Kush janë ata që arrijnë shpërblimin sa 50 prej sahabëve?

November 10, 2018

Dijetari i madh Ebu Bekr ibnul Arabij el Malikij (468 h – 543 h) ka thënë: Njëherë kur isha në xhaminë Aksa me shejhun tonë Ebu Bekr el Fihrij, kujtuam hadithin e Ebu Thalebes prej Profetit – sal lall llahu alejhi ue sel lem- i cili ka thënë: “Pas jush do të vijnë disa ditë (të vështira), ai që punon në to do të ketë shpërblim sa 50 prej jush. – Thanë (sahabët): Prej tyre? – Tha: Jo, prej jush, sepse ju gjeni ndihmëtarë për tek e mira ndërsa ata nuk gjejnë ndihmëtarë.”
Dhe filluam të diskutonim se si mund të ndodhë që dikush prej umetit të ketë shpërblim shumëfish më tepër se sahabët, kur dihet se ata; e themeluan Islamin, e ndihmuan fenë, e ngritën lart dritën e saj (sh.p.: që t’a shihnin të gjithë dhe të orientoheshin drejt atij fanari ndriçues në errësirat e deteve të injorancës dhe humbjes). U shpërndanë nëpër tokë, e mbrojtën fenë dhe shtruan rrugën nëpër të cilën do të ecte umeti mbas tyre.

Sidomos po t’i shtosh kësaj fjalën që ka thënë për ta Profeti – sal lall llahu alejhi ue sel lem: “Sikur të shpenzonte ndonjëri prej jush çdo ditë flori sa mali i Uhudit, nuk do të arrinte as dy duart e as një grusht që e jepnin ata!”

Kësisoj, duke medituar dhe analizuar arritëm në konkluzionin që e përmendëm në shpjegimin e të saktit dhe i cili përmbledhtas është:

Sahabët kishin shumë vepra në të cilat nuk i arrin askush e as u afrohet dot njeri. Ata kishin edhe disa vepra të tjera prej degëzimeve të fesë në të cilat mund t’u afrohet në shpërblim ndonjëri prej njerëzve. Kjo nëse arrin në to sinqeritetin e tyre dhe i pastron ato vepra prej përzierjeve të syfaqësisë dhe bidateve.

Nxitja për vepra të mira dhe qortimi prej të këqijave është një derë e madhe. Ajo është fillimi i fesë Islame dhe fundi i saj. Në fillim të Islamit kjo vepër ishte e paktë dhe e vështirë për t’u praktikuar për shkak se pabesimtarët kishin pushtetin. Në kohën e fundit do të kthehet përsëri në bazë të premtimit të të Sinqertit (lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të) koha e keqe, e mbrapshtë, me shumë trazira dhe konflikte. E kota do t’a sundojë të vërtetën, ndryshimi dhe transformimi  do t’a pushtojnë të vërtetën dhe njerëzit. Muslimanët do të ecin në gjurmët e popujve të humbur dhe të devijuar prej ithtarëve të Librit, siç ka thënë i Dërguari – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: “Pashmangshëm do të ecni në gjurmët e atyre që ishin para jush, pëllëmbë për pëllëmbë dhe hap pas hapi! Aq shumë do t’i imitoni ata saqë sikur të futeshin në birën e hardhucës edhe ju do të hynit në të!”

Dhe ka thënë: “Islami ka filluar i huaj dhe do të kthehet i huaj ashtu si filloi, prandaj lum për të huajt!” (Transmeton Muslimi).

Allahu i Lartësuar e di më mirë urtësinë e këtij premtimi të vërtetë; duhet të kthehet Islami me një njeri ashtu siç filloi me një (Profetin – sal lall llahu alejhi ue sel lem). Dhe do të dobësohet aq shumë nxitja për vepra të mira dhe qortimi prej të këqijave, saqë nëse do të ngrihet dikush i rrethuar nga frikëra të ndryshme por i vendosur të sakrifikojë shpirtin e tij për Allahun e Lartësuar dhe do të ftojë për tek Ai, ky do të ketë shumëfishin e shpërblimit të atij që kishte mundësi më të shumta dhe e kishte më të lehtë thirrjen e njerëzve në fenë e Allahut, si dhe kishte më shumë ndihmues dhe ftues për tek Allahu i Lartësuar. Këtë e mbështet fjala e tij: “Sepse ju gjeni ndihmëtarë për tek e mira ndërsa ata nuk gjejnë ndihmëtarë për të.” Derisa të ndërpritet kjo gjë plotësisht (të mos ketë më ftues për tek e mira dhe paralajmërues prej të keqes), për shkak të dobësimit të fesë dhe pakësimit të sigurisë në besim.

Profeti – sal lall llahu alejhi ue sel lem – ka thënë: “Nuk do bëhet Kijameti për sa kohë në tokë të thuhet fjala Allah”. Transmeton Muslimi.
Transmetohet: “Allahu” dhe kuptimi i kësaj fjale është: Derisa të mbetet në tokë njësues i cili e përmend Allahun e Lartmadhëruar (thotë Allah ose përmend Allahun). Përcillet edhe: “Allahun” e ka kuptimin; derisa të mbetet në tokë nxitës për të mira dhe qortues prej të këqijave (dikush që u thotë njerëzve ‘Kini frikë Allahun’).”

Parathënia e “El Auasim minel kauasim” 10-11, botim i “Mektebetus sunneh”.   

 

Loading...