Merri këto fjalë nga kolosi i diturisë dhe shkruaji me gërma të arta

April 30, 2017

Merri këto fjalë nga kolosi i diturisë, shkruaji me gërma të arta dhe mësoji përmendësh.
Imam Shafiu – Allahu e mëshiroftë – ka thënë:
“Gjuha arabe është gjuha më e gjerë që ka më shumë shprehje (fjalë), dhe nuk dimë ndonjë njeri që ta përfshijë të gjithë atë përveç një Profeti. Nga ana tjetër, nuk mundet që ajo të humbasë prej gjithë umetit por patjetër në mesin e tyre do të gjendet dikush që e di atë (që nuk e njeh shumica). Dituria e saj në mesin e arabëve është si dituria e sunetit në mesin e dijetarëve; nuk njohim ndonjë (dijetar) që ta përfshijë të gjithë sunetin në diturinë e tij dhe që mos t’i shpëtojë asgjë prej tij. Prandaj, nëse grumbullohet dituria që gjendet te shumica e dijetarëve arrihet deri tek suneti (i plotë). E nëse shpërndahet dituria e çdonjërit prej tyre, do t’i ikë secilit diçka prej tij (sunetit). Por ajo që i humbet atij prej sunetit gjendet tek dikush tjetër (prej dijetarëve).
Ata në dituri janë shkallë-shkallë. Ka prej tyre që kanë grumbulluar pjesën më të madhe të sunetit – edhe nëse i ka shpëtuar një pjesë prej tij –, e ka të tjerë që kanë grumbulluar më pak. Ajo e pakta që u ka ikur dijetarëve që kanë mbledhur pjesën më të madhe të sunetit, nuk është argument për lejimin e kërkimit të asaj pjese tek ata që janë më poshtë se ata në dituri. Përkundrazi, ajo duhet kërkuar tek ata që janë të ngjashëm me të në gradë derisa të arrihet tek të gjitha sunetet e të Dërguarit të Allahut sal lall llahu alejhi ue sel lem, flijofsha për të babën dhe nënën time. Shumica e dijetarëve veçohen me grumbullimin e sunetit dhe ata janë në gradë të ndryshme në grumbullimin e tij.”
Thotë dijetari i madh Ahmed Shakir në shënimin e tij, poshtë fjalëve të imam Shafiut: “Kjo që thotë Shafiu në lidhje me sunetet është largpamësi, analizë e hollë, dhe shikim gjithëpërfshirës mbi atë që kanë grumbulluar shujuhët dhe dijetarët e sunetit në kohën e tij, madje edhe para kohës së tij. Në një kohë kur koleksionet e sunetit akoma nuk ishin përpiluar, përveç atyre pak që kishin shkruar disa prej transmetuesve. Pastaj dijetarët hafiza (sh.p. që dinin përmendësh qindra mijëra hadithe – dikush prej tyre edhe një milion – si puna e Imam Ahmedit) filluan ta grumbullonin sunetin në libra të vegjël apo të mëdhenj. Kështu imam Ahmedi, nxënësi i Shafiut, grumbulloi “Musnedin” e tij të madh e të njohur për të cilin tha: “E kam grumbulluar këtë libër dhe hadithet që kam vendosur aty i kam përzgjedhur prej një numri më të madh se 750 mijë hadithesh! Prandaj, kur muslimanët të kundërshtohen për ndonjë hadith të të Dërguarit të Allahut – sal lall llahu alejhi ue sel lem – le të kthehen tek ai libër. Nëse e gjejnë aty mirë, përndryshe ai nuk është argument (sh.p. nuk është hadith që mund të argumentohesh me të).”
E megjithatë atij i kanë kaluar pa përmendur shumë prej haditheve të sakta, sepse tek “Dy të saktët” ka hadithe që nuk gjenden tek “Musnedi” (sh.p. sidoqoftë imam Ahmedi nuk qortohet sepse ka folur për masën e haditheve që kanë qenë të njohura në atë kohë, apo që i kanë mbërritur atij. Allahu e di më mirë).
Po ashtu, dijetarët hafiza përpiluan “El kutubus-sitteh” (sh.p. “Gjashtë librat” është për qëllim: “Sahihul Buhari” dhe “Sahihul Muslim” siç njihen gjerësisht, edhe pse emrat e tyre të plotë janë pak më të gjatë. Pastaj “Sunen Ebi Daud”, “Suneni i Tirmidhiut”, “Suneni i Nesaiut”, “Suneni i Ibn Maxhes”) dhe aty ka hadithe (shtesë) që nuk gjenden tek “Musnedi”. Të gjitha ato bashkë me “Musnedin” e përfshijnë pjesën më të madhe të sunetit, por jo të gjithin.
Nëse i bashkojmë hadithet që janë në to dhe hadithet që gjenden tek librat e tjerë të njohur si: “Mustedrakul Hakim”, “Es-sunen el kubra” i Bejhekiut, “El munteka” të Ibn Xharudit, “Sunen ed Darimi”, tre “Muxhem-ët” e Taberanit, “Musnedin e Ebu Jalas”, “Musnedin e Bezzarit”, nëse i mbledhim hadithet që gjenden tek këta libra e kemi përfshirë të gjithë sunetin. Mendimi mbizotërues është se nuk na ka ikur asgjë prej tij, madje gati-gati mund të jemi krejtësisht të bindur për këtë.
Ky është qëllimi i fjalëve të Shafiut: “Nëse grumbullohet dituria që gjendet te shumica e dijetarëve arrihet deri tek suneti (i plotë).” Dhe i fjalëve të tij: “Shumica e dijetarëve veçohen me grumbullimin e sunetit.” Shafiu e tha këtë teorikisht përpara se të realizohej diçka e tillë praktikisht nëpërmjet koleksioneve të hadithit. Sa dijetar i mahnitshëm ka qenë! (Sh.p. Allahu i mëshiroftë të gjithë!)
“Er-risaleh” 128-129.

Loading...