Çështja e parë:
Dëshmia në lidhje me shikimin e hënës.
Transmetohet nga AbduRrahman bin Zejd bin el Hatab se ai u mbajti hutbe njerëzve në ditën e dyshimtë[1] dhe tha: Vërtet unë kam ndenjur me shokët e Profetit salallahu alejhi ue selem dhe i kam pyetur ata (për çështje të ndryshme) dhe ata më kanë thënë se Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Agjëroni kur ta shihni daljen e hënës (së muajit të Ramazanit) dhe bëni iftar (mbyllni muajin e agjërimit) kur ta shihni daljen e hënës (së muajit Sheual) dhe kryeni haxhin (sipas shikimit të hënës së muajit Dhulhixheh). Nëse nuk e shihni dot (për shkak të reve ose mjegullës) atëherë konsiderojeni muajin tridhjetë ditë. Nëse dëshmojnë dy dëshmitarë (se e kanë parë) agjëroni dhe bëni iftar (mbylleni agjërimin) (në bazë të dëshmisë)”. Transmeton Nesaiu. Ndërsa në transmetimin e Darekutnit thuhet: “Nëse dëshmojnë dy dëshmitarë të besueshëm atëherë agjëroni dhe bëni iftar (mbylleni agjërimin e muajit) dhe bëni haxhin (në bazë të dëshmisë që vërteton shikimin e hënës)”, ndërsa në transmetimin e Ahmedit thuhet: “Nëse dëshmojnë dy dëshmitarë muslimanë agjëroni dhe bëni iftar (mbylleni muajin e agjërimit)”[2].
Hadithi është argument që vërteton se nuk pranohet dëshmia vetëm e një dëshmitari të besueshëm për të vërtetuar shikimin e hënës së muajit Ramazan dhe Sheual, pra duhen patjetër dëshmitë e dy personave muslimanë të besueshëm.
Mënyra e të argumentuarit me hadithin është:
Kuptimi i kundërt (mefhumul muhalefeh) që përfitohet nga fjala e Profetit salallahu alejhi ue selem “Nëse dëshmojnë dy dëshmitarë” do të thotë se me më pak se dy dëshmitarë nuk vërtetohet shikimi i hënës.
Këtë mendim e ka zgjedhur Maliku, (Sufjan) eth-Theurij, Euzaij, Ibn Ulejeh, është një nga dy mendimet e Shafiut dhe një nga dy mendimet e Ahmedit në këtë çështje[3].
Tirmidhiu ka thënë: Is-hak bin Rahujeh ka thënë:
Nuk agjërohet veçse duke u bazuar në dëshmitë e dy personave dhe nuk ka kundërshtim mes dijetarëve përsa i përket bërjes iftar (mbylljes së muajit të agjërimit) se nuk pranohet për të vërtetuar këtë veçse dëshmia e dy personave[4].
Argumentimi i mësipërm është kundërshtuar nga pala tjetër e dijetarëve me hadithin e Ibn Umerit radijAllahu anhu i cili ka thënë: Dolën njerëzit për të parë hënën. Unë e lajmërova Profetin salallahu alejhi ue selem se e pashë atë, atëherë ai agjëroi dhe i urdhëroi njerëzit të agjëronin”[5]. Transmeton Ebu Daudi.
Hadithi tregon se shikimi i hënës së muajit të Ramazanit vërtetohet me shikimin e një personi të vetëm të drejtë të besueshëm[6]. Këtë mendim e ka zgjedhur Shafiu në mendimin më të fortë nga dy mendimet që ka në këtë çështje[7], Ahmedi në mendimin më të fortë nga dy mendimet që ka në këtë çështje[8], Ibn Hazmi[9], Sheukanij[10] dhe i biri i tij[11].
Tirmidhiu ka thënë: Shumica e dijetarëve janë të mendimit se veprohet në bazë të këtij hadithi dhe thonë: Pranohet dëshmia e një personi të vetëm për të filluar agjërimin. Këtë mendim ka Ibnul Mubareki, Shafiu dhe Ahmedi.
Ebu Hanifeja ka mendimin se: pranohet dëshmia e një dëshmitari të vetëm të drejtë – mashkull qoftë apo femër, i lirë apo rob (skllav) – nëse në qiell ka re ose mjegull ndërsa nëse qielli është i kthjellët atëherë nuk vërtetohet shikimi i hënës veçse me dëshminë e një numri të madh dëshmitarësh, numër i cili na jep bindje të sigurtë në dëshminë dhe lajmin e tyre[12] .
Në përfundim Ibn Hazmi e ka konsideruar këtë mendim më të saktin dhe u përgjigj ndaj argumentimit me hadithin: “Nëse dëshmojnë dy dëshmitarë agjëroni dhe bëni iftar (mbylleni muajin e agjërimit)” duke thënë: Në hadith është përmendur pranimi i dëshmisë së dy dëshmitarëve dhe ne nuk e mohojmë këtë por në hadith nuk ka argument që të mos pranohet dëshmia e një dëshmitari të vetëm[13].
Sheukani duke përkrahur mendimin e pranimit të dëshmisë së një personi të vetëm të drejtë për vërtetimin e shikimit të hënës së Ramazanit, ka thënë: Nuk është e panjohur për ty se: argumenti që tregon për konsiderimin e dy dëshmitarëve tregon me kuptimin e kundërt mos marrjen në konsideratë të një dëshmitari të vetëm, sepse përmendja e një numri të caktuar është i qëllimshëm. Ndërsa argumenti që tregon vlefshmërinë e dëshmisë së një personi dhe të vepruarit me të (dëshminë) e tregon këtë duke u shprehur qartë me tekstin e tij dhe siç dihet të argumentuarit me shprehjen e qartë të tekstit është më e fortë se sa argumentimi me kuptimin e kundërt[14].
Unë them (autori): Ajo që unë zgjedh dhe më duket më e saktë është se: nuk fillohet agjërimi i muajit të Ramazanit dhe as nuk mbyllet veçse me dëshminë e dy dëshmitarëve të drejtë, duke u bazuar në argumentet e mëposhtme:
- 1. Hadithi i Ibn Umerit radijAllahu anhu në të cilin thuhet se Profeti salallahu alejhi ue selem e vërtetoi hyrjen e muajit të Ramazanit me dëshminë e tij, nuk është tekst i qartë që tregon se Profeti salallahu alejhi ue selem e vërtetoi hyrjen e Ramazanit vetëm me dëshminë e Ibn Umerit radijAllahu anhu sepse ekziton mundësia që Profeti salallahu alejhi ue selem ta ketë vërtetuar hyrjen e Ramazant me dëshminë e Ibn Umerit radijAllahu anhu dhe me diçka tjetër veç saj si p.sh.: ndoshta ndonjë sahabij mund të ketë dëshmuar tek Profeti salallahu alejhi ue selem se e ka parë hënën para Ibn Umerit. Kështuqë kur erdhi Ibn Umeri radijAllahu anhu u plotësua numri i mjaftueshëm i dëshmitarëve, ndaj agjëroi dhe i urdhëroi njerëzit për të agjëruar. Ky supozim është më i fortë dhe më afër realitetit. Në bazë të kësaj del që nuk ka mospërputhje mes hadithit të Ibn Umerit dhe hadithit të AbduRrahman bin Zejd bin el Hatab radijAllahu anhu .
- 2. E përkrah këtë zgjedhje, fakti që hadithi i Ibn Umerit për të cilin Sheukani tha se ai tregon për vlefshmërinë e dëshmisë së një personi të vetëm, duke u shprehur qartë me tekstin e tij, në të vërtetë ky hadith është rrëfim nga Ibn Umeri radijAllahu anhu i veprimit të Profetit salallahu alejhi ue selem , ndërsa hadithi i AbduRrahman bin Zejd bin el Hatab është transmetim i drejtëpërdrejtë i fjalës së Profetit salallahu alejhi ue selem, të cilën e transmetoi nga një grup sahabësh. Kjo e thekson edhe më shumë zgjedhjen e të argumentuarit me hadithin e AbduRrahman bin Zejdit dhe tregon se hadithi i Ibn Umerit duhet të kuptohet sipas supozimit të përmendur më herët.
- 3. E përforcon dhe më shumë këtë që thamë fakti i mëposhtëm: Është transmetuar një hadith nëpërmjet të cilit përfitohet se Ibn Umeri radijAllahu anhu ka pasur mendimin se nuk vërtetohet hyrja e muajit të Ramazanit po ashtu si muajt e tjerë, përveçse me dëshminë e dy dëshmitarëve të drejtë. Ky hadith është: Transmetohet nga Husejn bin el Harith el Xhedelij nga Xhedijlete Kajs se emiri i Mekes mbajti një hutbe dhe tha: Profeti salallahu alejhi ue selem ka marrë besë prej nesh që të kryejmë haxhin në bazë të shikimit (të hënës) nëse nuk e shohim (hënën) vetë por dëshmojnë dy dëshmitarë të drejtë (se e kanë parë) atëherë do e kryejmë haxhin në bazë të dëshmisë së tyre[15]. Më pas emiri tha: Në mesin tuaj është dikush më i ditur se unë rreth dijes së Allahut dhe të Dërguarit, ky person dëshmon për këtë që thashë nga Profeti salallahu alejhi ue selem dhe bëri me shenjë drejt një personi. Husejni tha: I thashë një shejhu që ishte pranë meje: Kush është ai person drejt të cilit bëri me shenjë emiri? Tha: Ai është Abdullah bin Umeri radijAllahu anhu dhe të vërtetën tha sepse ai e njeh Allahun më shumë se emiri. Abdullah bin Umeri tha:Vërtet kështu na ka urdhëruar Profeti salallahu alejhi ue selem ”. Transmeton Ebu Daudi[16].
- 4. Ibn Hazmi tha: Hadithi tregon thjesht pranimin e dy dëshmitarëve dhe ne nuk e mohojmë këtë gjë por nuk ka argument në hadith që tregon mospranimin e një dëshmitari të vetëm.(mbaroi fjala e tij).
Kjo fjalë e tij nuk qëndron sepse është e bazuar sipas medhhebit të Ibn Hazmit në kapjen pas pamjes së jashtme të tekstit pa hyrë në kuptimin dhe qëllimin e tij, parim i cili është i papranueshëm tek shumica e dijetarëve.
- 5. Saktësinë e mendimit që zgjodha dhe parashtrova para teje se vërtetimi i hyrjes së muajit të Ramazanit dhe Sheualit nëpërmjet shikimit të hënës nuk mund të bëhet pa dëshminë e dy dëshmitarëve të besueshëm, e vërteton fakti se Profeti salallahu alejhi ue selem na bëri të qartë se kjo çështje bën pjesë në kapitullin e dëshmive, duke thënë Profeti salallahu alejhi ue selem : “Nëse dëshmojnë dy dëshmitarë” dhe siç dihet parimi bazë në kapitullin e dëshmive është fjala e Allahut: “Kërkoni të dëshmojnë dy dëshmitarë burra nga mesi juaj…”(Bekare 282). Ky ajet tregon se niveli minimal i pranimit të dëshmisë është dëshmia e dy meshkujve ose dëshmia e një mashkulli dhe dy femrave, ndaj dhe vërtetimi i shikimit të hënës bën pjesë në këtë parim[17].
- 6. E përforcon zgjedhjen e këtij mendimi fakti se shumica e dijetarëve janë të gjithë dakort se nuk pranohet për vërtetimin e hyrjes së muajve të tjerë të vitit veçse dëshmia e dy dëshmitarëve të besueshëm [18].
Tirmidhiu ka thënë: Dijetarët nuk kanë mospajtim mes tyre se për mbylljen e muajit të agjërimit nuk pranohet më pak se sa dëshmia e dy dëshmitarëve[19]. Duke qenë se për vërtetimin e muajve të tjerë të vitit u dashka patjetër së paku dëshmia e dy dëshmitarëve atëherë i njëjti gjykim e përfshin dhe vërtetimin e hyrjes së muajit të Ramazanit dhe kush dëshiron të bëjë dallim mes tyre le ta dijë së ka rënë në kontradiktë me parimin e mësipërm[20].
Shënim:
Në bazë të mospajtimit të mësipërm bazohet gjykimi (rreth çështjes së mëposhtme): Nëse dikush e sheh hënën duke qenë i vetmi që e ka parë dhe nuk i pranohet dëshmia, a e ka për detyrë të agjërojë në bazë të shikimit të tij të hënës, a i lejohet ta mbyllë muajin e agjërimit në bazë të shikimit të tij?
Dijetarët janë ndarë në tre mendime rreth kësaj çështjeje:
- Mendimi i parë:
Nëse një person e shikon hënën e muajit të Ramazanit por nuk i pranohet dëshmia (nga gjykatësi ose nga prijësi i muslimanëve) e ka detyrë të agjërojë. Po ashtu nëse e sheh hënën e muajit të Sheualit por nuk i pranohet dëshmia e tij, bën iftar (e mbyll muajin e agjërimit). Ky është mendimi i Shafiut[21], Ibn Hazmit[22] dhe është transmetuar ky mendim nga Maliku[23]
- Mendimi i dytë:
Nëse e sheh hënën e muajit të Ramazanit por i refuzohet dëshmia e tij, e ka detyrë të agjërojë, ndërsa nëse e sheh hënën e muajit Sheual dhe i refuzohet dëshmia atëherë nuk e mbyll muajin e agjërimit derisa ta mbyllin të gjithë njerëzit agjërimin. Ky mendim është i Ebu Hanifes[24], një transmetim nga Ahmedi[25] dhe është transmetuar gjithashtu nga Maliku[26].
- Mendimi i tretë:
Nëse e sheh hënën e muajit të Ramazanit ose Sheualit dhe i refuzohet dëshmia, e ka detyrë të agjërojë atëherë kur njerëzit agjërojnë dhe të bëjë Fitr (ta mbyllë muajin e agjërimit) përsëri me njerëzit e tjerë (nuk veçohet nga ata).
Ky mendim është një transmetim tjetër nga imam Ahmedi dhe është mendimi i zgjedhur nga shejhul islam Ibn Tejmijeh[27].
Thashë (autori): Ai që për mua është mendimi më i saktë në këtë çështje është pikërisht mendimi i tretë.
Arsyet e zgjedhjes së këtij mendimi janë si më poshtë:
- 1. Sepse mendimi i saktë në vërtetimin e hyrjes së muajit është se ai realizohet vetëm nëpërmjet shikimit ose duke e konsideruar muajin paraardhës të plotë tridhjetë ditë (në rast të pamundësisë së shikimit) dhe se shikimi i hënës nuk vërtetohet pa dëshminë e dy dëshmitarëve kështu që nëse dëshmon një person i vetëm dhe i refuzohet dëshmia (sepse duhet dhe një dëshmitar tjetër përveç tij që të bëhet dëshmia e vlefshme) kjo do të thotë që sipas sheriatit, shikimi i hënës nuk është vërtetuar as për këtë person dhe si rrjedhim nuk është vërtetuar hyrja e muajit as për këtë person.
- 2. Kemi si argument mbështetës të këtij mendimi përgjithësimin e fjalës së Profetit salallahu alejhi ue selem : “Dita e Fitrit (dita pasuese e Ramazanit) është ajo ditë në të cilën ju bëni fitr. Dita e Kurbaneve (Kurban Bajrami) është ajo ditë në të cilën ju i prisni kurbanet. I gjithë Arafati është vendqëndrim (për tu lutur në atë ditë). E gjithë Minaja është vend për prerjen e kurbaneve dhe çdo rrugicë e Mekes është është vend për prerjen e kurbaneve dhe e gjithë Muzdelifeja është vendqëndrim ( i përcaktuar për të kaluar aty natën e Kurban Bajramit)”. E ka transmetuar Ebu Daudi. Në transmetimin e Tirmidhiut thuhet: “Agjërimi është (fillon) atë ditë në të cilën njerëzit agjërojnë”[28].
Tirmidhiu ka thënë: Disa dijetarë e kanë komentuar këtë hadith duke thënë: Kuptimi i këtij hadithi është se agjërimi dhe fitri bëhet me Xhematin e muslimanëve dhe shumicën e tyre.[29]
- 3. Sepse agjërimi i këtij personi veçmas njerëzve përmban në vetvete mospajtim dhe përçarje nga xhemati i muslimanëve.
- 4. Sepse mendimi që kemi zgjedhur është i transmetuar nga Umer bin el Hatabi radijAllahu anhu dhe askush nga sahabët nuk e ka kundërshtuar në këtë, pra merr gjykimin e unanimitetit të heshtur (ixhma sukutij)[30].
Ibn Hazmi ka thënë: Na është transmetuar nëpërmjet Muamerit nga Ebu Kilabeh se dy persona gjatë udhëtimit e panë hënën e Sheualit për mbylljen e agjërimit. Të nesërmen paradite ata mbërritën në Medine dhe lajmëruan Umerin radijAllahu anhu për këtë. Umeri radijAllahu anhu i tha njërit prej atyre dyve: A je agjërueshëm ti? Tha: Po, sepse nuk më pëlqente që njerëzit të agjëronin ndërsa unë të isha joagjërues (muftir), nuk më pëlqente të isha ndryshe nga ata. Pastaj (Umeri) i tha tjetrit: Po ti? Ai tha:Unë jam gdhirë joagjërueshëm (muftir) sepse pashë hënën. Umeri i tha këtij të dytit: Po të mos ishte dëshmia e këtij –kishte për qëllim atë që ishte agjërueshëm- do të të godisnim kokën dhe do të refuzonim dëshminë tënde. Pastaj i urdhëroi njerëzit të bënin iftar (ta ndërprisnin agjërimin)[31]”.
Gjithashtu transmetohet nëpërmjet Ibn Xhurejxhit i cili tha: Jam lajmëruar nga Muadh bin AbduRrahman et-Tejmij se një person i tha Umerit radijAllahu anhu : Unë e kam parë hënën e Ramazanit. (Umeri) Tha: A e ka parë dikush tjetër me ty? Tha: Jo. Tha: Po ti çfarë ke bërë? Tha: Kam agjëruar në bazë të agjërimit të njerëzve. Umeri tha: Ia ke qëlluar”[32]. Gjithashtu ky mendim është i Hasen el Basriut dhe Atasë: [33]
- 5. Sepse fjala e Allahut: “Kushdo prej jush që e përjeton këtë muaj le ta agjërojë atë”(Bekareh 185) përmban urdhërin e drejtuar atij që e përjeton këtë muaj që ta agjërojë atë sepse përjetimi i një muaji të caktuar nuk mund të realizohet veçse pasi të bëhet e njohur mes njerëzve se ai muaj ka hyrë dhe sepse shehri (muaji) quhet i tillë për shkak të përhapjes së lajmit mes njerëzve për daljen e hënës së atij muaji (pra argumentim nga ana gjuhësore arabe)[34].
Që do të thotë se ai që e sheh hënën i vetëm dhe i refuzohet dëshmia, konsiderohet se nuk e ka përjetuar muajin e agjërimit akoma prandaj nuk agjëron dhe nuk bën fitr veçse me njerëzit[35].
- 6. Sepse fjala e Profetit salallahu alejhi ue selem: “Agjëroni kur ta shikoni atë (hënën e re të Ramazanit) dhe bëni fitr (mbylleni muajin e agjërimit) kur ta shihni atë (hënën e re të Sheualit)” është shprehje e përgjithshme me të cilën ishte për qëllim diçka e veçantë. Nuk ka për qëllim që ta shohë çdo person nga muslimanët për veten e tij dhe të agjërojë e të bëjë fitr por qëllimi është ta shohin një pjesë e muslimanëve (së paku dy prej tyre) dhe kështu vërtetohet hyrja e muajit për pjesën tjetër të muslimanëve dhe e agjërojnë atë. Përderisa me shikimin e një muslimani të vetëm të besueshëm nuk vërtetohet sipas sheriatit hyrja e muajit –siç e zgjodhëm këtë mendim më herët- atëherë kjo do të thotë se ai që e sheh hënën i vetëm dhe i refuzohet dëshmia e tij nuk agjëron veçmas dhe as nuk bën iftar para të tjerëve.
Vërejtje: Nëse dikush është i vetëm diku larg njerëzve, në shkretëtirë ose udhëtim, etj dhe nuk i mbërrijnë lajmet nga njerëzit e tjerë më të afërm rreth tij, atëherë ai agjëron në bazë të shikimit të tij të hënës dhe po ashtu bën iftar (e mbyll agjërimin) në bazë të shikimit të tij. Allahu është që jep sukses[36].
[1] Sh.p.: Dita në të cilën dyshohet a ka hyrë muaji i Ramazanit apo jo
[2] Hadithi është hasen në bazë të haditheve të tjera që e përforcojnë atë. E ka transmetuar Ahmedi në Musned 4/321, Nesaiu në Librin e Agjërimit, kapitulli: Pranimi i dëshmisë së një personi të vetëm për shikimin e hënës së Ramazanit 4/132-133 dhe Darakutni në Sunenin e tij 2/167-168. Hadithin e ka saktësuar Albani në el Irua 4/16 ndërsa verifikuesi i librit Xhamiul Usul (Abdul Kadir Arnauti) e konsideroi hasen, 6/274.
[3] et-Temhid 14/354, el Kafij fq 119, Hiljetul ulema 3/151.
[4] Sahihu suneni Tirmidhi 1/212.
[5] Hadithi është i saktë. E ka transmetuar Darimiu në Sunenin e tij Libri i Agjërimit, Kapitulli: Dëshmia për shikimin e hënës së Ramazanit 2/4, Ebu Daudi në Sunenin e tij, Libri i Agjërimit, kapitulli: Dëshmia e një personi të vetëm në shikimin e hënës së Ramazanit, hadithi nr. 2342, Darakutni në Sunenin e tij 3/156, Hakimi në el Mustedrak 1/423, Bejhakiu në es-Sunenul Kubra 4/212 dhe Ibn Hibani: el Ihsan 8/231, hadithi nr. 3447. Hadithin e ka saktësuar Hakimi dhe e ka konsideruar në përputhje me kushtin e Muslimit, e ka saktësuar Ibn Hazmi në el Muhala 6/236, Albani në Iruaul Galil 4/16 hadithi nr. 908, e ka saktësuar isnadin e tij AbdulKadir Arnauti në verifikimin e tij të Xhamiul Usul 6/273 dhe verifikuesi i librit el Ihsan 8/231.
[6] Marrë nga Mealimu Sunen 3/228.
[7] el Hauij el Kebir 3/412, et-Tenbih fq65.
[8] el Insafu 3/273 -274, er-Raudu en-Nedij fq 160.
[9] el Muhala 6/235. Në fakt Ibn Hazmi ka mendimin se mjafton një dëshmitar për vërtetimin e shikimit të hënës së Ramazanit dhe të Sheualit gjithashtu
[10] es-Sejlul Xherar 3/114.
[11] es-Sumut edh-Dhehebijeh fq 116.
[12] el Ihtijar 1/129, Fet-hul Kadir 2/332, 324
[13] el Muhala 6/238.
[14] es-Sejlul Xherrar 2/114.
[15] (Autori tha) Këtu e fshiva një fjali nga teksti që të mos komplikohej dhe bëhej i vështirë kuptimi i hadithit, kjo fjali është: E pyeta Husejn bin el Harith: Kush është ky emiri i Mekes? Tha: Nuk e di” Pas njëfarë kohe më takoi dhe më tha: Emiri është el Harith bin Hatib, vëllai i Muhamed bin Hatib.
[16] Hadithi është i saktë. E ka transmetuar Ebu Daudi në Librin e Agjërimit, kapitulli: Dëshmia e dy personave për shikimin e hënës së muajit Sheual, hadithi nr. 2338 dhe Darakutni në Sunenin e tij 2/167, i cili tha për këtë hadith: Zinxhiri i tij nuk ka asnjë shkëputje në të dhe është zinxhir i saktë. E ka saktësuar isnadin e tij verifikuesi i Xhamiul Usul 6/274 dhe Albani në Sahihu Suneni Ebu Daud 2/445.
[17] Shiko rreth kësaj: el Hauij el Kebir 3/412. El Hatabij ka përmendur mendimet e ndryshme të dijetarëve në Mealimus-Sunen 3/226-227.
[18] Shiko për këtë: el Hauij 3/412, et-Tenbih fq 65, el Muftij 3/159, er-Raudu en- Nedij fq 160, el Insaf 3/275. Nuk ka kundërshtuar në këtë çështje dikush tjetër përveç Ebu Theurit dhe Ibn Hazmit, ndërsa Ebu Hanifeja e vërteton hyrjen e muajve me dëshminë e dy dëshmitarëve nëse ka re ose mjegullë ndërsa në kohë të kthjellët ai e bën kusht dëshminë e një numri të madh dëshmitarësh.
[19] Sahihu Suneni Tirmidhi 1/212.
[20] Ibn Hazmi në lidhje me këtë në el Muhala 6/235 ka thënë: Njerëzit kanë rënë në mospajtim mes tyre në këtë çështje (vërtetimi i hyrjes së Ramazanit dhe Sheualit) në lidhje me pranimin e dëshmisë së një personi të vetëm. Ebu Hanifeja dhe Shafiu kanë po atë mendim si ne përsa i përket muajit të Ramazanit ndërsa nuk e lejojnë vërtetimin e hyrjes së Sheualit veçse me dëshminë e dy personave të besueshëm (të drejtë). Ebu Muhamedi ka thënë (kështu shprehet Ibn Hazmi për veten e tij): Kjo është një kundërthënie (kontradiktë) shumë e qartë. Maliku ka thënë: Në të dyja rastet nuk pranoj më pak se dy dëshmitarë të besueshëm. Ebu Muhamedi (Ibn Hazmi) ka thënë: Nuk dimë të ketë ndonjë argument që përkrah mendimin e atyre që bëjnë dallim mes vërtetimit të dy muajve ndërsa mendimi i Malikut është i bazuar në analogjinë (krahasimin) e kësaj çështjeje me çështjet e tjera të bazuara në dëshmi. Ebu Muhamedi (Ibn Hazmi) tha: Kijasi (analogjia) është i gjithi i kotë, i pavlerë (Sh.p.: Ibn Hazmi si dhe pjesa tjetër e Dhahirijve e mohojnë të qënurit e kijasit argument në sheriat dhe siç dihet ky mendim i tyre është i pasaktë sepse kijasi është i vërtetuar me Kuran dhe Sunet dhe është argument që bën pjesë në sheriat nëse plotësohen kushtet e konsiderimit të tij).
Thashë (autori): Refuzimi total i kijasit është çështje në të cilën Dhahirijtë kanë kundërshtuar të gjithë dijetarët e tjerë.
Ndër argumentet që vërtetojnë fjalën e imam Malikut janë: hadithi i AbduRrahman bin Zejdit dhe hadithi i Husejn el Xhedelij. Ky mendim është ai i sakti siç ta kam parashtruar më herët. Allahu është që jep sukses.
[21] El Hauij el kebir 3/449, el Muhedheb 1/241.
[22] El Muhala: 6/238-239, njëkohësisht këtë mendim ka zgjedhur edhe Sheukani në es-Sejlul Xherrar 3/114-115.
[23] E ka transmetuar këtë mendim nga Maliku, Ibn Abdulberri në librin e tij el Kafij fq120
[24] Muhtesaru et-Tahauij fq 55, el Ihtijar 1/129.
[25] Esh-Sherhul Kebir 2/7-8, el Insaf 3/277.
[26] E ka transmetuar këtë mendim nga Maliku, Ibn Abdulberri në et-Temhid 14/255 dhe Ibn Xheza në el Kauaninul fikhijeh fq 79 ndërsa Darakutni në Sunenin e tij 2/170 e ka transmetuar me zinxhir të plotë deri te Maliku.
[27] Në librin e tij Mexhmua Fetaua 25/114. Gjithashtu ka zgjedhur Albani në Temamul mineh fq 399.
[28] Hadithi është hasen. E ka transmetuar Ebu Daudi në Sunenin e tij, Libri i Agjërimit, kapitulli: Nëse njerëzit nuk e shohin hënën, hadithi nr.2324, Tirmidhiu në Sunenin e tij, Libri i Agjërimit, kapitulli: Agjërimi është në atë ditë që ju agjëroni, hadithi nr.697, Darakutni 2/163-164. Tirmidhiu e konsideroi hadithin hasen, po ashtu verifikuesi i Xhamiul Usul 6/278 dhe e ka saktësuar Albani në el Irua 4/11, hadithi nr.905.
[29] Sunenu et-Tirmidhi 3/80.
[30] Marrë nga esh-Sherhul Kebir 2/8.
[31] Sh.p.: Umeri kishtë për qëllim veçimin e tij nga njerëzit para se t’i pranohej dëshmia e tij nga prijësi i muslimanëve. Uallahu ealem
[32] Shiko në librin: el Muhala 6/238-239.
[33] E ka cekur këtë Ibn Hazmi në el Muhala 6/238-239. Ibn AbdulBerri në et-Temhid 14/356 ka thënë: Shabiu dhe Nehaiu thoshin: Askush mos të agjërojë veçse me xhematin e njerëzve. Ndërsa Haseni (el Basri) dhe Ibn Sirini thoshin: Njerëzit le të bëjnë ashtu siç bën prijësi i tyre.
[34] E vërteton këtë që thamë se në qoftë se do thuhet se hëna e muajit është thjesht shfaqja e saj në qiell edhe nëse kjo nuk bëhet e ditur tek njerëzit, do sjellë si rrjedhojë vërtetimin e muajit të Ramazanit, Sheualit dhe Dhulhixhes për atë që e sheh hënën i vetëm dhe i refuzohet dëshmia e tij. Pra ky person agjëron Ramazanin sipas shikimit të tij dhe e mbyll Ramazanin sipas shikimit të tij, qëndron në Arafat (për haxh) në ditën e nëntë sipas shikimit të tij, pret kurbanin në ditën pasuese dhe gjuan gurët e Xhemratul Akabeh, të gjitha këto veprime i kryen edhe nëse nuk i vepron askush tjetër nga njerëzit përveçse tij. Ibn Tejmijeh në lidhje me këtë ka thënë: Nuk di të ketë thënë dikush këtë lloj mendimi: Kush e sheh hënën i vetëm shkon dhe qëndron në Arafat vetëm ndryshe nga njerëzit e tjerë, pret kurbanin në ditën pasuese, gjuan gurët e Xhemratul Akabeh dhe lirohet nga ihrami ndryshe nga të gjithë haxhinjtë e tjerë. Dijetarët kanë mospajtim në lidhje me mbylljen e muajit të agjërimit: shumica e tyre e konsideruan si çështjen e mësipërme në haxh dhe thanë: Nuk bën fitr (e mbyll agjërimin) veçse me muslimanët. Ndërsa disa të tjerë thanë: Fitri (mbyllja e agjërimit) është si agjërimi (si fillimi i tij) dhe Allahu nuk i ka urdhëruar robërit që të agjërojnë tridhjetë e një ditë. Kontradikta që ekziston mes këtyre mendimeve tregon se e sakta është se që të gjitha (fillimi i agjërimit, mbyllja e tij dhe haxhi) kanë të njëjtin gjykim, prandaj është kusht për tu konsideruar shikimi i hënës dhe vërtetimi i hyrjes së muajit që kjo të përhapet dhe të bëhet e njohur tek njerëzit. Marrë nga Mexhmual Fetaua 25/116-117.
[35] Mexhmual Fetaua 25/117.
[36] Mexhmual Fetaua 25/117-118, el Insaf 3-278-279.