“Enciklopedia e thjeshtuar e Fikhut” vëll. 4.
Autori: Sheih Husein El-Auaishe (një prej nxënësve të njohur të sheih Albanit – Allahu e mëshiroftë -).
Lejohet vizita e varrezave për gratë.
Gratë janë si burrat në lidhje me vizitën e varrezave për disa arsye:
1- Për shkak të fjalës së përgjithshme të Profetit -alejhi selam- : “… vizitojini varret”. Këtu futen edhe gratë. Për ta shpjeguar më mirë kemi shembullin kur Profeti -alejhi selam- ndaloi nga vizita e varrezave në fillim. S’ka dyshim se ndalimi ishte gjithëpërfshirës për burrat dhe për gratë kur tha: “U pata ndaluar nga vizita e varrezave …”. Ishte e kuptueshme se ai donte të thonte për të dy gjinitë, domosdoshmërisht se ai po njofton për atë që ishte në fillim, pra ndalimin e të dy gjinive.
Nëse çështja ishte kështu, ishte e domosdoshme që ligjërimi në fjalinë e dytë të hadithit “vizitojini ato” ka pasur për qëllim të dy gjinitë.
Këtë e mbështet ligjërimi në veprat e tjera të përmendura në shtojcën e Muslimit te hadithi i Burejdes i përmendur më lart:
“Ju pata ndaluar të mbani mishin e kurbanit mbi tre ditë por tani mbani aq sa t’ju duket e nevojshme. Ju pata ndaluar nga shtrydhja përveç në sika’[1], pini në sika’ dhe mos pini pije dehëse.”
Unë them [pra shejhu]: Ligjërimi në të gjitha këto veprime u është drejtuar të dy gjinive kategorikisht, siç është edhe tek ligjërimi i parë: “Ju pata ndaluar”. Nëse thuhet se ligjërimi tek fjala e tij “vizitojini ato” është i veçantë për burrat atëherë prishet rregulli i ligjërimit dhe bukuria e tij. Kjo gjë nuk i shkon atij që i është dhënë gojëtaria dhe këtë e përforcojnë edhe faktet e mëposhtme.
2- Për ato ekziston e njëjta arsye sikurse dhe për burrat për të cilën është ligjësuar vizita e varreve: “Ato zbusin zemrën, lotojnë syrin dhe të kujtojnë ahiretin”[2].
3- Profeti -alejhi selam- ua ka lejuar atyre vizitën e varreve në dy hadithe që ua ka mësuar nëna e besimtarëve Aishja -radiallahu anha- : Transmetohet nga Abdullah bin Ebu Mulejka se Aishja -radiallahu anha- erdhi një ditë tek varrezat. Unë i thashë asaj: O nëna e besimtarëve, nga ke ardhur? Ajo tha: Nga varri i Abdurrahman bin Ebu Bekrit. I thashë: A nuk ka ndaluar Profeti -alejhi selam- nga vizita e varreve? Ajo tha: Po, por pastaj ai urdhëroi për t’i vizituar ato”[3].
Transmetohet se Kajs bin Mehrame bin Mutalibi ka thënë: A t’ju tregoj për veten dhe për nënën time? Ka thënë (transmetuesi): Ne menduam se e kishte fjalën për nënën që e kishte lindur. Ai tha: Ka thënë Aishja: A t’ju tregoj për veten dhe për Profetin -alejhi selam-? I thamë: Po. Ka thënë (transmetuesi): Ajo tha: Në natën që Profeti -alejhi selam- ishte tek unë, u kthye dhe vendosi rrobën e sipërme. Hoqi nallanet dhe i vendosi tek këmbët, vendosi cepin e rrobës së poshtme në shtrat dhe u shtri –ajo përmendi hadithin derisa tha- : Tha [d.m.th. Xhibrili Profetit -alejhi selam-]: Zoti yt të urdhëron të shkosh tek banorët e Beki’së (varrezave) e të kërkosh falje për ta. Ka thënë: I thashë: Si t’u them atyre o i dërguar i Allahut? Ai tha: Thuaj: Selami (paqja) qoftë mbi banorët e varreve nga besimtarët dhe myslimanët. Allahu i faltë të parët prej nesh dhe të vonët, e ne në dashtë Allahu do t’ju pasojmë”[4].
4- Pohimi i profetit -alejhi selam- për gruan që pa tek varrezat në hadithin e Enesit -radiallahu anhu- : “Kaloi Profeti -alejhi selam- pranë një gruaje që po qante mbi një varr dhe i tha: Ki frikë Allahun dhe bëj durim …”[5].
Nuk lejohet vizita e shpeshtë e grave në varreza.
Nuk u lejohet grave që të vizitojnë herë pas here varret sepse kjo mund t’i çojë ato në kundërshtimin e sheriatit, si; të bërtiturat, zbukurimi, t’i marrin varrezat si vend për të dalë, të humbin kohën në fjalë boshe siç e shohim sot në disa vende islame. Ky është qëllimi –në dashtë Allahu- në hadithin e Ebu Hurejrës ku Profeti -alejhi selam- mallkoi ez-zeuarat el-kubur (ato që vizitojnë shpesh varret)”[6].
Ka thënë shejhu ynë -Allahu e mëshiroftë- : “Fjala zeuarat tregon se mallkohen gratë që e shpeshtojnë vizitën, në kundërshtim me të tjerat të cilat nuk i përfshin mallkimi .”
Ka thënë Kurtubiu: Mallkimi i përmendur në hadith është për ato që e shpeshtojnë vizitën sepse kështu kuptohet nga fjala, dhe ndoshta shkaku është se kjo çon në humbjen e të drejtës së burrit, në zbukurim, mund të çojë në të bërtitura dhe gjëra të tjera të ngjashme. Mund të thuhet se nëse është e sigurtë se nuk do të ndodhin këto atëherë nuk ka pse të mos lejohen, sepse përkujtimin e vdekjes e kanë të nevojshëm burrat dhe gratë.
Përktheu dhe përgatiti: Teuta XEKA
————————————————————
[1] Enë lëkure për ujë, qumësht apo lëngje.
[2] E transmeton Hakimi me zinxhir hasen.
[3] E transmeton Hakimi e të tjerë dhe e saktëson shejh Albani.
[4] E transmeton Muslimi.
[5] E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
[6] E transmeton Tirmidhiu dhe Ibën Maxhe, dhe e saktëson shejh Albani.
Të Ngjashme
- Dobitë e dhikrit të mëngjesit dhe të mbrëmjes Udha e Besimtarëve
- Një dijetar si Ibn Tejmije Udha e Besimtarëve
- Rregull i pandryshueshëm: Çdo gjë që përdoret për të kundërshtuar Allahun, ajo ka për tu prishur. Udha e Besimtarëve
- Si të veprosh kur të ftojnë në një gosti Shejh Muhamed ibn Salih el-Uthejmin
- Statusi dhe vlera e fikhut në Islam Udha e Besimtarëve