Lavdëroje duke e falënderuar Zotin tënd

October 15, 2020

Kur të ngrihesh lavdëroje duke e falënderuar Zotin tënd.

Allahu i Madhëruar në librin e Tij thotë: “Prandaj, duro për gjykimin e Zotit tënd, se me të vërtetë ti je në Sytë Tanë! Lavdëroje duke e falënderuar Zotin tënd kur të ngrihesh.” Et-Tur: 48

Shejh Salih El-Feuzani (Allahu e ruajtë!) thotë: “Lavdëroje duke e falënderuar Zotin tënd” do të thotë; Ndihmohu në atë që je prej ngushtësisë dhe vështirësisë me dy gjëra:

E para: Ndihmohu duke bërë durim.

E dyta: Ndihmohu me përmendjen e Allahut të Madhëruar.

Ky është udhëzim për secilin musliman, që kur të gjendet në ndonjë vështirësi apo përballë kurtheve të armiqve të bëjë durim dhe të angazhohet me përmendjen e Allahut të Madhëruar.

Në lidhje me fjalën e Tij; “kur të ngrihesh”, ka tre komente.

E para: Është për qëllim kur ngrihesh për faljen e namazit. Kjo duke thënë lutjen në fillim të namazit; “Subhaneke Allahumme ue bihmadik, tebarakesmuke, ue teala xhedduke, ue la ilahe gajruke.” Shënon Muslimi (399).

E dyta: Është për qëllim kur zgjohesh nga gjumi. Kërkohet nga muslimani që kur të zgjohet nga gjumi të përmend Allahun e Madhëruar, qoftë kjo nëse synon faljen e namazit apo kur kthehet në anën tjetër. Pra, t’a përmend Allahun kur zgjohet nga gjumi.

E treta: Është për qëllim kur ngrihesh nga ndenja (mexhlisi). Kur gjendesh në ndonjë ndenjë dhe dëshiron të ngrihesh (largohesh) thuaj lutjen që njihet si ‘kefaretul-mexhlis’: “Sunhaneke Allahumme ue bihamdike, esh-hedu ela ilahe ila ente estagfiruke ue etubu ilejke.” Shënon Ebu Daudi (4857) etj.

Të trija fjalët, e Allahu e di më së miri, kanë për qëllim;

  • kur ngrihesh për faljen e namazit,
  • kur ngrihesh nga gjumi,
  • dhe kur ngrihesh nga ndenja (mexhlisi).

Pra, lavdëroje duke e falënderuar Zotin tënd në këto tri vende.[1]

“Ma Tejjesera ue Tehasal Min Durusil-Kuran”, vëll. 1.

Përktheu: Unejs Sheme

[1] Shih “Tefsiru Et-Taberij” (27/38), “Tefsirul-Kurtubij” (17/78) dhe “Tefsiru Ibën Kethir” (4/246).

Loading...