Minberi i Profetit

October 18, 2017

Ebu Hazim bin Dinar ka thënë: Disa burra shkuan te Sehl bin Sadi es-Saidij dhe po diskutonin për minberin -e Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) se nga çfarë materiali ka qenë. Ata pyetën Sehlin, ndërsa ai tha: “Pasha Allahun! Unë e di se nga cili material është ndërtuar (minberi). Unë e kam parë që momentin e parë që u vendos (në xhami) dhe ditën e parë mbi të cilin i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) u ul në të.

I Dërguari i Allahut e dërgoi te filania – Sehli e përmendi me emër – t’i thonte: “Thuaji djalit tënd zdrukthtar të më bëjë diçka prej drunjve ku të ulem kur t’u flas njerëzve.” Ajo i tha djalit të saj dhe ai e bëri atë prej drunjve të pyllit nga pjesa e sipërme e Medines (nga ana e Shamit). Pastaj e solli dhe ia dërguan të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe u vendos këtu. Pastaj e kam parë të Dërguarin të falet mbi të (minber). Mori tekbir (tha Allahu ekber) duke qenë sipër në minber, ra në ruku duke qenë mbi të, pastaj u tërhoq (eci) mbrapa dhe ra në sexhde në tokë (përbri shkallës së parë të minberit), e pastaj u kthye. Pasi mbaroi namazin profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) u drejtua nga njerëzit dhe tha: “O ju njerëz! Unë e bëra këtë gjë me qëllim që të më ndiqni (shihni) dhe të mësoni formën e namazit tim.” Hadith autentik. E ka nxjerr Buhariu (917).

Shejh Abdulmuhsin el-Abadi (Allahu e ruajtë) ka thënë: Në disa hadithe transmetohet se minberi i Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka qenë me tri shkallë, e në disa hadithe të tjera tregohet se ai ka qenë me dy shkallë. Pas bashkimit mes tyre (haditheve) përftohet se minberi i tij ka qenë me tri shkallë. Ndërsa ai që thotë se ka qenë me dy shkallë nuk e ka llogaritur (numëruar) shkallën mbi të cilën ulesh. “Sherh Sunenu Ebi Daud” (6/213-214).

Dobitë e hadithit:

1. Sqarimi se minberi ka qenë i ndërtuar prej drurit.

2. Sqarimi i lejimit të lëvizjes sipër minberit dhe zbritjes prej tij për të mësuar njerëzit.

3. Nxitja e imamëve të xhamisë që t’ua mësojnë njerëzve namazin duke e praktikuar atë, dhe të mos të mjaftohen vetëm me mësimin nga ana teorike.

 

Përktheu: Unejs Sheme

Loading...