Nga parathëniet më të bukura që kam lexuar është ajo që ka shkruar Muhammed Ebu Zehrah për imam Ahmedin – Allahu i mëshiroftë. Ai thotë:
“Ka thënë Ebu Theur për imam Ahmedin: ‘Sikur dikush të thoshte se Ahmed ibn Hanbeli është prej banorëve të Xhennetit nuk do të qortohej për këtë. Sepse: sikur të pyesje banorët e Khorasanit dhe rrethinat e tij do të të thoshin: Ahmed bin Hanbel është njëri i devotshëm, po ashtu po të pyesje banorët e Shamit me rrethina do të të thoshin: Ahmed bin Hanbel është burrë i devotshëm, e po ashtu edhe po të pyesje banorët e Irakut me rrethinat e tij do të të thoshin: Ahmed bin Hanbel është njëri i devotshëm. Dhe kjo konsiderohet unanimitet (ixhma), prandaj nuk mund të qortohet ai që e thotë atë fjalë, sepse përndryshe do të rrëzohej unanimiteti”
“Kështu tha Ebu Theuri i cili ishte bashkëkohës i tij, dijetar i fikhut (rregullave të fesë) dhe hadithit (fjalëve profetike).”
Sidoqoftë besimi i atyre që pasojnë traditën profetike realisht është se për askënd nuk mund të thuhet prerazi se është prej banorëve të Xhennetit apo të Xhehennemin veçse nëse ka ardhur argument i posaçëm për të. Por duke qenë dëshmitarët e Allahut në tokë ne shpresojmë që ai të jetë prej banorëve të Xhennetit me mëshirën e Allahut.
Pastaj vazhdon Ebu Zehrah duke folur për Imam Ahmedin:
“Atë e sprovuan katër prijësa dhe doli prej atyre sprovave njeri i devotshëm. Sprovimet e tyre ishin të llojllojshme:
1.Me’muni e sprovoi duke e sjellë para tij të lidhur me pranga (zinxhirë) prej hekuri të rënda, dhe e detyroi të ecë ashtu distancë të madhe.
2. E sprovoi Mu’tesimi me burgim dhe rrahje.
3. E sprovoi Uathiku me privim dhe vështirësim të jetesës.
Por nuk e zmbrapsën dot nga ajo që besonte. E pas këtyre sprovave u sprovua me një më të madhe:
4. Muteuekkili i dërgoi të mira me bollëk, por ai i refuzoi edhe pse ishte shumë nevojtar për to, dhe shtrëngonte barkun nga uria, dhe nuk zgjaste dorën tek ato për shkak se dyshonte a ishin të lejuara apo jo, nga devotshmëria e tij.
Pastaj ( sh.p.: dhe kjo është më e bukura e kësaj parathënieje) u sprovua Ahmedi pas gjithë këtyre me sprovën më të madhe që mund të sprovohet shpirti njerëzor: pëlqimi i njerëzve ndaj tij, por as kjo nuk e bëri t’i pëlqente vetja apo të mashtrohej me të, por ishte ai besimtar që shpresonte prej Allahut, i thjeshtë përballë Krenarisë së Tij.
Ndoshta shejtani nuk do të kishte sukses ta devijonte pas vështirësive apo joshjes me lezete të shumta, por ai mund të kishte sukses ta humbte me popullaritet dhe famë, që shpesh çojnë në vetpëlqim. Por Ahmedi e dinte edhe këtë shteg të shejtanit prandaj ja mbylli edhe këtë portë në fytyrë. Dhe thoshte: “Sikur të gjeja ndonjë mundësi të largohesha do ta kisha bërë, që të mos përmendesha”. Dhe thoshte: “Do të dëshiroja të isha në ndonjë prej luginave të Mekkes që të mos njihem, sepse jam sprovur me famë, dhe unë e shpresoj vdekjen mëngjes e mbrëmje”
Por kujdes, ai nuk bëri kurrë asnjë përpjekje për t’i dhënë fund jetës, sepse kjo është prej mëkateve të mëdha në fenë tonë, por kjo shprehje tregon kulmin e mospëlqimit të tij për famën.”
Mbaroi me disa ndërhyrje fjala e Ebu Zehras: “Ibn Hanbeli, jeta, koha, mendimet dhe fikhu i tij” (7-8)
Nga kjo nxirren dy dobi përveç asaj që parapriu:
Së pari: Pretendohet shpesh pasimi i metodologjisë së të parëve tanë të mirë, pretendim i cili shpesh është i shoqëruar me injorancë dhe që e dëmton më së shumti imazhin e asaj metodologjie, apo mënyrë të kuptuarit të fesë. Prandaj ja ku janë bazat e metodologjisë së të parëve, le t’i njohim ato nëse duam t’i ndjekim realisht. Kurrë s’ka qenë i saktë ëndërrimi në ditën me diell, por gjithmonë duhet punë.
Së dyti: Siç e pe, prijësat njëri pas tjetrit ishin në luftë me imam Ahmedin, por ai kurrë nuk i luftoi ata, edhe pse ishte shumë më popullor dhe më i pranuar në mesin e njerëzve se ata. Ai kurrë nuk e shfrytëzoi këtë armë në favorin e tij personal, por duroi ndaj padrejtësisë së tyre dhe kurrë nuk bëri thirrje për kryengritje, – madje i ndaloi pasuesit e tij nga ajo – apo t’i quante prijësat e muslimanëve: pabesimtarë. Gjë që e gjejmë në jo pak raste në historinë moderne islame. Nga kjo do të kuptosh pozitën e lartë të imamllarëve të vërtetë të fesë nga ajo e atyre që duan të na i shesin për të tillë me çdo mjet. E ku është grimca e rërës përballë yllit që ndriçon lartë në qiell?!
Kjo ishte edhe rruga e imam Malikut para tij siç kam publikuar më parë, ai nuk ftoi kurrë në revolucion, por zgjodhi rrugën e edukimit të të dyja palëve: popull dhe prijës, me mënyrën më të mirë (këshillë veçmas, dhe lutje në fshehtësi për udhëzimin e tyre) ashtu siç na mëson Profeti ynë – lavdërimet dhe paqja e Allahut qofshin mbi të. Kështu kanë bërë të parët, nëse pretendojmë se i duam dhe i ndjekim. Prandaj duhet edukim dhe pranim i shpalljes, ashtu siç bënë të parët dhe jo ndjekje e emocioneve dhe rrëmbimeve të çastit.
Allahu na dhëntë sukses, sepse me të vërtetë kjo nuk është e lehtë!
Emin Bilali
Dosje: imam Ahmedi
Të Ngjashme
- Disa fjalë për librin I’lam el Muvakki’in Udha e Besimtarëve
- Njihu me dijetarët e mëdhenj (Esh-Shenkiti) Udha e Besimtarëve
- Vdekja e Ibën Tejmijes dhe varrimi i tij Udha e Besimtarëve
- Ebu Ubejde ibën Xherrah besniku i këtij umeti Udha e Besimtarëve
- Disa njohuri për Ebu Hamid el Gazali Udha e Besimtarëve