Lexim nga libri “Hisnul-Muslim”

March 30, 2020

Lexim nga libri “Hisnul-Muslim”

Djali: Es-Selamu alejkum baba!

Babai: Ue alejkumus-selam ue rahmetullah!

Djali: Çfarë do mësojmë sot?

Babai: Sot do fillojmë leximin e disa lutjeve nga libri “Hisnul-Muslim” apo siç njihet ndryshe “Mburoja e muslimanit”, si dhe do përmendim dobitë që përfitohen nga këto.

Djali: Shumë mirë! Po marr dhe diçka për të shkruar të shënoj në të gjërat e nevojshme që t’i mësoj më vonë.

Babai: Të lumt. Dituria duhet të shkruhet, sepse si kanë thënë: “Lidheni dijen duke e shkruar atë.”

Lutja e parë që do lexojmë dhe mësojmë sot është lutja që thuhet kur hyn në tualet.

Transmetohet nga Enes bin Malik (radijAllahu anhu) se ka thënë: Profeti (sal-lAllahu alejhi ue selem)….

Biri im, kije parasysh që sa herë të përmendet Profeti ne duhet të dërgojmë salavate për të duke thënë “alejhi selam”, ose “sal-lAllahu alejhi ue selem”, ngase Profeti ynë i dashur (alejhi selam) ka thënë: “Njeriu më koprac është ai tek i cili përmendem dhe nuk dërgon salavat për mua.”

Po ashtu kur shkruajmë salavatet duhet t’i shkruajmë të plota dhe jo vetëm inicialet “a.s.” apo “s.a.v.s.”, ngase ky veprim është gabim.

Djali: Në rregull baba.

Babai: Kthehemi tek lutja: Pra, transmetohet nga Enes bin Malik (radijAllahu anhu) se ka thënë: Profeti (sal-lAllahu alejhi ue selem) kur hynte në tualet thoshte: “Allahumme inni eudhu bike minel-khubuthi uel-khabaith.” Këtë hadith e shënojnë dy dijetarët e mëdhenj të hadithit Buhariu (142) dhe Muslimi (375).

Transmetuesi i hadithit është sahabi i njohur Enes bin Malik. Kur ai ishte në moshën dhjetë vjeçare nëna e tij e solli tek Profeti (alejhi selam) dhe i tha: O i Dërguari i Allahut, ky është djali im Enesi dhe ai do të shërbejë ty. Profeti (sal-lAllahu alejhi ue selem) e pranoi dhe e luti Allahun që t’a begatonte atë.

Përkthimi i lutjes: “Allahumme inni eudhu bike minel-khubuthi uel-khabaith” – “O Allah! Unë kërkoj mbrojtjen Tënde nga e keqja e xhinëve meshkuj dhe femra!”

Përse e themi këtë lutje?

Djali: Nuk e di!

Babai: E themi ngase vendet e pista siç janë tualetet, janë vendqëndrim i xhinëve dhe shejtanëve.

Dobitë që përfitohen nga kjo lutje janë:

1. Pëlqyeshmëria e përmendjes së Allahut me këtë lutje para se të hyjmë në tualet.

2. Dashuria e madhe e sahabëve për Profetin (sal-lAllahu alejhi ue selem), gjë e cila bëri që ata të na përcjellin prej tij çdo gjë të vogël dhe të madhe.

Prandaj o biri im, ne i duam sahabët shokët e Profetit (sal-lAllahu alejhi ue selem) dhe flasim vetëm mirë për ta.

Brezat e parë të muslimanëve ua mësonin fëmijëve të tyre dashurinë për sahabët ashtu si u mësonin suret e Kuranit. Dashuria për sahabët është fe dhe besim, kurrë mos e harro këtë.

3. Kërkohet nga muslimani që të mbrohet me kryerjen e dhikrit dhe lutjeve në çdo kohë dhe në çdo situatë.

4. Të gjitha krijesat janë shumë nevojtare për Allahun, Zotin e botëve, t’i mbrojë nga të këqijat që i shohin dhe nuk i shohin.

5. Kujdesi i Profetit (sal-lAllahu alejhi ue selem) për t’u mësuar sahabëve çdo gjë që u bën dobi në çështjet e dynjasë dhe botës tjetër.

6. Ky hadith na përforcon bindjen se Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) e ka lënë umetin e tij në një bardhësi të qartë, nata e së cilës është si dita e saj.

7. Besimi në ekzistencën e xhinëve dhe se Allahu i ka krijuar nga zjarri pa tym. Allahu i Lartësuar thot: “Para tij (Ademit) kemi krijuar xhindët nga zjarri pa tym.” El-Hixhr: 27

Këto ishin disa prej dobive të përfituara nga kjo lutje profetike.

Djali: Shumë bukur, Allahu t’a shpërbleftë me të mira babai im i dashur!

Babai: Amin edhe ty o biri im! Mundohu t’i mësosh dhe t’i zbatosh në jetën e përditshme këto këshilla.

Djali: Patjetër.

Babai: Dhe tani të ngrihemi të marrim abdes se për pak thirret ezani për faljen e namazit të ikindisë.

Pergatiti: Unejs Sheme

Loading...