Mënyra e pastrimit të shtëpisë nga prezenca e shejtanëve

December 5, 2018

Mënyra e pastrimit të shtëpisë nga prezenca e shejtanëve

Pyetje: Nëse ndien apo je i sigurtë se në shtëpinë tënde ka prani të xhinëve, atëherë çfarë duhet të bësh?
Përgjigje: Lëvdatat dhe falënderimet i përkasin vetëm Allahut! Nëse ndien që shtëpia është e banuar ose ka në të prezencë të shejtanëve, duke u bazuar në shikimin e pamjeve të çuditshme apo dëgjimin e zhurmave të çuditshme apo përmbysjen e gjendjes në shtëpi, atëherë duhet që të shtojë në të përmendjen e Allahut. Madje duhet t’a ngrejë zërin me Kuran gjatë natës dhe ditës në mënyrë që të dëbojë djajtë prej saj, veçanërisht t’a bëjë këtë kur hyn në shtëpi në çfarëdo kohe qoftë. Kjo duke u bazuar në hadithin që transmetohet tek Sahihu i Muslimit ku thuhet: “Kur njeriu dëshiron të hyjë në shtëpinë e tij dhe e përmend Allahun në hyrje dhe në fillimin e ngrënies, atehërë shejtani thotë: Për sot nuk keni as vend fjetjeje dhe as ushqim. Ndërsa kur hyn në shtëpi dhe nuk e përmend Allahun, atëherë shejtani thotë: E keni gjetur vend fjetjen. E në qoftë se nuk e përmend Allahun edhe në fillim të ushqimit atëherë ai thotë: E arritët për sonte vend fjetjen dhe ushqimin.”
Nga shkaqet më të mëdha me të cilat kërkohet ndihmë në raste të tilla është leximi i vazhdueshëm i sures Bekare sepse ajo i dëbon shejtanët, duke u bazuar në fjalën e Profetit (alejhi selam) : “Vërtetë shejtani largohet nga ajo shtëpi në të cilën lexohet surja Bekare.” (Transmeton Muslimi.)
Duhet kushtuar rëndësi leximit të saj, e nëse nuk i lehtësohet diçka e tillë atëherë së paku t’a dëgjojë atë të inçizuar.
Gjithashtu, nga shkaqet që dëbojnë shejtanët nga shtëpia është dhe thënia e tekbirit (Allahu ekber) nëpër cepat e ndryshme të shtëpisë, si dhe ngritja e zërit me thirrjen e ezanit. Kjo është përcjellë nga disa prej selefëve si diçka e pëlqyer, duke pasur parasysh se thënia e tekbirit ka një ndikim të madh në dëbimin e shejtanëve. Është saktësuar në një hadith të saktë që shejtani largohet nga xhamia kur dëgjon ezanin dhe ikametin. Profeti (alejhi selam) kur hyri në Qabe filloi të bënte tekbir nëpër cepat e saj.
Nga mjetet e rëndësishme në dëbimin e shejtanëve nga shtëpia është dhe pastrimi i shtëpisë nga veprimet që nxiten nga shejtanët, siç janë; veglat muzikore, shfaqja e fotografive apo skulpturave, prezenca e qenit duke u bazuar në atë që transmetohet në dy Sahihët se Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Engjëjt nuk hyjnë në atë shtëpi në të cilën ka qen apo fotografi.” Xhibrili nuk pranoi të hynte në shtëpinë e profetit sepse në të kishte një këlysh qeni nën shtratin e Profetit (alejhi selam). Kur u lajmërua për këtë, ai e nxori këlyshin menjëherë jashtë. Nëse shtëpitë pastrohen nga mëkatet dhe në to mbizotëron përmendja e Allahut, atëherë engjëjt janë të pranishëm në të dhe aty zbret bereqeti e mirësia, ngase engjëjt e duan përmendjen e Allahut, adhurimin dhe dëgjimin e së vërtetës. Nga shkaqet e dobishme – me lejen e Allahut – për dëbimin e shejtanëve është spërkatja me ujë në të cilin është tretur kripë e trashë, duke spërkatur pragjet e dyerve, qoshet e shtëpisë dhe muret në mëngjes dhe në mbrëmje, e veçanërisht në kohën e shpërndarjes së djajve në aksham.
Nga shkaqet që të dëbohen shejtanët nga shtëpitë është falja e namazeve dhe kryerja e veprave të mira në to. Në qoftë se banorët e shtëpisë e braktisin namazin ajo shtëpi është e destinuar të shkatërrohet dhe rrënohet, të jetë e boshatisur si varret duke u shndërruar në një vend të dashur për djajtë. Për këtë arsye Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Mos i bëni shtëpitë tuaja varreza.” (Transmeton Muslimi)
Nga shkaqet që i dëbojnë shejtanët nga shtëpia është dhe mbajtja e tyre pastër, aromatizimi me erëra të mira dhe parfume të këndshëm, veçanërisht erërat me tymra (p.sh. temjan). Shejtanët nga natyra e tyre i duan papastërtitë dhe erërat e këqija dhe strehohen në vende të ndyra, dhe në të njëjtën kohë i urrejnë erërat e mira.
Për këtë arsye ka ardhur në traditën Profetike ligjshmëria e kërkimit të mbrojtjes nga Allahu kundrejt djajve meshkuj dhe femra para hyrjes në banjo, siç tregohet në hadithin e Enesit (radijallahu anhu) se Profeti (alejhi selam) kur donte të hynte në banjo thoshte: “O Allah, unë të kërkoj mbrojtje nga shejtanët femra dhe meshkuj.” (Mutefekun alejhi)
Nëse i vepron të gjitha këto shkaqe të dobishme dhe nuk ndryshon asgjë në gjendjen e shtëpisë, por përkundrazi vazhdon të jetë e kuptueshme që xhindët janë prezentë në atë shtëpi duke mos u zhvendosur prej saj, madje vazhdon lëndimi në të, atëherë ndoshta zgjedhja më e mirë dhe më e sigurtë për fëmijët e tu është që të transferohesh nga ajo shtëpi dhe të banosh diku tjetër. Ajo shtëpi nuk është fatlume për të banuar në të ndaj dhe preferohet nga besimtari që të çlirohet nga ajo shtëpi, siç është transmetuar në një hadith: “Nëse ka mungesë ecurie në diçka atehërë kjo ndodh në tre gjëra: Në lidhje me kalin (mjetin udhëtues), në lidhje me gruan, dhe në lidhje me shtëpinë (vendbanimin).” (Mutefekun alejhi)
Allahu e di më së miri! Salavatet dhe selamet qofshin për Muhamedin, familjen dhe shokët e tij!

 

Khalid bin Su`ud el Bulejhid

Përktheu: Shuajb Rexha

Loading...