini (banori i shkretëtirës) kalit të tij i cili e ushqen atë (mëzin) me qumësht  para familjes së vet, dhe derisa të shpresojë  prej diturisë së vet ashtu siç shpreson beduini për mëzin.”[2]

Imami Muhamed ibën Hazm (viti 456) ka përmendur në librin e tij “Risaletu meratibil ulum”[3] themelet e diturisë. Prej tyre ka përmendur: “Shtimi i librave, sepse nuk ka libër pa dobi[4] apo dituri shtesë që do ta gjejë tek ai kur t’i duhet. Njeriu nuk mundet ta memorizojë të gjithë diturinë ku është specializuar, e meqë kjo është e pamundur librat janë thesari më i çmuar për njeriun kur të ketë nevojë për ta. Sikur të mos ishin librat do të humbisnin dituritë e nuk do të gjendeshin dot. Prandaj, ai që e qorton grumbullimin e librave është gabim. E sikur të merrej mendimi i tij, do të zhdukeshin njohuritë dhe do të shfaqeshin injorantët e do pretendonin çfarë të dëshironin!![5] Sikur të mos ishin dëshmitarë librat do të barazoheshin pretendimet e dijetarit dhe të injorantit.”

Njëri prej dijetarëve u qortua për grumbullimin e madh të librave, dhe tha këto fjalë në vargje:

“Njëra më tha: Shpenzove çfarë kishe prej pasurisë
për librat e tu, – e una ia ktheva: Më ler!
Sepse ndoshta në mesin e tyre do të gjej
librin që do të më orientojë,
si ta marr librin tim i sigurt me të djathtën.”
 

Në faqet në vijim do të gjesh lajme dhe tregime të mrekullueshme që tregojnë për vlerën e madhe që kishin dhe kanë librat në jetën e dijetarëve, dhe ato nuk kanë nevojë për asnjë koment.

Dashuria e flaktë e Ibën Durejdit (viti 321) për dijen dhe librat

Ebu Nasr el Mikalij[6] thotë: “Një ditë me shokët po përmendnim vendet e bukura që duhen vizituar, dhe në mesin tonë ishte edhe Ibn Durejdi. Dikush tha: Vendi më i bukur është Gutah në Damask. Disa të tjerë thanë: Përkundrazi, vendi më i bukur është lumi Ubul-leh. Disa thanë: Sughdi në Samarkand. Disa thanë: Nehreuani në Bagdad. Dikush tha: Luginat e Beuanit. Dikush tjetër tha: Nubuhari në Belkh.

Ibën Durejdi tha: Këto janë bukuri të natyrës që kënaqin sytë, po ku jeni ju prej bukurive që kënaqin zemrat? – Thamë: Cilat janë ato o Ebu Bekr? – Tha: “Ujunul ahbar” i Kutbiut, “Ez zehratu” i Ibn Daudit dhe “Kalekul mushtak” i Ibn Ebi Tahirit. Pastaj recitoi:

Kush ka për argëtim robëreshën
apo gotën që mbushet dhe zbrazet,
argëtimi ynë dhe rehatia jonë
është takimi me Ujun-ët dhe studimi i librave.”

Pasioni i Ibn Tejmijes (viti 728) për shfletim dhe dëshira e flaktë për hulumtim

Hafidh ibn Abdulhadi (viti 744) – nxënësi i tij – në “Muhtesar tabekatu ulemail hadith”[7] thotë pasi përmend disa cilësi të tijat: “Shpirti i tij nuk kishte të ngopur prej diturisë apo prej shfletimit të librave, nuk bezdisej prej qëndrimit të gjatë mbi to, nuk lodhej prej hulumtimit të shumtë. Rrallë ndodhte që të futej në një fushë të diturisë në ndonjë temë të caktuar e të mos i hapeshin në të dyer të shumta të njohurive, të mos shtonte apo korrigjonte në të specialistët e asaj fushe!”

 Shejh Muhamed Halil el Herras[8] thotë: “Ibn Tejmija kishte mendjemprehtësi, karakter shumë kurioz që nuk ngopej prej diturisë, nuk lodhej prej hulumtimit e as prej shfletimit i cili gjendej tek ai me shumicë. Ishte shumë i dhënë pas tij dhe kishte ambicie të larta në atë fushë, aq sa nuk u shkëput prej hulumtimit dhe shkrimit gjatë gjithë jetës së tij në Sham, në Egjipt, në burg apo në shtëpi. Madje ai ndjeu dhimbje të madhe në shpirt e u pikëllua shumë kur ia morrën librat dhe fletët që mbante për të shkruar në ditët e tij të fundit…”

Imam Ibnul Kajimi në “Kopshti i të dashuruarve”[9] thotë: “Më ka treguar shejhu ynë – Ibn Tejmija – : Më filloi një sëmundje dhe mjeku më tha: Hulumtimi shkencor që ti bën dhe mësimdhënia ta shtojnë sëmundjen. – I thashë: Nuk duroj dot nga kjo, e megjithatë unë do të diskutoj pak me ty mbi njohuritë e tua. Kur shpirti është i lumtur dhe gjendja ime emocionale është e mirë, a nuk e largojnë këto sëmundjen? – Tha: Patjetër që po. – Atëherë i thashë: Shpirti im lumturohet me diturinë, me të ngrihet morali im dhe aty ndiej rehati. – Më tha: Kjo është jashtë fushës së kurimit që ne bëjmë.”

Po ashtu Ibnul Kajimi thotë: “Unë njoh dikë që u sëmur nga ethet dhe libri ishte te koka e tij. Sa herë që vinte në vete lexonte në të, kur rëndohej e hiqte nga dora. Një ditë i shkoi doktorri për ta vizituar duke qenë në atë gjendje, dhe i tha: Kjo nuk të lejohet sepse kështu e dëmton veten dhe kjo bëhet shkak për largimin e asaj që kërkon.”

Ibnul Xheuzi (viti 597) lexon 20 mijë vëllime

Ibnul Xheuzij tregon për veten e vet në “Gjuetia e mendimeve” për leximin e shumtë të librave dhe thotë: “Unë po tregoj për veten time: Nuk ngopem prej shfletimit të librave. Kur shikoj një libër që nuk e kam parë ndonjëherë sikur më ka rënë në dorë një thesar! Kur lexoja në librarinë e vakëfit në shkollën “En Nidhamijeh” atje kishte afërsisht 6 mijë vëllime; përfshirë librat e Ebu Hanifes, librat e Humejdit, librat e shejhut tonë Abduluehab ibn Nasir, librat e Ebu Muhammed ibnul Hashanit – dhe ata ishin të shumtë – dhe libra të tjerë, pra çdo libër që më binte në dorë.

Sikur të thosha se kam shfletuar 20 mijë vëllime ato janë më shumë, dhe unë akoma vazhdoj të kërkoj diturinë.”

Pastaj përmendi se çfarë ka përfituar prej shfletimit. Prej porosive të tij drejtuar kërkuesit të dijes është edhe kjo: “Le të kesh një vend në shtëpinë tënde ku të veçohesh, të bisedosh me rreshtat e librave dhe të lundrosh në ujërat e mendimeve të tua.”  

Kujdesi i Ibn Akilit ndaj kohës dhe angazhimi i tij me lexim dhe dituri

Ibn Rexheb el Hanbeli përmend në “Edh dhejl ala tabekatil hanabileh”[10] tek jetëshkrimi i Ibn Akil el Hanbeli (viti 513), fjalën që Ibnul Xheuzij ka thënë për të:
“Ishte gjithmonë i angazhuar me diturinë. Një herë lexova shkrimin e tij ku thoshte: Nuk më lejohet të humbas asnjë çast nga jeta ime! Edhe kur gjuha ime pushon prej përsëritjes së njohurive apo diskutimit shkencor, apo kur syri im pushon prej leximit, unë vë në punë mendimin tim kur jam duke pushuar dhe nuk ngrihem veçse më ka ardhur në mendje diçka që duhet shkruar. Unë gjej në vetvete dëshirë dhe pasion për dituri edhe pse jam në të tetëdhjetat, më shumë seç ndieja kur isha në të njëzetat!”

Ibn Rexhebi gjithashtu citon prej librit të Ibn Akilit “El funun” ku thotë për veten e vet: “Unë e shkurtoj sa të mundem kohën e ngrënies së ushqimit derisa preferoj të ha biskota të cilat i zbus në ujë sesa bukë, sepse kështu i kursej vetes kohën e përtypjes që të kem kohë më shumë për të lexuar apo shënuar diçka të dobishme që has gjatë leximit.”

Imam El Makrizij tregon në “El Mukafa el kebir” për dijetarin e madh Ibn Sadekatel Hameuij (viti 599), se ai angazhohej shumë me diturinë dhe gjithmonë merrej me shtimin e saj. Tregon Hafidh el Mundhirij duke thënë: “Një ditë hyra tek ai i cili ishte futur në një tunel nën tokë nga i nxehti i madh dhe punonte (shkruante ose lexonte). I thashë: Në këtë vend punon!? Në këto kushte?! – Ma ktheu: Nëse nuk merrem me dituri me çfarë do të merrem?”

Thotë Mudhirij: “Në pasurinë që la pas vdekjes ishin tri enë të mëdha me bojë shkrimi, njëra ishte 19 okë[11], e dyta 9, e treta 8.

Librat e tij ishin më të dashur për të sesa pesha e tyre në flori

Ibnul Xheuzi thotë në “El Muntedham”[12] kur flet për jetën e Hafidh ebu Tahir ibn Ebi es Sakr (viti 476): “Ai udhëtonte shumë nëpër tokë, takonte shumë dijetarë dhe thoshte: Librat e mi janë më të dashur për mua sesa pesha e tyre në flori’.
U godit me një fatkeqësi në bibliotekën e tij siç përmend Dhehebiu në “Tarihul Islam”[13], Allahu e shpërbleftë në fatkeqësinë që i ka rënë.

Përktheu: Emin Bilali

————————————————————-

[1] 55/1.

[2] Sh.p.: Tregon kujdes të jashtëzakonshëm për të, e ushqen, e mirëmban duke pritur me padurim që të rritet e të bëhet i fuqishëm e i shpejtë, i gatshëm për të garuar me të tjerët apo për t’u bërë i dobishëm për të zotin. Ndoshta shembull më i afërt për kohën tonë mund të jetë njeriu i dhënë mbas makinave të shtrenjta, luksose e të shpejta. Të njëjtën pozitë kanë pasur kuajt dikur dhe akoma e kanë në disa vende dhe për disa njerëz.

[3] Në veprën “Resailubnu Hazm” 77/4.

[4] Këtë rregull “Nuk ka libër pa dobi” e ka përmendur edhe Ibnul Xheuzij në “Sajdul hatir” fq. 411 kur këshillon studentin me këto fjalë: “Dhe le të tregohet i zellshëm në uljen me dijetarët… dhe grumbullimin e librave, sepse nuk ka libër pa dobi.” Shiko gjithashtu shtjellimin që i bën kësaj teme Abas el Akad në librin e tij “Ena” (Unë) në faqen 89, i cili është autobiografi  dhe është botuar pas vdekjes së tij. Po ashtu, e ka përmendur dhe e ka shtjelluar atë edhe profesor Mahmud et Tanahij në “El Muxhez” fq. 24-35 i cli është i rëndësishëm. (sh.p.: ky i fundit ka qenë nxënës i dijetarit të madh Mahmud Muhamed Shakir, gjuhëtarit të rrallë, vëllai i imam Ahmed Shakirit dijetarit të madh të hadithit dhe fesë Islame në tërësi).

[5] Sh.p.: Me ekzistencën e librave dhe të dijetarëve ata janë shfaqur e shpesh nuk mund t’i ndalësh, sidomos në kohën e internetit, ç’mund të thuash po të mos ekzistonin këto dy mirësi (librat dhe dijetarët)?! Falënderimi pafund i takon Allahut për të dyja këto!

[6] “Irshadul erib” 139/18 e Jakutit.

[7] 282/4. Shiko gjithashtu “El ukud ed durrijjeh” fq. 5 po të tijin, ku ai e ka sjellë këtë fjalë edhe më të plotë si fjalë që e thoshin disa prej studentëve më të vjetër të shejhul Islamit.

[8] “Ibn Tejmijetu es selefij” fq. 27. Shiko gjithashtu librin tonë “El xhamiu li sirati shejhil islam” (Enciklopedia e jetës së shejhul islamit” fq. 189.

[9] Fq. 70.

[10] 145-146/1.

[11] Sh.p.: Okë është njësi që mat peshën dhe ndryshon nga vendi në vend. Duke marrë parasysh se Mundhiri – Allahu e mëshiroftë – ka jetuar në Egjipt, atëherë ai flet me okët e vendit të tij ku 1 okë është e barabartë me 450 gr afërsisht.

[12] 9/9.

[13] Ata që kanë vdekur në vitin 476, fq. 176.

Loading...