Ligji i pandryshueshëm i Allahut

September 21, 2024

Mashtruesi në të kotën do trajtohet me të kundërtën e qëllimit të tij, si nga ana e sheriatit ashtu dhe nga ana e ligjit universal.
Njerëzit kanë parë me sytë e tyre se ai që jeton me dredhi vdes me varfëri.

Prandaj, Allahu i Lartësuar i ndëshkoi ata që u përpoqën të anashkalonin pjesën e të varfërve gjatë korrjes, duke i privuar tërësisht nga ato fryte. Ai i ndëshkoi njerëzit e së shtunës që me mashtrim gjuajtën në ditë të ndaluar duke i shndërruar në majmunë dhe në derra.
I ndëshkoi ata që përpiqeshin të përfitonin nga paratë e njerëzve përmes kamatës duke ua shkatërruar pasurinë, siç thotë Allahu i Madhëruar: “Allahu e zhduk kamatën dhe i shton bamirësitë.” | El Bekare: 276.
Pasuria e fajdexhiut do të shkatërrohet pavarësisht se sa e madhe është ajo.

Pra parimi bazë është se Allahu i Lartësuar i ndëshkon autorët e krimeve me të kundërtën e qëllimeve të tyre. Ai bëri që ndëshkimi për gënjeshtarin të jetë që fjala e tij të shpërfillet dhe të refuzohet. Ai e ndëshkoi atë që vjedh nga plaçka e luftës duke synuar të shtojë pasurinë e tij me të, duke e privuar nga hisja e tij dhe duke i djegur mallin. Ai e ndëshkoi atë që gjuan në vendet e ndaluara, duke e penguar të hajë atë që ka gjuajtur dhe duke e dënuar financiarisht.
Ndëshkimi për atë që u rrit në arrogancë ndaj pranimit të së vërtetës dhe bindjes ndaj saj, ishte që ai të mbetet në poshtërsi dhe të vuajë sipas nivelit të arrogancës së tij.
Ndëshkimi për atë që u tregua mendjemadh dhe refuzoi robërinë dhe bindjen ndaj Allahut, ishte që ai të bëhej rob i atyre që i ishin përulur dhe i ishin bindur Allahut.

Kjo është një çështje shumë e gjerë dhe me dobi të mëdha. Kushdo që mediton mbi të do ta shikojë se ajo përfshin ndëshkimin e Zotit të Lartësuar për ata që shkelin urdhërat e Tij, duke ua kthyer qëllimin e tyre në të kundërtën si në këtë botë ashtu dhe në botën tjetër.

Rregulli i pandryshueshëm i Allahut në krijesat e Tij është që; kush mashtron do të mashtrohet, kush përpiqet të mashtrojë do të jetë viktimë e mashtrimit të tij, dhe kush mashtron të tjerët do të mashtrohet. Allahu i Madhëruar thotë: “Hipokritët përpiqen të mashtrojnë Allahun, por Ai do t’i mashtrojë ata.” | En Nisa: 142. Dhe thotë gjithashtu: “Dredhia e keqe nuk bie mbi askënd tjetër veçse mbi vepruesin e saj.” | Fatir: 43.
Nuk do të gjesh asnjë mashtrues veçse është mashtruar, asnjë gënjeshtar veçse është gënjyer, dhe asnjë përfitues veçse është përfituar ndaj tij.

Autor: Ibën Kajimi

Marrë nga libri: “Igathetu el lehfan”.

Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje:

Loading...