Kurani nuk përmban kontradikta

March 11, 2023

Kurani nuk përmban kontradikta (kundërthënie).

Allahu i Lartësuar thotë: “A nuk përsiatin ata për Kuranin! Sikur ai të mos ishte prej Allahut do të gjenin në të shumë kundërthënie.” |En Nisa: 82|

1- Taberiu në shpjegimin e këtij ajeti thotë: Me fjalën “A nuk përsiatin ata për Kuranin!” – Allahu i Lartësuar kërkon të thotë: A nuk po meditojnë intrigantët? Mbase jo në atë që ti u thua o Muhamed, por në librin e Allahut?! Dhe kështu të mësojnë argumentet e Allahut mbi ta në bindjen që duhet të tregojnë ndaj teje dhe duke ndjekur urdhërat e tua?! Sepse vërtet, ajo që u solle nga shpallja e Zotit të tyre për shkak të kuptimeve të rregullta dhe dispozitave harmonike që mbështesin njëra-tjetrën në vërtetësi, dhe që dëshmojnë për njëra-tjetrën në korrektësi, nuk mund të vijnë prej dikujt tjetër përveç Allahut! Përndryshe, nëse këto rregulla dhe dispozita do të kishin kundërthënie, kuptimet do të vinin kontradiktore dhe secila do të tregonin pavërtetësinë e tjetrës.”

Më pas Ibën Xheriri solli një transmetim nga Katade që thotë: “Kjo do të thotë se fjala e Allahut nuk ka mospërputhje ngase është e vërtetë dhe nuk ka vend për të kotën, ndërsa fjalët e njerëzve janë ato që nuk përputhen. Ndërsa nga ibën Zejdi përcjell këto fjalë: Në të vërtetë, një pjesë e Kuranit nuk e përgënjeshtron një pjesë tjetër. Ndërsa çështjet që njerëzit nuk i njohin vijnë si pasojë e kufizimit në inteligjencën e tyre dhe si rezultat i injorancës që kanë. Pastaj lexoi ajetin: “Sikur ai të mos ishte prej Allahut do të gjenin në të shumë kundërthënie.” |En Nisa: 82|

Pas këtyre fjalëve Taberiu thotë: Atëherë është detyrë e besimtarit që të thotë “I gjithi është nga Allahu!” Të besojë në ajetet muteshabih dhe të mos i përplasë ajetet e Kuranit me njëra-tjetrën. Nëse është i paditur për një çështje duhet të thotë: Ajo që thotë Allahu është e vërtetë. Të jetë i bindur se Allahu nuk e ka thënë diçka dhe pastaj ta kundërshtojë atë. Prandaj është e nevojshme të besohet në vërtetësinë e asaj që ka ardhur nga Allahu.[1]

2- El Hafidh ibën Kethiri në shpjegimin e ajetit të mësipërm ka thënë: Allahu i Lartësuar u drejtohet atyre duke i urdhëruar të meditojnë në Kuran. Nga ana tjetër i paralajmëroi ata nga braktisja e Kuranit, si dhe braktisja e kuptimeve të përsosura dhe fjalëve të tij të qarta, duke i njoftuar se nuk ka kundërthënie, mospërputhje e as mosmarrëveshje në të. Ai është shpallje nga i Urti dhe i Lavdëruari, pra është libër i vërtetë i zbritur nga i Vërteti. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar thotë: “Vallë, a nuk përsiatin ata për Kuranin apo i kanë zemrat të kyçura?!” |Muhamed: 24|

Pastaj tha: “Sikur ai të mos ishte prej Allahut”, – pra nëse do të ishte i sajuar dhe i trilluar siç thonë injorantët idhujtarë apo hipokritët në vetet e tyre, atëherë do të kishin gjetur kontradikta në të, pra mospërputhje dhe konflikte të shumta. Por duke qenë se ai është i ruajtur nga këto kontradikta atëherë ai është nga Allahu. Siç thotë i Lartësuari për ata që janë thellësisht të bazuar në dituri: “Ne besojmë në të, i gjithi është nga Zoti ynë.” Pra, si ajetet e qarta (muhkemeh)[2] gjithashtu dhe ato të paqarta (muteshabih)[3] janë të vërteta, dhe kështu ajetet e paqarta i vendosën përballë ajeteve të qarta dhe u udhëzuan. Ndërsa ata që mbanin sëmundjen e dyshimeve në zemrat e tyre ajetet e qarta i përplasën më ajetet jo të qarta, dhe kështu devijuan. Allahu i lavdëroi njerëzit e thelluar në dije dhe i përçmoi të devijuarit.[4]

Shatibiu ka thënë: “Përderisa është vërtetuar se Kurani nuk ka kundërthënie në vetvete, atëherë është e drejtë që ai të jetë gjykatës midis palëve të kundërshtuara. Kjo për faktin se ai pohon vetëm ato kuptime të vërteta ndërsa e vërteta nuk mund të ketë kundërthënie në vetvete. Prandaj për çdo mosmarrveshje që ndodh mes njerëzve Kurani është gjykatës mbi të. Allahu i Lartësuar thotë: “Nëse nuk pajtoheni në ndonjë gjë, drejtojuni Allahut dhe të dërguarit[5] nëse besoni Allahun dhe ditën e kiametit. Kjo për ju është më e mira dhe shpjegimi më i bukur.” |En Nisa: 59|

Ky është argument se e vërteta e Kuranit është e qartë, sqarimi i tij është i mjaftueshëm dhe asgjë nuk mund ta zërë vendin e tij. Në këtë mënyrë vepruan shokët e Profetit, salAllahu alejhi ve sel-lem.[6]

Shkëputur nga libri: “Si ta kuptojmë Kuranin?”

Përktheu: Fatjon Isufi

——————————————————–

[1] Për më tepër shih “Tefsirin” e Taberiut 8/567.

[2] Ajetet muhkeme janë ajetet që kanë kuptim të qartë, siç është fjala e Allahut të Lartësuar: “Allahu e ka lejuar shitblerjen.” |El Bekare: 275|

[3] Ajetet muteshabih janë ajete jo të qarta, dhe ato janë dy llojesh: 1- Reale, të cilat janë ajetet që njerëzit e kanë të pamundur t’i njohin, si p.sh. natyra (realiteti) dhe forma e vërtetë e cilësive të Allahut. Kuptimi i tyre dihet por forma e tyre nuk dihet, siç është ajeti kuranor: “I Gjithëmëshirshmi që u lartësua mbi Arsh.” Pra, kuptimi i istauas njihet siç na ka treguar imam Maliku dhe tefsiri i këtij ajeti gjendet në “Sahihun” e Buhariut i përcjellë nga Tabi’inët, dhe që do të thotë: u lartësua. Megjithatë, mënyra e këtij lartësimi është i panjohur për njeriun. 2- Nisbi – relative. Pra bëhet fjalë që disa ajete mund të jenë të paqarta për disa njerëz dhe të qarta për të tjerët, siç është thënia e Allahut: “Asgjë nuk është si Ai.” Mohuesit e cilësive të Allahut kuptuan nga ky ajet mohimin e cilësive të Allahut, si dhe pretenduan se pohimi i cilësive nënkupton ngjashmërinë e Allahut me krijesat e Tij. Në këtë mënyrë ata hoqën dorë nga ajetet që vërtetojnë dhe pohojnë cilësitë e Allahut, duke ditur se pohimi i cilësive nuk nënkupton ngjashmërinë e Allahut me krijesat e Tij.

[4] Shih “Tefsirin” e Ibën Kethirit 1/529.

[5] Drejtojuni Kuranit dhe sunetit (traditës së regjistruar të profetit Muhamed alejhi selam).

[6] “El I’tisam” 2/309.

Dosje: ,

Loading...