Kujdesi në marrjen e abdesit

Kujdesi në marrjen e abdesit.

Transmetohet nga Enesi (radijAllahu anhu) se ka thënë: Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) pa një person në këmbën e të cilit kishte mbetur një pjesë sa thoi pa e lagur uji, dhe i tha tij: “Kthehu dhe merr abdes në formën më të mirë (ku uji të depërtojë në çdo gjymtyrë të abdesit).” Hadith autentik.

E ka nxjerr Ebu Daudi (173) dhe Ibën Maxhe (665). Autori (Allahu e mëshiroftë) thotë: E ka nxjerr dhe Nesaiu por unë nuk e kam gjetur këtë hadith tek ai.

Them: E ka nxjerr Muslimi (243) prej hadithit të Umer bin el-Hatabit (radijAllahu anhu).

Shejh Salih el-Feuzani (Allahu e ruajtë) ka thënë: “Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) pa një person në këmbën e të cilit kishte mbetur një pjesë sa thoi pa e lagur uji”, d.m.th. e kishte përfunduar abdesin.

Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) i tha atij: “Kthehu dhe merr abdes në formën më të mirë”. Pra ai e urrejti veprimin e personit duke i sqaruar se abdesi i tij nuk është i plotë, dhe e ka për detyrë të kthehet e të marrë abdes nga e para. Ai i tha: “… merr abdes në formën më të mirë”, – dhe nuk i tha “laj vetëm këtë pjesë (që ka mbetur pa lagur).”

Hadithi tregon për disa çështje:

E para: Obligueshmëria e perfeksionimit të abdesit (marrjes në formën e duhur) në të gjitha gjymtyrët në mënyrë që mos të mbesë asnjë gjymtyrë pa e prekur (lagur) uji. Nëse mbetet diçka prej tyre (gjymtyrëve) pa e prekur uji abdesi nuk konsiderohet i plotë (i saktë).

E dyta: Hadithi tregon se abdesi duhet përsëritur i plotë dhe nuk mjafton vetëm larja e pjesës që s’e ka prekur uji. Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) e urdhëroi personin të marrë abdes në formën më të mirë, dhe nuk i tha atij “Kthehu dhe laj vetëm këtë pjesë (që nuk e ka prekur uji).” Kjo tregon për pavlefshmërinë e abdesit nëse lihet diçka prej gjymtyrëve pa larë edhe nëse kjo pjesë është e pakët (e vogël).

E treta: Në hadith ka argument për obligueshmërinë e vazhdimësisë në larjen e gjymtyrëve gjatë abdesit.

E katërta: Në hadith ka argument për urrejtjen e së keqes dhe mësimin e të paditurit, ngase Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) e urrejti veprimin e personit dhe e mësoi atë. Ai urrejti mosmarrjen abdes në formën e duhur dhe pastaj e mësoi atë se si duhet të veprojë duke i thënë: “Kthehu dhe merr abdes në formën më të mirë (ku uji të depërtojë në çdo gjymtyrë të abdesit).”

E pesta: Në hadith ka argument se padituria dhe harresa nuk e zhvlerësojnë obligimin (vaxhibin) por vetëm mëkatin (personi nuk ngarkohet me mëkat për shkak të paditurisë dhe harresës). Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) nuk e liroi nga obligimi personin që nuk kishte marrë abdes në formën e duhur për shkak të mosdijes së tij, por e urdhëroi atë që të marrë në formën e duhur. Pra ai duhet ta përsërisë abdesin, siç ka ardhur në një transmetim tjetër të hadithit.

Shkëputur me disa shkurtime nga “Tes’hilul ilmam bifik’hil ehadith min bulug el-meram”, vëll. 1.

 

Përktheu: Unejs Sheme