Lutja – Duaja
Lutja është prej mjeteve të ligjshme për plotësimin e nevojave të robërve, dhe është ndër format më të qarta të përuljes dhe nënshtrimit ndaj Zotit të Gjithësisë. Ajo është burim shprese dhe optimizmi, ajo është shenjë e besimit dhe e devotshmërisë. Ajo është një prej formave të adhurimit andaj nuk lejohet që besimtari t’i drejtohet me lutje dikujt tjetër përveç Allahut të Madhëruar. Feja Islame e edukon besimtarin që lutja të ketë gjithmonë përparësi në zgjidhjen e nevojave të tij. Lutja ishte simbol i mbarë Profetëve të Allahut.
Allahu i Madhëruar thotë: ‘’E kur robërit e Mi të pyesin për Mua, Unë jam afër. I përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet.’’ Bekare: 186.
Gjithashtu thotë: ‘’ Luteni Zotin tuaj të përulur e në heshtje se Ai nuk i do ata që e teprojnë.’’ Araf: 55.
Profeti (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: ‘’Nuk ka gjë më të nderuar tek Allahu se lutja.’’ Ahmedi: 8748.
Gjithashtu ka thënë: ‘’Lutja është adhurimi vetë.’’ Ahmedi: 18352.
KUSHTET E PRANIMIT TË LUTJES:
1. Vendosmëria dhe këmbëngulja ndërsa lutemi. Profeti (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: ‘’(Lutësi) duhet të lutet me vendosmëri.’’ Buhariu: 6339.
2. Të tregohet nënshtrueshmëri dhe përulje gjatë lutjes. Allahu i Madhëruar thotë: ‘’ Luteni Zotin tuaj të përulur e në heshtje se Ai nuk i do ata që e teprojnë.’’ Araf: 55.
3. Mosnxitimi për pranimin e lutjes. Thotë Porfeti (Paqja qoftë mbi të): ”Lutja i pranohet gjithkujt për sa kohë që nuk ngutet dhe thotë: E kam lutur Zotin tim por nuk më është përgjigjur!’’ Buhariu: 6340. dhe Muslimi: 2735.
4. Ushqimi me hallall që konsiderohet kusht themelor për pranimin e lutjes. Për këtë Profeti (Paqja qoftë mbi të) ka cekur shembullin e njeriut që është në një udhëtim të gjatë, me flokët e shprishur dhe trupin e pluhurosur. Ai është ushqyer me haram, ka pirë haram dhe ka jetuar me haram, atëherë si t’i pranohet lutja atij?” Muslimi: 1015.
5. Kërkesa të jetë e ligjshme. Profeti (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: ‘’Cilido musliman që bën një lutje e cila nuk përmban mëkat…’’ Ahmedi: 11133.
DISA SHKAQE TË PRANIMIT TË LUTJES:
1. Udhëtimi. Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Janë tri lutje të cilat janë të pranuara pa asnjë mëdyshje: lutja e atij të cilit i është bërë padrejtësi, lutja e udhëtarit dhe lutja e prindit për fëmijën e tij.” Në një transmetim tjetër të këtij hadithi qëndron: “… dhe lutja e prindit kundër fëmijës së tij.” Tirmidhiu: 1905.
Udhëtimi i gjatë përmban lodhje dhe mundime të ndryshme, si dhe mall për familjen, atdheun, të afërmit dhe miqtë. Kjo bën që njeriu të ndihet nevojtar dhe i përulur para Zotit të tij dhe për rrjedhojë lutjet që ai bën dalin nga thellësia e zemrës dhe janë të sinqerta. Përulja dhe sinqeriteti janë dy nga kriteret kyçe të pranimit të lutjeve.
2. Thjeshtësia dhe përulja para Allahut. Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Ka njerëz të atillë që janë të pluhurosur dhe me flokë të shprishura të cilëve nuk u kushtohet vëmendje, saqë nëse do të trokisnin në dyert e njerëzve do t’i largonin ata. Porse, po të luteshin duke u betuar në emrin e Allahut Ai do t’ua pranonte lutjen.” Muslimi. 2622.
3. Ngritja e duarve drejt qiellit. Pejgamberi (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë: “Vërtetë, Allahu është i turpshëm dhe bujar. Atij i vjen turp që kur njeriu i ngre duart lart drejt Tij (me lutje) t’ia kthejë bosh (pa përgjigje).” Tirmidhiu: 3556.
TRI NDARJET E LUTJES PËRSA I TAKON PRANIMIT:
Profeti (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: ‘’Secilit musliman që bën një lutje e cila nuk përmban mëkat e as prishje të raporteve me të afërmit, Allahu do t’i japë një nga këto tri gjëra; ose i’a pranon lutjen, ose i’a rezervon shpërblimin e saj në botën tjetër, ose largon nga ai një të keqe po aq sa ajo.’’ Ahmedi: 11133.
Përshtati: Rexhep Milaqi
Të Ngjashme
- A është e lejuar për gruan me mestruacione që të bëjë Istihara? Udha e Besimtarëve
- Nata e Kadrit Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Bëhu i begatë kudo që të jesh Udha e Besimtarëve
- Përmendja e të metave dhe hapja e derës së dëshpërimit Udha e Besimtarëve
- Vepro duke qenë i pajisur me dituri Udha e Besimtarëve