Parathënia e librit el akide et Tahauije – mësimi i dytë (1)

February 26, 2021

Mësimi i dytë: Parathënia e librit El-Akide Et-Tahauije

(pjesa e parë)

 

Në parathënien e librit El-Akide Et-Tahauije shënohet:

***

“Lëvdatat i takojnë Allahut, Zotit të botëve!

Ka thënë El-Alame Huxhetul Islam, Ebu Xhafer El-Uerrak Et-Tahauij në Egjipt -Allahu e mëshiroftë:…

***

Kjo parathënie fillon me lavdërimin e Allahut të Madhëruar siç është zakoni i muslimanëve në fillimin e çdo fjalimi, zakon të cilin e kanë marrë nga Kurani dhe Suneti profetik.

Allahu i Madhëruar e ka hapur suren e parë të Kuranit me ajetin: “El-Hamdu lilahi Rabil-Alemin.” Që do të thotë: “Lëvdatat i takojnë Allahut, Zotit të botëve.” Suretu El-Fatiha: 1.

Ndërsa Profeti (alejhi selam) në fillim të çdo hytbeje thoshte: “Lëvdatat i takojnë Allahut dhe ne Atë lavdërojmë.” Dhe thoshte: “Çdo fjalim i cili nuk ka shahadet (formulën e dëshmisë “Eshhedu en la ilahe ilallah ue Eshhedu ene Muhameden resullullah”) është si dora e këputur.” Transmeton Ebu Daudi, Tirmidhiu etj dhe e saktëson shejh Albani.

Fjala e tij “si dora e këputur” d.m.th. e padobishme, sepse pjesa e këputur e dorës pasi ndahet nga pjesa tjetër nuk i bën më dobi të zotit.

Për këtë arsye fjalimet e Profetit (alejhi selam) siç përcillet në hadithe të sakta, fillonin me hyrjen e tij të njohur e cila përmbante lavdërimin e Allahut, dy dëshmitë, tre ajetet që porosisin për devotshmëri, ruajtjen e islamit fesë së drejtë, përkujtimin e origjinës njerëzore, ruajtjen e farefisit, thënien e së vërtetës dhe shpërblimet që ato sjellin, dhe së fundi pohimin e vërtetësisë së fjalës së Allahut, begatisë së fjalës profetike dhe rrezikun e shpikjeve në fe.

Shejhu i Islamit Ibn Tejmije – Allahu e mëshiroftë – në lidhje me këtë hyrje të fjalimeve të tij thotë: Është e pëlqyeshme të bëhet sa herë që u përcillet dije njerëzve në përgjithësi, e në veçanti mësimi i Kuranit, mësimi i Sunetit, mësimi i Fikhut dhe po ashtu këshillimet e njerëzve dhe debatet me ta. Shih librin Mexhmu El-Fetaua: 18/287.

Imam Et-Tahauij – Allahu e mëshiroftë – në këtë libër nuk e ka përmendur të plotë këtë hyrje profetike, duke u mjaftuar vetëm me lëvdimin e Allahut të Madhëruar. Ndoshta për faktin se ky libër është përmbledhje e shkurtër, sepse ai në një libër tjetër voluminoz të tij dhe konkretisht libri “Mushkil El-Athar” e përmend atë të plotë. Allahu e di më së miri!

 

Pastaj kjo parathënie vijon me fjalinë:

[Ka thënë El-Alame Huxhetul-Islam, Ebu Xhafer El-Uerrak Et-Tahauij në Egjipt – Allahu e mëshiroftë -]

Kjo fjali duket qartë se nuk është e autorit dhe është shtuar nga dorëshkruesit që shumëfishonin kopjet e librave në atë kohë, për të treguar për autorin e librit.

Ata e përshkruajnë këtë dijetar me disa cilësi.

E para: El-Alame, që do të thotë shumë i dijshëm. Ky është titull që u jepet njerëzve të cilët kanë mbledhur dije të madhe.

E dyta:  Huxhetul-Islam, që do të thotë qartësuesi i Islamit. Ky titull në origjinë i shkon për shtat profetit Muhamed – alejhi selam -, por ai është përdorur edhe për dijetarët e shquar të fesë që kanë bërë të njëjtën gjë pas largimit të tij. Profeti – alejhi selam – ka thënë: “Dijetarët janë trashëgimtarët e profetëve. Ata nuk kanë lënë pas dinar dhe dërhem por kanë lënë dijen. Kush e përvetëson atë, ka arritur fitoren e madhe.”E transmeton Ebu Daudi, Tirmidhiu, Ibn Maxhe etj. dhe e saktëson shejh Albani.

E treta: Ebu Xhafer, që do të thotë babai i Xhaferit. Arabët në shenjë respekti për një burrë që është bërë baba, nuk i drejtohen atij në emër por i drejtohen me llagapin “Babai i filanit”. Ky zakon është i hershëm mes arabëve, dhe përderisa ai përmbante një domethënie të mirë është miratuar nga Profeti – alejhi selam – duke e përdorur atë për vete dhe për të tjerët. Ai madje e ka përdorur edhe për fëmijë që janë në mosha të vogla duke përdorur emra imagjinarë, me shpresë që kur të rriten të bëhen baballarë. Siç thotë Enesi – radiallahu anhu – për vëllain e tij të vogël i cili sapo kishte filluar të hajë, se Profeti – alejhi selam – i ka thirrur atij Ebu Umejr. E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

E katërta: El-Uerrak, që do të thotë shkrues i madh i letrave. Ai ka shkruar shumë libra, ku vetëm ato të hadithit (libri Mushkil El-Athar dhe Sherh Meanij El-Athar) sot janë në njëzetë vëllime.

E pesta: Et-Tahauij, që do të thotë njeri me prejardhje nga fshati Taha i Egjiptit siç u tha më lart.

Këto janë përshkrimet e imam Tahauit – Allahua e mëshiroftë – sipas dorëshkruesve të librit të tij, ku një pjesë e të cilave janë tituj vlerësues që tregojnë për rëndësinë e tij në fushën e dijeve islame. Në fund të fjalës së tyre ata përmendin qartë vendin në të cilin ai ka jetuar dhe që është Egjipti.

Egjipti është një vend shumë i vjetër dhe i njohur, të cilin e ka begatuar Allahu i Madhëruar me lumin Nil. Për këtë lumë Profeti – alejhi selam – ka njoftuar se është një prej lumenjve të Xhenetit, por që rrjedh jashtë tij në këtë Dynja. Ky lumë ka bërë që Egjipti të popullohet shumë herët nga njerëzit dhe në tokën e tij të zhvillohen shumë ngjarje, ndër to edhe ngjarje me profetët e Allahut. Për këtë arsye emri i tij është përmendur disa herë në Kuran si në historinë e Jusufit – alejhi selam -, Faraonit dhe Musait – alejhi selam.

Shkroi: Dr Abdullah Nabolli

Dosje:

Loading...