Mëso rreth sures “El Keuther” (Gjithë të mirat)

February 8, 2017

SURJA EL-KEUTHER

Mekase – 3 vargje

Bismil-lâhirr Rrahmânirr Rrahîm

  1. Me të vërtetë që Ne të kemi dhënë ty Keutherin,[1]
  2. andaj, falu (vetëm) për Zotin tënd dhe ther kurban!
  3. Sigurisht, ai që të urren ty, ai vetë është fatprerë.[2]

 

Ibn Umer (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) ka thënë: “Keuther” është një lum në xhenet, dy anët e tij janë prej ari dhe argjendi, shtrati i tij është prej xhevahireve dhe rubinëve ndërsa uji i tij është  më i bardhë se qumështi dhe më i ëmbël se mjalti.[3]

Enesi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) ka thënë: I dërguari i Allahut (alejhi selam) ka thënë: Hyra në xhenet dhe para meje mu shfaq një lum, brigjet e të cilit shkëlqenin si diamantë. Vura dorën për të parë shtratin e tij dhe uji rridhte mbi misk me erë të mirë. Unë pyeta: çfarë është ky o Xhibril? Ai më tha: Ky është Keutheri të cilin Allahu ta dhuroi ty.[4] [Buhariu dhe Muslimi, ndërsa versioni i përket Ahmedit].

Muxhahidi ka thënë: “Andaj, falu (vetëm) për Zotin tënd dhe ther kurban.” Është për qëllim namazi i obliguar dhe therja e kurbanit.

“Sigurisht, ai që të urren ty, ai vetë është fatprerë.” Ibn Abasi thotë: Është për qëllim armiku i tij (kushdo qoftë ai).

Shkaku i zbritjes së kësaj sureje?

Jezid bin Rumani thotë: As bin Uailit kur i përmendnin Profetin (alejhi selam) thoshte: Lëreni atë, sepse është fatprerë,  pa pasardhës. Kur të vdesë do të shuhet emri i tij. Më pas, Allahu e zbriti këtë sure. [Tefsiri i ibn Kethirit 4/559].[5]

 

Çfarë përfitojmë nga kjo sure?

1-Mësojmë nderimin e madh që Allahu i Lartësuar i ka bërë Profetit Muhamed (alejhi selam).

2-Pohimin e haditheve që flasin për Keutherin dhe se ai është lum në xhenet.

3-Obligimin e sinqeritetit në të gjitha adhurimet, veçanërisht atë të namazit dhe kurbanit.

4- Lejimin e lutjes kundër zullumqarit.

Marrë nga Libri “Teufiku Rrahman fi durusi el Kuran”

 Autor Fejsal bin Abdul Aziz Al Em Barek (Allahu e mëshiroftë).

 Dobitë në fund të komentit janë marrë nga libri “Ejser et Tefasir” me autor Ebu Bekr el Xhezairi (Allahu e ruajtë).

 Përktheu Fatjon Isufi

 

[1] Kjo fjalë, sipas disa transmetimeve, tregon një lumë në Xhenet, të cilin Allahu i Madhëruar ia ka premtuar si dhuratë Profetit Muhamed (alejhi selam.), për ta kompensuar dhe ngushëlluar për gjithçka që ka hequr për çështjen e Tij. Komentet tradicionale thonë se ajo tregon pozitën e Profetit (alejhi selam.) në Xhenet, ku do të vendoset në vendin më të lartë (el uesila) dhe do të kënaqet me mirësitë e dritës hyjnore.

[2] “fatprerë”: në tekstin origjinal thuhet “ebter”, që do të thotë “pa bisht”. Kjo shprehje ishte epitet ironik që arabët ia vinin dikujt që nuk kishte djem. Sipas disa transmetimeve, biri i Profetit Muhamed (a.s.), Kasimi, vdiq në një moshë fare të njomë dhe, për këtë, një nga armiqtë e Profetit (aalejhi selam.) e quajti atë fatprerë, duke aluduar se edhe feja që ai predikonte, do të ishte e tillë.

[3] E përcjell Ibn Xheriri 30/320].

[4] E përcjell Ahmedi 3/263, Buhariu me nr 4964, Muslimi 1/300,301.

[5] E njëjta gjë është përcjellë edhe nga Ibn Abasi, Muxhahidi,  Seid bin Xhubejri dhe Katadeh. Disa kanë thënë: Kjo sure ka zbritur për Ukbe bin Ebi Muajt. Kjo transmetohet nga Shemr bin Atije, Ikrima etj. Disa të tjerë kanë thënë: Kjo sure ka zbritur për Keab el Eshraf. Kjo transmetohet nga Ibn Abasi. Them: Kjo sure edhe pse mund të ketë zbritur për një person të identifikuar, duhet ditur se është gjithëpërfshirëse për të gjithë ata që urrejnë apo armiqësojnë Profetin alejhi selam në çdo kohë apo brez. Allahu e di më së miri.

Loading...