KUPTIMI I FRAZËS: ‘’NUK KA TË ADHURUAR PËRVEÇ ALLAHUT’’

KUPTIMI I FRAZËS: ‘’NUK KA TË ADHURUAR PËRVEÇ ALLAHUT’’

Pjesë nga libri i dijetarit Ibën Rexheb Hanbeli: Fjala e Sinqeritetit

Fraza: ‘’Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut’’ kërkon që njeriu të mos dojë dikë veç Tij, sepse ‘’i adhuruar’’ është ai të cilit njeriu i nënshtrohet dhe nuk e kundërshton nga dashuria, frika dhe shpresa. Pjesë e përsosmërisë së dashurisë së Tij është që të duash atë që Ai do dhe të urresh atë që Ai urren. Ai që do diçka që Allahu e urren apo urren diçka që Allahu e do, nuk e ka plotësuar as teuhidin e as sinqeritetin e tij në thënien: ‘’Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut’’. Tek ai gjendet prej shirkut të fshehtë aq sa është urrejtja e tij ndaj asaj që Allahu e do apo sa është dashuria e tij ndaj asaj që Allahu e urren. “Kjo ngase ata ndoqën atë që e hidhëronte Allahun dhe urryen atë që i pëlqente Atij, e për rrjedhojë Ai ua asgjësoi atyre veprat.’’ (Muhamed: 28)

Lejthi (1) ka transmetuar nga Muxhahidi (2) në lidhje me fjalën e Allahut të Madhëruar: ‘’Të cilët nuk më bëjnë asnjë ortak.’’ (Nur: 55) Kuptimi i saj është: ‘’Nuk duan dikë tjetër përveç Meje.’’

Në Mustedrekun e Hakimit (3) shënohet nga Aishja (4) (Allahu qoftë i kënaqur me të) se Profeti (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: ‘’Shirku në këtë umet është më i fshehtë se ecja e milingonës mbi një gurë në natën e errët. Më e pakta e tij (e shirkut të fshehtë) është që t’a duash dikë për një padrejtësi që ai bën, ose t’a urresh dikë për drejtësinë që ai mban. A është feja gjë tjetër veç dashurisë dhe urrejtjes?’’

Allahu i Madhëruar ka thënë: ‘’Thuaj: Nëse e doni Allahun më ndiqni mua e Allahu do t’ju dojë juve.’’ (Ali Imran: 31)

Ky ajet është argument konkret se të duash atë që e urren Allahu apo të urresh atë që e do Allahu duke ndjekur epshin tënd, dhe të miqësohesh apo të armiqësohesh për hir të saj, kjo bën pjesë në shirkun e fshehtë.

Hasani ka thënë: Dije se ti nuk mund t’a duash Allahun derisa të duash bindjen ndaj Tij.

E pyetën Dhun Nun El Misrin (5): Kur mund të konsiderohem që e dua Zotin Tim? Ai i tha: Kur të jetë për ty ajo që Ai e urren më e hidhur se fruti i fikusit.

Bishr Es Sirri (6) ka thënë: Nuk është prej shenjave të dashurisë që të duash atë që i dashuri yt e urren!

Ebu Jakub En Nehraxhuri (7) ka thënë: Cilido që pretendon se e do Allahun ndërkohë që veprat e tij nuk përputhen me urdhërin e Tij, pretendimi i tij është i pavërtetë!

Jahja ibën Muadhi (8) ka thënë: Nuk është i sinqertë ai që pretendon dashurinë e Allahut ndërkohë që nuk respekton ligjet e Tij!

Ruejmi (9) ka thënë: Dashuria e vërtetë është dakortësia në të gjitha situatat. Pastaj recitoi:

Unë të them lepe-peqe, në më thënç vdis,

dhe lajmëtarit të vdekjes i them mirë se të vish!

Për këtë dëshmon fjala e Allahut: ‘’Thuaj: Nëse e doni Allahun më ndiqni mua dhe Allahu do t’ju dojë juve.’’ (Ali Imran: 31)

Hasani transmeton se shokët e Profetit (Paqja qoftë mbi të) thanë: Ne e duam shumë Zotin tonë. Atëherë Allahu deshi që të vendosë për dashurinë e Tij një shenjë, dhe për këtë shpalli ajetin në fjalë.

Nga kjo mësohet se dëshmia ‘’La ilahe il-lall-llah’’ nuk plotësohet pa dëshminë ‘’Muhammedun Resulull-llah’’. Kjo sepse nëse dashuria ndaj Allahut nuk plotësohet vetëm nëpërmjet dashurisë ndaj asaj që Ai do dhe urrejtjes së asaj që Ai urren, atëherë e vetmja mënyrë për të njohur atë që Ai do dhe atë që urren është Profeti (Paqja qëftë mbi të) i cili i përcjell ato, duke ndjekur urdhëresat dhe duke shmangur ndalesat e Tij. Në këtë mënyrë, dashuria ndaj Allahut e bën të pashmangshme dashurinë ndaj Profetit (Paqja qoftë mbi të) si dhe besimin dhe ndjekjen e tij.

Prandaj Allahu ka ndërlidhur midis dashurisë për Të dhe për  Profetin (Paqja qoftë mbi të) në fjalën e Tij: ‘’Thuaj: Nëse etërit dhe vëllezërit tuaj…. janë më të dashur për ju se Allahu dhe i Dërguari i Tij….’’ (Teube: 24) Ndaj dhe Allahu i Madhëruar ka ndërlidhur midis bindjes ndaj Tij dhe bindjes ndaj Profetit të Tij në vende të shumta.

Profeti (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: ‘’Ai tek i cili gjenden këto tri cilësi shijon ëmbëlsinë e besimit; Të jetë Allahu dhe i Dërguari i Tij më i dashur për të se kushdo tjetër. T’a dojë dikë vetëm për hir të Allahut, dhe të urrejë që të kthehet në kufër pasi që Allahu e ka shpëtuar prej tij siç urren të hidhet në zjarr.’’ (10) Kjo ishte gjendja e magjistarëve pasi hyri në zemrat e tyre dashuria (për Allahun). Ata ishin të kënaqur që të flijonin veten e tyre ndaj i thanë Faraonit: “Gjyko si të duash!” Në çastin që në zemër zë vend dashuria, gjymtyrët e trupit janë të prirura që t’i binden Zotit.

Ky është dhe kuptimi i hadithit kudsij të cilin e ka përcjellë Buhariu në Sahihun e tij, ku thuhet: ‘’Robi Im vazhdon të Më afrohet me veprat e mira vullnetare derisa Unë t’a dua atë. Dhe kur Unë e dua atë, bëhem; dëgjimi i tij me të cilin dëgjon, shikimi i tij me të cilin sheh, dora e tij me të cilën prek dhe këmba e tij me të cilën ecën.’’ (11) Thuhet se në një version tjetër teksti i këtij hadithi është kështu: ‘’Falë Meje ai dëgjon, sheh, prek dhe ecën.’’ Kuptimi i kësaj është se kur dashuria për Allahun e mbush zemrën dhe mbizotëron në të, gjymtyrët bëjnë vetëm atë që i pëlqen Zotit. Shpirti gjen prehje në përparësinë që i jep vullnetit të Zotit mbi vullnetin dhe dëshirën e tij. O njeri, adhuroje Allahun për të përmbushur vullnetin e Tij ndaj teje, e jo për të përmbushur vullnetin tënd ndaj Tij! Ai që e adhuron Allahun për të përmbushur vullnetin e vet ndaj Tij, ai është nga ajo kategori e njerëzve që adhurojnë Allahun për interesat e tyre. Nëse i ndodh ndonjë e mirë qetësohet, e nëse i ndodh ndonjë sprovë kthehet në origjinën e tij. Ky njeri ka dështuar në të dyja jetët. Nëse njohja e Zotit dhe dashuria për Të është e fortë, vullneti i robit nuk bie ndesh me vullnetin e Zotit të tij. Në një libër të hershëm thuhet: Gjëja më prioritare për atë që e do Allahun është kënaqësia e Tij, ndërsa gjëja më prioritare për atë që do dynjanë është epshi i tij.

Ibën Ebi Ed Dunja (12) ka përcjellë nga Hasani se ka thënë: Nuk kam parë me sytë e mi, as kam folur me gojën time, as kam prekur me dorën time, as jam ngritur në këmbë derisa të sigurohem se po e bëj për t’iu bindur Allahut apo për t’a kundërshtuar Atë? Nëse ajo gjë ishte vepër e mirë atëherë vazhdoja, e nëse ishte mëkat zbrapsesha.

Kjo është gjendja e kategorisë së ashikëve të vërtetë. Kuptojeni këtë, Allahu ju mëshiroftë, sepse kjo është prej çështjeve të imta dhe të ndërlikuara të Teuhidit. Për këtë e kishte fjalën Profeti (Paqja e Zotit qoftë mbi të) kur tha me rastin e mbërritjes në Medine: Duani me gjithë zemër! (13) Këtë transmetim e ka përmendur Ibën Is’haku (14) dhe të tjerë veç tij. Nëse zemra e tij mbushet me dashurinë për Allahun, atëherë asgjë nuk do të jetë më boshe për të se dëshirat dhe egot e tij.

Për këtë e kishte fjalën poeti (15) në vargjet e mëposhtme:

Eci me zemër të kyçur nga dashuria që kam për ty,

Askënd tjetër s’lejoj të banojë në të me ty.

Sytë mbyllur do të doja t’i mbaja derisa të të shihja ty,

Çdo qelizë e qënies sime është mpirë nga dashuria për ty.

Jo të gjithë ashikët janë të sinqertë në mallëngjimin e tyre,

Lotët që rrjedhin çurg mbi faqe janë dalluesi më i mirë midis tyre.

Ashikët e sinqertë nga mallëngjimi treten,

E ashikët e shtirur s’frenojnë dot as gjuhën e tyre.

Nuk janë ashikë ata që pretendojnë se kanë fuqi në duart e tyre,

Ashikë janë ata që ç’shikojnë e ç’dëgjojnë i’a atribuojnë të Dashurit të tyre.

1) Imami i madh Lejth ibën Sad, imami i popullit të Egjiptit në kohën e vet në fushën e hadithit dhe jurisprudencës. Origjinën e kishte nga Horasani. Lindi në Kalkashendeh dhe vdiq në Kairo. Ishte prej fisnikëve më bujarë. Vdiq më 175 h (Allahu e pastë mëshiruar).

2) Ebul Haxhaxh Muxhahid ibën Xhebër. Bënte pjesë në brezin e tabi-inëve. Ishte prej profesorëve të mëdhenj të këndimit të Kuranit dhe interpretimit të tij. Lindi më 21 h dhe ndërroi jetë më 104 h.

3) Imami Ebu Abdilah Muhamed ibën Abdilah Ed Dabij En Nejsaburij, memorizuesi i madh i haditheve i njohur si El Hakim. Autor i shumë librave. Vdiq më 405 h (Allahu e pastë mëshiruar). Hadithi në fjalë është i dobët. Shiko për më shumë: ‘’Vargu i Haditheve të Dobëta’’ me nr. 3755.

4) Nëna e besimtarëve Aishja e bija e të sinqertit Ebu Bekër (Allahu qoftë i kënaqur me ta) ishte bashkëshortja e Profetit të Allahut (Paqja qoftë mbi të) Muhamed. Profeti i vuri asaj pseudonimin “Nëna e Abdullahit”. Ishte më e ditura ndër gratë e tij në fushën e jurisprudencës. Përcolli nga Profeti një numër prej 2210 hadithesh. Vdiq më 58 h dhe u varros në varrezat e Bekies. Shiko gjithashtu librin e imam Zerkeshiut ‘’El Ixhabe Tima Istedraket’hu Aisheh Ales Sahabeh’’, botim i shtëpisë botuese El Mekteb El Islami me recensimin e Profesor Afganit, sepse në të është nxjerrë në pah dija e saj mahnitëse.

5) Dhun Nun El Misri, asketi i mirënjohur, quhej Theuban bin Ibrahim ose Fejd ibën Ibrahim. Imam Dhehebiu në librin El Mijzan ka thënë: Ka përcjellë disa hadithe mbi saktësinë e të cilave ka pikëpyetje. Origjinën e kishte nga Nubia. Vdiq më 245 h (Allahu e pastë mëshiruar!).

6) Bishr ibn Es Sirrij El Efueh, Ebu Amër Predikuesi. Lindi në Basra dhe më pas u zhvendos në Meke. Mbante këshilla dhe predikime. Hadithet e tij gjenden në gjashtë burimet e hadithit. Vdiq më 195 h në moshën 63 vjeçare (Allahu e pastë mëshiruar!).

7) Is’hak ibën Muhamed Ebu Ja’kub En Nehraxhurij, nga Nehra Xhurij që ndodhet midis Ahuazit dhe Mejsanit. Mësoi prej Xhunejdi Bagdadit, Amër ibën Uthman El Mekiut, Ebu Jakub Es Susit dhe të tjerë. U vendos në tokën e shenjtë pranë Qabes për vite me radhë. Vdiq më 330 h (Allahu e pastë mëshiruar!).

8) Predikuesi asket Ebu Zekerija Jahja Ibën Muadh Er Razi. U shpërngul në Belh ku qëndroi për disa kohë, më pas u rikthye në Nejsabur ku vdiq në vitin 250 h.

9) Ebu Muhamed Ruejm ibën Ahmed El Bagdadi. Ishte nga populli i Bagdadit, jurist i shkollës Dhahirite të Davud El Esbehanit. Ishte ekspert i këndimeve të Kuranit. Shkencën e këndimit të Kuranit e mësoi nga Idris ibën Abdul Kerim. Vdiq më 303 h (Allahu e pastë mëshiruar).

10) Përcjellë nga Buhariu dhe Muslimi nga Enes ibën Malik (Allahu qoftë i kënaqur me të).

11) Hadithi është i saktë. Shih ‘’Vargu i Haditheve të Sakta” me nr. 1640.

12) Imami Ebu Bekër Abdullah ibën Muhamed ibën Sufjan El Bagdadi, memorizuesi i madh i haditheve, i njohur si Ibën Ebi Ed Dunja. Ishte i besueshëm. Shkroi disa libra. Vdiq më 208 h (Allahu e pastë mëshiruar).

13) E ka përcjellë Ibën Is’haku pa zinxhir transmetimi sikurse është në librin “Biografia Profetike” e Ibën Hishamit.

14) Ebu Bekër Muhamed ibën Is’hak ibën Jesar, i liruar nga skllavëria nga njerëz të fisit El Mutalibi. Njëri ndër imamët e mirënjohur të popullit të Medines dhe historianët më të vjetër të historisë së arabëve. Është autor i librit “Biografia Profetike” nga i cili e ka përcjellë Ibën Hishami. Autor i librit Kitabul Hulefa, dhe ishte një nga memorizuesit e mëdhenj të haditheve. Jetoi dhe vdiq në Bagdad më 151 h.

15) Ahmed ibën Husejn El Mutenebi në poemën e tij e cila nis me vargjet:

Në t’u bëfshin ata që nuk të arrijnë dot fli,

Nuk mbetet mbret pa u bërë për ty fli!

 

Përktheu dhe përshtati: Rexhep Milaqi