Kur fjala dhe vepra bëhen një

August 14, 2025

Mësime nga Shejh Muhamed bin Salih el Uthejmin, Allahu e mëshiroftë.

– Shejhu nëse mungonte nga mësimdhënia apo nga imamllëku në xhaminë ku shërbente, llogariste përqindjen e mungesës dhe e zbriste nga paga e tij pa pranuar që ta marrë atë, sado e shkurtër të ishte mungesa.

-Nëse vonohej në institutin ku jepte mësim edhe për vetëm disa minuta, e shënonte këtë në regjistrin e pranisë dhe shkruante: “Pa arsye.”

– Një herë u tha nxënësve të tij: “Kush mendon se i kam bërë padrejtësi në ndonjë notë gjatë korrigjimit, le të vijë.” Njëri prej tyre e takoi shejhun për një gjysëm pike dhe ai ia shtoi notën.

– Një burrë i kërkoi hua për udhëtim. Shejhu ia dha paratë dhe i kërkoi ta shoqëronte. Kur mbërritën shejhu nguli këmbë që t’i paguante shpenzimet e udhëtimit por burri refuzoi, ndërsa shejhu i tha: “Sikur të mos të kisha dhënë hua do të ishte e lejuar, por tani kam frikë se mos bëhet hua që sjell përfitim.”

– Një herë ai po udhëtonte me një mik të tij por makina kishte shumë difekte. Shejhu zbriti dhe i tha: “Ti qëndro në vendin tënd”, – pastaj e shtyu makinën derisa u ndez dhe filloi të ecte.

– Një ditë shejhu përdori bojën e institutit. Kur deshi të largohej e zbrazi bojën dhe tha: “Kjo është boja e institutit, nuk lejohet ta përdorim jashtë tij.”

– Një princ i kërkoi leje për t’i ndërtuar një shtëpi por shejhu iu përgjigj se xhamia kishte nevojë për rindërtim. Kjo fjalë u bë shkak që xhamia të rindërtohej e cila më pas mori emrin e shejhut.

– Atij iu dhurua një ndërtesë por nuk e përdori për vete; e shndërroi atë në shtëpi për studentët.

– Shpesh në namazin e sabahut shkonte zbathur për të ringjallur një sunet të Profetit ﷺ, siç ka transmetuar Fudale bin Ubejd: “I Dërguari i Allahut ﷺ na urdhëronte të ecim zbathur ndonjëherë.” (Transmeton Ebu Daudi dhe hadithi është sahih.)

– Në rrugë për në namazin e sabahut lexonte pjesën e tij të Kuranit, dhe nëse nuk e përfundonte ndalej te dera e xhamisë derisa ta mbaronte, pastaj hynte brenda.

Ky ishte shejh Muhamed bin Salih el Uthejmin, Allahu e mëshiroftë.

Burimet:

1- “Metoda e Shejh Uthejminit në arsimin universitar”, Abdullah et-Tajar.

2- “Ibn Uthejmini, imami zahid”, Nasar ez-Zehrani.

3- “Thesare nga tregimet e Shejh Ibn Uthejminit”.

 

Përktheu: Fatjon Isufi

Dosje: ,

Loading...