Ligjërata e fundit

February 8, 2019

Ligjërata e fundit

Në një ditë si kjo në vitin 1421 hixhri, babai im Muhammed ibn Salih el Uthejmin – Allahu i Lartësuar e mëshiroftë – gjendej i shtrirë në shtrat duke lënguar prej sëmundjes, në dhomën e tij në xhaminë e shenjtë të Mekks fisnike. Në mëngjesin e asaj dite e kishte kapluar një lodhje e madhe, prandaj doktori i tij Abdurrahman en Neim vendosi të transportohej me urgjencë në spitalin e specialiteteve të mbretit Fejsal në Xhide. Dhe kështu e transportuam – Allahu e mëshiroftë – me ambulancë drejt e në spital. Atje i’u kushtua kujdes i plotë për një kohë prej 6 apo 7 orësh, dhe pas kësaj gjendja e tij filloi të qetësohej pak e nga pak.

Tashmë ishte afruar koha e daljes së namazit të Asrit (afër mbrëmjes), dhe ai – Allahu e mëshiroftë – kërkoi që të kthehej në Meke. Unë i thosha: Sot është dita e 29 dhe nesër mund të jetë Bajram, qëndrimi në spital për ty është më mirë. Kështu përpiqesha t’a bindja të qëndronte në spital në Xhide, por të gjitha përpjekjet e mia nuk patën sukses për t’a bindur. Unë përpiqesha të fitoja kohë me të derisa më tha: “Kërko që të na transportojnë (me ambulancë) përndryshe na merr një taksi.” Atëherë e kuptova se nuk i ikja dot më shoqërimit të tij për në Meke. Kështu përgatitëm ambulancën dhe u nisëm drejt haremit të Mekes (Qabes). Gjatë kësaj kohe ai merrte frymë nëpërmjet aparatit të oksigjenit.

Kur arritëm në Qabe e zbritëm dhe e mbartëm mbi supe me një barrelë të posaçme të ambulancës deri tek vendi ku qëndronte në Qabe, mes turmës së madhe të njerëzve (nata e fundit e Ramazanit, teravitë e fundit) dhe te këmbët i vendosëm hekurin e aparatit të oksigjenit. Ndërkohë që kishin njoftuar se Ramazani këtë vit ishte me 30 ditë, kështu që imami do të falte teravitë.

Pasi u qetësua dhe fali namazin e akshamit e të jacisë dhe imami e kreu edhe namazin e teravive në natën e 30 të Ramazanit, ai filloi të mbante ligjëratën e fundit të jetës së tij. Kishte një qetësi dhe një mënyrë të foluri që e bënte atë mësim në atë ditë Ramazani nga më të bukurit që kishte mbajtur ndonjëherë. Pasi mbaroi mësimin, u kthye nga unë dhe më tha: “E shikon, sikur të kishim ndenjur në Xhide çfarë shpërblimi madhështor do të na kishte ikur?!”

Allahu të mëshiroftë o babai im! Na dhe shembullin më të mrekullueshëm në durim, sakrificë dhe në përpjekje për të kërkuar atë që ishte tek Allahu.

Ibrahim ibn Muhammed el Uthejmin

Al Xhazira: 5. 8. 2014

Loading...