Kush ishte imam Buhariu?

January 1, 2024

Ai është Ebu Abdullah Muhamed ibën Ismail el Buhari. I njohur më shumë me pjesën e fundit të emrit të tij (Buhari). Me origjinë nga Irani, ndërsa Buhara gjendet në Uzbekistanin e sotëm.

Jetoi në vitet 194–256 hixhri (810–870 të erës sonë). Ishte imam në shkencën e hadithit. Libri i tij më i famshëm është “Sahihul Buhari” që është një përmbledhje e saktë e fjalëve, veprave, miratimeve dhe jetës së Profetit Muhamed sal-lAllahu alejhi ve sel-lem.

U rrit jetim nga i ati. Ishte i pari në zgjuarsi, në dije, në devotshmëri dhe në adhurim. Në vitin 250 h. (864 e.s.) u vendos në Nejsabur ku u takua me nxënësin e tij Imam Muslimin. Ka dëgjuar nga më shumë se një mijë dijetarë dhe kishte një memorie të pashembullt!

Thotë shkruesi i tij Ebu Xhafer: Kam dëgjuar prej Hashid ibën Ismailit dhe një tjetri të cilët tregonin: Buhariu vinte dhe dëgjonte hadithet bashkë me ne kur ishte djalosh i vogël, por nuk shkruante. Kaluan në këtë gjendje disa ditë dhe ne vazhdimisht i thoshim: Përse nuk shkruan?! Derisa një ditë na tha: E tepruat me mua, pa më tregoni ju ç’keni shkruar! Ne i hapëm librat tanë ku gjendeshin 15 mijë hadithe! Ai (Buhariu) i tha ato të gjitha nga memoria e tij aq sa ne filluam të saktësonim ato që kishim shkruar prej memories së tij!!! Pastaj na tha: Mendoni se unë vij me ju kot dhe humbas ditët e mia?! Atëherë e kuptuam se atij nuk ja kalonte askush.

Ndërsa një histori tjetër po për memorien e tij është provimi që i bënë dijetarët e Bagdadit kur ai shkoi në vendin e tyre. U mblodhën një shumicë e madhe njerëzish dhe i paraqitën atij një qind hadithe, të cilat i përzien tekstin e hadithit me zinxhirin e tij. Kështu tekstit të një hadithi i vunë zinxhirin e transmetimit të një tjetri e kështu me radhë, dhe ua dhanë këto dhjetë burrave ku çdonjërit prej tyre i dhanë dhjetë nga këto hadithe të përziera.

Kur u qetësua mexhlisi (tubimi i dijes), u ngrit i pari prej tyre dhe filloi t’i thoshte hadithin gabim. Buhari ia kthen: “Këtë hadith nuk e njoh!!!” Vazhdoi t’ja thoshte hadithet njëri pas tjetrit dhe Buhari nuk shtonte më shumë nga fjala: “Nuk e njoh”.

Dijetarët e vendit shikonin njëri-tjetrin në sy dhe thoshin: “E kuptoi burri (hilen)”. Ndërsa ata që nuk e dinin historinë mendonin se ishte i paaftë, i cekët në dije dhe me memorie të dobët. Pastaj u ngrit i dyti dhe e pyeti për një nga ato hadithet e përmbysura dhe përgjigja ishte e njëjtë: “Nuk e njoh”. E pyeti për një hadith tjetër, përgjigja përsëri: “Nuk e njoh”. E njëjta histori vazhdoi edhe me të tretin e të katërtin derisa mbaruan të dhjetë burrat hadithet që kishin, dhe Buhari nuk shtonte asgjë veç fjalës: “Nuk e njoh”.

Pasi e pa që mbaruan, ju drejtua të parit dhe i tha: “Sa i takon hadithit tënd të parë, ti the që është kështu e kështu, por saktësimi i tij është kështu e kështu. Hadithi yt i dytë ishte kështu, por saktësimi i tij është kështu.” – deri sa ja përsëriti të dhjetë hadithet me të njëjtën radhë që ja tha burri dhe ja saktësoi të gjitha duke e kthyer çdo tekst tek zinxhiri i tij. Të njëjtën gjë bëri dhe me nëntë të tjerët. Atëherë u bindën njerëzit për kujtesën e tij të habitshme dhe e njohën vlerën e tij.

Ibën Haxheri në fund të tregimit thotë: “Këtu dorëzohesh përpara Buharit! Nuk është çudi me atë që ai e ktheu gabimin dhe e saktësoi, sepse ai ishte hafidh (dijetar që di një numër të madh hadithesh). Por më e çuditshme është se si i mësoi hadithet gabim më të njëjtën radhë që ja thanë, me një të dëgjuar!!!”

Përgatiti: Emin Bilali

Dosje: ,

Loading...