Kuptimi i fjalës “Amin”

November 6, 2023

Preferohet për atë që e lexon suren El Fatiha që të thotë pas leximit të saj “Amin”, që do të thotë: O Allah, përgjigju lutjes!

Fjala amin preferohet të thuhet edhe nga ai që është jashtë faljes së namazit, është nga e drejta e namazliut që ta thotë atë qoftë kur është vetëm, me imam ose kur është ai vetë imam dhe në të gjitha rastet kur fal namaz.

1- Transmetohet nga Ebu Hurejra se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kur të thotë imami ‘amin’ thoni edhe ju pas tij, se nëse ‘amini’ i tij korrespodon me aminin e melaikeve, atij do t’i falen gjynahet e kaluara.” Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

2- I Dërguari i Allahut, paqja dhe begatia e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Nëse dikush prej jush thotë në namazin e tij ‘amin’ dhe melaiket në qiell thonë ‘amin’ dhe korrespodon ‘amini’ me njëri-tjetrin, do t’i falen atij gjynahet e kaluara.” Transmeton Muslimi.

3- Nga Enesi transmetohet se i Dërguari i Allahut, paqja dhe begatia e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Më është dhënë ‘amini’ në faljen e namazit dhe në lutje të cilat nuk i janë dhënë askujt para meje përveç Musait. Në momentin kur Musai lutej Haruni thoshte ‘amin’ dhe e mbyllnin lutjen me ‘amin’, me të vërtetë Allahu do t’ju përgjigjet juve.” E përmend Ibën Kethiri.

4- Janë argumentuar me këtë ajet, pra me fjalën e Allahut të Lartësuar: “Musai tha: O Zoti ynë! Ti i ke dhënë Faraonit dhe parisë së tij stoli dhe pasuri në jetën e kësaj bote, por ata o Zoti ynë na largojnë nga rruga Jote! O Zoti ynë! Shkatërroje pasurinë e tyre dhe ngurtësoi zemrat e tyre që të mos besojnë, derisa të shijojnë dënimin e dhembshëm! (Allahu) Tha: U pranua lutja e ju të dyve! Qëndroni të dy në rrugën e drejtë dhe kurrsesi mos ndiqni rrugën e të paditurve!” | Junus: 88-89.

Përmendja e lutjes vetëm nga Musai nga konteksti i fjalës tregon se Haruni ka thënë amin dhe se kjo ka zënë vendin e lutjes, siç thotë Allahu i Lartësuar: “U pranua lutja e ju të dyve”. Kjo tregon se ai që bën amin pas lutjes së lutësit është njësoj sikur të jetë lutur edhe ai vet. Për këtë gjë kanë thënë: Pasuesi i imamit nuk lexon sepse amini i tij në suren El Fatiha ka gradën e leximit të imamit. Nga kjo kuptojmë se pasuesi i imamit nuk lexon në namazet me zë. Allahu e di më së miri! “Tefsir Ibën Kethir.”

5- Them: Kjo është e vërteta ashtu siç përmendet në Kur’an:

“Kur të lexohet Kurani dëgjoni dhe heshtni, në mënyrë që të mëshiroheni.” | El Araf: 204.

Dëgjimi dhe heshtja është urdhër nga Allahu i Lartësuar derisa të mëshirohemi. Nëse dëgjojmë dhe heshtim zbrazet zemra dhe është e hapur ndaj kuptimit, e nëse kuptojmë qëllimin e Allahut të Lartësuar do t’i kuptojmë ato që ka Ai për qëllim. Do të na mëshirojë Allahu për shkak se punuam me atë që kuptuam.

E nëse lexon imami në namazet me zë dhe ne lexojmë bashkë me të, nuk mundemi që në një enë të mbajë kuptimin e asaj që lexojmë dhe kuptimin e asaj që dëgjojmë. Nëse nuk arrihet kuptimi nuk arrihet puna e mirë, e nëse nuk arrihet puna e mirë nuk do të mëshirohemi.

Gjithashtu, është në përputhje me urdhërin e të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ku thotë:

“Me të vërtetë, është ligjëruar imami që të plotësohet namazi me të nëse mërr tekbir thoni edhe ju, e kur të lexojë atëherë heshtni.” Transmeton Muslimi.

Kjo përsa i përket faljes së namazit me zë, ndërsa në namazet pa zë është obligim për gjithsecilin të lexojë El Fatihanë pas imamit, dhe në këtë aspekt përmendet hadithi ku thotë:

“Nuk ka namaz për atë që nuk lexon hapësen e librit (El Fatihanë).” Allahu e di më së miri!

Nga shtesa e Muhamed Nasib er Rifaij, shkurtimi i tefsirit të Ibën Kethirit.

 

Marrë nga libri: “Komentimi i sures më madhështore”.

Autor: Xhemil Zejno

Përktheu: Bledar Lika

Dosje:

Loading...