Të nderuar besimtarë, ne jemi në një kohë ku sfidat dhe rreziqet sa vijnë e shtohen. Rrezik për veten dhe frikë për pasardhësit, vështirësi në fitimin e rizkut, e të tjera vështirësi të panumërta që të gjithë ne i dimë.
Këtu lind nevoja të dimë se cilat janë ato gjëra që e nxisin njeriun për ambicie të larta dhe synime të qarta për të mbërritur kështu interesat e shpresuara dhe të dobishme.
Nëse njeriu është me vizion të qartë dhe i mbështetur në Zotin e gjithësisë, nuk ka gjë që mund ta frikësojë.
Nëse ai i bën shkaqet dhe i mbështetet Zotit të këtyre shkaqeve, padyshim që do ja dalë dhe do i arrijë synimet e tij.
Kur njeriu e lidh zemrën me krijuesin dhe e shkëput prej krijesave, i bën shkaqet që kërkohen, shkaqet fizike dhe ato materiale, ai shndërrohet në një njeri me energji të palodhshme, e trajnon veten për vështirësitë dhe i duken të lehta, kjo sepse ai është i bindur dhe i sigurt në premtimin e Zotit ku thotë: “E kush i frikësohet Zotit, Ai i jep zgjidhje nga nuk e pret dhe e furnizon andej nga nuk e pret, e kush i mbështetet Allahut, Ai i mjafton atij”.
Njëri nga selefët ka thënë: “Nëse dikush do ti mbështetej Zotit me sinqeritet, prijësit do kishin nevojë për të, e kështu me radhë.”
Ai që jetën e tij e ka lënë në dorë të Zotit, e konsideron gjithçka pronë të Zotit të Lartësuar, njerëzit robër të krijuesit, ndërsa rizkun e sheh në dorë të Tij, ndërsa caktimin e Zotit e sheh se do realizohet për mbarë krijesat e tij.
Për këtë arsye Zoti i gjithësisë i ka urdhëruar njerëzit që t’i mbështeten Atij ku thotë: “Mbështetju të Gjallit që nuk vdes kurrë, mbështetuni Allahut në qofshi besimtarë!”.
Kush nuk i kushton rëndësi këtyre urdhëresave kuranore, ai do bjerë në sprova dhe do e kaplojë frika.
Mbështetja tek Allahu është një term madhështor, një synim i lartë. Ai që i mbështetet Allahut të Lartësuar, e ka konsideruar si ruajtës dhe mbikqyrës për çdo gjë të tijën, garant të interesave të tij, pa bërë ndonjë lodhje dhe angazhim të madh.
Ai që i mbështetet Allahut, është i bindur se gjithçka është caktuar për të, me patjetër që do e arrijë, kjo sepse gjykimi i Zotit nuk ndryshohet.
Thotë Allahu i Lartësuar: “Në qiell është furnizimi juaj dhe gjithçka që ju është premtuar. Betohem për Zotin e qiellit dhe të tokës, se kjo është e vërtetë ashtu siç është i foluri juaj!” Edh-dharijat 22-23.
Ndër shpjegimet e këtij ajeti është, se Zoti nuk është mjaftuar vetëm me përmendjen e garantimit të rizkut, por dhe është betuar për realizimin e diçkaje të tillë.
Haseni ka thënë: “I mallkoftë Allahu ata njerëz të cilëve iu betua Allahu dhe ata s’e besuan.”
Transmetohet se Melaiket, kur ka zbritur ky ajet kanë thënë: “Këtu është fundi i bijve të Ademit, e kanë mërzitur Zotin aq shumë sa është detyruar t’u betohet atyre.”
Thotë Profeti a.s: “Nëse do i mbështeteshit Allahut, sikurse duhet, Ai do ju furnizonte ashtu sikurse i furnizon shpendët të cilët dalin të uritur në mëngjes dhe kthehen të ngopur në darkë”, Ahmedi
Ai që i mbështetet Allahut, është i sinqertë dhe i drejtë në mbarëvajtjen dhe lehtësimin e punëve të tija, si dhe në përfitimin e më të mirës dhe ruajtjes nga e keqja.
Ai është i bindur në premtimin e Zotit, i sigurt se nëpërmjet mbështetjes tek Zoti i gjithësisë kjo i mundëson realizimin e synimit të tij dhe i largohet ajo prej të cilës frikësohej.
Ai që i mbështetet Allahut, i mbështetet si rezultat i bindjes që ka në madhështinë e Tij, si dhe për mendimin e mirë që ka për Të.
Një njeri i tillë, i shkëput shpresat tek krijesat, nuk i frikësohet pasojave pasi që i ka bërë shkaqet sipas të lejuarës, duke ia atribuuar forcën dhe pushtetin vetëm Allahut të Madhëruar.
Sepse vetëm Zoti është Ai që ka mundësinë e realizmit, në dorën e tij është dobia dhe dëmi, dhënia dhe privimi, dhe se ajo që Ai dëshiron bëhet dhe ajo që Ai nuk do, nuk bëhet.
Thotë Allahu i Madhëruar: “Çfarëdo që ju të dëshironi, dijeni se do bëhet ajo që dëshiron vetëm Allahu!”.
Mbështetja në Allahun, do të thotë t’i dorëzohesh Allahut në çdo gjë, ndërsa shkaqet s’janë tjetër vetëm se ndërmjetës që nuk mund t’u mbështetemi atyre.
Njeriu duhet të përkujdeset për shkaqet e dukshme, por kjo s’do të thotë se duhet t’i mbështetet atyre me zemër, por duhet t’i mbështetet Krijuesit dhe Sajuesit, bashkë me dorëzimin ndaj caktimit të tij.
“Kur të vendosësh për diçka, mbështetu tek Allahu”, Ali imran 159.
Vëllezër të nderuar! Kush e kompleton devotshmërinë, dhe është i sinqertë në të mbështeturit Allahut, le ta dijë se ka zotëruar kërkesat më të duhura dhe synimet më të larta.
Kush ia dorëzon çështjet e tij Zotit, i mbështetet Krijuesit të tij, , i penduar për tek Ai, i përgjëruar dhe i bindur, le ta dijë se për çdo preokupim do i japë lehtësim, në çdo ngushticë do i japë zgjidhje, do e furnizojë andej nga nuk e pret, do e furnizojë me mirësi të shumta, do e ruajë nga çdo e keqe dhe e ligë, dhe në fund do dalë i fituar e triumfues.
Thotë Allahu i Lartësuar duke përshkruar robin e mirë: “Unë çështjen time ia lë Allahut, sepse Ai i sheh vërtetë robërit e Vet. Dhe Allahu e ruajti atë prej të këqijave dhe kurtheve të tyre, ndërsa ithtarët e faraonit i kaploi dënimi i ashpër”, Gafir 44-45.
Abdullah ibn Abasi ka thënë: “Na mjafton neve Allahu, sa Mbrojtës i mirë që është Ai”, këtë e tha Ibrahimi a.s kur u flak në zjarr, e tha dhe Muhamedi a.s kur i thanë ajetin e lartpërmendur.
Thotë Profeti a.s: “Kush thotë kur del prej shtëpisë së tij, me Emrin e Allahut, Atij i mbështetem, dhe askush nuk ka forcë dhe mundësi veç Allahut, i thuhet atij: “U udhëzove, u mjaftove, sigurove mbrojtjen, dhe shejtani do të largohet prej teje!”
Zoti na dhëntë bereqet në sa dëgjuam, kërkoj falje për vete, për ju dhe për mbarë myslimanët për çdo gjynah, kërkojini falje se me të vërtetë Ai është Falës i Madh!
Hytbe 2
Çështjen tënde lërja në dorë Zotit, ji i sinqertë në të mbështeturit Atij, bëji dhe shkaqet që kërkohen prej teje dhe ji i bindur se ai që i gatit punët e qiellit dhe të tokës, Ai që di të dukshmet dhe të fshehtat, Ai që i di gjërat nga të gjitha aspektet, dhe ai që ka mundësinë e plotë, të kaplon ty me butësinë e diturisë së tij, ashtu siç di vetëm Ai dhe s’mundet askush sado i zgjuar të të gatisë e të të sajojë.
Merru me veten tënde, angazhohu me adhurimin e Zotit tënd dhe dije se ai që i mbështetet Atij ka siguruar dhe ka shpëtuar prej rreziqeve, mendjen e ka të qetë, zemrën të sigurt, dhe do të jetë i pajtuar me rezultatin që do arrijë pas punës së bërë.
Robi nuk e di se ç’është më e mirë për të, por ai i mbështetet Atij që është më i Mëshrishëm se prindërit e tij.
Zot lartësoje islamin dhe myslimanët, kushdo që planifikon ndonjë të keqe për myslimanët, bëje të angazhohet me veten e tij dhe kurthet ktheja tek vetja e tij.
Zot fali myslimanët dhe myslimanet, besimtarët dhe besimtaret, të gjallët dhe të vdekurit e tyre!
Zot na jep të mira në këtë botë dhe të mira në botën tjetër!
Zot përmirësoje gjendjen e myslimanëve, në të tashmen e tyre dhe në të ardhmen e tyre!
Hutbeja e xhumasë nga xhamia e Profetit a.s 7.dhul Ka’deh.1439 /20.7.2018
Dr.Husejn Al shejh
Dosje: mbështetja tek Allahu, Tevekuli
Të Ngjashme
- Mirësitë e Allahut kërkojnë falënderim Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Dhjetë mënyra për tu mbrojtur nga shejtani Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Ramazani – testi dhe dhurata e radhës Emin Bilali
- Mësime dhe dobi të përfituara nga surja El Ihlas Udha e Besimtarëve
- Mësime dhe dobi të përfituara nga surja Ed Duha Udha e Besimtarëve