Lindja e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe disa nga shenjat që u shfaqën natën e lindjes së tij

Lindja e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe disa nga shenjat që u shfaqën natën e lindjes së tij.

I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) ka lindur ditën e hënë. Argument për këtë është hadithi të cilin e transmeton imam Muslimi në Sahihun e tij nga Ebu Katade, i cili tregon: Një burrë e pyeti Profetin (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) për agjërimin e ditës së hënë a është mirë të agjërohet ajo ditë?  Profeti (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) tha: “Ajo është dita në të cilën kam lindur dhe dita në të cilën filloi të më vinte shpallja.” [1]

Ditëlindja e Profetit (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) ka ndodhur në vitin që njihet si “Viti i elefantit”.

Nga Ibën Abasi (radijAllahu anhu) transmetohet: “Babai i tij, Abdullahu, ndërroi jetë ndërkohë që Profeti (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) ishte ende në barkun e nënës.”[2]

Transmetohet se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) ka thënë: “Para se të lindja, nëna ime pa (në ëndërr) se prej saj doli një dritë e cila ndriçoi kështjellat e Shamit.” [3]

Nga Muhamed ibën Is’haku transmetohet se Hasan ibën Thabiti ka thënë: Betohem në Allahun! Mbaj mend shumë mirë se kur isha i vogël, njomëzak, jo më shumë se shtatë apo tetë vjeç por i aftë të kuptoja, e kam dëgjuar një hebre në Jethrib i cili kishte hipur në taracën e një shtëpie dhe bërtiste me sa fuqi që kishte: “O ju hebrenj, mblidhuni!” Kur u mblodhën thanë të habitur: Çfarë ke, përse na mblodhe?! Tha: – Ka dalë mbrëmë ylli që sinjalizon lindjen e Ahmedit (profetit të shumëpritur). [4]

Ebu Nuajmi dhe Muhamed ibën Hajani transmetojnë nga Usame ibën Zejdi, e ky nga Amër ibën Nufejli, i cili ka thënë: “Kur ndodhesha në Sham, një prift hebre më tha: Atje, në vendin tuaj ka dalë një profet ose do të dalë shumë shpejt. Ylli që sinjalizon ardhjen e tij është shfaqur. Kthehu në vendin tënd, pranoje fenë e tij dhe pasoje atë.” [5]

Sa i takon shenjave të cilat janë përmendur në disa nga librat e historisë, janë:

Dridhja e fronit të Kisras [6], rrëzimi i ballkoneve të pallatit të tij, shuarja e zjarreve që adhuronin Farisejët (zjarrputistët), ëndrra që pa Mubadhani [7] si dhe të tjera shenja si këto.

Shejh Albani (Allahu e mëshiroftë!) thotë: Për asnjërën nga këto nuk ekziston ndonjë transmetim i saktë!

 

Shkëputur nga Libri: Historia Profetike e Saktësuar

Përktheu: E. AJDINI

 

[1] Them (El Albani): Sa i takon datës dhe muajit në të cilin ka lindur, në lidhje me këto kanë ardhur disa transmetime ashtu siç i ka përmbledhur Ibën Kethiri në librin e tij. Të gjitha ato janë pa zinxhir të plotë transmetimi dhe është e pamundur të bësh një analizë të mirëfilltë lidhur me saktësinë e tyre, ashtu siç kërkohet në shkencën e hadithit. Përjashtim bën vetëm transmetimi në të cilin tregohet se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) ka lindur në datën 8 të muajit Rabiul-Euel. Këtë e transmeton imam Maliku (Allahu e mëshiroftë!) dhe të tjerë me zinxhir transmetimi të mirë nga Muhamed ibën Xhubejr ibën Mut’im, i cili është tabi’in i nderuar. Kjo është arsyeja përse shumica e historianëve kanë marrë për bazë këtë datë si më të saktën, ndërsa dijetari i madh Muhamed bin Musa el Khauarizmi shprehej i bindur se ajo datë ishte ditëlindja e të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem). Tjetër mendim ka një pjesë e dijetarëve e bashkë me ta edhe Ebul Hatab ibën Dehijeh, të cilët shprehen se data më e saktë është dita e dymbëdhjetë e po atij muaji. Allahu e di më së miri!

[2] Kjo fjalë të cilën e transmeton Bejhakiu nga Ibën Abasi gëzon dakortësinë e të gjithëve. Po nga Ibën Abasi (radijAllahu anhu) e transmeton Hakimi, vëllimi 2 faqja 603, i cili thotë: Ky transmetim është i saktë dhe plotëson kushtet e Buhariut dhe Muslimit. Ky vlerësim i tij është i saktë dhe e ka miratuar vlerësimin e tij Dhehebiu. Një tjetër dëshmi që e mbështet të njëjtin transmetim është edhe hadithi i transmetuar nga Kajs ibën Mehrame, i cili thoshte: “Unë dhe i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) u lindëm në Vitin e elefantit, pra jemi moshatarë.” Fjalën e tij e transmeton Ibën Is’haku në “Es Sirah” vëllimi 1, faqja 167. Prej tij e transmeton edhe Hakimi i cili e ka vlerësuar si hadith të saktë që i plotëson kushtet e Muslimit. E ka miratuar vlerësimin e tij Dhehebiu, por e vërteta ështe se ky hadith nuk mund të ngrihet mbi gradën hasen – i mirë.

[3] E transmeton Ibën Is’haku vëllimi 1, faqja 175, dhe prej tij e transmeton Hakimi vëllimi 2, faqja 600, i cili thotë: “Zinxhiri i transmetimit është i mirë.” E miraton vlerësimin e tij Dhehebiu. Them (Shejh Albani): Fjala e tij është me vend pasi hadithi ka dhe dëshmi të tjera, disa prej të cilave i kam përmbledhur në librin tim “Silsiletu el ehadithi es sahiha” me nr. 1546. Hadithin e ka saktësuar Ibën Hibani me nr. 2093.

[4] Them (El Albani): Zinxhiri i transmetimit të këtij hadithi është hasen – i mirë. Hadithi me tekstin e mësipërm gjendet në librin “Es Sirah”, vëllimi 1 faqja: 168.

[5] Zinxhiri i transmetimit të këtij hadithi është hasen – i mirë.

[6] Perandorit të Persisë.

[7] Kështu emërtohej njeriu më i ditur në mesin e Farisejve, ai është i ngjashëm me Kryegjykatësin në mesin e muslimanëve. Është thënë po ashtu: Ai është njeriu që ka më shumë njohuri rreth fesë së tyre.