Luftëtarët e betejës së Bedrit

September 25, 2021

LUFTËTARËT E BETEJËS SË BEDRIT

“Allahu ka hedhur vështrimin e Tij mbi luftëtarët e Bedrit dhe ka thënë: Bëni ç‘të doni, sepse ju kam falur!” Profeti (alejhi selam).

Në vitin 480 para erës sonë treqind luftëtarë nga mbretëria e Spartës së Greqisë thyen një ushtri gjigande që përbëhej prej pesëdhjetë mijë luftëtarësh Persë, të cilët ishin nisur drejt tokave greke për t’i pushtuar ato. Ndonëse në këtë betejë e cila u zhvillua në luginën e Termopilëve në brigjet e Greqisë ranë të treqind luftëtarët, Grekët ende sot e kësaj dite e përkujtojnë trimërinë dhe sakrificën e këtyre heronjve.

Komandanti i këtij legjioni vetëflijues Leonidha ende sot e kësaj dite nderohet si hero kombëtar në Greqi. Edhe pse populli grek e ka ekzagjëruar këtë tregim dhe e ka përzier atë me legjenda të lashta greke, prapëseprapë unë u jap të drejtë atyre në nderimin që u bëjnë heronjve të cilët thyen sulmin e një ushtrie gjigande Perse (ndonëse shifrat e cituara mbi numrin e ushtrisë Perse në këtë betejë janë të ekzagjëruara nga ana historike).

Nga ana tjetër, është vërtetuar historikisht se një mijë vjet pas ngjarjes së lartpëmendur u shfaqën 314 burra që triumfuan në një betejë vendimtare në historinë e njerëzimit që ndryshoi hartën e botës përgjithmonë. Falë këtij triumfi ata arritën të shpartallojnë njëherë e përgjithmonë perandorinë Perse dhe pas saj perandorinë e madhe Romake. Vetëm 314 burra ndryshuan rrjedhën e historisë në një betejë njerëzore të pavdekshme, e cila bëri ndarjen midis të vërtetës dhe të kotës deri në ditën e fundit. Këtë betejë Allahu e ka cilësuar në Librin e Tij si dita e ndarjes midis të vërtetës dhe të kotës. Mund të themi, pa e tepruar, se kjo ishte beteja më madhështore që kishte parë ndonjëherë njerëzimi përgjatë gjithë kohërave, dhe këta kalorës ishin kalorësit më të mëdhenj. Bëhet fjalë për betejën e madhe të Bedrit, heronjtë e së cilës morën titullin ”Luftëtarët e Bedrit”.

Mbase dikush mund të thotë se këta 314 luftëtarë triumfuan thjesht në një betejë të kufizuar, në një tokë të panjohur të shkretëtirës arabe e cila mezi dallohet në hartën e botës. Dhe se perandoria Sasanide Perse ra 20 vjet më vonë, pikërisht pas betejës së Nehavendit gjatë sundimit të Uthmanit (radijallahu anhu). Ndërsa perandoria Romake ra tetë apo më shumë se tetë shekuj më pas, pikërisht gjatë sundimit të Muhamed Fatihut (radijallahu anhu).

Le të imagjinojmë sikur Kisra mbreti i Persëve dhe Çezari mbreti i Romakëve të ishin në dijeni të atyre 314 kalorësve dhe për rrezikun që ata përbënin për perandoritë e tyre, rrënjët e të cilave kishin depërtuar thellë nëpër histori. A do t’i linin ushtritë Perse dhe Romake këta kalorës të qetë në punën e tyre? A thua vallë mesazhi i Muhamedit (alejhi selam) do të mbërrinte tek unë dhe tek ti nëse këta burra do të ishin zbrapsur sikur dhe një pëllëmbë nga sakrifica dhe flijimi i tyre? A do të meritonte njerëzimi të ekzistonte nëse këta burra do të ishin shpartalluar?

Nëse mendon se beteja e Bedrit ishte thjesht një betejë që u zhvillua midis 314 burrave muslimanë  dhe 1000 burrave të pafe, atëherë dëgjoji me kujdes fjalët e besnikut të drejtë Muhamedit (alejhi selam) i cili nuk fliste nga mendja e tij lidhur me atë legjion të Bedrit. Ai i ngriti duart lart drejt qiellit duke i’u lutur Zotit të tij me fjalët: “Zoti im, nëse ky legjion luftëtarësh muslimanë shpartallohet nuk do të adhurohesh më në tokë!” A e kupton vlerën e këtyre 314 vetave tani? A do të dije gjë mbi Islamin pa ta? A i mban mend emrat e këtyre kolosëve të cilët ndryshuan drejtimin e njerëzimit? Sa prej emrave të tyre di? 100 emra? 50 emra? 20 emra? A i di emrat e 14 martirëve të këtyre kalorësve që ranë në betejën e Bedrit vetëm e vetëm që kjo fe të arrijë deri tek ti teksa qëndron i ulur në shtëpinë tënde? A ke lexuar apo dëgjuar gjatë jetës tënde të gjatë për një burrë me emrin Muadh i biri i Afrasë? Sa emra këngëtarësh di? Sa emra lojtarësh mban mend?

Ishin këto disa rreshta të pakët mbi ushtrinë më madhështore që njohu ndonjëherë njerëzimi që nga zanafilla e tij, “Ushtria e betejës së Bedrit”. Nëse perëndimi e ka ndarë historinë në ”para krishtit” dhe ”pas krishtit”, Zoti i perëndimit dhe i lindjes e ndau atë me betejën e madhe të Bedrit, me ”ditën e ndarjes së të vërtetës nga e pavërteta”!

Zoti i gjithësisë i dinte synimet e sinqerta të luftëtarëve të Bedrit, ndaj u dërgoi atyre për përforcime një legjion engjëjsh që luftuan krah për krah me ta duke damkosur kundërshtarët! Allahu dërgoi 50 mijë engjëjt më të mëdhenj në gjithë historinë! Ata ishin më të mëdhenjtë jo për ndonjë arsye tjetër veç asaj se ata morën pjesë përkrah luftëtarëve të Bedrit në këtë betejë të pavdekshme.

 

Përktheu: Rexhep Milaqi

Loading...