Kur merimangat thurin rrjeta mbi Mus’haf

October 28, 2025

Një realitet i dhimbshëm që vërehet në mesin e shumë myslimanëve është respekti dhe interesimi për Kuranin vetëm në pamje të jashtme, duke e ruajtur në sirtar, në bibliotekë apo duke e varur në mur, por pa e lexuar, pa e kuptuar, si dhe pa e zbatuar në jetën e përditshme.

Edhe më keq bëhet kur edhe ky respekt i jashtëm zbehet, derisa Kurani të mbetet i harruar, të mbulohet nga pluhuri, e madje merimangat të thurin rrjetat e tyre mbi të pa u vënë re fare!

Tabiini Dahak bin Muzahim (v. 102 H) ka thënë:

“Do vijë një kohë që njerëzit do ta varin Mus’hafin (Kuranin) derisa merimanga do të thuri rrjetën mbi të, e nuk do të përfitojnë më nga ai.”

(“Xhami bejan el ilm” fq. 1954.)

Të gjitha këto bëjnë pjesë tek ajo që Allahu e ka quajtur braktisje e Kuranit, duke thënë:

(وَقَالَ ٱلرَّسُولُ يَٰرَبِّ إِنَّ قَوۡمِي ٱتَّخَذُواْ هَٰذَا ٱلۡقُرۡءَانَ مَهۡجُورٗا)

“E i Dërguari tha: O Zoti im! Vërtet, populli im e ka braktisur këtë Kuran!”

| El Furkan: 30.

Prandaj, mos u bëj prej atyre që e nderojnë Kuranin vetëm në dukje, por përpiqu të jesh prej atyre që e hapin, e lexojnë, e kuptojnë dhe e zbatojnë në çdo aspekt të jetës së tyre.

Braktisja e Kuranit është e shumëllojshme, e prej formave të saj janë:

• Braktisja  e leximit të tij duke e lexuar rrallë ose duke mos e lexuar fare. Edhe më e rëndë është kur një musliman pas shumë vitesh në Islam, ende nuk di ta lexojë Kuranin në arabisht, apo ka mbetur vetëm te ato sure që ka mësuar shumë vite më parë pa mësuar më asnjë sure të re.

• Braktisja e dëgjimit të tij, dhe me shumë gjasa nëse braktis dëgjimin e Kuranit do të sprovohet me dëgjimin muzikës apo dicka tjetër të pavlerë.

• Braktisja e veprimit sipas tij duke mos iu përmbajtur urdhëresave dhe ndalesave të tij.

• Braktisja e gjykimit me të, pra moskthimi tek ai në çështjet fetare.

• Braktisja e meditimit mbi të duke mos reflektuar mbi kuptimet e tij, as duke mos u përpjekur të kuptoj qëllimet e fjalëve të Allahut.

Në këtë përfshihet edhe mospjesëmarrja në mësime ku shpjegohen ajetet kuranore, apo mosleximi i librave që ndihmojnë në kuptimin e Kuranit.

• Braktisja e kërkimit të shërimit me të, në sëmundjet e zemrës dhe të trupit, duke kërkuar shërim diku tjetër dhe jo në Kuran.

Të gjitha këto lloje të braktisjes përfshihen në ajetin e sipër përmendur, edhe pse disa lloje të braktisjes janë më të rënda se të tjerat, të gjitha janë forma të braktisjes së fjalës së Allahut të cilën Ai e zbriti si udhëzim dhe dritë për mbarë njerëzimin.

Allahu na bëftë prej atyre që e lexojnë Kuranin, e kuptojnë, punojnë me të dhe nuk e braktisin.

 

Dr. Fatmir Strumi

Dosje:

Loading...