Mësimi i pestë: Parathënia e librit El-Akide Et-Tahauije (pjesa e katërt)

Mësimi i pestë: Parathënia e librit El-Akide Et-Tahauije

(pjesa e katërt)

Autori në vazhdim të parathënies së tij duke treguar më gjerësisht se çfarë përmban kjo përmbledhje e besimit të fukahave, thotë se ajo është:

[Sqarim i asaj çfarë ata besonin për baza të fesë dhe me çfarë ata i bindeshin Zotit të botëve.]

Ai në këtë pjesë të fundit të parathënies së tij e quan dijen e akides bazë të fesë, dhe kjo për dy arsye:

E para: Për të dalluar dijet nga njëra tjetra, pra dijen e Akides nga dija e Fikhut, sepse Akidja është për anën e besimit apo bindjeve të brendshme ndërsa Fikhu është për anën praktike dhe punëve të jashtme.

E dyta: Për të treguar rëndësinë e dijes së Akides sepse ana e besimit duhet të jetë baza e anës praktike, dhe se çdo gjë e anës praktike duhet të ndërtohet mbi bazën e bindjeve të sakta Islame.

Allahu i Madhëruar kur flet për hipokritët në Kuran, thotë:

وَمَا مَنعهم أَن تقبل مِنْهُم نفقاتهم إِلَّا أَنهم كفرُوا بِاللَّه وبرسوله

Atyre nuk ua pengoi gjë tjetër pranimin e bamirësisë, veç faktit se mohuan Allahun dhe Profetin e Tij.” Suretu Et-Teube: 54.

Besimi në Allahun dhe në Profetin e Tij i përmendur në këtë ajet janë ana e bindjeve fetare, ndërsa bamirësia është ana praktike e tyre. Kjo do të thotë se mospasja e bindjeve të sakta Islame ua pengoi hipokritëve pranimin e punëve të mira praktike.

Profeti -alejhi selam- është pyetur njëherë për Ibn Xhudanin, një bamirës i njohur në kohën e injorancës, dhe i është thënë: “O i dërguar i Allahut! Ibn Xhudani në kohën e injorancës mbante lidhjet farefisnore, nderonte mikun, çlironte robin dhe respektonte komshiun. A do ti bëjnë ato dobi atij? Ai u përgjigj: Jo, sepse ai nuk ka thënë ndonjë ditë: O Zot! Mi fal gabimet e mia ditën e shpërblimeve!” E transmeton Muslimi, Ahmedi etj.

Fakti që ky njeri nuk e ka bërë këtë lutje do të thotë se ai nuk e besonte ringjalljen dhe Ditën e Gjykimit – siç sqarojnë interpretuesit e haditheve.

Besimi në Ringjallje dhe në Ditën e Gjykimit përfshihet gjithashtu te ana e bindjeve, dhe kur ky burrë nuk i besonte ato bëri që bamirësia e tij të mos pranohej.

Pra, ana e besimit dhe e bindjeve janë bazat e fesë mbi të cilat duhet të ndërtohet ana praktike, dhe ato janë Akidja e muslimanit të cilën autori synon të sqarojë në këtë libër.

Pastaj autori përdor qartë fjalën “bindje” për të cilësuar me të bazat e fesë, kur thotë: “dhe me çfarë ata i bindeshin Zotit të botëve”.  Ai i cilëson bazat e fesë me fjalën “bindje”, sepse mbartja e tyre duhet të shoqërohet me siguri dhe nënshtrim, përndryshe ajo është hipokrizi.

Allahu i Madhëruar thotë në Kuran:

إِنَّمَا الْمُؤْمِنُونَ الَّذِينَ آمَنُوا بِاللَّهِ وَرَسُولِهِ ثُمَّ لَمْ يَرْتَابُوا وَجَاهَدُوا بِأَمْوَالِهِمْ وَأَنْفُسِهِمْ فِي سَبِيلِ اللَّهِ أُولَئِكَ هُمُ الصَّادِقُونَ

Besimtarët janë ata të cilët besuan Allahun dhe profetin e Tij, pastaj nuk dyshuan dhe u përpoqën me pasuri dhe shpirt në rrugën e Allahut. Këta janë ata të sinqertët.” Suretu El-Huxhurat: 15.

Mohimi i dyshimit në këtë ajet do të thotë pohim i sigurisë, ndërsa pohimi i përpjekjes do të thotë nënshtrim. Rezultati është se ata janë besimtarët e sinqertë me bindje të drejta dhe të patundura.

Bazat e fesë janë bindje të plota në zemrat e besimtarëve dhe me to ata i nënshtrohen Zotit të botëve.

Këtu përfundon parathënia e autorit për të hyrë më pas në detajet e besimit. Lusim Allahun e Madhëruar të na i lehtësojë shtjellimin e tij!

Shkroi: Dr. Abdullah Nabolli