Lëpirja e gishtave pas ngrënies para se të pastrohen apo fshihen

Ka thënë Xhabiri radijAllahu anhu: “Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka urdhëruar që të lëpihen gishtat dhe pjatat (të mos lihet gjë në to). Ai ka thënë: “Ju nuk e dini se ku mund të jetë bereqeti.”[1]

Transmetohet nga Ibën Abasi radijAllahu anhuma se Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur ndonjë prej jush të hajë, mos ta fshijë dorën e tij, por t’i lëpijë vetë gishtat ose t’ia lëpijë dikush tjetër.”[2]

Shejh Ibën Uthejmini (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Kërkohet nga njeriu që kur të mbarojë së ngrëni, t’i lëpijë gishtat e tij para se t’i fshijë (pastrojë) me shami (ose peshqir apo diçka tjetër), ashtu si ka urdhëruar për këtë gjë Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, duke i lëpirë vetë apo t’ia lëpijë dikush tjetër. Rreth fjalës së tij“t’i lëpijë”,kjo është shumë e qartë, por edhe fjala e tij“t’ia lëpijë dikush tjetër”është e kuptueshme dhe lehtësisht e realizueshme, sidomos kur mes burrit dhe gruas ekziston dashuri shumë e fortë. Pra, në këtë rast do të ishte shumë e lehtë (dhe fare e thjeshtë) që ajo t’ia lëpijë gishtat atij (burrit) dhe po ashtu ai t’i lëpijë gishtat e saj. Një gjë e tillë është e mundur. Rreth fjalëve të disa njerëzve të cilët thonë se këtë gjë nuk ka mundësi që ta thotë Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, se si mundet që njeriu t’i lëpijë gishtat e dikujt tjetër, themi: “Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem nuk thotë vetëm se të vërtetën dhe nuk ka mundësi (dhe as mund të imagjinohet) që ai të thotë diçka që nuk është e mundur të bëhet. Prandaj, në lidhje me këtë çështje, themi se është e mundur, madje shumë. Po ashtu, në rastin e fëmijëve të vegjël, ndonjëherë njeriu (qoftë nëna apo dikush tjetër), i cili i do ata, mund t’i lëpijë gishtat e tyre pas mbarimit të ushqimit. Pra, kjo gjë është e mundur. Prandaj, prej Sunetit është“t’i lëpijë vetë gishtat ose t’ia lëpijë dikush tjetër.[3]

Po ashtu shejhu (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Mjekët kanë thënë se lëpirja e gishtrinjëve pas ushqimit, ka dobi dhe ajo dobi është lehtësimi i tretjes së ushqimit, ngase majat e gishtrinjëve posedojnë një material me lejen e Allahut, i cili del gjatë lëpirjes pas ushqimit dhe lehtëson tretjen e ushqimit. Ne e përmendëm këtë gjë që të dimë urtësinë e sheriatit në gjërat që ka urdhëruar, sepse në esencë i lëpijmë ato duke praktikuar urdhrin e Profetit salAllahu alejhi ue selem. Shumica e njerëzve nuk e kuptojnë këtë sunnet, mbarojnë së ngrëni dhe tavolina mbetet me ushqim, apo çohen dhe i lajnë duart para se t’i lëpijnë, kurse Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka ndaluar që njeriu t’i fshijë duart me shami apo peshqir pa i lëpirë dhe pastruar nga ushqimi. Më pas mund t’i fshish me shami dhe t’i lash me ujë nëse dëshiron.”[4]

Shejh Albani (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Në hadith gjendet një edukatë e bukur prej edukatës së ushqimit, që është lëpirja e gishtave dhe fshirja e pjatës me ta. Shumë prej muslimanëve sot e kanë lënë këtë veprim, duke u ndikuar nga traditat e jomuslimanëve.”

Përktheu: Unejs Sheme

Shkëputur nga “Sunetet e harruara” pj. I, botimi i dytë i përmirësuar

 

 

[1] Muslimi dhe Ibën Maxhe.

[2] Buhariu, Muslimi dhe Ibën Maxhe.

[3] “Sherh Rijadus Salihijn”.

[4] “Sherh Rijadus Salihijn” fq. 285