💎 Mësime nga Hendeku: Sinqeriteti dhe qëndrueshmëria e besimtarëve përballë hipokrizisë
✍ Prof. Dr. Ali Muhamed Auda
Profeti ﷺ punonte edhe vetë për ti nxitur dhe motivuar shokët e tij që ta përfundonin hapjen e hendekut sa më shpejt të ishte e mundur.
Transmetohet se ai ﷺ doli për tek hendeku, dhe pa Muhaxhirët dhe Ensarët duke gërmuar në një mëngjes të ftohtë. Kur pa lodhjen dhe urinë e tyre, tha: “O Zot! Jeta e vërtetë është jeta e botës tjetër, prandaj fali Ensarët dhe Muhaxherët!”
Ata iu përgjigjën duke thënë me entuziazëm: “Ne jemi ata që i dhamë besën Muhamedit për të luftuar, në rrugën e Allahut derisa të jemi gjallë!”
Kështu, besimtarët punonin me përkushtim dhe disiplinë. Kur ndonjëri kishte nevojë të largohej, kërkonte leje nga Profeti ﷺ — sepse të gjithë ishin të përfshirë në një çështje të përbashkët me të, qoftë ajo luftë apo ndonjë punë tjetër. Kjo ishte etika islame në veprim. Pasi kryente punën e tij, sahabiu kthehej dhe, nëse vendi i tij ishte zënë, bashkohej me të tjerët në një pjesë tjetër të punës.
Profeti ﷺ ishte udhëheqës, por edhe punëtor me ta, duke ndarë me të tjerët mundin dhe përgjegjësinë.
Por, jo të gjithë ishin të njëjtë. Midis radhëve ishin edhe hipokritët, të cilët silleshin me zemra të sëmura. Ata largoheshin fshehurazi nga puna, shpiknin justifikime të rreme dhe përpiqeshin të përhapnin dembelizëm dhe dëshpërim në mesin e besimtarëve.
Kurani i zbuloi gjithmonë prapaskenat e zemrave të tyre, në luftë dhe raste të tjera.
Allahu i Lartësuar thotë: “Besimtarët e vërtetë janë ata që besuan Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe, kur janë bashkë me të në një çështje të përbashkët, nuk largohen pa kërkuar leje prej tij. Ata që të kërkojnë leje, janë ata që besojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij…” En-Nur: 62–64.
Fjala “لواذًا / liuādhā” nënkupton: “që fshihen pas të tjerëve e largohen një nga një”. Kështu bënin hipokritët – largoheshin fshehurazi dhe sillnin pretekste boshe për të dobësuar moralin e muslimanëve dhe për të penguar punën e tyre.
Në kohët tona, disa njerëz sillen në mënyrë të ngjashme në vendin e punës: shmangen nga përgjegjësitë, gënjejnë dhe kërkojnë justifikime për t’u larguar gjatë orarit të punës – dhe kështu ngarkohen me haram në fitimin e tyre. Kujdes! Kjo është e njëjta rrugë që ndiqnin hipokritët.
Kur muslimanët përfunduan hendekun, Profeti ﷺ tha: “A ka mbetur ndonjë pjesë pa u mbyllur?”
Ata i thanë: “Po, aty ku është një çarje me shkëmb.”
Tha: “Vendosni aty gurë dhe forcojeni, sepse unë e shoh armikun tuaj që do të vijë sonte.”
Pastaj Profeti ﷺ e kaloi natën duke u falur dhe duke u lutur, dhe ishte vetë që i kontrollonte rojet – një udhëheqës që nuk komandonte nga larg, por qëndronte në vijën e parë.
Kur arritën ushtritë e aleatëve (Ahzabët), u tronditën nga pamja e hendekut. Thanë të hutuar: “Çfarë është kjo dinakëri?!”
Arabet nuk e njihnin këtë lloj taktike ushtarake. Ata e rrethuan hendekun, por pamundësia për ta kaluar i la pa zgjidhje, ndërsa Allahu e mbrojti Medinën dhe e nderoi Profetin dhe shokët e tij me një fitore të madhe.
📚 Burimet:
“Sira Ibn Hisham”
“Es-Sira en-Nebevijjeh”, Hafidh Ibn Kethir رحمه الله
Të Ngjashme
- Ofensiva e mongoleve në territoret muslimane Udha e Besimtarëve
- A keni dëgjuar për historinë e muezinit të Profetit, Bilal Habeshiut? Udha e Besimtarëve
- Vdekja e nënës dhe e gjyshit të Pjegamberit Udha e Besimtarëve
- Lindja e profetit Muhamed Udha e Besimtarëve
- Sahabiu i nderuar Ikrime ibn Amër ibn Hisham Udha e Besimtarëve