Libri “Sëmundja dhe ilaçi” – 1 –

May 12, 2025

Libri “Sëmundja dhe Ilaçi” Mësimi nr 1

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit! Tek Ai kërkojmë ndihmë!

Teksti i librit: Dijetari i madh, eksperti, el Hafidh dhe kritiku i hollë, Shemsu’d-Din, Ebu Abdil-lah Muhamedi, biri i dijetarit Takiu’d-Din Ebu Bekr, i njohur me emrin Ibn Kajim el-Xheuzije (Allahu ia shtoftë mirësitë) u pyet: “Çfarë thotë elita e dijetarëve dhe imamëve të fesë (Allahu i qoftë i kënaqur me të gjithë), për një njeri që është sprovuar me një sprovë dhe e di se nëse ajo vazhdon me të, do t’ia shkatërrojë jetën dhe ahiretin? Ai është përpjekur me çdo mënyrë për ta larguar nga vetja, por ajo vetëm sa shtohet në forcë dhe ndezje. Cili pra është shpëtimi prej saj? Cila është mënyra për ta zbuluar atë? Allahu e mëshiroftë cilindo që e ndihmon të sprovuarin, dhe Allahu është në ndihmën e robit përderisa robi është në ndihmën e vëllait të tij. Na jepni fetva, qofshi të shpërblyer, Allahu ju mëshiroftë.”

Komenti: Kjo është pyetja që u bë shkak për shkrimin e këtij libri të bekuar nga ana e imam Ibn Kajimit (Allahu e mëshiroftë). Pra, bëhet fjalë për një njeri që ishte sprovuar me një sprovë të rëndë — ajo nuk përmendet qartë në këtë pjesë, por kuptohet se ka lidhje me një mëkat të madh, që ka zënë rrënjë në zemrën dhe shpirtin e tij.

Ai është i vetëdijshëm për rrezikshmërinë dhe dëmet e mëdha të këtij mëkati, por dëshiron me gjithë shpirt të çlirohet prej ti, paçka se vetja e tij nuk e lë që ta braktisë atë. Prandaj, i drejtoi këtë pyetje dijetarit të madh, duke kërkuar ndihmë dhe udhëzim për të gjetur rrugën e shpëtimit. Ai tha: “Allahu e mëshiroftë cilindo që e ndihmon të sprovuarin; dhe Allahu është në ndihmën e robit përderisa robi është në ndihmën e vëllait të tij.”

Kjo dhimbje dhe kjo përpjekje që shfaqet në pyetjen e këtij njeriu është, për Zotin, pasqyra e gjendjes së shumë njerëzve që jetojnë në kohën tonë — veçanërisht ata që janë sprovuar përmes pajisjeve moderne duke parë gjëra të ndaluara, e që i kanë çuar drejt epsheve të ndaluara. Në kohën tonë, kjo derë është hapur aq shumë sa nuk ka pasur të ngjashme në asnjë periudhë të mëhershme.

Në këtë kontekst, imoraliteti, lakuriqësia dhe pamjet e turpshme (Allahu na ruajtë) janë bërë gjëra të zakonshme dhe të shfaqura në mënyrë të llahtarshme dhe joshëse, duke vënë në sprovë shumë njerëz. Shumë prej tyre, siç e përshkruajnë veten, kanë krijuar varësi në shikimet e ndaluara, edhe pse e dinë mirë se ai shikim nuk ka bërë tjetër veçse u ka sëmurur zemrën dhe u ka mjeruar shpirtin. Ata janë të vetëdijshëm se ky është shkatërrim dhe rrënim, e megjithatë nuk arrijnë të çlirohen prej tij. Edhe pse kërkojnë shpëtim për ta pastruar shpirtin e tyre, por përsëri nuk i’a arrijnë!

Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaju besimtarëve të ulin shikimet dhe të ruajnë nderin e tyre; kjo është më e pastër për ta. Allahu është i Dijshëm për atë që veprojnë.” (En-Nur: 30) Gjithashtu thotë: “Dhe thuaju besimtareve të ulin shikimet e tyre…” e deri në fund të ajetit.

Kështu, shumë njerëz, burra e gra, janë përfshirë në këtë sprovë, edhe pse e dinë se ky shikim është helm, e keqe dhe shkak për shkatërrim. Ata duan të largohen prej tij, por vetja e tyre i tërheq sërish.

Kjo përgjigje që jep këtu imam Ibn Kajim nuk është e kufizuar vetëm për pyetësin e asaj kohe, por për këdo që është sprovuar me diçka të ngjashme. Kushdo që lexon me vëmendje librin dhe kontekstin, si dhe fundin e tij, e kupton se sprova e këtij njeriu kishte të bënte me dashurinë e zjarrtë por të ndaluar. Ky pasion i sëmurë po e shkatërronte atë dhe kërkonte rrugëdalje dhe shpëtim prej tij. Megjjthatë, dehja e këtij pasioni e kishte verbuar dhe po e shkatërronte prandaj kërkonte zgjidhje. Kjo (dashuria e zjarrtë) është një sëmundje që sot ka prekur shumë njerëz, veçanërisht për shkak të shfaqjeve të mëdha të së keqes dhe tundimeve përmes teknologjisë moderne, që ngacmojnë epshet dhe nxisin epahet dhe veset e ndaluara.

Prandaj, pyetja e këtij të sprovuari kur thotë: “Cili pra është shpëtimi prej saj? Cila është mënyra për ta zbuluar atë? Allahu e mëshiroftë cilindo që e ndihmon të sprovuarin.” Do të ishte gjendja e shumicës së njerëzve në kohën tonë — të cilët janë sprovuar përmes këtyre pajisjeve dhe pamjeve të ndaluara, filmave të ulët e të neveritshëm, që kanë shkatërruar shumë njerëz, duke ndezur në zemrat e tyre epshet e ndaluara, duke i larguar nga përmendja e Allahut, nga namazi, nga e mira dhe nga të gjitha portat e mirësisë, dhe duke i çuar drejt rrënimit.

Kështu, kjo thirrje për shpëtim që gjendet tek pyetja “Cili pra është shpëtimi prej saj? Cila është mënyra për ta zbuluar atë? Allahu e mëshiroftë cilindo që e ndihmon të sprovuarin për tu larguar nga kjo sprovë” është zëri i shumë njerëzve në këtë epokë. Prandaj, është e nevojshme, madje me rëndësi të madhe, që të ketë bashkëpunim të gjerë dhe serioz në përhapjen e këtij libri, në shpërndarjen e tij mes njerëzve duke e bërë atë sa më të njohur. Këshilloj çdo njeri që Allahu e ka pajisur me të mira materiale të kontribuojë në botimin e këtij libri në shumë kopje dhe në përkthimin e tij në gjuhë të ndryshme, që të bëhet një rrugë shpëtimi për ata që janë prekur nga këto sëmundje shkatërruese dhe këto të këqija përçmuese.

Nëse ata që ndjekin rrugën e së keqes bashkëpunojnë ngushtë dhe harxhojnë pasuri të mëdha për të prodhuar filma të shthurur që mashtrojnë njerëzit dhe ndezin tek ata epshe të ndaluara, atëherë është shumë më e drejtë dhe më e kërkuar që njerëzit e së vërtetës të bashkëpunojnë në përhapjen e së mirës, virtytit dhe këshillimin e njerëzve dhe në thirrjen e tyre drejt rrugës së Zotit.

Kjo është një thirrje që bëhet nga ky tubim që të ketë bashkëpunim të gjithanshëm në përhapjen e këtij libri me çdo mjet e mënyrë të mundshme. Ne shpresojmë që Allahu i Madhëruar të sjellë prej tij dobi të mëdha dhe mirësi të shumta, me mëshirën dhe mirësinë e Tij, sepse Ai është Dëgjues i lutjes.

Teksti: Shejhu, imami, dijetari, Shejhul-Islam, myftiu i myslimanëve, Shemsuddin Ebu Abdil-lah Ibn Ebi Bekr Ejub, imami i medresesë el-Xheuzijje (Allahu e mëshiroftë) u përgjigj: “Çdo sëmundje ka ilaç.”

Falënderimet janë për Allahun. E në vijim: Në Sahihun e Buhariut, përcillet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të), se Profeti (paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Allahu nuk ka zbritur asnjë sëmundje, veçse ka zbritur për të edhe shërimin e saj.”

Po ashtu, në Sahihun e Muslimit përcillet nga Xhabir ibn Abdullahu se i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Çdo sëmundje ka ilaçin e saj. Nëse ilaçi qëllon mbi sëmundjen, ajo shërohet me lejen e Allahut.”

Në Musnedin e Imam Ahmedit, nga Usameh ibn Sherik përcillet se Profeti (paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Allahu nuk ka zbritur sëmundje, pa sjellë edhe shërimin për të — e mësoi kush e mësoi, e injoroi kush e injoroi.”

Në një version tjetër thuhet: “Allahu nuk e ka vendosur ndonjë sëmundje, veçse ka vendosur për të edhe ilaçin ose kurën, përveç një sëmundjeje të vetme.” Ata thanë: “O i Dërguar i Allahut, cila është ajo?” Ai tha: “Pleqëria.” Tirmidhiu, tha: “Ky është hadith i saktë.”

Kjo përfshin sëmundjet e zemrës, të shpirtit dhe të trupit, dhe ilaçin e tyre. Profeti (paqja qoftë mbi të) e ka konsideruar injorancën sëmundje, dhe pyetjen drejtuar dijetarëve si ilaçin e saj.”

Komenti: Ibën Kajimi – Allahu e mëshiroftë – e nisi përgjigjen e tij ndaj këtij pyetësi me këtë hadith madhështor. Përmendja e këtij hadithi në fillim, madje me disa versione të tij, ishte një hyrje e bukur dhe e mençur. Ai sqaroi përmes këtij hadithi, siç e përmendëm më parë, se pyetësi ishte lodhur dhe dëshpëruar nga kërkimi i shërimit për sëmundjen e tij, e cila e kishte pushtuar aq shumë aq sa kishte filluar të mendojë se nuk ka shpëtim. Dhe pikërisht për këtë arsye, përmendja e këtij hadithi është një dritë shprese për të gjithë të sprovuarit, qofshin ata me sëmundje fizike apo shpirtërore – siç janë dëshirat e ndaluara, dyshimet, mëkatet dhe pasionet.

Ky hadith u hap atyre derën e shpresës dhe optimizmit dhe u largon nga zemra mendimet e errëta dhe ndjenjën e dorëzimit. Disa të sëmurë, si nga dëshirat e ndaluara apo nga sëmundjet trupore, mendojnë se sëmundja e tyre nuk ka shërim. Ka raste kur gjykojnë për një sëmundje nga ana shëndetësore se nuk ka shërim, e megjithatë Allahu zbret shërimin e saj. Ka ndodhur në shumë raste që njerëz të dëshpëruar, falë një bime të caktuar të cilën ua kanë rekomanduar, një uji të bekuar si uji i Zemzemit, ose me lutje të përulura e të përqendruara, kanë gjetur shërim. Shembujt dhe rrëfimet janë të shumta dhe të dokumentuara.

Prandaj, përmendja e këtij hadithi nga ana e imamit dhe këshilluesit edukues Ibën Kajim el Xheuzijes (Allahu e mëshiroftë) në fillim të përgjigjes së tij është shumë i rëndësishëm. Ai e fillloi përgjigjen me këtë hadith që gjendet tek Sahihu i Buhariut në të cilin i dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem thotë: “Allahu nuk ka zbritur asnjë sëmundje, veçse ka zbritur për të edhe shërimin e saj.”

Pastaj, Ibën Kajimi – Allahu e mëshiroftë – shton: “Kjo përfshin sëmundjet e zemrës, të shpirtit dhe të trupit, dhe ilaçin e tyre.” Pra nuk është ilaç i kufizuar – siç mendojnë shumë njerëz kur e lexojnë këtë hadith – vetëm për sëmundjet fizike. Shumë njerëz kur e lexojnë këtë hadith mendojnë se është i kufizuar vetëm në sëmundjet fizike, por e vërteta, siç e sqaroi Ibën Kajimi, është se hadithi përfshin edhe sëmundjet e zemrës dhe shpirtit – si epshet, dyshimet, mëkatet dhe veset. Të gjitha këto sëmundje kanë ilaç. Allahu nuk ka zbritur sëmundje, pa zbritur edhe shërimin përkatës për të.

Në një hadith tjetër autentik thuhet se Profeti – paqja qoftë mbi të – u ngrit natën i frikësuar dhe tha: “Çfarë sprovash që ka zbritur Allahu në këtë natë! Dhe çfarë thesaresh ka zbritur po ashtu në këtë natë! Kush do t’i zgjojë zonjat e atyre dhomave (të grave të mia) që të falin namaz?” Këtu ai përmendi edhe sëmundjen edhe ilaçin (problemin dhe zgjidhjen). Kjo ndodh shpesh në tekstet e Kuranit dhe Sunetit: përmendet sëmundja dhe përmendet gjjthashtu edhe ilaçi.

Prandaj, Katade – Allahu e mëshiroftë – ka thënë: “Në këtë Kuran gjendet përmendja e sëmundjes dhe e ilaçit tuaj: sëmundja janë mëkatet, kurse ilaçi është istigfari (kërkimi i faljes).”

Si përfundim, përzgjedhja e Ibën Kajimit për ta filluar përgjigjen e tij me këtë hadith, ishte nga më të bukurat që mund të fillohet në një përgjigje. Pse? Sepse kur njeriu e dëgjon këtë hadith, ndërkohë që e ka kapluar dëshpërimi dhe e sheh sprovën të madhe e të pakalueshme, dhe mendon se nuk ka shpëtim, atëherë i thuhet: “Profeti – paqja qoftë mbi të – ka thënë: “Allahu nuk ka zbritur asnjë sëmundje, veçse ka zbritur për të edhe shërimin e saj.” Ky mesazh ngjall në zemër gjallëri, dhe motivim për të kërkuar ilaçin, largon dëshpërimin dhe përtacinë, dhe i jep zemrës shpresë dhe besim në shërim. Prandaj, ky hadith ka një ndikim të madh, dhe për këtë arsye, fillimi me të ishte ndër më të bukurit dhe më të mençurit.

Sa i përket hadithi tjetër në Sahihun e Muslimit ku përcillet nga Xhabiri (radijAllahu anhu) se Profeti – paqja qoftë mbi të – ka thënë: ““Çdo sëmundje ka ilaçin e saj. Nëse ilaçi qëllon mbi sëmundjen, ajo shërohet me lejen e Allahut.”

Fjalët “Nëse ilaçi qëllon mbi sëmundjen” do të thotë se i sëmuri shpëton nga ajo sëmundje apo dëm që e ka goditur.

Gjithashtu në hadithin tjetër të transmetuar nga Usama, Profeti – paqja qoftë mbi të – ka thënë: ““Allahu nuk ka zbritur sëmundje, pa sjellë edhe shërimin për të — e mësoi kush e mësoi, e injoroi kush e injoroi.”

Në një version tjetër thuhet: “Në një version tjetër thuhet: “Allahu nuk e ka vendosur ndonjë sëmundje, veçse ka vendosur për të edhe ilaçin ose kurën, përveç një sëmundjeje të vetme.” Ata thanë: “O i Dërguar i Allahut, cila është ajo?” Ai tha: “Pleqëria.

Nga fjala e Profetit “e mësoi kush e mësoi dhe e injoroi kush e injoroi”, kuptojmë se fjalët e njerëzve lidhur me mjekësinë – qofshin të zemrës apo të trupit – mund të bëhen me dituri ose padituri. Kushedi sa njerëz janë përpjekur ti shërojnë të tjerët pa qenë të pajisur me dituri dhe i kanë dëmtuar më shumë, duke u shkaktuar sëmundje edhe më të rënda sesa ato që kishin! E njëjta gjë vlen edhe për ata që flasin në çështjet e fesë, japin fetva, këshillojnë apo udhëzojnë pa dituri – ata shpesh i fusin të tjerët në sprova të mëdha dhe të rënda.

Profeti – paqja qoftë mbi të – ka thënë: “Kush orienton në një rrugë të gabuar, ai mban përgjegjësinë për pasojat që pëson ai që e ndoqi.” Pra, çështja është jashtëzakonisht e rrezikshme. Prandaj kurimi i sëmundjeve fizike apo kurimi i sëmundjeve shpirtërore duhet bërë me dije. Kush nuk ka dije, atëherë i mjafton atij heshtja.

Teksti: Ibën Kajimi (Allahu e mëshiroftë) shton: “Profeti – paqja qoftë mbi të – e ka konsideruar paditurinë si një sëmundje, dhe ilaçin e saj e ka bërë pyetjen e dijetarëve.”

Komenti: Kjo është një frazë e re, me të cilën Ibn Kajim argumentohet për të plotësuar kuptimin e mëparshëm: se hadithet që flasin për sëmundjen dhe ilaçin, përfshijnë ato të zemrës, shpirtit dhe trupit.

Teksti: Ebu Davudi në “Sunen”-in e tij përcjell nga Xhabir Ibn Abdilah i cili tregon: “Dolëm në një udhëtim dhe njëri nga ne u godit në kokë me një gur dhe u plagos rëndë. Më pas ai u ngrit xhunub, dhe i pyeti shokët: ‘A më lejohet të mar tejemum?’ Ata i thanë: ‘Nuk të lejohet, sepse ke mundësi të gjesh ujë .’ Atëherë ai u la (me gjithë plagën në kokë) dhe vdiq. Kur arritëm te Profeti – paqja qoftë mbi të – dhe ia treguam ngjarjen, ai tha: ‘E vranë! I vraftë Allahu! A nuk pyetën meqë nuk dinin?! Sepse të pyeturit është shërimi i injorancës . Atij do t’i mjaftonte të merte tejemum dhe të vendosnte një fashë mbi plagën e tij, dhe ti jepte mes’h, pastaj ta pastronte pjesën tjetër të trupit.’”

Teksti: “Pra, Profeti – paqja qoftë mbi të – e konsideroi injorancën si sëmundje ndërsa pyetjen e konsideroi shërimin e saj (paditurisë).”

Komenti: Po, sepse në këtë hadith madhështor Profeti (alejhi selam) tha: “A nuk pyetën meqë nuk dinin?!” Si guxuan të jepnin fetva pa dituri?! Pasojat e përgjigjes së tyre të gabuar ishin fatale – çuan në vdekjen e një njeriu – dhe Profeti – paqja qoftë mbi të – tha: “E vranë! I vraftë Allahu!” Duhet të ndalemi dhe të mendojmë thellë: Nëse kjo ka ndodhur në brezat e parë – në kohën e Profetit – si do të jetë gjendja në kohët e mëvonshme?! Pa dyshim, rreziku dhe dëmet janë edhe më të mëdha.

Në ditët e sotme, shumë fetva (gjykime fetare) të gabuara përhapen si zjarri në bar të thatë përmes teknologjisë moderne. Këto fetva mbështeten në devijime dhe gjëra të kota, duke i shtyrë njerëzit në mëkate dhe ndalesa. Profeti (paqja qoftë mbi të) ka thënë: “E vranë! I vraftë Allahu! “A nuk pyetën meqë nuk dinin?!” Sepse të pyeturit është shërimi i injorancës .”

Kjo do të thotë: Nëse njeriu vuan nga injoranca duhet të dijë se ilaçi për sëmundjen e injorancës është pyetja. I dërguari i Allahut na tregoi se injoranca është sëmundje, dhe shërimi i saj është të pyesësh njerëzit e ditur.

Allahu i Lartësuar ka thënë: “Pyesni dijetarët nëse nuk dini.” (En-Nahl: 43). Pra, injornaca është sëmundje dhe ilaçi i saj është dituria, kërkimi, pyetja e dijetarëve. Për këtë arsye ibn Kajim tregoi duke thënë se: Injoranca është sëmundje dhe ilaçi i saj është të pyeturit.

Ibën Kajimi – Allahu e mëshiroftë thotë: “Profeti – paqja qoftë mbi të – e konsideroi injorancën si sëmundje ndërsa pyetjen e konsideroi shërimin e saj (paditurisë).”

Komenti i librit “Sëmundja dhe Ilaçi” nga shejh Abdurrezak el Bedr

Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje: , ,

Loading...