Metodologjia e adhuruesve dhe sqarimi i rregullave të fesë (2)

Personi gjatë gjatë kryerjes së nevojës personale ulet duke u mbështetur mbi këmbën e majtë dhe e shtrin këmbën e djathtë.[1] Gjatë kryerjes së nevojës (apo urinës) personi duhet të fshihet pas ndonjë pengese (muri) e gjërave të ngjashme[2] dhe të largohet nga shikimi i njerëzve nëse gjendet në vend të hapur.[3]

Nuk i lejohet atij që ta kryej nevojën e tij në rrugë, apo në venden ku qëndrojnë dhe ulen njerëzit, apo nën pemët me fruta, apo në vendet ku mund të dëmtohen njerëzit.[4]

Mos të drejtohet kah Kibla[5] dhe mos t’ia kthejë shpinën asaj gjatë kryerjes së nevojave personale. Bazuar në fjalën e tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem:

إِذَا أَتَيْتُمُ اَلْغَائِطَ فَلَا تَسْتَقْبِلُوا اَلْقِبْلَةَ بِغَائِطٍ وَلَا بَوْلٍ, وَلَا تَسْتَدْبِرُوهَا, وَلَكِنْ شَرِّقُوا أَوْ غَرِّبُوا

Kur të shkoni për të kryer nevojat personale, mos u drejtoni me fytyrë nga Kibla dhe as me shpinë nga ajo, por drejtohuni nga lindja e perëndimi”. Mutefekun alejhi[6]

Pasi të mbarojë kryerjen e nevojës personale, të pastrohet me tre gura[7] dhe gjëra të ngjashme që pastron vendin e pastaj pastrohet me ujë.[8] Mjafton për pastrim dhe përdorimi i njërës prej tyre (gurit apo ujit).[9]

Mos të pastrohet me jashtëqitjen e kafshëve[10] dhe as me eshtra siç ka ndaluar nga kjo Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.[11] Po ashtu nuk lejohet pastrimi me gjërat e shenjta.[12]

Mjafton për largimin (larjen) e të gjithave papastërtive –qoftë nga trupi, apo rrobet, apo toka etj.- që të largohet esenca e saj (papastërtisë), sepse legjislacioni islam nuk ka kushtëzuar në larjen e të gjitha papastërtive numër (të caktuar)[13] përveç papastërtisë së qenit,[14] për të cilën ka kushtëzuar larjen e saj shtatë herë[15] ku njërën prej tyre me dhe’.[16]

Gjërat e papastërta janë:

1. Urina e njeriut dhe nevoja e tij.

2. Gjaku,[17] nëse është i pakët nuk ka problem. P.sh. gjaku (pikat e gjakut) gjatë therjes së kafshëve që u hahet mishi (është i papastër), përveç atij (gjakut) që mbet në mish dhe venat (damarë), ai është i pastër.[18]

3. Prej papastërtive është: Urina dhe jashtëqitja e të gjitha kafshëve që ndalohet ngrënia e mishit të tyre.[19]

4. Të gjitha ergërsirat janë të papastërta.

5. Po ashtu dhe e ngordhura përveç:

– Njeriu i vdekur

– Ato që nuk kanë gjak që u rrjedh[20]

– Peshku

– Karkaleci. Të gjitha këto janë të pastërta.[21]

Allahu Madhëruar thotë: “Ju është ndaluar e ngordhura,[22] gjaku,[23] mishi i derrit,[24] ajo që theret jo në emër të Allahut,[25] kafsha e mbytur,[26] kafsha e ngordhur nga goditja,[27] kafsha e ngordhur nga rrëzimi nga lartësia, kafsha e ngordhur nga brirët e kafshëve të tjera, kafsha e ngrënë nga egërsirat[28]përveç atyre që i therni ju para se të ngordhin, si dhe kafsha e therur mbi idhuj. Ju ndalohet gjithashtu kërkimi i njohjes së fatit me short.[29] Të gjitha këto janë dalje nga bindja ndaj Allahut.[30] Sot,[31] ata që nuk besojnë e humbën çdo shpresë për t’ju larguar nga feja tuaj,[32] prandaj mos u frikësoni prej tyre, por kini frikë vetëm prej Meje![33] Sot jua përsosa fenë tuaj,[34] e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj…”[35] deri në fund të ajetit.[36]

Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem thotë: “Besimtari nuk është i papastër as i gjallë dhe as i vdekur”.[37]

قَالَ رَسُولُ اَللَّهِ {أُحِلَّتْ لَنَا مَيْتَتَانِ وَدَمَانِ, فَأَمَّا الْمَيْتَتَانِ: فَالْجَرَادُ وَالْحُوتُ, وَأَمَّا الدَّمَانُ: فَالطِّحَالُ وَالْكَبِدُ}

Transmetohet nga Ibën Umeri radijAllahu anhuma se ka thënë: I Dërguari i Alalhut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Na janë lejuar dy ngordhësira dhe dy gjakra. Dy ngordhësirat janë karkaleci dhe peshku. Ndërsa dy gjakrat janë shpretka dhe mëlçia.” Transmeton Ahmedi dhe Ibën Maxhe[38]

Ndërsa jashtëqitja e kafshëve që u hahet mishi dhe urina e tyre janë të pastërta. Sperma e njeriut është e pastër. Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e lante kur ajo (sperma) ishte e njomtë dhe e fërkonte kur ishte e thatë.[39] Urina e djalit të vogël që nuk ka filluar të ha ushqim, mjafton për pastrimin e tij spërkatja me ujë[40] siç ka thënë Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem:

يُغْسَلُ مِنْ بَوْلِ اَلْجَارِيَةِ , وَيُرَشُّ مِنْ بَوْلِ اَلْغُلَامِ

Urina e vajzës lahet me ujë, ndërsa urina e djalit të vogël spërkatet”. Transmeton Ebu Daudi dhe En Nesai.

Nëse largohet papastërtia, atëherë vendi është pastruar (është i pastër) e nuk të dëmton aspak mbetja në të e ngjyrës dhe erës. Bazuar në fjalën e tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem drejtuar Khauleh bintu Jesar në lidhje me gjakun e menstruacioneve:

يَكْفِيكِ اَلْمَاءُ, وَلَا يَضُرُّكِ أَثَرُهُ

Për ty mjafton uji, ndërsa njolla e tij nuk të dëmton”.[41]

Menhexhus Salikin ue teudihul fikhi fid din

Shejh Abdurrahman es Sadij

Përktheu: Unejs Sheme

Fusnotat:

[1] Autori është bazuar për këtë në hadithin: “Na ka mësuar i Dërguarii Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem që kur të kryejmë nevojën të ulemi mbi këmbën e majtë dhe ta shtrijmë këmbën e djathtë”. Transmeton El Bejhaki. Hadithi është i dobët (daif). Por nëse kjo lloj ulje vërtetohet nga ana mjekësore se e dobishme për njeriun, atëherë e veprojmë, por jo se është kjo është prej sunetit.

[2] Pas ndonjë peme, shkurre etj.

[3] Bazuar në hadithin që transmetohet nga Xhabiri radijAllahu anhu: “Dolëm me të Dërguarin e Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në një udhëtim. Nëse donte të kryente nevojat personale, ai largohej nga ne saqë nuk dukej”. Hadith autentik Ibën Maxheh (335).

Në një transmetim të Ebu Daudit thuhet: “Kur donte të kryente nevojat personale, ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem largohej saqë nuk e shihte më askush”. Hadith autentik Ebu Daudi (2).

Transmetohet nga Ebu Hurejra radijAllahu anhu se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush shkon për të kryer nevojat, të fshihet, e nëse nuk gjen tjetër veçse të grumbullojë një grumbull rërë, ta bëjë e të kthehet me shpinë nga ai grumbull, sepse shejtani luan me të ndenjurat e njeriut. Kush vepron kështu (si këshillova), ai ka vepruar mirë, por kush nuk vepron kështu, nuk ka gjynah mbi të.” Hadith i dobët (daif). Ebu Daudi (35), “Daiful Xhami” (5468).

[4] Transmetohet nga Ebu Hurejra radijAllahu anhu se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Ruajuni dy të mallkuarve”. Thanë: Kush janë ata, o i Dërguari i Allahut? Ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem tha: “Ai që urinon në rrugën e njerëzve dhe ai që urinon në hijen ku ata pushojnë”. E transmeton Ahmedi, Muslimi dhe Ebu Daudi.

[5] Shejhul Islam Ibën Tejmije, Ibnul Kajjimi, Ibën el Arabij dhe imam Esh Sheukani (Allahu i mëshiroftë!) janë të mendimit se ndalohet drejtimi kah Kibla gjatë kryerjes së nevojave vetjake në vend të hapur dhe në tualet (në ndertes). Ndërsa xhumhurët thonë se: Lejohet kur gjendesh në tualet dhe nuk lejohet drejtimi kah Kibla kur je në vend të hapur.

[6] Transmetuesi i hadithi Ebu Ejubi thotë: “Kur erdhëm në Sham, gjetëm që banjot të ishin ndërtuar me drejtim nga Kibla, ndërsa ne devijonim nga ajo me trupat tanë dhe i kërkonim falje Allahut të Lartësuar (kur dilnim).”

Transmetohet nga Ebu Hurejra radijAllahu anhu se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur dikush prej jush të ulet për të kryer nevojat e tij, të mos drejtohet nga Kibla dhe as me shpinë nga ajo”. E transmeton Ahmedi dhe Muslimi.

Në një transmetim tjetër: “Unë jam për ju në vend të babait tuaj dhe iu mësoj juve. Kur dikush prej jush të shkojë për të kryer nevojat e tij, të mos drejtohet nga Kibla dhe as të mos i kthejë shpinën asaj, as të mos pastrohet me dorën e djathtë të tij.” Hadith i mirë (hasen). Ebu Daudi (8), “Sahihul Xhami” (2346).

[7] Transmetohet nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur të shkoni për të kryer nevojat personale, pastrohuni me tre gurë, dhe me to e keni kryer obligimin”. Hadith autentik. Irvaul Galil 44.

Transmetohet nga Xhabiri radijAllahu anhu se i Dërguari sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur dikush prej jush të pastrohet pas jashtqitjes, të pastrohet me tre gurë”. “Es Sahihah” (3316).

Ndalohet pastrimi më me pak se tre gura. Transmetohet nga Abdurrahman bin Jezid se ka thënë: I thanë Selmanit: I Dërguari juaj u ka mësuar çdo gjë, saqë edhe se si dilet në banjë. Selmani tha: “Po, e vërtetë. Ai na ka ndaluar që të drejtohemi nga Kibla kur urinojmë e kryejmë nevojat, na ka ndaluar të pastrohemi me dorën e djathtë, apo që të pastrohemi me më pak se me tre gurë, apo që të pastrohemi me jashtqitje kafshësh apo me eshtra”. E transmeton Muslimi, Ebu Daudi dhe Tirmidhiu.

[8] Transmetohet nga Enes bin Malik radijAllahu anhu se ka thënë: “Kur i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem hynte në banjë, unë dhe një djal tjetër si unë i shpinim atij një kovë me ujë dhe një shkop. Ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem pastrohej me ujë”. Muttefekun alejhi.

Transmetohet nga Ebu Hurejra radijAllahu anhu se i Dërguari sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Ky ajet ka zbritur për banorët e Kubasë: “Në të ka burra që parapëlqejnë të pastrohen, e Allahu i do të pastërtit.” [Et Teube: 108]. Tha sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “Ata pastroheshin me ujë pas kryerjes së nevojave personale, dhe ky ajet zbriti për ta”. Hadith autentik. Ebu Daudi (44), Tirmidhiu (3100), Ibën Maxheh (357), “Irvaul Galil” (45).

[9] Imam En Nevevi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Shumica e dijetarëve të selefëve dhe atyre të mëvonshëm janë të mendimit se më e mira gjatë pastrimit është bashkimi me ujë dhe gurë. Në fillimi përdoret guri për të larguar pjesën e shumtë të papastërtisë pastaj përdoret uji”.

[10] Transmetohet nga Ibën Mesudi radijAllahu anhu se ka thënë: “I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem shkoi të kryente nevojat e tij dhe më kërkoi t’i çoja tre gurë. Unë gjeta dy gurë dhe nuk po gjeja një të tretë, kështu që mora një bajgë të thatë dhe ia çova të gjitha. Ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem mori dy gurët dhe e hodhi bajgën, pastaj tha: Kjo është ndytësirë”. E transmeton Ahmedi, Buhariu, Tirmidhiu dhe Nesai. Në një transmetim tjetër, Ahmedi shton: “Më sill një gur tjetër”.

[11] Transmetohet nga Xhabir bin Abdullah radijAllahu anhu se ka thënë: “I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka ndaluar që të pastrohesh me eshtra apo jashtqitje kafshësh”. E transmeton Ahmedi, Muslimi dhe Ebu Daudi.

[12] Transmetohet nga Ibën Mesudi radijAllahu anhu se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Më erdhi një ftues nga xhinët dhe shkova me të. Unë u lexova atyre nga Kurani”. Thotë (Ibën Mesudi): Ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem na mori dhe shkuam me të, e pamë gjurmët e tyre dhe të zjarreve të tyre. Ata i kërkuan atij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem që të kishin diçka për të ngrënë (hallall) dhe ai u tha: “Për ju është çdo eshtër e kafshëve që janë therur me emrin e Allahut dhe që iu bienë në dorë. Ato janë më të mira për ju sesa mishi, dhe çdo jashtqitje kafshësh (njerëzish) është ushqim për kafshët tuaja (të xhinëve)”. Atëherë i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem na tha: “Kështu që mos u pastroni me to, sepse ato janë ushqimi vëllezërve tuaj”. E transmeton Ahmedi dhe Muslimi.

Transmetohet nga Ebu Hurejra radijAllahu anhu se: Ai po mbarte një kovë me ujë ndërsa ishte bashkë me të Dërguarin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, që ta kishte për abdes dhe për të kryer nevojat. Ndërsa ishte duke shkuar pas tij me kovë në dorë, i Dërguari alejhis selam tha: “Kush është aty?” Unë jam Ebu Hurejra, tha ai. Ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem tha: “Më gjej disa gurë që të pastrohem, por mos më sill eshtra dhe as jashtqitje kafshësh”. Atëherë i shpura disa gurë që i mbaja në cepin e rrobes sime, i lash pranë tij dhe u largova. Kur ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem mbaroi punë, unë iu afrova dhe i thashë: Çfarë kanë eshtrat dhe jashtqitjet e kafshëve? Ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem tha: “Ato janë nga ushqimi i xhinëve. Mua më erdhi një delegacion i xhinëve të cilët ishin shumë të mirë dhe më kërkuan ushqim hallall për ata. Unë i kërkova Allahut për ata, që nëse gjenin eshtër apo jashtqitje kafshësh, të kishin gjetur ushqim në to për veten e tyre.” E transmeton Buhariu.

[13] Kjo që ka përmendur shejh Es Sadij (Allahu e mëshiroftë!) është fjala më e saktë. Këtë ka zgjedhur dhe shejhul islam Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!).

[14] Transmetohet nga Ebu Hurejra radijAllahu anhu se ka thënë: I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nëse pi qeni në enën e ndokujt prej jush, atëherë ta derdhë ujin e saj dhe ta lajë enën shtatë herë.” E transmeton Muslimi dhe En Nesai.

[15] Transmetohet nga Ebu Hurejra radijAllahu anhu, se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nëse lëpin qeni në enën e dikujt prej jush, ta lajë atë shtatë herë”. Mutefekun alejhi.

[16]Pastrimi i enës së ndokujt prej jush, kur atë e lëpin qeni, është që të lahet shtatë herë, e para e të cilave duhet të jetë me dhe’.” Muslimi dhe Ahmedi.

Transmetohet nga Abdullah bin Mugafel radijAllahu anhu, se ka thënë: I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem urdhëroi që të vriten qentë, pastaj tha: “Si e kanë hallin ata me qentë (që ngushtohen për ta)! Pastaj dha leje për mbajtjen e qenit të gjyetisë dhe të bagëtive, dhe tha: Nëse lëpin qeni në enë, lajeni atë shtatë herë, pastaj fërkojeni për të tetën herë me dhe’.” Muslimi, Ahmedi, Ebu Daudi, Nesai dhe Ibën Maxheh.

[17] Xhumhurët thonë se gjaku i njeriut (përjashto këtë gjakun e menstruacioneve) është i papastër dhe është detyrë larja e tij përveç nëse është i pakët. Imam Esh Sheukani, shejh Albani dhe shejh Ibën Uthejmini (Allahu i mëshiroftë!) thonë: Origjina tek gjërat është se ato janë të pastërta derisa të vijë argument që tregon për papastërtinë e tyre. Për këtë tregon dhe historia e sahabit që u goditë me tri shigjeta në kohën që po falte namaz nate, i cili nuk e ndërpreu namazin edhe pse i rridhte gjak.

[18] Shejh Ibën Uthejmini (Allahu e mëshiroftë!) thotë: Gjaku që mbet te kafsha pas therjes së saj është i njëjtë si gjaku që gjendet në vena (damar), në zemër, në shpretkë e në mëlçi, ai është gjak i pastër. Qoftë ai gjak i pakët apo i shumtë”. “Esh Sherh el Mumti” vëll. 1

[19] Siç është luani, tigri, ujku etj.

[20] Siç është milingona, miza, mushkonja, buburreci, merimanga, akrepi etj

[21] Imam En Nevevi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: Peshku dhe karkaleci janë të pastërta me tekst dhe konsensus. Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Uji i tij (detit) është i pastër (dhe pastrues) dhe e lejuar e ngordhura e tij”.

[22] Allahu e ka ndaluar ngrënien e mishit të kafshës së ngordhur, kafshës së cilës i ka dalë shpirti pa u therur dhe që nuk i ka dalë gjaku bashkë me daljen e shpirtit. Por karkaleci dhe peshku janë përjashtuar nga ky gjykim, dhe janë lejuar të hahen, siç ka ardhur një gjë e tillë në hadithet e Profetit Muhamed sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.

[23] Gjaku i derdhur i kafshës është i ndaluar. Padyshim se ai përmban sëmundje e dëme për njeriun, të cilat Allahu i di më së miri, ndaj edhe e ka ndaluar atë me Dijen dhe Urtësinë e Tij.

[24] Të butë dhe të egër, që të dy janë të ndaluar të hahen, dhe nuk është e vërtetë ajo që pretendojnë Ithtarët e Librave të mëparshëm prej hebrenjve dhe të krishterëve, se Allahu ua ka lejuar atyre ngrënien e mishit të derrit, prandaj edhe e ka theksuar këtu. Mishi i derrit është nga gjërat e ndyta, të këqija e të dëmshme, të cilat Allahu i ka ndaluar për besimtarët.

[25] D.m.th. që është therur në emër të idhujve, apo njerëzve të mirë, yjeve, etj, gjë e cila është shokvënie Allahut (shirk).

[26] Me lak apo me dorë duke i shtrënguar fytin deri sa të ngordhë. Nuk lejohet të hahet sepse nuk i ka dalë gjaku bashkë me shpirtin.

[27] Me shkop, gurë apo diçka tjetër të rëndë, që nuk e çan por e shëmb. As kësaj nuk i del gjaku me daljen e shpirtit, prandaj nuk lejohet.

[28] Nëse kafsha ngordh nga kafshimi i egërsirave, ajo nuk lejohet të hahet. Këtu pëfshihen edhe kafshët apo zogjtë e gjyetisë.

[29] Në kohën e injorancës, kur dikush donte të ndërmerrte një udhëtim apo një luftë, a diçka tjetër, hidhte short me disa kupa të posaçme, ku në njërën prej të cilave shkruhej “bëje”, në një tjetër “mos e bëj” dhe një e tretë ishte pa shënim në të. Nëse i qëllonte kupa ku shkruhej “bëje”, ata vazhdonin atë që kishin ndërmarrë, e në të kundërt, jo. Ky lloj falli apo shorti u ndalua sepse ai u bë sikur të ishte ndarësi i fatit të tyre. Në vend të këtij shorti, Allahu i mësoi të Dërguarit të Tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem namazin dhe lutjen e quajtur “Istikhara”, dhe i dërguari ua mësoi atë besimtarëve, për t’ju lutur Allahut që t’ju japë zgjidhjen më të mirë në një çështje të caktuar para se ata ta ndërmarrin atë.

[30] Të gjitha ndalesat që u përmendën më sipër janë dalje nga bindja ndaj Allahut në bindjen ndaj djallit.

[31] Këto ajete iu shpallën të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, në ditën e Arafatit, në vitin kur ai bëri haxhin për herë të fundit në jetën e tij.

[32] Mohuesit dhe idhujtarët i humbën të gjitha shpresat që kishin për t’i kthyer muslimanët nga feja e tyre në idhujtari e mohim të fesë së Allahut. Këtë vit, në të cilin i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem bëri haxhin e tij të lamtumirës, asnjë idhujtar nuk bëri haxh dhe asnjë i zhveshur nuk bëri tavaf rreth Kabes, ashtu si bënin më parë.

[33] Mos ju trembni idhujtarëve dhe mohuesve të Islamit, o besimtarë, sepse ata nuk mund të triumfojnë mbi ju, por të më keni frikën vetëm Mua, që të mos kundërshtoni urdhrin Tim dhe të mos tejkaloni kufijtë e Mi, përndryshe do të meritoni dënimin Tim.

[34] Urdhrat dhe ndalesat, hallallin dhe haramin, bazat dhe degët, dhe çdo gjë që ju nevojitet në fenë dhe në të gjitha lëmitë e jetës suaj, në dynja dhe në botën tjetër; të gjitha këto jua kam sqaruar në Kuran dhe në Sunetin (traditën) e të Dërguarit Tim. Prej këtu, kushdo që pretendon se njeriu ka nevojë të mësojë filozofinë apo shkenca të tjera për të njohur gjërat që lidhen me besimin dhe me ligjet e Allahut, ai është injorant dhe i gabuar në pretendimin e tij, sepse ai pretendon që feja nuk plotësohet veçse me atë që thotë ai, dhe kjo është prej padrejtësisë dhe përgënjeshtrimit më të madh ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.

[35] E zgjodha Islamin si fenë tuaj dhe ju zgjodha ju që të jeni ithtarët e tij, prandaj praktikojeni atë plotësisht në mënyrë që kështu të falënderoni Zotin tuaj për të gjitha mirësitë e Tij ndaj jush, më e madhja e të cilave, ajo që Ai jua zgjodhi Islamin si fenë tuaj, jua plotësoi atë me zbritjen e Kuranit dhe të Dërguarit të Tij të fundit, dhe ju bëri muslimanë. Islami është feja e të gjithë të dërguarve të Allahut, por me dërgimin e Muhamedit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ai u plotësua përfundimisht, dhe përveç plotësimit, ai pastroi pluhurin dhe sqaroi devijimin që i ishte bërë atij nga ithtarët e Librave të mëparshëm prej çifutëve dhe të krishterëve

[36] El Maide, 3.

[37] E ka nxjerr Ed Darakutni (2/70), El Hakimi (1/542) dhe El Bejhaki (1/306) prej hadithit të Ibën Abasit radijAllahu anhu. El Bejhaki ka thënë: “E njohur është se ky është meukuf”. E ka saktësuar El Hakimi mefuan.

[38] Ahmedi në “El Musned” (2/97), Ibën Maxhe në “Es Sunnenu” (2/1102 me nr. 3314), Esh Shafiu në “Tertibul Musned” (2/173 me nr. 607), Ed Darakutnij (4/272 me nr. 25), El Bejhakij (1/254), El Begavij në “Sherh es Sunneh” (11/244) etj. E ka saktësuar shejh Albani (Allahu e mëshiroftë!) në “Sahihul Xhami” (210).

[39] Transmetohet nga Aisha radijAllahu anha se ka thënë: “Unë e fërkoja spermën (e tharë) nga rrobja e të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, pastaj ai shkonte dhe falej me atë rrobe”. Hadith autentik.

Ndërsa në një transmetim tjetër të Buhariut, Muslimit dhe Ahmedit thuhet: (Aisha thotë:) “E laja spermën e rënë në rroben e të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, pastaj ai dilte për t’u falur dhe gjurmët e larjes dalloheshin në rroben e tij si njolla uji”.

Mexhdudin Abdusselam bin Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) thotë: Nga të gjitha këto tekste, del qartë se që të dyja ato (fërkimi dhe larja e rrobes ku ka rënë sperma) janë të lejuara. “El Munteka” vëll. 1

[40] Në lidhje me urinën e foshnjës mashkull, i cili ende nuk ka filluar të hajë ushqim, është transmetuar nga Ummu Kajs bintu Mihsan radijAllahu anha se: “Ajo shkoi me djalin e saj të vogël, i cili ende nuk kishte filluar të hante ushqim, tek i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e mbajti foshnjën në prehër e ai urinoi në pelerinën e tij. Ai kërkoi që t’i sillnin ujë, e spërkati vendin e urinës dhe nuk e lau atë”. Buhariu (223) dhe Muslimi (287).

Hafidh Ibën Haxher (Allahu e mëshiroftë!) në “Fet’hul Barij”, në komentim të fjalës se Ummu Kajsit: “Ende nuk kishte filluar të hante ushqim“, ka thënë: “Me ushqim është për qëllim çdo gjë tjetër përveç qumështit që pinte, hurmës me të cilën fërkoheshin mishrat e dhëmbëve dhe mjaltit i cili përdoret për kurim. Pra, duket se ai nuk ushqehej me diçka tjetër si ushqim bazë, përveç qumështit…”

[41] Hadithi i plotë: Transmetohet nga Ebu Hurejra radijAllahu anhu se: Khaule bintu Jesar tha: O i Dërguari i Allahut! Unë posedoj një rrobe të vetme dhe i kaloj periodat me to. Ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem tha: “Kur të pastrohesh (nga periodat), laje vendin që është bërë me gjak, pastaj falu me atë rrobe”. Ajo tha: O i Dërguari i Allahut! Po nëse njolla e tij nuk hiqet? Ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem tha: “Për ty mjafton uji, ndërsa njolla e tij nuk të dëmton”. E transmeton Ahmedi dhe Ebu Daudi. Hadith autentik. “Irvaul Galil” (168).