Më ka mësuar Muhamedi …. (4)

Më ka mësuar i dashuri im (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem)! (4)

Se prej shenjave të afrimit të Kiametit është kur dituria fetare të merret nga të vegjëlit. Kjo bazuar në hadithin që transmetohet nga Ebu Umeje El-Xhumehi se i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Vërtetë, prej shenjave të Kiametit është që dija (fetare) të kërkohet nga të vegjëlit.[1]

Me fjalën ‘të vegjëlit’ janë për qëllim:

1- Bidatçinjtë dhe pasuesit e tekave për të cilët ka paralajmëruar i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe jo ata që janë të vegjël në moshë. Ibën El-Mubareku (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Të vegjëlit janë pasuesit e bidateve.

2- Injorantët. Shejh Albani (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Ajo çfarë më bëhet e qartë është se me ‘të vegjëlit’ janë për qëllim injorantët që flasin pa pasur dije nga Kurani dhe Suneti, dhe si pasojë e kësaj humbin veten dhe i humbin edhe të tjerët.”[2]

Ebu Umer Ibën Abdulberri (Allahu e mëhsiroftë) ka thënë: Disa dijetarë kanë thënë se ‘i vogli’ i përmendur në hadith është për qëllim ai që përgjigjet në çështjet e fesë pa patur dije. Kanë thënë: Injoranti është i vogël edhe nëse është i madh në moshë, kurse dijetari është i madh edhe nëse është i ri në moshë. [3]

Cili është shkaku i daljes në pah të të vegjëlve?

1- Vdekja e dijetarëve. I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Allahu nuk e merr diturinë duke e tërhequr atë nga gjokset e njerëzve, por e merr duke marrë dijetarët derisa të mos lërë më asnjë dijetar. Atëherë njerëzit marrin (për dijetarë dhe drejtues) disa injorantë, dhe ata pyeten e japin fetva pa dije dhe kështu humbasin vet e i humbasin edhe të tjerët.”[4]Pra, Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) u siguron humbjen atyre që flasin pa dije.

2- Përhapja e injorancës në mesin e njerëzve, e kjo vjen si pasojë e asaj që përmendëm më sipër.

3- Dashuria për famë (për t’u dukur) dhe kundërshtim. Më herët është thënë: Kundërshto që të njihesh. Dëshira për famë dhe kundërshtim e shtyn njeriun që të kundërshtojë edhe çështjet më të njohura të fesë.

4- Mediat, interneti dhe rrjetet sociale të të gjitha llojeve kanë lehtësuar shfaqjen e ‘të vegjëlve’ dhe e kanë bërë më të lehtë për njerëzit t’i ndjekin ata dhe opinionet e tyre prishura.

5- Mësimi i dispozitave të Sheriatit si; besimi dhe rregullat e adhurimit tek tregimtarët, predikuesit dhe interpretuesit e ëndrrave. Dihet që shumica e atyre që ndjekin këtë rrugë janë nga ‘të vegjëlit’.

 

Marrë nga libri: “Më ka mësuar i dashuri im Muhamedi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem!)”.

Mblodhi dhe përktheu: Unejs Sheme

————————————-

[1] Hadith autentik (sahih). Shënon Taberaniu në “El-Eusat” (8374). Hadithin e ka saktësuar shejh Albani (Allahu e mëshiroftë!) në “Es-Silsiletu Es-Sahihah” me nr. (695).

[2] “Es-Silsiletu Es-Sahihah” me nr. (695).

[3] “Xhamiu Bejan El-Ilm”.

[4] Shënon Muslimi (2673).