Mirësitë e Zotit kërkojnë falënderim

Tubimi i parë

Mirësitë e Zotit kërkojnë falënderim

Falenderimi i takon Allahut që na i lehtësoi mirësitë e Tij aq sa të meritojë falënderimet e të gjithë atyre që falenderojnë, ndërkohë që një pikë nga deti i mirësisë së Tij ka përfshirë mbarë botët.

Zemrat ngazëllehen prej dhuratave më të thjeshta, ndërsa mendja mbetet e shokuar përballë fakteve mahnitëse të universit që Ai krijoi.

Një mbret që sundoi tokën u mbyt nga një mushkonjë që depërtoi përmes hundës së tij, ndërsa ai që pati thënë: “Unë jam Zoti juaj më i madh…” u mbyt me një gllënjkë uji. Nga gjithë ai vërshim Faraonin e mbyti një pikë uji që nuk e la të merrte frymë një herë e mirë.

Një mbret u thye nga uria për disa momente, dhe kur gjen një kothere buke kjo ‘ia mbush zemrën plot gëzim.

Luani i tmerrshëm mund të sprovohet me një insekt që bie në syrin e tij dhe mbetet i robëruar, ndërsa gjarpri mund të lëshohet mbi elefantin e madh dhe pickimi i tij e thyen dhe e plas përdhe!

Allahu i Lartësuar thotë:Allahut nuk mund t’i shpëtojë asgjë as në qiej e as në Tokë. Ai është i Gjithëdijshëm dhe i Fuqishëm për çdo gjë.[1]

Nëse hallet e mëdha të kanë rrethuar,

Nuk gjen përkrahje dhe kush të të ndihmojë.

Nëse brenga të shtyn të mbetesh i robëruar,

Drejtohu tek Bujari që brengat të t’i largojë.

Çdo rast të vështirë të lehtë Ai e kthen,

Sepse është i Lartë, i Ditur, Madhështor.

Është i Butë, i Gjithëditur, dëgjon dhe shikon,

Mbarë njerëzinë e krijoi me të Tijën dorë.

Po të mos ekzistonte Krijuesi njeriu nuk do të ishte qenie e denjë për t’u përmendur. Po të mos ishte Furnizuesi njeriu nevojtar nuk do të posedonte as gjënë më të vogël.
Kushedi sa mirësi na i ka dhuruar! Kushedi sa të mira deri tek ne i ka dërguar! Në fe na ruajti nga mosbesimi, në trup na ruajti nga sëmundjet, nga kurrizi i prindërve na nxori muslimanë, na bëri të rritemi mes vëllezërve të një feje (Islamit), na mundësoi të flasim gjuhën më të pastër (kulluar), dhe na mundësoi të ndjekim rrugën më të qartë dhe më të drejtë.
Me ç’lloj falënderimi i presim mirësitë e Tij ndaj nesh? Si mund t’a shpërblejmë për mirësitë që Ai solli tek ne? I Lavdishëm dhe i Lartësuar qoftë Allahu!
Asnjë krijesë nuk e ka falënderuar siç i takon, dhe askush nuk e ka lëvduar ashtu sikurse Veten e Tij e lëvdon!

Asnjë krijesë nuk e ka vlerësuar siç duhet fuqinë e Allahut sepse e gjithë kjo varet tek fakti se sa e njeh robi Zotin e vet,  paçka se kjo njohje është si deti që nuk i gjendet fundi.

I Lavdishëm dhe i Lartësuar qoftë Allahu, sa të shumta janë mirësitë e Tij dhe sa të drejta janë gjykimet e Tij!

Po t’a falënderonim aq sa mundemi, mirësitë e Tij do të na i shtonte. Nëse do t’a konsideronim Zot të vërtetë Ai do të na përzgjidhte tek robërit e Tij të veçantë, por e keqja jonë është se ndaluam tek arsyetimet dhe shkaqet.

Kushedi sa njerëz pretendojnë monotezimin e në fakt janë idhujtarë ndaj Zotit të tyre? Kushedi sa të tjerë çojnë zërin duke thënë: Unë jam robi i Allahut, – e në të vërtetë është skllav i barkut? Kundërshton Allahun për t’ju bindur dëshirave të veta, dhe e shet kënaqësinë e Alahut për të fituar kënaqësinë e një krijese të ngjashme me të!

Sa ndryshim i madh është mes atij që ndjek epshet personale duke i konsideruar si Hyjni, dhe dikujt  që i bindet urdhërave të Zotit dhe blen vetveten për të fituar kënaqësinë e Allahut.

A nuk i vjen turp atij që pretendon dashurinë ndaj Krijuesit që të dojë një krijesë dhe të sillet ndaj saj më mirë se ç’sillet me Zotin e Tij?

‘Të çmendurin pas Lejlës’ e panë në ëndërr pasi që kishte ndërruar jetë dhe e pyetën: Çfarë bëri Allahu me ty? Ai u tha: Më fali dhe më tha: Shko, sepse të kam bërë argument kundrejt të gjithë atyre që pretendojnë dashurinë ndaj Meje!

 

“Përkujtime dhe Predikime” – Ibn Xheuzi

Përktheu: Fatjon Isufi

————————————

[1] Suretu Fatir: 44.