Lexoje Kuranin, librin e Allahut!

March 18, 2023

Kurani është fjala e Allahut, e zbritur në muajin e Ramazanit, në Natën e Kadrit, e cila është   në dhjetë netët e fundit të Ramazanit. Allahu i Madhëruar thotë: “Muaji Ramazan është ai në të cilin ka zbritur Kurani…” (Bekare: 185).

Gjithashtu ka thënë: “Ne e kemi zbritur (Kuranin) në Natën e Kadrit.” (Kadër: 1).

Çdo herë në muajin e Ramazanit, profeti Muhamed e e përsëriste Kuranin famëmadh dhe e studionte atë së bashku me engjëllin Xhibril alejhisselam, ndërsa në vitin e fundit të jetës së tij, ata e përsëritën Kuranin dy herë.

Për të përfituar sa më shumë nga bereqeti i këtij muaji kërkohet një përkushtim i veçantë ndaj Kuranit. Agjëruesi duhet të lexojë sa më shumë Kur’an, duke ndërthurur ndërmjet agjërimit dhe leximit të Kuranit, këtyre dy adhurimeve madhështore të cilat ia gjallërojnë atij jetën shpirtërore.

Kurani gjatë muajit të Ramazanit është kënaqësi dhe freski për shpirtin dhe bëhet shkak për rritjen e besimit. Leximi i Kuranit gjatë muajit të Ramazanit shpërblehet me sevape të shumta. I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush lexon një shkronjë nga Libri i Allahut fiton një sevap (shpërblim) dhe ky sevap i shumëfishohet dhjetëfish.” (E transmeton Tirmidhiu me nr. 2910. Albani e ka vlerësuar si hadith të mirë në “Silsiletu es Sahiha” 2/267.)

Në Ditën e Gjykimit, Kurani do të ndërmjetësojë për lexuesin e tij. I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Lexojeni Kuranin, sepse në Ditën e Gjykimit, ai vjen si ndërmjetësues për ata që e lexojnë atë.” (E transmeton Muslimi me nr. 1343)

Gjithashtu ai ka thënë: “Agjërimi dhe Kurani do të ndërmjetësojnë për njeriun në Ditën e Gjykimit. Agjërimi do të thojë: O Zot! E kam privuar nga ushqimi dhe pija, prandaj më lejo që të ndërmjetësoj për të! Ndërsa Kurani do të thojë: E kam privuar nga gjumi i natës, prandaj më lejo që të ndërmjetësoj për të! Kështu që ata të dy do të ndërmjetësojnë.”(E transmeton Ahmedi me nr. 6589. Albani e ka vlerësuar si hadith të saktë në “Sahihul Xhami” me nr. 7329.)

Loading...