Mirësia e ruajtjes së marrëdhënieve farefisnore

December 3, 2015

Nga Enes ibn Maliku përcillet se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush dëshiron t’i zgjerohet furnizimi (prej Allahut) dhe t’i zgjatet jeta, le t’i mbajë lidhjet farefisnore.” Muttefekun alejhi.[1]

Në këtë hadith ka nxitje për mbajtjen e lidhjeve me të afërmit dhe se kjo e bën të pashmangshme kënaqësinë e Allahut dhe shpërblimin e Tij në ahiret, dhe shpërblimin e shpejtë në këtë botë duke i sjellë robit gjërat më të dashura për shpirtin e tij. Kjo është shkak për shtimin e rizkut dhe zgjerimin e tij, dhe për zgjatjen e jetës, dhe se këto gjëra ndodhin realisht dhe nuk janë figurative sepse Ai është Krijuesi i shkaqeve dhe i pasojave.

Allahu i Madhëruar ka bërë shkak dhe rrugë për çdo gjë që njeriu kërkon ta arrijë, dhe kjo është vazhdimësi e rregullit të madh të përgjithshëm, dhe është prej urtësisë dhe lavdërimit që Ai meriton ku shpërblimi është sipas punës. Prandaj ashtu si ai i mbajti lidhjet me të afërmit e tij (dhe nuk i ndërpreu) duke u bërë mirë atyre në forma të ndryshme, si dhe futi gëzim në zemrat e tyre, ashtu edhe Allahu e vazhdoi jetën e tij dhe nuk e ndërpreu atë. Ja vazhdoi furnizimin, e i hapi prej dyerve të rizkut dhe bereqetit gjëra që nuk do t’i vinin pa këtë shkak fisnik dhe të ndershëm.

Ashtu si shëndeti, ajri dhe ushqimi i pastër, dhe përdorimi i gjërave që e forcojnë trupin dhe zemrën është prej shkaqeve të jetës së gjatë. Ashtu dhe mbajtjen e lidhjeve farefisnore Allahu e ka bërë shkak hyjnor (për zgjatjen e jetës), sepse shkaqet me të cilat arrihen gjërat e dëshiruara të dynjasë janë dy llojesh:

Shkaqe të prekshme (fizike), të cilat futen te perceptimi fizik dhe ndjeshmëria e shqisave dhe e mendjeve.

Dhe shkaqe hyjnore prej Allahut të cilat i ka përcaktuar Ai që është i Plotfuqishëm për gjithçka. Ai që të gjitha shkaqet dhe çështjet e botës janë të nënshtruara para vullnetit të Tij dhe i Cili ka marrë përsipër tu mjaftojë atyre që mbështeten tek Ai, dhe u ka premtuar të devotshmëve furnizim dhe rrugëdalje prej vështirësive. Thotë i Lartësuari: “Dhe kush i frikësohet Allahut Ai do t’i bëjë atij rrugëdalje dhe do ta furnizojë andej nga s’e pret. Kush i mbështetet Allahut Ai i mjafton atij.” | Et Talak: 2-3.

Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem thotë: “Nuk pakësohet pasuria prej lëmoshës.” (apo:“Lëmosha nuk e pakëson pasurinë.”)[2] Përkundrazi, e shton atë. Si mund të jetë puna e sadakasë dhe dhuratës ndaj të afërmve dhe farefisit?!

Te ky hadith ka argument nëse qëllimi i vepruesit është fitimi i kënaqësisë së Allahut dhe xhennetit, nuk e dëmton atë shpërblimi i shpejtë i kësaj bote (sh.p. nuk ja pakëson aspak shpërblimin e botës tjetër), sepse Allahu me urtësinë dhe mëshirën e Tij e ka shkruar shpërblimin e shpejtë dhe të ardhshëm për këtë vepër.

Ai ua ka premtuar këtë vepruesve, sepse shpresa dhe ndjenja se do të shpërblehet i bën aktivë ata që veprojnë dhe ua shton vullnetin e ambicjen për këto punë të mira. Ashtu si dhe kërcënimi për krimet (gjynahet) dhe përmendja e dënimit për to janë gjëra me të cilat Allahu frikëson robërit e Tij, dhe i zmbraps prej gjynaheve dhe krimeve.

Besimtari i vërtetë është i sinqertë gjatë punës dhe largimit nga gjynahet, i bën ato për hir të Allahut duke u ndihmuar me tekstet e ndryshme nxitëse për punë dhe shpërblimin për ato kur shoqërohen me këtë qëllim të lartë.

Allahu është Ai që jep sukses!

 

Marrë nga libri: “Behxhetu kulubil ebrar”.

Përktheu: Emin Bilali

——————————————————————-

[1] Buhari në “Kapitulli i edukatës”\ Tema: “Kujt iu shtua rizku për shkak të lidhjeve farefisnore” 5986. Muslimi në “Kapitulli i mirësjelljes dhe ruajtjes së lidhjeve farefisnore”\ Tema: “Mbajtja e lidhjeve farefisnore dhe ndalimi i ndërprerjes së tyre 557.

[2] Ka paraprirë studimi i hadithit.

Dosje:

Loading...