Kush i bindet Profetit ai i është bindur Allahut

September 17, 2017

Kush i bindet Profetit (alejhi selam) ai i është bindur Allahut!

Na ka treguar Ebu Bekr bin Ebi Shejbeh se ka thënë; na ka treguar Ebu Muavijeh dhe Uekiu nga El-Eamashi, nga Ebu Salih, nga Ebu Hurejra (radijAllahu anhu) se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kush më bindet mua ai i është bindur Allahut, dhe kush më kundërshton mua ai ka kundërshtuar Allahun e Lartësuar.”[1]

Shejh Abdulmuhsin el-Abbadi (Allahu e ruajtë) ka thënë: Hadithi i Ebu Hurejrës (radijAllahu anhu) lidhet me temën e cila ka të bëjë me pasimin e të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), ku thotë: “Kush më bindet mua ai i është bindur Allahut, dhe kush më kundërshton mua ai ka kundërshtuar Allahun e Lartësuar.”

Pra, bindja ndaj të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) është prej bindjes ndaj Allahut të Lartësuar. I Dërguari i Allahut kumton (përcjell mesazhin hyjnor) nga Allahu i Lartësuar, dhe hadithet e të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) janë shpallje nga Allahu i Lartësuar me të cilin ka zbritur (ardhur) Xhibrili te Profeti.

Shpallja ndahet në dy pjesë: Në Kuran dhe në Sunet.

Fjala e tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Kush më bindet mua ai i është bindur Allahut, dhe kush më kundërshton mua ai ka kundërshtuar Allahun e Lartësuar.” (tregon se) Allahu i Lartësuar është Ai i Cili e ka dërguar atë (Profetin – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe e urdhëroi për kumtim (përcjellje të Mesazhit Hyjnor). Prandaj, bindja ndaj tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) është bindje ndaj Allahut të Lartësuar, ndërsa kundërshtimi i tij është kundërshtim ndaj Allahut të Lartësuar. I Dërguari i Allahut( sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) nuk ka gjë në dorë përveçse kumtimin (përcjelljen e Mesazhit Hyjnor). Kush i beson të Dërguarit me atë që ka ardhur ai ka besuar Atë (Allahun) i Cili e ka dërguar atë. Kush i bindet të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) me atë që ka ardhur, ai i është bindur Atij që e ka dërguar atë. Dhe kush largohet nga ajo që i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka ndaluar, ai ka zbatuar atë që ka ardhur nga Ai (Allahu) i Cili e ka dërguar.

Prandaj dhe në shumë vende në Kuran tregohet urdhëri për bindjen ndaj Allahut të Lartësuar dhe bindjen ndaj të Dërguarit të Tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Bindje ndaj Allahut të Lartësuar në atë që ka ardhur në Librin e Tij dhe bindje ndaj të Dërguarit në atë që ka ardhur në Sunetin e tij.

Bindja ndaj të Dërguarit në atë që ka ardhur në Sunetin e tij është bindje ndaj Allahut të Lartësuar, sepse (ajo me të cilën ka ardhur Profeti – alejhis-selam) është prej Allahut të Lartësuar dhe jo nga vetë i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), siç thotë Allahu i Lartësuar: “Ai nuk flet sipas qejfit të vet, por ajo (që thotë) është vetëm shpallje hyjnore që i vjen atij.” En-Nexhm: 3-4.

Transmetuesit e zinxhirit:

Fjala e tij “Na ka treguar Ebu Muavijeh”, është fjala për Muhamed bin Hazim ed-Darijr el-Kufij. Ai është i njohur më së shumti me kunjën (llagapin) e tij. Ai është i besueshëm dhe nga ai kanë transmetuar të gjashtë autorët e suneneve.

Fjala e tij “dhe Uekiu”, është fjala për Ibën el-Xherrah er-Ruvasij el-Kufij. Ai është i besueshëm dhe nga ai kanë transmetuar të gjashtë autorët e suneneve.

 

Marrë me shkurtime nga “Sherh Kitab es-Sunneh min Suneni Ibën Maxhe”.

Përktheu: Unejs Sheme

——————————————

[1] Buhariu (2957), Muslimi (1835), “El-Irvau” (394), “Tuhfeh” (12547) dhe (12477).

Loading...