Më ka mësuar Muhamedi …. (2)

October 3, 2021

Më ka mësuar i dashuri im (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) (2)

 Allahu i Madhëruar në librin e Tij thotë: “Është e sigurt se kanë shpëtuar besimtarët, ata të cilët në namazin e tyre janë të përulur dhe të kujdesshëm.”[1]

 Më ka mësuar i dashuri im (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem):

– Që të tregoj kujdes ndaj faljes së namazit, ngase “gjëja e parë për të cilën do të llogaritet robi Ditën e Gjykimit është namazi. Nëse ai është në rregull, në rregull do të jenë edhe punët e tjera të tij, e nëse ai është i mangët e i prishur edhe punët e tjera do të jenë të mangëta e të prishura.[2]

– Namazin t’a fal ashtu siç është falur Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) bazuar në fjalën e të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Faluni ashtu siç më keni parë mua të falem![3] Kjo përfshin kryerjen e çdo shtylle, vaxhibi, suneti dhe mustehabi të namazit. Të gjitha këto duke i kryer me përqëndrim dhe qetësi.

Transmetohet nga Ebu Hurjera (radijAllahu anhu) se Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) hyri në xhami dhe pas tij hyri një burrë i cili u fal. Pasi mbaroi faljen, ai erdhi tek i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe e përshëndeti me selam. I Dërguari i Allahut i’a ktheu selamin dhe i tha: “Kthehu dhe falu se ti nuk je falur!” Burri u kthye dhe u fal po në atë formë/mënyrë që u fal dhe herën e parë. Pastaj erdhi tek Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe e përshëndeti me selam. I Dërguari i Allahut i tha: “Ue alejkumus-Selam!” Pastaj i tha: “Kthehu dhe falu se ti nuk je falur!” Burri e bëri këtë gjë tre herë dhe pastaj tha: Betohem në Atë që të ka dërguar me të vërtetën, unë nuk di të falem më mirë se falja që bëra prandaj më mëso. I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) i tha: “Kur të ngrihesh për faljen e namazit merr tekbir (thuaj Allahu ekber) dhe pastaj lexo atë që ke mësuar nga Kurani, pastaj përkulu në ruku dhe qëndro në të derisa të qetësohesh, pastaj ngrihu prej saj derisa të drejtohesh plotësisht, pastaj përulu/bjer në sexhde dhe qëndro në të derisa të qetësohesh (dhe çdo gjymtyrë të shkojë në vendin e vet), pastaj ulu (midis dy sexhdeve) dhe qëndro ashtu derisa të qetësohesh. Kështu vepro gjatë gjithë faljes tënde.[4]

Nga hadithi përfitojmë:

1. Namazi fillon/saktësohet vetëm me thënien “Allahu ekber”, e kjo është shtyllë e namazit. Nëse personi thotë “Allahu exhel-lu” apo “Allahu eadham” kjo nuk saktësohet.

2. Leximi i sures El-Fatiha bazuar në fjalën e Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem); “dhe pastaj lexo atë që ke mësuar nga Kurani” e ajo është surja El-Fatiha. Në transmetimin e imam Ahmedit nga hadithi i Rifa’ah bin Rafin Ez-Zurakij: “…pastaj lexo Ummul-Kuran-in, e pastaj lexo atë që do (prej sureve që ke mësuar).” Leximi i sures El-Fatiha është shtyllë e namazit pa të cilën nuk ka namaz. I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Nuk ka namaz për atë që nuk lexon Hapësen e Librit (suren Fatiha).[5]

3. Rukuja, ngritja prej saj duke qëndruar drejtë, përulja/rënia në sexhde dhe qëndrimi ulur midis dy sexhdeve janë prej shtyllave të namazit. Kjo bazuar në fjalën e Allahut të Madhëruar: “O besimtarë! Përkuluni dhe përuluni në sexhde (para Allahut).”[6]

4. Çdo veprim i namazit duhet të bëhet me qetësi në të kundërt namazi ka mangësi dhe në disa raste edhe nuk pranohet. Transmetohet nga Ebu Katade se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Njeriu më i keq në vjedhje është ai që vjedh nga namazi i tij.” I thanë: O i Dërguar i Allahut, si mund të vjedhë njeriu nga namazi i tij? Ai (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) tha: “Duke mos e plotësuar rukunë dhe sexhden e tij”. Ose ka thënë: “Nuk e drejton shpinën e tij në ruku dhe në sexhde.[7]

5. Falja e namazit në formën e duhur – siç i’a mësoi Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) atij që u fal keq- e ndalon njeriun nga veprat e ndyta e të shëmturara. Allahu i Madhëruar thotë: “E ti fale namazin se me të vërtetë namazi të largon nga gjërat e shëmtuara dhe të neveritura.[8]

Shejh Ibën Uthejmini (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Namazi i cili e ndalon njeriun nga veprat e ndyta (të shthurura) e të shëmtuara, është ai namaz gjatë të cilit e di se çfarë po lexon nga Kurani, dhikret, tesbihu e lutjet, e kryen rukunë, sexhden, përuljen dhe qetësinë ashtu siç kërkohet. Ndërsa, namazi gjatë të cilit zemra bredh sa andej e këndej dhe njeriu del prej tij pa e ditur se çfarë ka lexuar nga Kurani, nuk ndalon nga veprat e shthurura e të shëmtuara.”[9]

 

Libri: “Më ka mësuar i dashuri im (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem)”.

Përktheu dhe përgatiti: Unejs Sheme

————————————–

[1] El-Muminun: 1-2.

[2] Es-Sahihah (1358).

[3] Shënon Buhariu (595).

[4] Shënon Buhariu (757).

[5] Shënon Buhariu (756) dhe Muslimi (394).

[6] El-Haxh: 77.

[7] Hadith autentik. “Mishkatul-Mesabih” (885).

[8] El-Ankebut: 45.

[9] “Tefsiru Xhuzi Amme”.

Dosje:

Loading...