Kushtet e fjalës “La ilahe il-lAllah”

October 19, 2023

Është pyetur shejh AbdulAziz ibën Bazi, Allahu e mëshiroftë: Cilat janë kushtet e fjalës “La ilahe il-lAllah”? A mjafton shqiptimi vetëm me gojë pa e kuptuar domethënien? Çfarë kërkohet për të?

Përgjigje: “La ilahe il-lAllah” është fjala më e mirë, është baza e fesë dhe themeli i këtij umeti. Me të kanë filluar pejgamberët, paqja e Allahut qoftë mbi ta, thirrjen e popullit të tyre, dhe gjëja e parë me të cilën kanë filluar thirrjen e popullit duke u thënë: Thoni “La ilahe il-lAllah” të shpëtoni. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Ne kemi dërguar tek çdo popull të dërguar që t’iu thonë se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut.” |El-Enbija: 25.

Çdo i dërguar i ka thënë popullit të tij: “Adhuroni vetëm Allahun, ju nuk keni të adhuruar tjetër përveç Tij.” |El-Araf: 59.

Kjo fjalë është themeli i kësaj feje dhe i këtij umeti, dhe duhet medoemos që thënësi i saj t’ia dijë kuptimin. Ajo do të thotë se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut dhe si dëshmi ka disa kushte:

1- Dituria rreth kuptimit të saj dhe siguria, mosdyshimi në saktësinë e saj, sinqeriteti vetëm për Allahun, vërtetësia me zemër dhe me gjuhë, dashuria ndaj asaj që thërret kjo fjalë drejt sinqeritetit ndaj Allahut. Pranimi i kësaj fjale dhe bindja ndaj asaj që kërkon, veçimi me adhurim ndaj Allahut, largimi nga shirku pa lënë mënjanë pastrimin e adhurimit vetëm për Të, si dhe të pohosh kotësinë e adhurimit për të tjerë veç Tij. Të gjitha këto janë nga kushtet e fjalës “la ilahe il-lAllah” dhe ky është kuptimi i drejtë i saj.

Këtë fjalë e shpreh besimtari dhe besimtarja duke iu larguar adhurimit të të tjerëve përveç Allahut, së bashku me nënshtrim ndaj së vërtetës duke e pranuar atë. Duke treguar dashuri ndaj Allahut dhe duke e veçuar atë me adhurim, duke qenë i sinqertë dhe duke mos dyshuar në kuptimet e kësaj fjale. Disa njerëz e thonë atë me gjuhët e tyre mirëpo nuk besojnë në të. Njëlloj si munafikët të cilët e thonin me gojët e tyre mirëpo kishin dyshim apo përgenjështrim. Prandaj duhet të kemi; diturinë, sigurinë, vërtetësinë, sinqeritetin, dashurinë, nënshtrimin, pranimin dhe mohimin e çdo të adhuruari tjetër veç Allahut. Këto kushte janë përmbledhur në dy vargje:

Dituria, bindja, sinqeriteti dhe vërtetësia,
Nënshtrimi, pranimi dhe dashuria.

Shto të tetën mohimin për çfarë Allahut i barazojnë,
Prej gjërave të tjera që në vend të Allahut adhurojnë.

 

Autor: Abdul Aziz ibën Baz

Përktheu: Bedri Lika

Dosje: , ,

Loading...