Surja el Kafirun (Jobesimtarët)
Mekase 6 vargje
Bismil-lâhirr Rrahmânirr Rrahîm
1-Thuaj: “O ju mosbesimtarë!
2-Unë nuk adhuroj çfarë ju adhuroni
3-dhe ju nuk jeni adhurues të Atij që unë adhuroj.
4-Unë nuk do të jem kurrë adhurues i atyre që ju i adhuroni
5-dhe as ju nuk do të jeni adhurues të Atij që unë adhuroj!
6-Ju keni fenë tuaj, ndërsa unë kam fenë time!”
Muslimi përcjell nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) se ka thënë: Profeti (alejhi selam), lexonte në dy rekatet e (suneteve) sabahut suren: “Kul ja ejuhel kafirun” (Thuaj: “O ju mosbesimtarë!) si dhe suren: “Kul hua Allahu Ehad” (Ihlas). [Muslimi me nr 726].
Ahmedi dhe të tjerë, përcjellin nga Ubej bin Keab se ka thënë: I dërguari i Allahut (alejhi selam) e falte namazin e vitrit duke lexuar suren: “Sebihime rabikel Ala” (Eala), suren: “Kul ja ejuhel kafirun (Thuaj: “O ju mosbesimtarë!)” si dhe suren: “Kul hua Allahu Ehad” (Ihlas). [E përcjell Abdullah bin Ahmed në shtojcat e Musnedit 5/123, Ebu Daudi me nr 1423, Nesaiu 3/344 dhe ibn Maxheh me nr 117.].
Imam Begaviu (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Kjo sure ka zbritur për një grup nga Kurejshët që thanë: O Muhamed, eja ndiq fenë tonë dhe ne të ndjekim fenë tënde dhe do të jesh i përfshirë në të gjitha çështjet tona. Adhuro idhujt tanë 1 vit dhe të adhurojmë Zotin tënd 1 vit tjetër.
Nëse feja me të cilën erdhe është e mirë, atëherë edhe ne do të jemi bashkëortakë me ty dhe marim pjesën tonë të mirësisë. E nëse kjo që ndjekim ne është e mirë, atëherë edhe ti na shoqëron dhe bëhesh pjesë e kësaj mirësie. Ai (Profeti) tha: Zoti më ruajttë që ti bëj ortak Atij dikë tjetër. Ata i thanë: Atëherë pranoi disa nga idhujt tanë, që të të besojmë dhe të adhurojmë Zotin tënd. Ai tha: Jo derisa të pres çfarë më shpallet nga Zoti im! Atëherë Allahu i Lartësuar shpalli: (Thuaj: “O ju mosbesimtarë!) e deri në fund të sures.
Profeti (alejhi selam) u nis për tek shtëpia e shenjtë (Qabja) dhe aty po qëndronte një grup nga Kurejshët. U ngrit mes tyre dhe ua lexoi këtë sure nga fillimi deri në fund. Atyre nuk u mbeti më shprese pas kësaj dhe filluan ta lëndonin atë dhe shokët e tij. [E përcjell Ibn Xherir et Taberi 20/331 nga ibn Abasi].
Kuptimi i ajetit: “Unë nuk adhuroj çfarë ju adhuroni” d.m.th në gjendjen në të cilën jam.
Edhe ajeti: “dhe ju nuk jeni adhurues të Atij që unë adhuroj.” D.m.th në gjendjen në të cilën jeni.
Ndërsa ajeti: “Unë nuk do të jem kurrë adhurues i atyre që ju i adhuroni” Nënkupton të ardhmen.
Edhe ajeti: “dhe as ju nuk do të jeni adhurues të Atij që unë adhuroj!”
Githashtu nënkupton të ardhmen.
Këto fjalë u drejtohen atyre që Allahu e dinte shumë mirë në dijen e Tij absolute se nuk do të besonin edhe në të ardhmen.
“Ju keni fenë tuaj” idhujtarinë
“Ndërsa unë kam fenë time!” d.m.th Islamin.
Çfarë përfitojmë nga këto ajete?
1-Pohimi i besimtit në paracaktimin e Allahut dhe se Allahu e ka ditur atë që do të besojë dhe atë që do të mohojë (në dijen e Tij absolute).
2-Ndihma që ALLAHU i jep Pejgamberit dhe ruajtja e tij që të mos pranonte propozimin e kotë të idhujtarëve.
3-Pohimi i ekzistencës së ndarjes mes ithtarëve të besimit dhe ithtarëve të mohimit.
Marrë nga Libri “Teufiku Rrahman fi durusi el Kuran”
Autor Fejsal bin Abdul Aziz Al Em Barek (Allahu e mëshiroftë).
Dobitë në fund të komentit janë marrë nga libri “Ejser et Tefasir” me autor Ebu Bekr el Xhezairi (Allahu e ruajtë).
Përktheu Fatjon Isufi