Mënyra e mbajtjes së shënimeve gjatë leximit të një libri

Kur kërkuesi i dijes hyn në radhët e lexuesve dhe i bashkangjitet grupit të tyre, duhet patjetër të shfrytëzojë leximin e tij dhe ta menaxhojë mirë atë, në mënyrë që të përfitojë prej tij atë që shpreson dhe të mos e çojë dëm lodhjen e tij. Nuk ka metodë më të dobishme për këtë se sa shkrimi i dobive që has gjatë leximit të tij. Ai duhet të shënojë dobitë e reja, citatet e veçanta, kërkimin shkencor të argumentuar, renditjen e gjetur të çështjeve, njohuritë e zgjedhura, urtësitë, kuptimet e holla të nxjerra prej argumenteve, çështjet e ngjashme dhe të ndryshme etj. Sepse çdonjëra prej këtyre përfitimeve zë një vend të veçantë në zemrën dhe mendjen e studentit serioz.

Kësisoj, grumbullimi i dobive është diçka dhe shpejtësia me të cilën nxirren ato dhe ruajtja e tyre është diçka tjetër. Mënyra sesi përdoren ato dhe vendosja e tyre në vendin e duhur është diçka e tretë. E nëse mblidhen këto të treja, atëherë kërkuesi i dijes e ka përsosur leximin dhe vjeljen e fryteve prej tij.

Imam Neueuij duke këshilluar studentin se si t’i ruajë njohuritë e çmuara dhe të rralla që gjen kur shfleton apo dëgjon prej mësuesit të tij, thotë: “Dhe të mos nënçmojë asnjë dobi që has gjatë leximit apo dëgjon në çdo fushë të dijes, por le të shpejtojë ta shkruajë atë dhe pastaj t’i lexojë vazhdimisht shënimet e tij.”
Ai thotë gjithashtu: “Dhe të mos e vonojë shënimin e dobisë atëherë kur e has atë – qoftë edhe e vogël – edhe nëse është i sigurtë se do ta gjejë pas njëfarë kohe. Vonimi i shënimit të tyre është e metë, dhe gjithashtu më vonë ai do të gjejë diçka tjetër.”

Kjo është porosi e vyer nga ky imam prandaj mbaje mend atë. Sa prej dijetarëve kanë ndier keqardhje dhe janë bërë pishman për dobitë që u kanë ikur dhe nuk i kanë shënuar, pastaj s’i kanë gjetur dot më. Ose është mbështetur tek memorja e tij dhe ajo e ka tradhëtuar, sepse memoria është shumë tradhëtare (të lë në baltë).

Ja ku është imam Ibnul Haxheri (hafizi i kohës së tij) që i kanë ikur disa dobi dhe ai shpreh keqardhje të madhe për këtë. Thotë nxënësi i tij Sekhauij në “El xheuahir ued durar”: “Sa i përket tefsirit do të shikoje tek ai një prej mrekullive të Allahut të Lartësuar, por ai shprehte keqardhje për neglizhimin e shënimit të komenteve që i vinin në mendje, pra jo prej gjërave që përcillen nga dijetarët e tjerë. Nga fundi i jetës së tij disa prej studentëve filluan t’ia shkruanin ato.”
E vërtetë është fjala: “Sa keqardhje (gjëra të ngeluara peng) ka në varreza.”

Nëse shikon jetët e dijetarëve dhe kujdesin e madh që tregonin ata për shfrytëzimin e kohës dhe shënimin e dobive, do të gjeje gjëra të çuditshme.

Ja ku është imam Buhariu – Allahu e mëshiroftë – (çudia e kohës në memorizim), i cili ngrihej natën disa herë për të shënuar dobitë. Thotë transmetuesi prej tij Firabrij: “Isha në shtëpinë e Muhamed ibn Ismailit një natë dhe ai ngrihej natën, ndizte kandilin dhe shkruante disa gjëra që i kujtoheshin. Këtë e bëri 18 herë gjatë natës!”

Humejdi, shoku i Imam Shafiut (viti 204) tregon për të kur ishte në Egjipt, se ai kishte dalë një natë dhe te shtëpia e Shafiut kishte parë kandilin të ndezur. U ngjt lartë dhe atje pa një fletore dhe bojën e shkrimit, e i tha: “Ç’është kjo o Ebu Abdullah?! – Ai ia ktheu: Po meditoja rreth kuptimit të një hadithi – apo një çështje – dhe u frikësova se mos më ikte nga mendja, prandaj ndeza kandilin dhe e shkruajta atë.”

Ka paraprirë tashmë historia e Ebul Uefa ibn Akil eh Hanbelij, prandaj nuk po e përsërisim.
Ibnul Ebar el Hafidh përmend tek “Mu’xhemu as’habis Sadefij” jetëshkrimin e dijetarit të madh Ebul Kasim ibn Uerd et Temimij (viti 540), se atij nuk i binte në dorë ndonjë libër veçse e shikonte nga fillimi deri në fund. Nëse haste gjatë leximit të tij në ndonjë dobi e shkruante në disa fletë të veçanta, derisa grumbullonte kështu një temë të plotë.

Hafidh ibn Haxheri përmend tek jetëshkrimi i imam ez Zerkeshij (viti 794), autorit të librit “El bahrul muhit” dhe të tjerë veç tij, se ai shkonte tek tregu i librave. Me të arritur atje fillonte e shfletonte librat gjithë ditën në dyqanin e librave. Me vete mbante disa fletë ku shkruante gjërat që i pëlqenin, pastaj kthehej në shtëpi dhe ato citate i bënte pjesë të librave të tij.

Shumë dijetarë kanë shkruar libra të plotë me këto dobi të grumbulluara andej-këndej. I tillë është për shembull libri “El funun” i Ibn Akilit, i cili është nga librat më voluminozë që ekzistojnë. Po ashtu edhe “El feuaid el aunijeh” i Uezir ibn Hubejrah, “Sajdul khatir” (Gjuetia e meditimeve) etj. veç tij të Ibnul Xheuzit, “Kajdul euabid” (400 vëllime) i Deghlulit, “Ujunul feuaid” i Ibnun Nexhar (6 vëllime), “Bedaiul feuaid” dhe “El feuaid” të Ibnul Kajimit, “Et tedhkirah” të Kindit (50 vëllime), “Mexhmul feuaid ue menbeul feraid” i Mikrizit si kujtime të tijat që është afërsisht 100 vëllime, “Tedhkirah” i Sujutit në shkenca të ndryshme 50 vëllime, “Tedhkirah” i Safediut më shumë se 30 vëllime ku disa prej tyre janë dorëshkrime, dhe shumë e shumë të tjera.
Të mos mendojë njeri për shkak të lavdërimit që i bëmë ruajtjes së diturisë nëpërmjet shënimeve, se ne i japim pak rëndësi memorizimit dhe e nënvlerësojmë atë. Jo, kurrsesi. Në fakt nuk ka përplasje mes atyre të dyjave dhe falënderimi i takon Allahut të Lartësuar. Sidomos po të kesh parasysh se ata që i përmendëm më sipër për kujdesin e madh që tregonin ndaj shënimeve ishin prej më memorizuesve (hafizave) më të mëdhenj.

Lavdërimi i takon Allahut me mirësinë e të Cilit përsosen punët e mira!

 

Marrë nga libri: “Nxitësi për lexim”.

Përktheu: Emin Bilali