Lutja e profetit Jusuf

Lutja e profetit Jusuf (alejhi selam)!

“Zoti im, Ti më dhurove pushtet dhe më mësove komentimin e ëndrrave. Ti je Ai që u dhe formë qiejve dhe tokës, Ti je përkrahësi im në këtë jetë dhe në tjetrën. Më bëj të vdes si musliman dhe më bashko me të mirët!” (Jusuf: 101)

Dobitë:

1. “Ndërsa të mirat e Zotit tënd përmendi (fol për to).” (Duha: 11)
2. “Zoti im, ashtu siç i krijove qiejt e tokën dhe kujdesesh për to, kujdesu edhe për mua në këtë botë dhe në botën tjetër.” 
3. Shikoni këtë rob të Allahut, ishte i dërguar i Zotit dhe dëshira e tij më e madhe ishte që të vdiste si musliman! Çfarë mund të themi ne të tjerët? Allahu na forcoftë në këtë fe deri në fund!
4. “Më bashko me të mirët!” Shoqëria e mirë ka një rol të pazëvendësueshëm në jetën e njeriut nga të cilët njeriu nuk dëshiron të ndahet në asnjërën botë.
5. Kjo është mbyllja më e bukur e historisë; “dhe përfundimi i mirë u takon të devotshmëve”.
6. Këto janë fjalët e një triumfatori të vërtetë në çdo aspekt. Triumfoi mbi të gjitha pengesat që i vendosën në rrugën për tek Zoti i tij, dhe me modesti falënderon Allahun për të gjitha sukseset e tij gjigande në jetë. Ai nuk u krenua në asnjë çast me fuqitë e tij; as me fuqinë e karakterit, as me fuqinë e urtësisë, as me atë të pushtetit, e as me bukurinë.

Falënderimi i takon Allahut me ndihmën e të Cilit përsosen mirësitë!