Ramazani – testi dhe dhurata e radhës

March 3, 2024

Të nderuar vëllezër! Allahu i Madhëruar na krijoi për të na sprovuar, për të dalë në shesh se cili prej nesh është më punëmirë: “I Cili krijoi vdekjen dhe jetën për t’ju sprovuar cili prej jush bën vepra më të mira. Ai është i Plotfuqishmi (për t’ju kthyer edhe njëherë si ju krijoi pas vdekjes, dhe për tu marrë në llogari se ç’keni bërë me jetët tuaja, me kohën që ju dha në dispozicion). Falësi i madh (i gjynaheve të besimtarëve, të atyre që u përpoqën të fitonin faljen e Tij).” ” El Mulk: 2. Pra, kjo sprovë që e ka emrin jetë është e gjitha një test nga Zoti për ne. Cilat janë pjesët përbërëse të këtij testi? Ato janë: Njësimi i Allahut dhe ndjekja e rrugës së të Dërguarit të Tij sal-lAllahu alejhi ve sel-lem. Ne jemi në test nga Zoti që na ka krijuar, a do të adhurojmë vetëm Atë dhe do të pasojmë rrugën e të Dërguarit të Tij sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, apo jo.

Testi tjetër më i madh mbas kësaj është namazi, test ditor për të gjithë muslimanët që janë me mendje të shëndoshë. Testi tjetër është zekati, test vjetor për të pasurit. Ramazani është dhurata e radhës por edhe testi i radhës. Ndërsa haxhi është testi i jetës për të pasurit dhe të shëndetshmit. Test tjetër është dhe edukata jonë ndaj Zotit, ndaj të Dërguarit të Tij sal-lAllahu alejhi ve sel-lem dhe ndaj njerëzve në përgjithësi, duke filluar me prindërit tanë, me gratë, fëmijët, shokët dhe të afërmit.

Ushtrinë e gjynaheve që janë grumbulluar gjatë vitit ke mundësi ta shpartallosh në Ramazan, ushtri e rrezikshme, madje më e rrezikshme se çdo ushtri tjetër armike. Bëhet fjalë për ushtrinë e gjynaheve të vogla të neglizhuara dhe të nënçmuara. Kjo ngase gjynahet e mëdha duan një tjetër adhurim e ai është pendimi, i cili është dhe kundërhelmi i tyre. Nuk bën punë Ramazani për t’i shlyer gjynahet e mëdha, si p.sh.; kamatën (apo kreditë siç i quajnë me embëlsi shejtanore në këtë luftë me Allahun, Allahu na ruajt), vrasjen, vjedhjen, magjinë, imoralitetin, përgojimin, shpifjen, mungesën e respektit ndaj prindërve, mosfaljen e namazit, gjynah që është edhe më i madh se të parat. Ndërsa idhujtaria (t’i lutesh dikujt tjetër veç Zotit), të bësh kurban për dikë tjetër veç Allahut, të besosh se përveç Allahut ka edhe të tjerë që veprojnë në këtë botë, kjo nuk është gjynah i madh dhe dalje nga feja dhe s’të mbetet më asnjë punë e mirë me to.

Gjynahet bëhen shkak që të privohesh nga suksesi hyjnor dhe nga dhurata që u jep Allahu robërve të Tij të bindur: “Kush e agjëron Ramazanin me besim dhe shpresë, i falen gjynahet e kaluara.”

Ramazani është rasti ideal për tu shkëputur prej tyre dhe për të mbjellë në shpirt zakone të reja të bukura, si dhe të shkulësh prej shpirtit veset e këqija. Rast ideal për tu përgatitur dhe për tu furnizuar në udhëtimin tënd drejt Allahut me vepra të mira dhe me devotshmëri, të cilat do të të duhen kur të takohesh me Zotin tënd e të të pyesë: “Ç’ke bërë për Mua? Çke bërë për të fituar Xhenetin?” Dhe atë ditë nuk mjafton përgjigja: Të kam besuar dhe s’kam punuar për këtë ditë. Atë ditë duhet besim dhe punë e mirë. Ata që besuan dhe bënë vepra të mira, xhenetet e Firdeusit do të jenë vendbanimi i tyre (i përjetshëm).

Sa po punon për vendbanimin tënd të përjetshëm? Sepse këtë në të cilin do të jetosh vetëm 60-70 vjet e ke perfeksionuar, luks, me 2, 3, 4 apo 5 yje. S’ka problem, vetëm puno për çdo shtëpi sipas kohës që do të kalosh në të, për këtë të përkohshmen dhe për të përjetshmen. Në Ramazan ke shans të fitosh shumë shpërblime për të rregulluar të ardhmen tënde pas vdekjes. Të pastrosh shpirtin, ta dlirësosh, të lumturohesh në një dimension tjetër që përditshmëria s’të lë ta shijosh. Si e arrin Ramazani këtë sukses në jetën e njeriut? Me adhurimet që Allahu ka ligjëruar në të; me largimin nga pija, nga ushqimi dhe nga epshet e tua gjatë ditës për hir të Allahut në shenjë bindje ndaj urdhërit të Zotit tënd. I Madhëruari aq shumë e deshi njeriun dhe u kujdes për të që ta edukonte dhe ta përsoste, saqë i ligjëroi këto adhurime.

Pesë namazet ditore janë detyra jote më e madhe në jetë, më e madhe edhe se agjërimi i Ramazanit, se zekati dhe haxhi, kjo pas njësimit të Allahut. Këto adhurime synojnë të të bëjnë rob më të mirë të Allahut, por edhe krijesë më të dobishme dhe të bukur përballë krijesave të tjera. Në Ramazan gjatë ditës agjëron dhe lexon Kuran, gjatë natës fal namazet e teravive dhe dëgjon më shumë Kuran që lexohet në to. Të gjitha këto ndikojnë në shpirtin tënd, e purifikojnë dhe e lumturojnë njëkohësisht.

Mësimi i Ramazanit: Ti pate mundësi të heqësh dorë nga gjërat e lejuara për hir të Allahut, dhe tani do ta kesh më të lehtë të heqësh dorë edhe nga të ndaluarat përsëri për hir të Zotit që të ruhesh nga dënimi i Tij, të fitosh shpërblimet dhe nderimet e Tij të jashtëzakonshme që shtrihen në këtë jetë dhe në tjetrën të përjetshmen. Kjo është devotshmëria që erdhi të ta mësonte dhe të ta lehtësonte Ramazani. Ai erdhi të të japë sukses të kryesh adhurimet, namazet dhe agjërimin, dhe të ta bëjë të lehtë të largohesh nga të ndaluarat e gjuhës si: përgojimi, shpifja për nderin e muslimanëve, ngatërrimi i muslimanëve me gojën tënde. Madje edhe nga gjëra më të lehta se kjo; as britmat nuk të lejohen, ngritja e zërit gjatë agjërimit, edhe ajo nuk i ka hije gjendjes së një adhuruesi.

Agjëruesi është duke kryer një adhurim\ që zgjat një muaj, 29 ose 30 ditë. Qetësia që i fal ky adhurim kaq i gjatë duhet të shfaqet në të gjitha gjymtyrët e tij, zemra të lidhet me Allahun më shumë, me fjalën e Tij Kuranin që e edukon, e paralajmëron dhe i tregon rreziqet që i kanosen gjatë rrugëtimit të tij drejt Zotit. I kujton ditën e llogarisë dhe të shpërblimit që është duke ardhur. E nxit të përgatitet siç duhet për ditën e takimit të madh ku do të takohet krijesa me Krijuesin, gjynahqari me gjynahun, i padrejti me atë që i ka bërë padrejtësi.

Çdo vit që Allahu na dhuron është i mbushur me mirësi për ne nëse dimë t’i shfrytëzojmë ato, çdo ditë kemi mundësi të falim namaze, të lidhemi me Zotin tonë, të shkarkojmë energjinë negative, stresin që shkaktojnë gjynahet tona ditore, dhe të rehatojmë shpirtin nga kjo barrë e rëndë e gjynaheve që jo vetëm e ndotin shpirtin por edhe e lodhin dhe e ngushtojnë kraharorin.

Vjen koha për të dhënë zekatin për atë pasuria e të cilit ka kaluar 5000 euro dhe ka qëndruar një vit tek ai, e jep 2.5% të saj dhe Allahu të jep bereqet në pasurinë tënde dhe në fëmijët e tu. Vjen koha e Ramazanit ku trupi përmirësohet dhe shpirti gjithashtu, përmirësim i njëkohshëm për të dy elementët përbërës të krijesës njeri, elementë të cilët asnjërin prej tyre kjo fe e Allahut nuk e ka neglizhuar apo e ka lënë pas dore.

“Por që të agjëroni është më mirë për ju, sikur ta dinit.” | El Bekare: 184.

“O i Dërguar i Allahut, më urdhëro me një punë! – Agjëro, sepse nuk ka të barabartë me të.” Sahihu En Nesai 2222.

“Kush agjëron një ditë në rrugë të Allahut, ja largon Allahu fytyrën nga zjarri 70 vjeshta (70 vjet larg zjarrit).” Buhariu 2840, dhe Muslimi 1153.

“Kush agjëron një ditë në rrugë të Allahut, largohet zjarri prej tij 100 vjet.” Sahihu et tergib 988. Sahihun li gajrih.

“Kush agjëron një ditë në rrugë të Allahut, Allahu do të bëjë mes tij dhe zjarrit një hendek sa distanca mes qiellit dhe tokës.” Sahihu et tergib 1258. Hadith hasen.

“O ju që keni besuar, përgjigjiuni Allahut dhe të Dërguarit kur ju ftojnë për tek ajo që u jep jetë!” | El Enfal: 24. Përgjigjuni, bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij të cilët ju ftojnë për te kjo fe, me zbatimin e së cilës ju do të jetoni të lumtur në të dyja botët. Në komentin e asaj që u jep jetë kanë thënë: “Ai është Kurani, me të jeton (jetë të denjë), me të shpëton, dhe ai të mbron nga shkatërrimi në të dyja botët.” (Tefsirul Begauij). Po, me Allahun jeton duke e njësuar Atë të Madhëruarin, me Profetin sal-lAllahu alejhi ve sel-lem duke ndjekur traditën dhe jetën e tij hap pas hapi. Me namaz jeton, me zekat, me agjërim, me haxh, me Islam jeton jetën njerëzore më të bukur. Falënderimi i takon Allahut!

Islami ka ardhur me një sistem të mahnitshëm rregullash dhe ritualesh që i dhurojnë jetë të plotë të dy elementeve përbërës të krijesës njeri; trupit dhe shpirtit. Jetë të këndshme të cilën e përjeton që në këtë dynja, gradën më të lartë të së cilës do ta përjetojë në Xhenetin e përjetshëm aty ku Allahu i Madhëruar i përshëndet me selam robërit e Tij të zgjedhur dhe i nderon. Edhe engjëjt janë vizitorë të përhershëm të besimtarëve, edhe besimtarët më fisnikë që ka parë kjo tokë: profetët, përkrahësit e tyre, bashkudhëtarët, bashkëluftëtarët dhe bashkëvuajtësit e tyre për këtë kauzë të madhe, për këtë fe madhështore të Allahut.

Kjo fe është programi më i mirë jetësor për llojin njeri. Çdo gjë që përpiqet ta zëvendësojë atë, jo vetëm që është e dështuar por edhe do t’i shkaktojë më shumë torturë shpirtërore dhe fizike njeriut. Qëndrimi larg nga rruga që Allahu ka vizatuar për njeriun në fenë e Tij do të sjellë pasoja shkatërrimtare për vet njeriun, përndryshe Zoti i qiejve dhe i tokës e çka mes tyre ishte Zoti i tyre dhe do mbetet ashtu. Zot i Plotpushtetshëm, ju bindën apo s’ju bindën disa prej krijesave të Tij. Në fund të fundit Ai nuk i krijoi ata për të përfituar diçka prej tyre, por përkundrazi, i krijoi që vet ata të përfitonin sepse Allahu është i Pasur dhe s’ka nevojë për asgjë dhe askënd; as për Arshin, as për fronin e Tij madhështor, as për mbajtësit e Arshit, engjëjt gjigant që vetëm Allahu e di sa të mëdhenj janë, as për të gjithë engjëjt që janë më të shumtë edhe se kokrrizat e rërës në tokë, për askënd. Përkundrazi, të gjitha krijesat kanë nevojë për Allahun. Edhe njerëzit një pjesë e krijesave të Zotit nga më të nderuarat, ata të gjithë tek Ai do të kthehen ku do të trajtohet secili në bazë të punës së tij, në bazë të përpjekjeve që ka bërë për ta pastruar veten nga gjynahet apo për ta ndotur atë çdo ditë me ndytësinë e tyre. “Ka shpëtuar, ka fituar dhe ka arritur sukses ai që e pastroi shpirtin e tij. Ka dështuar dhe është shkatërruar ai që e ndoti atë me gjynahe.”

Edhe pak dhe do të hapen portat e Xhenetit, do të mbyllen portat e zjarrit, do të lidhen shejtanët, do fillojë gara për të arritur gradët më të larta të Xhenetit dhe afërsinë me Zotin tonë. Edhe pak dhe do të vijë nata që është më e mirë se një jetë e gjatë, edhe pak edhe falja hyjnore do të arrijë më fatlumët. Allahu na bëftë prej tyre! Edhe pak dhe amnistia hyjnore do të çlirojë prej zjarrit shumë krijesa të Allahut. Allahu na bëftë prej tyre! Pra që tani le të vendosim në zemër se do të punojmë për të arritur gjithë këto suksese njëri më i madh se tjetri, njëri më fisnik se tjetri, njëri më i rrezikshëm dhe më i rëndësishëm se tjetri. Le t’i lutemi Allahut të na ndihmojë në këto synime që të mos dobësohemi shpejt gjatë muajit. Le të mbështetemi në Allahun dhe t’i lutemi Atij me përgjërim që ta bëjë Ramazanin tonë më të mirë! Le të pendohemi dhe të kërkojmë falje shumë për gjynahet tona që ato të mos na privojnë nga mirësitë që Allahu u zbret robërve të Tij në këtë muaj.

Kujdes! Përpara ke përjetësi, mos u hallakat! Prandaj të mos ju mashtrojë juve jeta e kësaj bote dhe të mos u mashtrojë prej Allahut mashtruesi i madh (shejtani).

“Shembulli i jetës së kësaj bote është si një ujë që Ne e zbritëm nga qielli dhe u përzie me bimët të cilat i hanë njerëzit dhe kafshët, deri kur toka mori hijeshinë e saj dhe u zbukurua (me pemë, jeshillëk e lule që çelin kudo dhe përhapin në ajër aromë të këndshme), dhe të zotët e saj mendojnë se tashmë kanë mundësi të korrin frytet e saj. I vjen asaj (tokës) urdhëri Ynë natën apo ditën dhe Ne e bëjmë atë të korrur (të rrafshuar nga rrënjët) sikur të mos ishte e gjallëruar dje. Kështu ua shtjellojmë argumentet njerëzve që mendojnë. Allahu thërret dhe fton për në shtëpinë e paqes (Xhenetin ku ka paqe absolute), dhe udhëzon kë të dëshirojë në rrugë të drejtë.” | Junus: 24-25.

Sado të zgjasë dhe të zbukurohet jeta jote në këtë tokë ajo është me afat, prandaj mos u lidh shumë mbas saj dhe përgatitu për ditën e zhvendosjes. Allahu na dhëntë sukses!

Ramazani vjen të na mësojë se jeta është e bukur me punë të dobishme. Nëse e mbushim ditën tonë me punë që na sjellin përfitime në këtë botë ose në tjetrën nuk do të kemi kohë për kotësi dhe për ngatërresa, siç thotë i Lartësuari mbi shtatë qiejt: “Kanë shpëtuar besimtarët, ata që namazin e tyre e falin siç duhet me frikë-respekt para Allahut, dhe të cilët i qëndrojnë larg të kotës.” | El Mu’minun: 1-3.

Këtë ne e vëmë në zbatim dhe e shohim praktikisht në ditët e Ramazanit, aq sa ndonjëherë kur mbaron muaji pyesim veten: Po tani ç’do të bëjmë pas Ramazanit? Sepse u mësuam me punë të mira dhe me adhurime shumë, dhe na duket jeta bosh sikur s’kemi për të bërë më gjë pas tij. Por në të vërtetë jeta e muslimanit vazhdimisht është e mbushur me detyra, me adhurime dhe vepra të mira që i kërkon çdo kohë prej nesh, e sa të shumta janë ato! Këtë e di mirë çdokush që është i vëmendshëm ndaj fesë së Allahut, e studion dhe mëson prej saj vazhdimisht.

Ky është sekreti i jetës së lumtur; punë me vlera për veten dhe për të tjerët. Për këtë ka ardhur njeriu në këtë jetë, të punojë: “Ai i Cili krijoi vdekjen dhe jetën, që t’ju sprovojë se cili prej jush bën vepra më të mira.” | El Mulk. Më të sinqerta në përputhje me ligjin e Zotit, më të dobishme për njeriun dhe të tjerët në të dyja botët. E s’ka dyshim se dituria rreth shpalljes së Allahut me të dyja pjesët e saj, me Kuran dhe sunet, është në krye të kësaj liste.

Në këtë aludon edhe fjala e Allahut, urdhëri i Tij drejtuar profetit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem: “Kur të mbarosh nga angazhimet, zhytu në adhurime.” Nëse e zbatojmë këtë asnjëherë nuk do t’i japim kohë shejtanit dhe vetes të na i mbushin kohën me gjynahe dhe të na largojë nga shfrytëzimi i kohës në favorin tonë. Megjithatë, sheriati i Allahut është realist dhe sistem i zbatueshëm për njerëzit, ndaj lejohet angazhimi edhe me gjëra të lejuara herë pas here.

Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi Profetin! Lutja jonë e fundit është: Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve!

Dosje: ,

Loading...