Kushtoi rëndësi faljes së namazit të teravive

March 18, 2023

Namazi i teravive është namazi i natës i cili kryhet gjatë muajit të Ramazanit. Fjala “teravi” është shumësi i fjalës “teruihatun”, e cila rrjedh nga fjala “rahatun” që do të thotë shlodhje, pushim. Është emërtuar kështu ngaqë gjatë faljes së këtij namazi bëhet një pushim i shkurtër pas çdo katër rekatesh.

Ky namaz vullnetar është nga veprat më të mira që kryhen gjatë këtij muaji të begatë, si për meshkujt ashtu edhe për femrat.

Ebu Hurejra radijAllahu anhu tregon se Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i nxiste njerëzit për tu falur gjatë natës në Ramazan, por jo në mënyrë të detyrueshme.

Ai thoshte: “Kush falet gjatë netëve të Ramazanit me besim dhe duke shpresuar shpërblimin, do t`i falen mëkatet që i ka bërë më herët.” (E transmeton Buhariu me nr. 37, dhe Muslimi me nr. 759.)

Ibn Batali, komentuesi i njohur i haditheve, thotë:

“Me besim” d.m.th. duke besuar në mirësinë që Allahu i Madhëruar i ka caktuar kësaj vepre. “Duke shpresuar shpërblimin” d.m.th. duke e bërë këtë vepër me qëllimin për të merituar shpërblimin e Allahut.

Sa rekate falet namazi i teravive?

Ebu Seleme bin Abdurrahman bin Aufi tregon se e ka pyetur Aishen: Si ka qenë namazi i Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në Ramazan?

Ajo tha: “Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem si në muajin e Ramazanit ashtu dhe në muajt e tjerë nuk falte (namaz nate) më tepër se njëmbëdhjetë rekate. Ai falte katër rekate dhe mos pyet për bukurinë dhe gjatësinë e tyre, pastaj falte katër rekate të tjera dhe mos pyet për bukurinë dhe gjatësinë e tyre, pastaj falte tre rekate.” (E transmeton Buhariu me nr. 3569, dhe Muslimi me nr. 738.)
Ky hadith orienton dhe argumenton më së miri në lidhje me këtë çështje. Kjo për tre arsye:

1-   Është hadithi më i saktë në lidhje me këtë çështje, sepse transmetohet nga Buhariu dhe Muslimi.

2-   Është hadithi më i qartë i cili i vë një kufi sasior këtij namazi.

3- Është hadithi që tregon për praktikën profetike, ndërkohë që transmetimet e tjera tregojnë vepra të sahabëve apo tabiinëve.

Falja e teravive me xhemat.

Planifikoje që namazin e teravive ta falësh në xhami me xhematin, pasi në këtë mënyrë arrin ta ndiesh më tepër ëmbëlsinë dhe kënaqësinë e këtij adhurimi, si dhe do të shpërblehesh më shumë sesa po të falesh vetëm.

I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush falet natën (gjatë Ramazanit) me imamin derisa ai ta përfundojë namazin, do t’i shkruhet shpërblimi sikur të ketë falur namaz tërë natën.” (E transmeton Tirmidhiu me nr. 806, dhe Nesaiu me nr. 1605. Albani e ka konsideruar hadith të saktë në “Sahihu et Tirmidhi” me nr. 734.)

Dosje:

Loading...